Tashmë jetojmë në një botë me një paradigmë të re. Agresioni rus në Ukrainë në vete mbërthen shumë raporte e pasoja të ndërthurura gjeopolitike dhe ekonomike. Për shkak të energjentëve, si dhe mungesës së prodhimit të drithit e produkteve të tjera bujqësore, me të cilat Ukraina dhe Rusia i furnizojnë edhe shumë shtete të tjera nëpër botë, për pasojë kemi ngritjen e kostos së jetesës për qytetarin e rëndomtë kudo në Evropë, ashtu edhe në botë. Një gjë e tillë, gjithashtu, e rrit edhe shkallën e inflacionit të shteteve, te disa më shumë e te disa më pak
Se tashmë jetojmë në një botë me një paradigmë tjetër, këtë veçse po e dimë dhe po e përjetojmë. Dje, përderisa temperatura në Londër shënonte rreth 19°C, në Prishtinë kishte rënë borë. Ndryshimet klimatike në planetin tonë janë më se evidente.
Ne, të cilët jemi në mezzo-moshë, apo ata edhe më të moshuarit, medoemos që i mbajmë mend dimrat me shumë borë, duart dhe fytyrat tona të stërkuqura nga lojërat e gjata. Mirëpo, edhe transicioni nga stina e dimrit në atë të pranverës ishte më i theksuar, derisa tashmë disi kemi mbetur si të ngujuar në njëlloj stine të verës dhe vjeshtës së vonshme, përderisa transicion të butë midis këtyre dyjave thuajse nuk kemi fare.
Nga ngjarjet në Kosovë do ta veçoja raportin e “Freedom House”, një organizatë e respektueshme joqeveritare e përkrahur nga Departamenti Amerikan, USAID-i, si dhe nga disa shtete të tjera demokratike siç janë Kanadaja, Bashkimi Evropian, Holanda, Norvegjia, Suedia, e po ashtu edhe nga donatorë privatë, si John D. dhe Catherine T.
Në raportin e fundit rreth Kosovës të “Freedom House” shkruhet se ish-presidenti Hashim Thaçi, si dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ishin të implikuar në korrupsion të nivelit të lartë, si dhe krim të organizuar. Lexoja komente të shumta, qoftë nga qytetarë të rëndomtë, qoftë edhe nga aktivistë politikë, të cilët mundoheshin që këtë organizatë ta portretizonin vetëm si një OJQ të thjeshtë dhe një lloj huqjeje të porositur. Mirëpo, jo rastësisht e ceka se kush janë donatorët kryesorë të “Freedom House”, gjë që raportet e saj i vendos në një plan serioz, e jo të thashethemeve të kafeneve të Kosovës, me lugë plastike të makiatos në gojë.
Nuk dallojnë shumë as shumica dërrmuese e analistëve politikë, të katapultuar nëpër studiot e televizioneve të shumta private, e të cilat në cilësi “debatesh politike” çdo ditë i servojnë shikuesit ekspertizë politiko-ekonomike, por me mungesën e lugëve plastike të makiatos në gojë.
Se a ka gabime Qeveria aktuale kosovare në qeverisjen e saj, sigurisht se ka. Porse a ua ka ndalur hovin vjedhjes e korrupsionit në nivel industrial, i cili kishte ndodhur edhe këtu, mendimi im është se edhe nëse nuk e ka ndalur në plotni, të paktën ia ka frenuar atë hov gjatë qeverisjes së saj njëvjeçare.
E, korrupsioni kur fillon nga koka e qelbet edhe deri te bishti, është shumë i rrezikshëm për një shoqëri, pasi që në shpinë të pasurimit të disa individëve e pëson i tërë shteti dhe mbarë shoqëria, në të gjitha poret e saj organizative. E tash pjesëmarrësit apo të akuzuarit direkt për implikim në korrupsion e edhe krim të organizuar të na shesin moral politik dhe të na mbajnë ders politik e ekonomik, është oksimoron i llojit të vet.
Fundja, i kemi rezultatet e 22 vjetëve të fundit për të vlerësuar këtë gjë. Korrupsioni nuk na ka pikur nga qielli, atë e sollëm ne vetë këtu edhe shumica me apo pa vetëdije kishte zgjedhur që t’i mbyllte sytë pranë një dukurie të tillë në shtetin tonë. Disa nga frika apo shantazhi, e disa edhe nga përfitimet e tyre vetjake.
Në fillim të ditarit e ceka se tashmë jetojmë në një botë me një paradigmë të re. Agresioni rus në Ukrainë në vete mbërthen shumë raporte e pasoja të ndërthurura gjeopolitike dhe ekonomike. Për shkak të energjentëve, si dhe mungesës së prodhimit të drithit e produkteve të tjera bujqësore, me të cilat Ukraina dhe Rusia i furnizojnë edhe shumë shtete të tjera nëpër botë, për pasojë kemi ngritjen e kostos së jetesës për qytetarin e rëndomtë kudo në Evropë, ashtu edhe në botë. Një gjë e tillë, gjithashtu, e rrit edhe shkallën e inflacionit të shteteve, te disa më shumë e te disa më pak. Vitet në vijim pritet të jenë vite të recesionit për rikthim në normalitet dhe rimëkëmbje ekonomike edhe në shtetet me ekonomitë më të zhvilluara.
***
Lufta në Ukrainë ka hyrë në fazën e saj kritike, kur përqendrimi i forcave ushtarake ruse është bartur në pjesën lindore dhe atë jugore të Ukrainës, siç janë rajonet e Donbasit, Luhanskut, Kharkivit dhe Mariupolit. Pas disfatës dhe fiaskos së pësuar nga ushtria ruse, në tentimin e saj për invazion të Kievit nga drejtimi i veriut, ajo tashmë strategjinë e saj e ka të fokusuar në luftën për kapjen e pjesës lindore të Ukrainës, e që më pas kjo do t’i shitej si fitore e Rusisë dhe e Putinit, publikut rus.
Përndryshe, së paku deklarativisht, vazhdon armatosja e Ukrainës nga partnerët e saj perëndimorë, si BE-ja, Britania e Madhe, Amerika, Kanadaja e të tjera. Në terren, ky lloj armatimi ku tashmë flitet edhe për dërgesa aeroplanësh luftarakë, tankesh, artilerisë me rreze më të gjatë të veprimit do t’i mundësojë ushtrisë ukrainase jo vetëm luftë mbrojtëse, mirëpo edhe luftë ofensive, deri në shporrjen e ushtarit të fundit rus nga toka e Ukrainës.
Pas fiaskos ushtarake, të cilën po e pëson Rusia me humbjen aq të madhe të personelit ushtarak, gjeneralëve në fushëbetejë, si dhe humbjen e anijes së saj më të famshme ushtarake në Detin e Zi, anijes luftarake “Moska”, asaj nuk i mbesin shumë opsione ushtarake, përveçse të mundohet ta shkëpusë pjesën lindore të Ukrainës e portin ukrainas të Mariupolit në Detin e Zi, për ta trumbetuar më pas këtë si fitore në këtë luftë dhe “çlirim nga nazizmi” të pjesës lindore të Ukrainës.
Populli rus, i nënshtruar nëpërmjet një propagande aq agresive dhe të tmerrshme të pushtetit të Putinit, luftën ruse në madhe të madhe e sheh si “intervenim special ushtarak”, si dhe si diçka të drejtë e të domosdoshme nga ana e Rusisë. Për krimet e për gjenocidin e shkaktuar rus ndaj ukrainasve as që bëhet fjalë. Ne popujt e Ballkanit e kishim provuar në lëkurën tonë një qasje dhe propagandë të tillë nga ana e Serbisë, thuajse identike me këtë të sotmen të Rusisë. E Serbia e vazhdon rolin e saj të vasalit karshi politikave dhe qasjes ruse.
Mirëpo, nuk do të duhet që të kalojë edhe shumë kohë që Serbia të vendosë se cili është drejtimi i saj. A është pro vazhdimit të saj në integrime evropiane, apo do t’i mbetet besnike Rusisë.
Serbisë tashmë i vijnë presionet, si nga ana e Evropës, ashtu edhe nga ana e Rusisë. Kjo më nuk do ta ketë komoditetin e saj e të ulurit në disa karrige në të njëjtën kohë. Serbisë do t’i duhet që së shpejti të vendosë dhe të orientohet nga integrimet evropiane, apo nga theqafja me Rusinë.
Polarizimet e skenës globale u vërejtën edhe në sesionin e djeshëm të Kombeve të Bashkuara, në takimin e tyre të radhës për raportin mbi Kosovën. Akuzat serbo-ruse kundër NATO-s, Kosovës e politikanëve kosovarë, si dhe viktimizimi i tyre ngërthenin skena dhe debate shterpe, të cilat veçse jemi duke i dëgjuar me dekada edhe disi i kemi të mësuara përmendësh.
Në fjalimin e tij, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara deklaroi se misioni i UNMIK-ut në Kosovë tashmë ka përfunduar dhe se ai atje më nuk e ka asnjë detyrë për ta kryer.
Edhe përfaqësuesi i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara ishte në krye të detyrës së tij, e edhe përfaqësimi i ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ishte një përfaqësim dinjitoz.