OpEd

PAN-i, fëmija i neveritshëm

Dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014 kanë sjellë thellimin e krizës politike në Kosovë. Vendosja e PAN-it në opozitë është rrugëdalja më e mirë.

Kur ishim fëmijë, të gjithë neveriteshim nga fëmija i cili, pasi e humb lojën, e kap topin dhe e merr në shtëpi.

Ngjashmëria mes një humbësi të keq dhe zhvillimeve të fundit në Kosovë gati që nuk ka nevojë të shpjegohet; derisa Parlamenti i Kosovës është i pavullnetshëm t’i votojë kandidatin e tyre për folës të Kuvendit dhe kryeministrin, PAN-i po e ndalon Kuvendin nga çfarëdo veprimi tjetër.

Dallimi kyç këtu është se fëmija ishte pronar i topit. E PAN-i nuk mund të pretendojë, në aspektin ligjor së paku, se e “ka pronë” sistemin politik të Kosovës. Natyrisht, rrënjët e bllokimit të tanishëm dalin nga një burim ligjor, më saktë nga vendimi tashmë famëkeq i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014. Njëri prej nesh e ka diskutuar këtë çështje para tre vjetësh dhe një tjetër e ka ilustruar absurditetin e vendimit para disa ditësh.

Shkurt, PAN-i tani po thirret edhe në ligj edhe në interpretimin e tij zakonor, i pari është me defekt fondamental, i dyti është i gabuar.

Neni 67.2 i Kushtetutës së Kosovës thotë: Presidenti i Asamblesë propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet nga shumica e e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Kjo qartazi është një deklaratë e panevojshme, sepse nëse shumica nevojitet që të emërohet folësi, pse të kufizohet e drejta për propozim të tij te grupi më i madh? Nëse ky grup e ka shumicën, ai do ta ketë kandidatin e vet të emëruar pa marrë parasysh se sa kandidatë të tjerë propozohen. Nëse ky grup nuk e ka shumicën, por e formon një koalicion që e ka, argumentimi i njëjtë aplikohet. Nëse nuk e ka shumicën, dhe dështon të formojë një koalicion që e ka, ai nuk do të mundë ta zgjedhë kandidatin e vet për shkak se i mungon shumica.

Është me defekt në thelb për shkak se, sa i përket situatës së fundit së paku, është definicioni i përkryer i një bllokimi: dikush që e ka të drejtën ekskluzive për të propozuar diçka, dhe dikush që e ka fuqinë për ta bllokuar të njëjtën. Përveç nëse njëri prej dyve lëshon pe, do të ketë bllokadë.

Ç‘është më e keqja, kjo potencialisht mund të jetë një bllokim i përjetshëm, sepse, për dallim nga nenet e tjera të Kushtetutës, ky nuk ofron rrugëdalje në rast të bllokimit; për dallim, në rastin e zgjedhjes së kryeministrit, neni 95 thotë se pas dy votimeve të dështuara Kuvendi shpërbëhet dhe mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Do të ishte relativisht lehtë të rregullohet kjo; do të mjaftonte që fjalët “grupi më i madh parlamentar” të interpretohen që kanë kuptimin e “cilitdo grup apo koalicion që ka, në kohën e zgjedhjes së folësit, shumicën e votave”. Pastaj, bllokimi është i pamundur.

Më 2014 kjo pyetje e saktë – “çfarë do të thotë shprehja ‘grupi më i madh parlamentar’?” – iu parashtrua Gjykatës Kushtetuese. Por, meqë Gjykata ishte një instrument politik në duart edhe të PDK-së, edhe ambasadave kryesore perëndimore, ajo dha një përgjigje me defekt. Gjykata vendosi se kjo do të thotë partia, apo grupimi formal i partive që formuan koalicionin fitues para zgjedhjeve. Ky gjykim në mënyrë bizare parandaloi koalicionet paszgjedhore nga të qenit “grupi më i madh parlamentar”. Në vitin 2014 kjo do të thoshte se PDK-ja përfitoi. Sot, kjo do të thotë se PAN-i përfiton. Kjo është arsyeja pse PDK-PAN tani mund ta marrin topin me vete në shtëpi.

Kjo është një situatë tejet serioze: rezultati i makinacioneve të tanishme politike kërcënon stabilitetin politik të Kosovës. Marrë parasysh shqetësimin mbizotërues social për nivelet e larta të papunësisë, korrupsionit të përhapur, gjasave të reduktuara për anëtarësim në BE dhe statusin gjithnjë të kontestuar të Kosovës, është e nënkuptuar të thuhet se Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes një periudhë të zgjatur të stagnacionit politik.

Nëse historia është udhërrëfyes, dhe nëse thashethemeve mund t’u besohet, atëherë rezultati më i pritshëm është që PAN-i, ndoshta me ndihmën e disa ambasadave të huaja me ndikim, t’i “bindë” një numër deputetësh që të ndërrojnë anë. Megjithatë, PAN-i kishte dy muaj që të përdorë levat e veta, ndërsa deklarata e shteteve të Quintit, të dielën e kaluar, ishte disi e dykuptimtë, edhe pse fjalia “deputetët e zgjedhur në Asamblenë e Kosovës duhet të marrin pjesë në sesionet e Asamblesë dhe të lejojnë që puna të vazhdojë” mund të interpretohet si një kritikë e maskuar ndaj PAN-it. Sidoqoftë, gatishmëria e PAN-it për të rrezikuar stabilitetin e Kosovës në Kosovë dhe përcaktimi i tyre që të marrin pushtetin, dhe mosbesimi instinktiv, edhe pse në zhdukje, në mesin e ambasadave për Vetëvendosjen, mund ta bëjnë këtë rezultat më të besueshmin.

Dhe nëse kjo ndodh, Kosova më në fund do të ketë një Qeveri funksionale, por me çfarë çmimi? Çdo Qeveri e PAN-it sipas definicionit të kompromisit do të ishte një përzierje laramane e PDK-së, AAK-së, Nismës, dhe Listës Serbe, dhe atyre deputetëve që janë blerë dhe/apo janë detyruar t’i përkrahin. Kjo zor se mund të quhet një koalicion stabil. Veç kësaj, çfarë mesazhi do të dërgojë? Disponimi publik në Kosovë ka degjeneruar gradualisht që nga pavarësimi dhe vazhdimi i një staus quo-je politike – të fituar përmes kokëfortësisë së papajtueshme – sigurisht se do të nxisë edhe më shumë mosdurimin dhe dëshpërimin. Në nivelin ndërkombëtar, Kosova çdo herë e më shumë shihet si një shtet jofunksional i udhëhequr nga një elitë e korruptuar; ngritja e PAN-it nuk do të bënte asgjë për të larguar këtë.

Mosmarrëveshjet e ardhshme për Kosovën mund të shmangen nëse logjika do të mbizotëronte; partia më e madhe e vetme pas zgjedhjeve të fundit është Vetëvendosje, dhe një sistem vërtet demokratik do t’u lejonte atyre që të përpiqen të formojnë një koalicion i cili, së paku, do të sugjeronte se sistemi politik i Kosovës lehtëson ndryshimin, dhe nuk është vetëm edhe një plutokraci gjysmë-autoritare.

(Andrea Lorenzo Capussela është ekspert juridik, me përfshirje të gjatë në Kosovë dhe autori i librit “Shtetndërtimi në Kosovë: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”, botuar në shqip nga KOHA. Aidan Hehir është lexues në marrëdhënie ndërkombëtare pranë Universitetit të Westminsterit. Shpend Kursani është hulumtues për doktoratë në Departmentin e Shkencave Politike dhe Shoqërore në Institutin Universitar të Evropës)