OpEd

Paqen në Ukrainë duhet ta gjejmë në mesin tonë

Për luftën e Kosovës në baltën ukrainase, ringjalljen e Rugovës, vijën e re e më të trashë ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë

1.

Sa lehtë hyjmë në luftë.

Sapo u nisën trupat ruse për në Ukrainë, filloi lufta në Kosovë. Çdo njëri prej nesh imagjinoi, ëndërroi, ripërtëriu njërën prej skenave të luftës në Kosovë. Tanket e baltosura, uniformat, granatahedhësit, qielli me re - që të gjitha të incizuara diku afër Kievit apo Harkovit, për shumë prej nesh ishin pamjet në afërsi të Drenasit e Deçanit.

Dhe më tutje, për shumë të tjerë gjithandej ish-Jugosllavisë ishin pamje të Vukovarit apo Sarajevës, Mostarit apo Prijedorit.

Në mjekësi quhet PTSD, sëmundja e stresit posttraumatik dhe nëpër të kalojnë luftëtarët e civilët që kanë përjetuar, në këtë rast, luftën (apo ndonjë traumë tjetër të kësaj natyre). Në shoqëritë e zhbërjes së ish-Jugosllavisë nëpër këtë sëmundje kaluan kolektivisht shumë njerëz; në shoqëritë që ende nuk kanë gjetur paqe, sikur Kosova, apo Bosnjë- Hercegovina apo Serbia, pacientë janë pothuajse të gjithë ata që ishin të moshës së vetëdijshme në fund të shekullit të kaluar.

Andaj në mbrëmje, ndërsa shohim pamjet e forcave ruse që shkelin nëpër vendbanime ukrainase, ne shohim forca serbe duke hyrë nëpër vendbanime të Kosovës.

Dhe në mbrëmje në familje të ndryshme të Serbisë, ndërsa shihen pamjet e po të njëjtave forca ruse në vendbanime ukrainase, shumë prej tyre shohin se si forcat çlirimtare serbe “çlirojnë” territore që i konsiderojnë të vetat në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë.

Në BH, mbrëmjet para televizorëve në njërin fshat mund të tregojnë forcat ruse si okupatore e në tjetrin si çlirimtare.

Kështu, lufta në Ukrainë, në fakt, është vazhdim lufte mes nesh, në kokat tona, një luftë që ende nuk ka përfunduar.

2.

Kjo luftë e papërfunduar është edhe me neve vetë sa me Serbinë e me bashkësinë ndërkombëtare.

Ibrahim Rugova, në varr prej shumë vjetësh, ringjallet për t’u zhvilluar lufta kundër tij. Krahasohet me presidentin ukrainas Zelenski, me thjeshtësinë e fotografive krahasimtare në Facebook: Zelenski lufton në Kyiv, Rugova ikën në Romë. Lufta kundër Rugovës eliminon faktet: ai ishte peng gjatë bombardimeve, u mor peng, sepse vendosi të rrinte me popullin e tij kur filluan bombardimet e NATO-s, duke qenë i vetëdijshëm se mund të viktimizohej dhe për pothuajse një dhjetëvjetësh i priu një lëvizjeje që ndaj dhunës policore e ushtarake iu kundërvu me paqe, unitet popullor dhe vullnet kolektiv për liri. Kjo politikë i solli Kosovës përkrahje të Perëndimit dhe të botës demokratike, në fund edhe ndërhyrjen ushtarake që e liroi.

Zelenski, për dallim prej situatës historike në të cilën u gjet Rugova – në Shoqatën e Shkrimtarëve pa asnjë institucion funksional të shtetit të Kosovës - është në krye të forcave të armatosura të një shteti të pavarur dhe me trimërinë e tij, me unitet popullor dhe me vullnet kolektiv për liri po kërkojnë ta ruajnë pavarësinë. Ky qëndrim po i sjell përkrahje kritike të botës së lirë.

Jeta e dr. Rugovës ka përfunduar, por lufta kundër tij dhe asaj që ka përfaqësuar jo.

Siç nuk ka përfunduar lufta mes Kosovës dhe Serbisë, e përsëritur çdo natë në baltën ukrainase. Me lehtësinë më të madhe narracioni kosovar nxjerr akuzën për gjenocid (kundër Ukrainës), me lehtësinë me të cilën e përdor kundër Serbisë. Me lehtësinë më të më madhe narracioni i shumicës në Serbi nxjerr akuzën se Ukraina (“fashistët”, “nazistët”, “nacionalistët”) po zhvillon gjenocid kundër rusfolësve ukrainas, andaj Rusia është detyruar të ndërhyjë që t’i mbrojë. Lehtësia e përmendjes së gjenocidit nuk shpjegon gjë në Ukrainë (atje ka një agresion të paprovokuar rus kundër një shteti të pavarur, duke tentuar pushtimin e pjesshëm a tërësishëm të tij), por shpjegon në thellësi luftën e papërfunduar në Kosovë e Serbi, nevojën që t’i shpjegojmë vetes se ajo që na ndodhi neve ishte gjenocid. Dhe nuk ishte; qe, juridikisht, një pushtim dhjetëvjeçar i Serbisë ndaj Kosovës që përfundoi me nevojën e ndërhyrjes së NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës prej një lufte që mund të mbërrinte edhe gjenocidin.

E këtë luftë tash po vazhdojmë t’ia shpjegojmë instinktivisht botës, se Kosova është Ukrainë dhe Serbia është Rusi. Dhe nuk është kështu; luftërat mund ta zgjojnë PTSD-në tonë individuale e kolektive, por çdo luftë e ka rrëfimin e vet. Kjo e jona, e papërfunduar mes Serbisë e popullit të Kosovës, ka aq shumë rrëfime të veta, saqë nuk ka nevojiten luftëra të tjera.

3.

Paqja në Ukrainë nuk do të gjendet as lehtë e as shpejt. Edhe kur të mbërrihet armëpushimi, do të rriten gjeneratat e reja në rrëfimet e hendeqeve të luftës. Në fund të këtij shekulli në Ukrainë do të ketë të rinj që do të rriten me rrëfimet e urrejtjes për rusët a ukrainasit dhe me rrëfimet e tyre do ta vazhdojnë këtë luftë të filluar sot. Ashtu po rriten të rinjtë shqiptarë në Kosovë e serbë në Serbi, që për njëri-tjetrin dinë vetëm në saje të rrëfimeve të shekullit të kaluar, apo më saktë të fundit të shekullit të kaluar dhe përgjakjes që kërkoi në fund edhe ndërhyrjen e NATO-s.

Paqja në Ukrainë, kurdo që të vijë, nuk do ta sjellë fundin e luftës në kokat tona, në Kosovë, Serbi apo BH. Paqja duhet të gjendet në shoqëritë tona, e kjo ka gjasa të bëhet më vështirë dita-ditës. Në pozicionimin ndaj luftës në Ukrainë, Kosova është qartazi pjesë e aleancës perëndimore, ndërsa Serbia ruan pozicionin e diçkaje që duket si një enklavë euroaziatike, një enklavë e interesave të Rusisë në Evropë. Kjo e bën vijën ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë edhe më të trashë. Për më tepër, e bën jo vetëm me Kosovën, sepse aspirata e Serbisë që të avokojë për “Ballkanin e hapur” e njëkohësisht ta përkrahë Rusinë duke mos i vendosur sanksione e zhvlerëson funksionalisht edhe vetë idenë e “Ballkanit të hapur”. Si mund të ketë këmbime të lira tregtare mes një Shqipërie që ka vendosur sanksione ndaj Rusisë (pra ka kufizim për eksport e import) dhe një Serbie që shndërrohet në depo mallrash për import e eksport nga Rusia?

4.

E, megjithatë, ka një gjë që ndodh në kokat tona kur rindizet lufta, ajo e papërfunduar. Mu kjo, ndjenja se lufta nuk ka përfunduar. Pra, se duhet marrë fund. Pra, se për të marrë fund duhet bërë një hap të parë, duhet krijuar një vullnet individual e kolektiv për paqe.

Do krijuar besimin se mu tash, kur në njërën periferi të Evropës po thellohet lufta, në periferinë tjetër të saj do thelluar kërkimin për paqe.

Në dhjetë ditë lufte në Ukrainë vetëm sa piqet më shumë ndjenja se Kosova ka nevojë ta përfundojë luftën me Serbinë, atë që merr fund vetëm kur të gjejmë një marrëveshje paqeje.