OpEd

Pandemia e pandemive

Kujt do t’ia thoshte mendja në 2019-n e vonshme se mesazhi i një mjeku nga Wuhani i Kinës do të bëhej poema e vajtimit për një vit që prej fillimi të vdekur, si numerikisht ashtu edhe figurativisht. Atij që, pos virusit, i shpërfaqi edhe shumë pandemi të tjera

Si me njëfarë zakoni të pashkruar, vitet përherë shënohen me ngjarje bujëmëdha. Të sojit që e lënë përshtypjen se do t’u rezervohet një vend i pashlyeshëm në histori. Rëndom janë luftërat. Jo rrallë shtyrjet e bërrylave politikë. Herë-herë demonstrimet e tepruara të muskujve prej të fuqishmëve pushteturitur. Ngaherë retorikat ogurzeza, protestat... e kushedi se edhe çka tjetër.

2020-a kishte bollëk syresh. Ngado. Ama, ajo që do t’ia betononte vendin në histori këtij viti të nisur e të përmbyllur për së mbrapshti kishte tipar mikroskopik. As të prekshëm, as të dukshëm. Plandosës.

Sinjali i parë i një ditëpërditësie të pashembullt do të jepej ende pa nisur viti. Mesdhjetorin e 2019-s.

Video-mesazhi pakminutësh i një mjeku nga Wuhani do ta ndizte alarmin për rrezikun pasues. Prej një virusi që kishte gjetur damarin e duhur për të rrjedhur prej kafshëve te njeriu. Nga një njeri në tjetrin. Për të çarë mandej kufijtë e Wuhanit e për të shpërthyer gjetkë në Kinë. Tutje nëpër Azi. Edhe Amerikë, Evropë..... e çdo cep globi.

E përgjatë këtij rrugëtimi pandemik nëpër hartë, prapa linte një dymbëdhjetëmuajsh si asnjë tjetër. Në katrahurë.

Sëmuri afro 8 milionë njerëz. Shkaktoi vdekjen e 1.8 milionë të tjerëve. Paralizoi ekonomitë. Dërrmoi komunitetet. Ngujoi brenda mureve të shtëpive mbi katër miliardë frymë. I pamundësoi daljet qoftë edhe për një gllënjkë kafeje, e lëre më për udhëtime qejfi nëpër botë.

Normoi maskat e distancën metrike mes njerëzve. Përshëndetjet me grushte dore e me bërryla. Ngase qoftë edhe një prekje e vetme në vendin apo me personin e “gabuar” do të nënkuptonte sëmundje. E, në rastin më të keq, edhe vdekje.

Pra, e ndryshoi jetën ashtu siç e njohim prej thelbi. Për ta futur në mjegullnajën e një pandemie që po shumëfishohej në trajtën e të tjerave pasuese.

* * * * *

Midis të paqartave të njëpasnjëshme, pandemia e koronavirusit i demaskoi njërën pas tjetrës pandemitë e tjera të botës. Pikë së pari atë të lojërave hileqare politike. Ngarendjes për karrige. Injorancës, lakmisë, shpërfilljes... Dhe pabarazisë shoqërore. Maskuar që të gjitha tinëzisht në petkun e asaj të virusit. Që me dashakeqësi u përdor si justifikim për fuqizimin e më të fuqishmëve. Rrëzimin e qeverive në kohë rreziku. E për marrëzi prej më të paimagjinueshmeve.

Virusi mikroskopik, pra, u bë sebepi i jetësimit të interesave megalomane të një grushti individësh, peshëmëdhenj. Që gjithë fatin e një globi e përcaktojnë me vetëm një fjalë a nënshkrim.

Mu aty ku krejt bota përherë kthen sytë në vakte zori, pandemia e shpërfilljes mori formë të drastikes.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e vuri shëndetin e ekonomisë përpara asaj të popullit. U shty me bërryla e nuk lëshoi pe në insistimin për të mos e mbyllur ekonominë.

E qytetarët që supozohej t’i mbronte i rrezikoi direkt. Atëherë kur u sëmur vetë.

E hoqi maskën dhe foli rrëmbyeshëm para tyre, duke shpërndarë spërkla virusale ngado. I kapardisur se një virus imcak s’kishte mundur t’i bënte gjë. Se ndaj tij ishte tani imun. E në këtë mendësi nuk ngeli i vetëm. “Amigoja” i tij nga Brazili ia mbajti zhagun në pandeminë e shpërfilljes. Së cilës Jair Bolsonaro ia dha edhe ngjyrimin e injorancës. Kur virusin që i infektoi me miliona qytetarë të tij e quajti “një grip të thjeshtë”. Në mohimin më eklatant të faktikes shkencore. Derisa në Hungarinë e Viktor Orbanit pandemia virusale e formësoi atë pushtetaren. Që ia fuqizoi dorën autoritare kryeministrit për të bërë ç’t’i tekej. Vetëm me dekrete e pa udhët e rëndomta demokratike që veçse i kishte trazuar.

Mbase më të çnjerëzishmen pandemi e shpërfaqi kura e asaj të parës. Ngarendja për t’i siguruar vaksinat e zhvilluara që do ta shëronin dergjen e botës. Në këtë garë të të parit, fitues prapë dolën ata më të fortit. Vendet e kamura që grumbulluan hisenë më të madhe të vaksinave. Dhe që bënë pamjaftueshëm për t’i ndihmuar ato të varfrat. Përkthyer në shifra, ato të përllogariturat nga Aleanca e Vaksinimit të Popullsisë – një rrjet ky ombrellë i organizatave si “Amnesty International”, “Oxfam” dhe “Global Justice Now” – vendet me të ardhura më të ulëta do të arrijnë që të vaksinojnë vetëm një në çdo dhjetë qytetarë. Derisa në ato të pasurat, me dozat në stok, mund të injektonin të gjithë qytetarët - madje nga tri herë. Nëse krejt vaksinat e blera do të aprovoheshin për përdorim.

* * * * * *

S’ka trohë dyshimi se pandemia ka pasur aty diku edhe anë të mira të vetat. Të nxjerra në pah fillimisht nga beteja për shpëtim të sa më shumë jetëve që ishte e mundur. Ama, kuptohet, jo prej atyre që i shikonin interesat e ngushta personale. Por, prej mjekëve e infermierëve. Atyre që rrezikonin jetët për jetë të tjera.

Ishin pikërisht ata që u bënë ajo fija e shpresës që e bëri botën të besonte sado pak se e keqja mund të mos triumfonte plotësisht mbi të mirën. Se dikur, herët a vonë, do të mund të frymohej pak më lirshëm. Jo vetëm në aspektin ambiental. Për të cilën pandemia veçse është kujdesur që ta çlirojë, qoftë edhe përkohësisht, prej atyre grimcave frymëzënëse. Duke e gjeneruar, me anë të izolimeve të lëvizjes, një ajër më të pastër për të gjithë.

Me krejt ato që i ngërtheu në vete, si të këqijat ashtu edhe të mirat, 2020-a mund të mos jetë prej atyre që do të donim ta mbanim mend. Por do të jetë padyshim viti që nuk do të harrohet kurrë.

E në 2021-n po hyjmë me optimizmin se kura që porsa është zbuluar kundër koronavirusit t’i japë përnjëmend efektet e synuara. Ashtu që pandemia e sëmundjes më në fund të përfundojë. Dhe t’i marrë me vete në këtë udhë edhe krejt pandemitë e tjera.

Gëzuar, për një vit pa pandemi(të)!

[email protected]