Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të llogarive ekonomike kombëtare ka bërë që politikëbërja ekonomike, për aq sa mund të ketë ekzistuar gjatë këtyre dy decenieve të pasluftës, të mos bazohet në nevojat reale ekonomike dhe të mos synojë luftimin e sfidave sistemike
Shumë vlerësime e prognoza janë duke u bërë për efektet e pandemisë në ekonomi, por prognozimi makroekonomik nuk ka qenë asnjëherë më i vështirë. Kjo i jep kuptim batutës për ekonomistët se prognozat e tyre janë aq të dobëta, sa që nuk mund të krahasohen as për së afërmi me “saktësinë” e prognozës së motit. Arsyeja mund të jetë se ekonomia si shkencë sociale studion sjelljet, preferencat dhe veprimet e njeriut si qenie (jo)racionale, ndërsa meteorologjia merr për bazë disa indikatorë të shkencave ekzakte, që janë më të qëndrueshëm dhe më lehtë të matshëm.
Pasaktësia prognozuese
Një pasqyrë e pasaktësisë së tillë prognozuese vërehet posaçërisht në vendet në transicion, për shembull në disa nga ato të Evropës Juglindore. Shkaku kryesor për këtë është pamjaftueshmëria e profesionistëve nëpër institucione publike dhe paaftësia institucionale për të ndërtuar mekanizma të besueshëm të mbledhjes së të dhënave dhe interpretimit të logjikshëm të tyre. Sa për ilustrim, mjafton të shohim mjegullën statistikore në të cilën ndodhen Banka Qendrore e Kosovës dhe Qeveria, ku të gjitha vlerësimet e besueshme në fund duhet të bazohen vetëm në gjetjet e Bankës Botërore apo të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të llogarive ekonomike kombëtare ka bërë që politikëbërja ekonomike, për aq sa mund të ketë ekzistuar gjatë këtyre dy decenieve të pasluftës, të mos bazohet në nevojat reale ekonomike dhe të mos synojë luftimin e sfidave sistemike. Çfarëdo vlerësimesh që jepen në këtë periudhë nga institucionet nacionale për ndikimin e pandemisë në indikatorët makroekonomikë, duhet prandaj të vlerësohen si të hershme, të pasakta dhe të paqëndrueshme. Rrjedha e shumë gjërave nuk dihet ende, e ndër to më të rëndësishmet janë nëse do të ketë valë të reja të virusit dhe nëse apo kur do të zbulohet vaksina. Pra, aktualisht askush nuk posedon informata të mjaftueshme dhe askush nuk ka arritur të krijojë një model të besueshëm në të cilin mund të bazohen projeksionet makroekonomike.
Skenarët për Evropën Juglindore
Megjithatë, për të ardhur te disa vlerësime elementare, hulumtuesit ndërkombëtarë po marrin sot për bazë skenarë të ndryshëm që kanë probabilitet më të lartë. Çelësi i analizave të këtilla është tek variablat, si kohëzgjatja e pandemisë, paraqitja e një vale të dytë apo të tretë, mutacioni i virusit, karantinimi i serishëm masiv apo i pjesshëm, pamjaftueshmëria e mekanizmave fiskalë për të ndërhyrë në treg, reagimi i konsumatorëve etj. Bazuar në këtë metodologji, rezultatet e së cilës ende duhet marrë me rezervë, Instituti Vjenez për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka dalë së fundmi me vlerësime mjaft interesante për Evropën Juglindore e të cilat, siç pritej, nuk janë aspak optimiste. Edhe pse këto vende në krahasim me ato të Evropës Qendrore e Perëndimore kanë pasur shumë më pak të infektuar dhe viktima nga COVID-19, brishtësia ekonomike dhe e sistemeve shëndetësore ka ndikuar që masat e karantinimit të jenë shumëfish më të ashpra, duke sjellë me vete pasoja të rënda për ekonominë. Rënia ekonomike në mbarë hapësirën e Evropës Lindore dhe Juglindore, pritet të jetë më e lartë se gjatë krizës financiare 2008. Humbësit më të mëdhenj pritet të jenë Kroacia, Sllovakia, Sllovenia dhe Mali i Zi, për shkak të varësisë së madhe ndaj tregjeve ndërkombëtare apo turizmit. Edhe Shqipëria, e përballur me pasojat e tërmetit të nëntorit 2019, me rrezikun e rënies drastike të të hyrave nga turizmi, të investimeve të huaja direkte dhe të dërgesave të diasporës, e cila kryesisht graviton në Italinë e prekur rëndë nga koronavirusi, nuk do të kalojë lehtë. Ajo pritet të përjetojë një tkurrje ekonomike prej të paktën 5 për qind. Një tkurrje e ngjashme e pret edhe Republikën e Maqedonisë Veriore, përderisa në Serbi ajo pritet të jetë më e butë, 4 për qind, për shkak të stimujve të bollshëm fiskalë, të planifikuar nga qeveria e këtij vendi.
Kosova e ballafaquar me krizën politike në njërën anë, ekonominë e brishtë dhe pandeminë në anën tjetër, pritet të ketë një tkurrje në mes 5 e 8 për qind, varësisht nga kohëzgjatja e masave, valët e reja të mundshme të virusit, efekti i stimujve fiskalë, rënia e të hyrave buxhetore, por edhe e dërgesave të diasporës dhe (mos)ardhja e saj për pushime verore.
Implikimet dhe shanset
Siç shihet nga këta skenarë, ndikimi i krizës në ekonomitë e Evropës Juglindore, posaçërisht të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, do të jetë i lartë dhe i shumëfishtë. Në njërën anë, kriza rrezikon të forcojë ndikimin dhe prezencën e shtetit në ekonomi. Në anën tjetër, shteti detyrohet të sigurojë burime shtesë për të investuar në përmirësimin e gjendjes së sistemit shëndetësor dhe të financojë stimujt e shumtë fiskalë, që tashmë i ka premtuar. Rritja e shpenzimeve publike, rënia e të hyrave tatimore dhe e investimeve të huaja do të detyrojnë shumë qeveri të futen në borxhe të reja. Kjo gjendje mund të sjellë edhe një rritje të taksave, e cila do të dëmtonte edhe më shumë konsumatorin, sektorin privat, aftësinë konkurruese dhe atraktivitetin e këtyre vendeve për investime të huaja.
Një implikim më pozitiv është se vendet e Evropës Juglindore do të mund të përfitojnë më shumë nga procesi i “re-shoring” dhe “outsourcing” i shërbimeve dhe prodhimeve nga Evropa Perëndimore. Një sektor që mund të marrë hov e të krijojë kushte për hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë, është ai i digjitalizimit. Por, jo të gjitha vendet e këtij rajoni kanë atraktivitet të mjaftueshëm për investime. Dallimet që shpërfaqen në nivelet e ndryshme zhvillimore, të infrastrukturës, produktivitetit dhe madhësisë së tregut do t’i favorizojnë disa e do t’i penalizojnë disa të tjera vende. Vendet që radhiten më mirë në saje të këtyre faktorëve, pra që kanë potencialin më të madh për të tërhequr investime të tilla dhe që pritet të përfitojnë më së shumti, janë vendet e Vishegradit (Çekia, Sllovakia, Hungaria dhe Polonia), si dhe Serbia, e cila tanimë për një kohë të gjatë është e përfshirë në orbitën dhe zinxhirët prodhues të kompanive ndërkombëtare, në veçanti gjermane, dhe që nga përfundimi i luftës më 1999 ka qenë cak i shumë projekteve voluminoze investive nga Evropa Perëndimore, Azia e Amerika.
Integrimi rajonal
Këto zhvillime do të ndikojnë që të rritet edhe më shumë hendeku zhvillimor në mes të këtij grupi të sipërpërmendur dhe vendeve të tjera në Ballkan. Pa mbështetje financiare, pa investime të huaja dhe pa një perspektivë të qartë integruese, jo vetëm se zhvillimi ekonomik do të stagnojë në grupin e dytë, por edhe ndikimi i vendeve si Kina, Rusia e Turqia, do të vazhdojë të rritet. Rreziku i margjinalizimit të kësaj pjese, posaçërisht i Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë Veriore e Malit të Zi, mund të rrezikojë edhe stabilitetin social e politik dhe të stimulojë radikalizmin dhe migrimin. Çelësi për këtë sfidë qëndron në investimet e ndihmat nga jashtë, por para së gjithash në përafrimin më të madh e të ndërsjellët ekonomik në mes të këtyre katër vendeve. Ky përafrim nuk mund të bëhet përmes mekanizmave populistë e politikë, siç ishte ideja tanimë e dështuar për “mini-shengenin”. Ai mund të bëhet vetëm përmes një bashkëpunimi dhe integrimi të mirëfilltë ekonomik e infrastrukturor, që çon në rritje të mobilitetit dhe eliminim të barrierave tregtare, tarifore e të çfarëdollojshme qofshin ato. Ky integrim ekonomik mund të ndihmojë sektorin privat në këtë zonë katëranëtarëshe të arrijë ekonomitë e shkallës së një tregu prej afro 8 milionë banorësh dhe të përqendrojë modelet e rritjes drejt burimeve të brendshme, siç janë aftësimi i kapitalit njerëzor, inovacioni, digjitalizimi i ekonomive, aktivizimi i burimeve natyrore, investimet në infrastrukturë rrugore e energjetike, etj. Kjo do t’i bënte Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë Veriore më atraktive për investitorët e huaj, posaçërisht për ata gjermanofolës, amerikanë, italianë e francezë, përballë tregjeve më të etabluara, si Serbia, Kroacia, Bullgaria e Rumania dhe do t’i integronte ato më mirë në zinxhirët e vlerave evropiane dhe globale për të zënë hapin gradualisht me vendet e tjera të rajonit dhe kontinentit e për t’u integruar më lehtë e më shpejtë në BE.
(Autori është ekonomist dhe themelues i www.eciks.com).