OpEd

Paradokset e mesnatës: “Oscari” dhe tre të rinj në lloç

Kontrasti i përditshmërisë në dukje është paradoks në esencë. Loja me to është ikja nga zhgënjimi e frika që paradokset të mos shndërrohen në paradigmë për gjetjen e zgjidhjes. Një rrugë e përbaltur është imazhi i talljes nga pushteti. Në perspektivë: rruga që ia shtrojmë vetes dhe atyre që vijnë pas nesh. Ajo që ndodh brenda një çerek ore, në mesnatë, midis atyre që ëndërrojnë, pushtojnë botën dhe mbërrijnë deri në “Oscar” dhe tre të rinjve që mbesin në lloç. Të tjerat janë në mes

Kishte kaluar çerek ore prejse kishim mbyllur gazetën (ende është gati e njëjta procedurë, ani pse ajo nuk shtypet në letër si ky numër festiv) pasi e pritëm deri vonë, ceremoninë e atij që quhet “Oscar” evropian. “Pa vend” i shpëtoi nga dora fitorja, regjisori Samir Karahoda u lidh direkt nga Prizreni në ceremoninë në Berlin, trofeun s’e mori, por pak kishte rëndësi. S’do të mendonim gjatë për titullin, synonim t’i iknim zhgënjimit dhe ta ruanim entuziazmin, ashtu sikurse sportistët e këtij filmi, e krejt ekipi i atyre që e realizuan.

Është një soj ndenje e përsëritshme, bëhet rutinë e pashmangshme jo rrallë e bezdisshme, kur vetvetiu titujt e një numri të sapopërfunduar gazete rikthehen në kokë me intensitetet jo rrallë trullosës që sa vjen e shtohet veçmas në lëvizje me makinë.

Pasmesnatë, minutat e parë të një të diele dhjetori jo pak të acartë, pak trafik. Sekondat e semaforit mjaftojnë për ta rikujtuar kthjelltë ballinën, t’ia konfirmoj vetes që s’ka ndonjë gabim qoftë edhe teknik dhe rikonfirmimi shndërrohet sakaq në zhgënjim. I pari: se s’i bëhet vonë kujt për gabime çfarëdo, i dyti: se një shoqëri e tërë s’mërzitet se nuk ka gazetë në letër.

I treti më doli përpara. Qartazi edhe me dritat e shkurtra. E di, duket groteskë dhe e trilluar thjesht për efekte drame.

* * *

Kur po bëhesha gati që prej rrugës me asfalt të freskët – vetëm një shtresë për pesë muaj, i prishur pa u inauguruar – të zhytesha bashkë me makinë në ujëra kanalizimi, kurthe gropash “përzgjedhja” e të cilave është si rulet rus – dalloj një makinë, me të katër dyert hapur. Dhe tre të rinj pranë saj. Të përbaltur, stërpikur këmbë e krye, tek kishin provuar më kot ta nxirrnin makinën me të dy rrotat e para rënë në pusetën pa kapak. Shoferi – i ri, por jo aq sa për ta fajësuar për pagjeturi në shmangie gropash në një rrugë të tillë – pas përshëndetjes belbëzoi se s’kishte dreq që i nxjerr prej aty, se “merimangën” e kishte thirrur tashmë. Dy mjeshtërve të përgjumur s’iu deshën më shumë se dhjetë minuta që t’ia vinin kanxhat makinës, ta kthenin në rrugë. Njëri pështyu jo nga mllefi, por punë shprehie, fshiu hundët me mëngën e kombinezonit, i kthjellur tashmë bëri pagesën dhe i ngushëlloi të rinjtë se përditë në atë rrugë nxjerrin nga një, o në atë vend, o pak metra më lart. “Muharrem Fejza” quhet rruga, e shndërruar në batutë për optimistët, e tillë edhe për pesimistët që duan t’i bëjnë bisht zhgënjimit, realitet për të dyja palët. Në fotografi: imazhi i talljes nga pushteti, punë e nisur keq dhe e lënë përgjysmë. Në perspektivë: rruga që ia shtrojmë vetes dhe atyre që vijnë pas nesh.

Për tre të rinjtë, mbetja në lloç mbase do të bëhet një episod që më vonë do ta tregojnë si batutë midis miqsh. Nisën makinën me rrapëllimë hekrash, tymëqitësi ishte shkëputur, haste përtokë. U përshëndetëm sikur njiheshim kaherë, sepse i binim së njëjtës rrugë a ndanim të njëjtën përditshmëri. M’u deshën nja njëzet minuta xhiro nëpër lagje, si rëndom, deri sa gjeta një qoshe për vendparkim dhe të provoja aftësitë prej atleti në dalje prej derës së shoferit që hapet diç më shumë se një pëllëmbë: së pari nxjerr kokën, pastaj njërën këmbë, e tërheq zvarrë për t’i bërë vend këmbës tjetër...Dhe punë e madhe se i zoti i makinës së cilës i je qepur do të provojë po të njëjtat aftësi prej atleti, nëse zgjohet dhe i duhet makina para teje.

Ky s’qe zhgënjim, por një rutinë e mësuar tashmë. E tillë qe ajo që ndodh brenda një çerek ore, në mesnatë, midis një filmi që pushton botën dhe tre të rinjve që mbesin në lloç. Nga i njëjti vend. Zhgënjimin e zëvendësova me lojë në gjetje të atyre që në shikim të parë janë kontraste, në esencë, paradokse.

Ballina e gazetës m’u beh e para me titullin kryesor për arrestimin e tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë në Deçan dhe poshtë tij, ai për “Pa vend”, pa trofe, por me nominim historik për “Oscarin” e Evropës.

Gjetja e paradokseve vazhdoi edhe të nesërmen. Dhe në ditët në vazhdim. Sa herë që zhgënjimi thjeshtëzohet me lojë paradoksesh.

* * *

Kur më tre shkurt në tre të mëngjesit sipas orës lokale, u dha lajmi se “Zgjoi” mori tre trofe në “Sundance Film Festival”, në raporte policie qe shënuar se një “17-vjeçare në Suharekë përdhunohet derisa ishte vetëm në shtëpi” dhe po prej atij vendi vinte edhe një tjetër lajm se “burri që mbyti bashkëshorten u dënua me 15 vjet burgim”. Nja 30 minuta me makinë duhen bërë prej aty deri në Krushë të Madhe. Aty gjëllin rrëfimi i “Zgjoit”. Fahrije Hoti është ajo që i jep zë, një grua e fortë, ende në pritje të zbardhjes së fatit të burrit të zhdukur në luftë, por që zgjodhi të ecte para, të jetojë. Atë ditë kur filmi i fliste botës për të, presidenti i Serbisë – e cila ende mohon krimet në Kosovë – siç do të shkruhej në një tjetër titull lajmi, “bisedoi me Putinin, temë edhe çështja e Kosovës”.

Lojën me paradokse e kushtëzova me gjetjen e tyre vetëm brenda nesh, brenda vendit.

“Pa vend” në mesqershor mori lajmin se është në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë”. U përgëzua edhe nga shtetarët, lajm historik për Kosovën, shtetin që ende ia kishte borxh paratë për filmin për të cilin tashmë do të ndizej projektori në Cannes.

* * *

Gati gjashtë muaj më vonë, “Zgjoi” dhe “Pa vend” u takuan në rrugëtimin për “Oscarin” e madh. Gjashtë orë përpara shpalljes së listës – ku i pari hyri në listë, i dyti u ndal aty – deputetja i hodhi ujë ministrit, në dalje nga salla ia përplasi ca të shara, ministri rrahu tavolinën, me gjoks para këqyri pak anash dhe me setër të lagur u trimërua se s’kishte as plumb që e ndalte në misionin e tij.

Ekipi i “Pa vend” s’u zhgënjye me humbjen e shansit për një çmim të madh, por me faktin se personazhet, sportistët e vërtetë të filmit, ende janë lënë në lloç. Nxjerrja e tyre prej aty, do të ishte “Oscar” për ta. Dhe s’ka të bëjë thjesht me ndërtim të objektit për një grup lojtarësh pingpongu. Ka të bëjë me lehtësinë e padurueshme të mbylljes së syve përballë ëndërrimtarëve.

Ishin bërë fiks gjashtë orë pas suksesit të “Zgjoit”, kur nisën reduktimet e energjisë elektrike. Do të zgjasin goxha. Aq sa as shkëlqimi i trofeut të “Oscarit” – që do të ishte i pari për Kosovën – s’do ta luftojë dot terrin e këtij vendi, në pikë të ditës a në mesnatë. Ky do të ishte paradoksi i radhës. Deri atëherë, gëzuar për një vit të ri, që paradokset të mos bëhen zhgënjim!

*Falas