OpEd

Paqja e nxehtë

Vizitat e fundit të Vuçiqit dhe Dodikut në Moskë dhe mbështetja e Putinit për interesat serbe në rajon ngjallën apetitet luftënxitëse të Beogradit. Militarizimi i shpejtuar i Serbisë dhe kërkesa e Republika Srpskas për dërgimin e ushtrisë ruse atje alarmuan NATO-n.

Kremlini jo rastësisht riktheu vëmendjen në Ballkan, për të mbuluar stacionimin ushtarak në kufijtë e Ukrainës; në acarimin më të madh me SHBA-në, e para takimit virtual Bajden-Putin. Në Ukrainë po testohet paqja botërore dhe retë e luftës po e mbulojnë Detin e Zi. Frika mbetet arsyeja e vërtetë e luftës, do të thoshte Thukididi.

Ballkani, ndërkaq, ndodhet midis luftës së ftohtë dhe paqes së nxehtë. Mirëpo viti 2021 nuk është 1991. Atëherë asnjë nga vendet ndërluftuese të Ballkanit nuk ishin anëtare të NATO-s. Aleanca Veriatlantike ishte forcë paqekrijuese, e sot mbetet forcë paqeruajtëse.

Tri dekada nga ato luftëra, gjysma e gjashtë shteteve ballkanike janë anëtare të NATO-s. Në dy të tjera ka paqeruajtës ndërkombëtarë (KFOR dhe EUFOR) dhe vetëm një është kundër NATO-s, e me bazë ruse. Serbia, e rrethuar nga NATO, e di se ndezja e luftës së re do të ishte vetëvrasëse për Beogradin.

Mirëpo shteti më i militarizuar në rajon po vazhdon të kërcënojë me luftë. Përmes “botës serbe”, Vuqiqi iu rikthye filmit të luftës së shefit të tij - Milosheviq. Ai film përfundoi me shpërbërjen e shtetit jugosllav. Ky i riu, nga aventura luftënxitëse e Vuqiqit, do të përfundojë ngjashëm: me Serbinë e tkurrur në Pashallëk të Beogradit.