OpEd

Paqartësi rreth angazhimit të policisë nuk duhet të ketë, sepse nxit tensione

Nëse çfarëdo njësie e Policisë së Kosovës kufizohet të veprojë në ndonjë pjesë të Kosovës, kjo do të thoshte kthim i opsionit për ndarje të Kosovës. Kjo shkon edhe kundër frymës së dialogut në të cilin synohet që serbët e Kosovës të jenë tërësisht të integruar në sistemin policor të Kosovës. Do të ishte mirë sikur në njësitë speciale policore të Kosovës të ketë serbë të Kosovës, por nëse për shkaqe të ndryshme nuk ka, ose nuk do të ketë, kjo nuk duhet të thotë se njësitë policore nuk mund të shkojnë në veri

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shkaktuar shumë reagime me një deklaratë ku ka përmendur nevojën për koordinim edhe në rastet kur Kosova në veri të dërgojë njësitë speciale të policisë. Ai këtë e ka përmendur në një fjali ku përmendi aranzhimet që Kosova dhe NATO-ja i kishin dakorduar në vitin 2013 rreth nevojës për të pasur një pajtim paraprak me komandantin e KFOR-it në rast se Kosova do të dislokojë njësi të FSK-së në veri. Mbeti e paqartë ajo që tha Stoltenberg dhe pa dyshim se do të përdoret nga Serbia për të vazhduar propagandën me thirrjet se “nuk ka çfarë të kërkojë policia e Kosovës në veri”. Por edhe në këtë deklaratë ai nevojën për pajtimin paraprak nga komandanti i misionit të NATO-s e përmendi në rastin e FSK-së, ndërsa në rastin e njësive policore tha se duhet të ketë koordinim për gjithçka që ka të bëjë me çështje të sigurisë.

Gjithsesi duhet pasur shumë kujdes kur përmenden detyrat e policisë, sepse puna e saj në parim nuk do të duhej të politizohej. Kjo duke pasur parasysh edhe faktin se tensionet në Kosovë më së shumti u rriten pasi, në koordinim me Beogradin, serbët në veri e lëshuan Policinë e Kosovës në mënyrë demonstrative. Pas kësaj, për të mos lejuar zbrazëtirë, Kosova rriti numrin e policëve dhe pasi vlerësoi se situata e sigurisë është e ndjeshme, angazhoi dhe njësi speciale të Policisë. Përderisa Kosova ta konsiderojë veten si shtet nuk duhet të lejojë që të ketë pjesë të territorit të saj ku nuk guxon të dërgojë njësi policore, çfarëdo njësie të jenë ato.

Nëse çfarëdo njësie e Policisë së Kosovës kufizohet të veprojë në ndonjë pjesë të Kosovës, kjo do të thoshte kthim i opsionit për ndarje të Kosovës. Kjo shkon edhe kundër frymës së dialogut në të cilin synohet që serbët e Kosovës të jenë tërësisht të integruar në sistemin policor të Kosovës. Do të ishte mirë sikur në njësitë speciale policore të Kosovës të ketë serbë të Kosovës, por nëse për shkaqe të ndryshme nuk ka, ose nuk do të ketë, kjo nuk duhet të thotë se njësitë policore nuk mund të shkojnë në veri.

Për një kohë të gjatë nga Beogradi ka pasur përpjekje për të krijuar një situatë në të cilën Kosova nuk do të mund të dërgonte njësi speciale të policisë në pjesën veriore të Kosovës. Për një gjë të tillë janë munduar ta përdorin një shkëmbim të letrave që kishin bërë Kosova dhe NATO-ja, më saktësisht ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Në një shkëmbim të letrave, pikërisht në ditën kur në vitin 2013 ishte arritur edhe marrëveshja e parë në dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi në emër të Kosovës kishte marrë vetëm obligim që të mos dërgohen njësitë e FSK-së në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it. Përpjekjet e Serbisë që NATO të interpretojë këtë edhe si zotim për të mos dërguar as njësi speciale në atë pjesë të Kosovës nuk kishin pasur rezultat. Sepse NATO-ja është një organizëm ushtarak dhe nuk ka kompetenca për çështje civile, përfshirë edhe ato policore. Përveç aranzhimeve në terren për çështje të sigurisë dhe përgjegjësisë në rast të shpërthimit të tensioneve.

Në NATO disa herë kanë sqaruar se Aleanca nuk është pjesë e asnjë aranzhimi që ua ndalon njësive policore shkuarjen në veri. Beogradi po manipulon duke e prezantuar obligimin rreth FSK-së si obligim që të mos dërgohen as njësitë e policisë speciale. Edhe në BE, ku ka pasur shumë përpjekje që të krijohet përshtypja sikur Kosova nuk ka mundësi të dërgojë as njësi speciale në veri pa pëlqimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe “liderëve të popullsisë lokale”, që nënkupton Listën Srpska në praktikë. Zyrtarët më të lartë të BE-së jozyrtarisht pohonin se “Kosova nuk mund të dërgojë njësi speciale të policisë pa pëlqimin e KFOR-it dhe përfaqësuesve të popullatës lokale”. Këto burime në atë kohë thirreshin në një “obligim që Kosova ka marrë gjatë procesit të dialogut”.

Por pas shumë hulumtimesh nuk kishim gjetur asnjë gjurmë të vetme formale se Kosova në dialog, apo në ndonjë marrëveshje me NATO-n, ka marrë ndonjë obligim që të mos dërgojë njësi speciale të policisë në ndonjë pjesë të territorit të Kosovës. Për më tepër edhe disa ish-diplomatë të BE-së thoshin se “një gjë e tillë do të ishte edhe kundër frymës dhe marrëveshjeve të dialogut, pasi si rezultat i madh në dialog përmendet pikërisht shtrirja e autoritetit të Policisë së Kosovës në tërë territorin e Kosovës”.

Nga selia e NATO-s në Bruksel shumë shpejt kishin sqaruar se “ekzistojnë aranzhime rreth FSK-së”, por jo edhe për policinë. NATO ka në Kosovë rol ushtarak, ndërsa ka pasur mandate edhe për trajnim e FSK-së. Por NATO nuk ka hyrë në aranzhime rreth policisë, edhe pse në terren ka bashkëpunim me policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, disa herë në konferenca për shtyp mbante në dorë një letër të cilën e paraqiste si “dëshmi” se “Prishtina nuk mund të dërgojë bandat e saj në veri”, duke menduar në njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Por duket se fjala ishte për letrën të cilën ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia kishte dërguar sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen.

Beogradi ka manipuluar duke e prezantuar obligimin rreth FSK-së si obligim që të mos dërgohen as njësitë e policisë speciale.

Garanci nga NATO për mosdërgimin e njësive të FSK-së në veri pa pëlqimin e KFOR-it kishin kërkuar para se ta pranojnë Marrëveshjen e Brukselit pikërisht presidenti i tashëm, Aleksandar Vuçiq, në atë kohë zëvendëskryeministër dhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

BE-ja, pas kërkesave të njëpasnjëshme që të shprehet se në çfarë baze mendon se Kosova nuk mund të dërgojë njësitë e policisë speciale në veri të Kosovës, ishte detyruar të pranojë se “një obligim i tillë formalë nuk ekziston nga dialogu”, por bën një spin duke tentuar ta paraqesin këtë si “realitet dhe praktikë të zakonshme në terren”.

Kështu ishte përgjigjur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 14 tetor të vitit 2021 në pyetjen se a ka obligim Kosova nga dialogu që të mos dërgojë njësi speciale të policisë në veri të Kosovës.

“Nuk ekziston marrëveshje nga dialogu e cila do të parandalonte dislokimin e njësive të policisë speciale nga jugu në veri, por është një praktikë e zakonshme që të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe ta informojë KFOR-in në mënyrë paraprake”.

Ky zëdhënës i BE-së, duke iu referuar aksionit të atëhershëm të njësive speciale të Policisë së Kosovë, pati thënë se “Autoritetet e Kosovës nuk e kishin njoftuar paraprakisht BE-në, përfshirë misionin e EULEX-it si përgjegjës të dytë të sigurisë, për operacionin e tyre, edhe pse ky mision është në Kosovë pikërisht për të ndihmuar autoritetet në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe për të krijuar e mbajtur një ambient të sigurt”.

Përkundër faktit se edhe NATO, edhe KFOR-i dhe në fund edhe BE-ja në një mënyrë kanë hedhur poshtë se ekziston obligim i Kosovës që të mos dërgojë njësi të policisë speciale në veri, Serbia ka vazhduar ta përmendë si fakt se një obligim i tillë ekziston, dhe kjo shpesh po bëhet shkas edhe për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës. Serbia madje përdor termin “upad” (depërtim) sa herë që në veri dërgohen forca policore, duke vazhduar të krijojë përshtypjen se ndarja e Kosovës është “realitet në terren”. Prandaj, nëse nuk dëshirojnë të kthehet në tryezë opsioni për ndarjen e Kosovës, as përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk duhet të bien në gracka dhe të kërkojnë që Kosova në veri të mos angazhojë njësi speciale të policisë. Në vend që të jetë ndaj Kosovës, presioni duhet të jetë ndaj Serbisë që të mos kërcënojë dhe frikësojë ata serbë që duan të jenë në Polici të Kosovës. Serbët duhet të jenë të mirëseardhur në Policinë e Kosovës, sikur në secilin organ tjetër shtetëror. Por nuk mund të ketë situatë në të cilën do të kishte mungesë të plotë të policisë në ndonjë pjesë të vendit. Dhe këtë duhet ta dinë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.