OpEd

Paparashikueshmëria si stil i politikëbërjes

Mazhoranca e udhëhequr nga kryeministri Kurti është e paparashikueshme si akter dhe si partner politik. Askush nuk do që të ketë punë me partner të paparashikueshëm për shkak se me këtë krijohen paqartësi dhe është vështirë të planifikohet në afat të gjatë. Me këtë paparashikueshmëri ka kohë që po ballafaqohen partnerët ndërkombëtarë, e në rastin e fundit, atë të politikës së brendshme, hapin e hidhur të paparashikueshmërisë së Kurtit e provoi edhe PDK-ja. E vetmja gjë që mbetet e parashikueshme në këtë moment është se periudha e ardhshme është përplot paparashikueshmëri

Të jesh vëzhgues i zhvillimeve politike në Kosovë është një mision pothuajse i pamundur, duke pasur parasysh paparashikueshmërinë dhe paqartësinë politike që po e përcjellin Kosovën këtë periudhë të fundit. Është e vështirë të thuhet me siguri se çka pritet të ndodhë e çka do të ndodhë në të vërtetë.

Kjo paqartësi politike duhet t’i atribuohet pikësëpari paparashikueshmërisë së kryeministrit Kurti. Ai pati dy darka në të cilat u diskutua mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Njërën me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi, me të cilin u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme të mbaheshin me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pasi që të votoheshin marrëveshjet ndërkombëtare, duke lënë të hapur mbajtjen e zgjedhjeve brenda një muaji, dhe tjetrën me partnerët e koalicionit, takim ky nga i cili nuk pati ndonjë komunikim të qartë rreth asaj se a pajtohen të gjithë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme apo jo. Mirëpo, si duket, kjo mungesë komunikimi nga kjo darkë me partnerët e koalicionit ndodhi për shkak të mosgatishmërisë së tyre që të votojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme në fund të qershorit apo në fillim të korrikut.

Kështu, kryeministri Kurti e hodhi topin tek partitë opozitare, duke kërkuar nga to pajtim rreth shpërndarjes së Kuvendit si mënyrë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. LDK-ja dhe AAK-ja që në fillim e refuzuan propozimin e kryeministrit Kurti, duke kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e Qeverisë si mënyrë për t’u shpërndarë kjo legjislaturë dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Ç’është e vërteta, propozimet e këtyre dy partive nuk janë realiste, sepse asnjë mazhorancë nuk do ta shkarkonte vetveten e të krijonte opinionin se ajo nuk ka punuar mirë dhe të shkojë në zgjedhje duke u dhënë municion partive rivale në fushatë zgjedhore. 

Dorëheqja e Qeverisë, që do të mund të ishte një opsion më i pranueshëm për mazhorancën, ka mundur të jetë një rrugëzgjidhje për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por përsëri, duke pasur parasysh stilin udhëheqës të kryeministrit Kurti, të shpërfaqur këta tre vjet e gjysmë, vështirë se ai do të jepte dorëheqje, sepse me të do të indikonte se e ka një zor që po e shtyn drejt zgjedhjeve të parakohshme, gjë që ai nuk do ta pranojë, ngase gjatë këtyre tre vjetëve ai është përpjekur vazhdimisht ta përçojë mesazhin se qeverisja e tij është e përsosur dhe pa asnjë gabim, sado që vëzhguesit e pavarur dhe opozitarë, por edhe vetë opozita, kanë treguar për dobësi të shumta në qeverisjen e udhëhequr nga Kurti.

Por, përse në të vërtetë Kurti insistoi që të ketë votë gjithëpërfshirëse për shpërndarjen e Kuvendit, në të cilën do të merrnin pjesë medoemos edhe LDK-ja dhe AAK-ja? 

Kryeministrit i nevojiten zgjedhjet e reja për t’u rilegjitimuar dhe për të shtyrë përpara proceset e ndjeshme politike, të cilat nuk i bën dot në përfundim të mandatit e në prag të zgjedhjeve. Atij, në fakt, nuk i intereson se a do të merrnin pjesë LDK-ja dhe AAK-ja në shpërndarjen e Kuvendit, ashtu siç nuk i ka interesuar fort opinioni i opozitës për qeverisjen e tij dhe për proceset politike, siç është ta zëmë dialogu me Serbinë, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe çështjet e tjera politike. Përse, përnjëherësh, atij i bëhet vonë që shpërndarja e Kuvendit të mos bëhet pa votat e LDK-së dhe AAK-së? 

Arsyeja qëndron në atë se kryeministri Kurti mbase nuk i ka votat e mjaftueshme prej dy të tretave, apo 80 deputetë që ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës pa votat e LDK-së dhe AAK-së. Sipas të gjitha gjasave, ai nuk e ka marrë pëlqimin e partnerëve të tij të koalicionit, duke përfshirë Listën Guxo, Alternativën, dhe grupin multietnik, për ta votuar shpërndarjen e Kuvendit. Ka shumë gjasa që as një numër deputetësh nga radhët e LVV-së të mos pajtohen me këtë dhe me shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, për shkak të drojës se ata mund të gjenden jashtë listave zgjedhore dhe mund të mos rizgjidhen si deputetë në një proces zgjedhor kur performanca e tyre do të matej në bazë të punës dhe angazhimit si legjislatorë gjatë këtyre tre vjetëve e gjysmë. Pra, arsyet përse një numër i deputetëve të mazhorancës mund të jenë kundër shpërndarjes së Kuvendit janë kryekëput personale dhe egoiste.

Këto motive egoiste të deputetëve individualë mund t’i kushtojnë LVV-së, si parti udhëheqëse e mazhorancës, sepse asaj më së shumti i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme dhe një rifreskim i legjitimitetit dhe i qeverisjes. Mazhorancën e ka kapluar lodhja qeverisëse (lexo: governance fatigue).

Sa më shumë që të shtyhet mandati i saj i rregullt, aq më shumë do të shpërfaqen dobësitë në qeverisje dhe çarjet në unitetin e partnerëve të koalicionit, që u pa me rastin e dërgimit të pakoordinuar të letrës së ministres së Jashtme lidhur me draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para takimit të Komitetit ministror të Këshillit të Evropës. Pastaj, një numër jo i vogël i deputetëve të LVV-së janë joaktivë, kurse ka dikastere të Qeverisë të cilat po vendnumërojnë duke treguar rezultate të dobëta në qeverisje.

Sado që kryeministri Kurti me kokëfortësi ka injoruar zërat kritikë gjatë këtij trevjeçari e gjysmë, qeverisja e tij ka qenë e vakët. LVV-ja jo vetëm që nuk ka treguar rezultate bindëse se ka arritur të ofrojë një qeverisje që do të prodhojë ndryshime efektive në mbarëvajtjen e sektorëve të ndryshëm, siç janë arsimi, shëndetësia apo edhe të krijojë të mira materiale për Kosovën, siç janë për shembull investimet kapitale në infrastrukturë, duke mos i përmbushur premtimet parazgjedhore, ajo ka treguar se një mazhorancë e vetme do ta ushtrojë diktatin dhe do ta vendosë jotransparencën dhe mosllogaridhënien si stil të udhëheqjes. 

Veprimet e Qeverisë në veri të vendit kanë prodhuar rezultate, por edhe ato mund të mos jenë jetëgjata. Përderisa instrumenti kryesor i politikave dhe i veprimeve të Qeverisë në veri kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë forcat e rendit, efekti që mund ta arrijë ky instrument është jetëshkurtër. Krijimi i fakteve të reja, përkatësisht prishja e status quosë në veri është një gjë që qytetarët e Kosovës e kanë pritur një kohë të gjatë. Mirëpo atje pak gjë është duke ndryshuar politikisht. Madje politikisht, përveç përfitimeve për konsum të brendshëm, Kosova mund edhe të dalë humbëse nëse nuk gjendet një modalitet që ndryshimi i situatës në veri të vendit të vendoset në binarë politikë. Kjo për shumë arsye, por njëra ndër kryesoret është humbja e mbështetjes ndërkombëtare për procese të ndryshme. 

Kjo mungesë e mbështetjes veç ka filluar të ndihet, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, gjë që po manifestohet me “masat” e ashtuquajtura të Bashkimit Evropian, nga të cilat Kosova po humb mbështetjen financiare dhe politike nga BE-ja dhe nga mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, që do të ishte një fitore e jashtëzakonshme për forcimin e shtetësisë së saj. 

Ky shans i humbur mund t’i rikthehet Kosovës në të ardhmen, por me një kosto edhe më të lartë sesa që ka qenë dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

Sot për sot proceset politike në Kosovë, duke përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, janë në një stad paparashikueshmërie. Mazhoranca e udhëhequr nga kryeministri Kurti është e paparashikueshme si akter dhe si partner politik. Askush nuk do që të ketë punë me partner të paparashikueshëm për shkak se me këtë krijohen paqartësi dhe është vështirë të planifikohet në afat të gjatë. Me këtë paparashikueshmëri ka kohë që po ballafaqohen partnerët ndërkombëtarë, e në rastin e fundit, atë të politikës së brendshme, hapin e hidhur të paparashikueshmërisë së Kurtit e provoi edhe PDK-ja. E vetmja gjë që mbetet e parashikueshme në këtë moment është se periudha e ardhshme është përplot paparashikueshmëri.