OpEd

Pandemia e mosleximit

Kënaqësia nuk imponohet. Ajo të joshë. Një libër që nuk të joshë që në rreshtat e parë, vështirë do ta bëjë më vonë. Do të duhet një detyrë shkollore që ta shpiesh deri në fund. E kur leximi është detyrë bëhet mundim...

Pesha specifike e kohës

Koha nuk kalon kur asgjë nuk ndodh. Këtë e kemi provuar të gjithë. Mbyllja në karantinë ishte rasti më i fundit. Sprova e ditëve që s’mbaronin së shtriquri ishte sjellja rreth e rrotull shtëpisë me shpresë për t’i gjetur gjërat e harruara. Gëzimi i rigjetjes, rivënia në punë dhe rivendosja në vendin e duhur ishte rendi normal i veprimeve që pasonin edhe pse shpejt sërish do të shtriheshin në harresë. Ky është pak a shumë fati i objekteve që na rrethojnë, të cilat rrallë i përdorim. Na japin gëzim kur i blejmë dhe kur i hedhim poshtë. Në këtë përditshmëri të rëndomtë koha bëhet më e rëndë se smoku i gushtit në pandemi.

Ta zëmë se ti je njeri me fat dhe këtë gusht mund të shkosh në det a në mal. Sado që t’i zhytesh natyrës për t’ia shijuar gjithë bukuritë e saj me dëshirë për ta fshirë nga mendja gjithë çka ke lënë mbrapa, shpejt e kupton se edhe bukuria fillon të të lodhë. Sa herë fillon e shikon orën e kupton që koha ka filluar të të rëndojë. Ecën ngadalë. Si gjymtyrët e tua të dërrmuara nga sforcimi.

Deri këtu duket sikur asgjë nuk mund të bëjmë për ta ndalur rritjen e peshës së kohës kur gjërat nuk ndodhin. Në fakt, është pikërisht kështu nëse ti ke harruar një dimension tjetër që të bënë ta shkallmosh kohën, të sfidosh çdo tension që mund të të rrethojë, të përjetosh ndjenja të harruara e të shikosh si ndizen në mendjen tënde njëra pas tjetrës llambat e fantazisë. Asgjë nuk e krijon këtë harlisje të trurit më shpejt e më lehtë se një libër.

Virusi i mosleximit

Nuk është ndonjë zbulim të zbulosh librin, zbulim është të kuptosh pse na i kanë shpifur librat. Na i kanë degraduar deri në atë pikë saqë t’i shohim si objektet e tepërta që veç mbledhin pluhur. Them na, pasi i referohem shkollës si promotori kryesor i tyre. Një shkollë që ta vështirë librin, si mund ta quajmë?

Im bir i urrente lektyrat shkollore, ndërkohë që lexonte gjithë librat e Harry Poter-it, fatkeqësisht nuk ia jepnin lektyrë atë kohë. Shumë më vonë pas këmbënguljes sime për të kuptuar ku qëndronte problemi më tregoi se kur ua shikonte kopertinat e bardha, të gjitha uniforme, një distancë e fortë krijohej mes atyre dyve, një distancë që gati i krijonte dhimbje.

Çdo detyrë shkollore krijon një lloj dhimbjeje, ndaj këtu e shoh problemin pse shkolla është e destinuar të dështojë si promotor i librit nëse vazhdon traditën e mossuksesit.

Kënaqësia nuk imponohet. Ajo të joshë. Një libër që nuk të joshë që në rreshtat e parë, vështirë do ta bëjë më vonë. Do të duhet një detyrë shkollore që ta shpiesh deri në fund. E kur leximi është detyrë bëhet mundim. Këtu përfundon shpjegimi. Këtu fillon privimi nga njëra prej kënaqësive më të mëdha të njeriut. Shpesh gjërat më të ndërlikuara janë ato më të thjeshtat. Leximi është shpikja më inteligjente e njeriut, i cili ka aftësi të riprodhojë mijëra imazhe kognitive me lehtësinë më të madhe.

Gjatë procesit të leximit njeriu nuk mund të jetë pasiv, ai është krijues, merr pjesë aktive në histori, ndjen, parandjen, arsyeton, gjykon, evokon memorien, ndien aromat, shikon ngjyrat, me pak fjalë gjatë leximit njeriu bëhet një bishë kreative në gjendje ta marrë përpara këdo që mund t’ia ndërpresë rrugëtimin e tij mendor.

Mjaft studentë më treguan se kanë lënë për shtator një provim të letërsisë. Profesori, në këtë rast edhe shkrimtar nga ata të vërtetët, u ka dhënë një listë librash për të lexuar, të cilët nuk kanë pasur mundësi t’i gjejnë gjatë pandemisë. Ndërkohë që studentët më tregonin se si do mund t’i gjenin librat, unë mendoja si është e mundur që nuk i kanë lexuar deri tani. Si është e mundur që libra të rëndësishëm të letërsisë sonë nuk kanë qarkulluar deri tani nëpër shkollat tona qoftë edhe në formë mundimi? A ka një organ a strategji që kontrollon mbarëvajtjen e planprogrameve nëpër shkolla përveç testeve të semimaturës a maturës?

A ka një strategji për trajnimin e përvitshëm të profesorëve të gjuhës e letërsisë shqipe përveç shëtitjeve nëpër hotele në Durrës?

Libri në kulturën e macchiatos

Meqenëse libri nuk i përket vetëm shkollës edhe ashtu të dështuar e pa shpresë për rimëkëmbje nëse nuk ndryshon kursin e plogështisë, a kemi ne si shoqëri mekanizma që e bëjmë librin joshës? Një ish-ministre e Kulturës në Tiranë deklaroi njëherë “T’i bëjmë librat sexy”, për fat njerëzit dëgjuan vetëm fjalën e fundit dhe me të u morën nja tri-katër ditë. Por ajo që sërish mbeti në harresë ishte thelbi e një shoqëri pa thelb mbetet shoqëri e macchiatos.

Ministrja e Kulturës e Kosovës këtë javë tregoi që ishte e lumtur që vizitonte Malishevën, 48 km larg Prishtinës. Edhe unë isha e lumtur për lumturinë e ministres, por do të doja që ajo të më lumturonte me një lajm tjetër. E aprovuam strategjinë për qarkullimin e lirë dhe pa burokraci të librave mes trevave shqiptare. Tashmë librat nga Kosova do të qarkullojnë edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi. Libri nuk është mall, është dije, është kulturë.

Kjo do të kishte qenë një lumturi në kohën e pandemisë, kur njerëzit janë të lirë të udhëtojnë vetëm nëpërmjet leximit. Nëse do t’i shtojmë kësaj edhe faktin që ne shqiptarët nuk e njohim njëri-tjetrin e kjo njohje do të vijë vetëm atëherë kur do të lexojmë librat e njëri-tjetrit, pa përbuzje e snobizëm, pa përulje e frustrim, nevoja për një strategji konkrete dhe të menjëhershme për librin bëhet çështje nëse jo mbarëkombëtare, thjesht qytetare.