OpEd

Pamundësia e mundshme

Zgjedhjet në Francë nuk janë garë në mes së majtës dhe së djathtës, në mes Macronit dhe Le Penit, por fushëbetejë e radhës në mes demokracisë liberale dhe autoritarizmit. Pasojat e kësaj beteje do të ndihen edhe këtu te ne

Epilogu i zgjedhjeve në Francë mund të këtë pasoja fondamentale për të ardhmen e Ballkanit në përgjithësi, dhe Kosovës në veçanti. Rezultati i zgjedhjeve mund të ndikojë në një gamë të gjerë të çështjeve në rajon: nga orientimi perëndimor dhe ndikimi i Rusisë në rajon e deri tek anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE. Në fakt, nga rezultati i zgjedhjeve varet edhe vetë NATO-ja dhe BE-ja. Kjo ishte edhe arsyeja pse me mbylljen e vendvotimeve të raundit të parë të zgjedhjeve, në Ballkan dhe në botën perëndimore, u ndie një lehtësim i përkohshëm për evitimin e së keqes.

Pas raundit të parë të zgjedhjeve, presidenti Macron siguroi avantazh ndaj kundërkandidatit kryesor, znj. Marine le Pen. Macron fitoi 27.84% të votës, ndërsa Le Pen 23.15%. Diferenca në mes tyre ishte më e thellë se në zgjedhjet e kaluara 2017. Krahasuar me 2017, Macron ka rritur votën për 1.1 milionë votues, ndërsa Le Pen për 460,000. Në raundin e parë ishin dymbëdhjetë kandidatë, ndërsa tani në raund të dytë kalojnë vetëm Macron dhe Le Pen dhe çdo ditë që i afrohemi më shumë 24 prillit, aq më e rëndësishme bëhet pyetja: Si do të shpërndahet vota e dhjetë kandidatëve të tjerë, të cilët nuk kanë kaluar në raundin e dytë?

Gara në mes Macronit dhe Le Penit është garë në mes dy vizioneve të ndryshme të Francës. Macron përfaqëson një Francë të hapur ndaj botës, burrështetas proevropian me besim të thellë në aleancën transatlantike, një reformator i përkushtuar i politikave të brendshme, të cilat do ta bëjnë gati Francën për garën globale. Me përfundimin e mandatit të tij të parë ai ka suksese me të cilat mund krenohet. Ekonomia e Francës është duke marrë veten pas pandemisë me rritje ekonomike prej 7% në 2021 – rritja më e lartë vjetor në 50 vjet të fundit. Papunësia është në nivelin më të ulët që nga kriza financiare 2008. Menaxhimi i pandemisë është vlerësuar lart nga qytetarët, ndërsa lufta në Ukrainë ka sforcuar optiken e burrështetasit global, rreth të cilit janë bashkuar qytetarët francezë në kohë krize.

Le Pen nga ana tjetër përfaqëson një Francë nacionaliste, të izoluar dhe të orientuar kah Rusia. Një kandidate e orientuar nga e djeshmja, jo nga e nesërmja. Një përfaqësuese e së djathtës ekstreme, mbiemri i së cilës ende sot perceptohet si sinonim për ksenofobi dhe racizëm. Pavarësisht përpjekjes së saj për t’u distancuar nga trashëgimia e babait të saj, ajo ende përqafon qëndrime ekstreme sikur mostrajtimi i barabartë i të huajve dhe ndalimi i shamisë. Ajo ka deklaruar hapur se është për largimin e Francës nga zinxhiri komandues i NATO-s, ndërsa një numër i propozimeve të saj konsiderohen si uverturë e daljes së Francës nga BE-ja. Partia e saj edhe zyrtarisht financohet nga Rusia. Prandaj nuk ishte befasi kur ajo deklaroi vitin e kaluar se Ukraina i përket me të drejtë sferës së ndikimit rus.

Këto ishin edhe arsyet përse të gjithë kandidatët që nuk kanë kaluar raundin e parë të zgjedhjeve kanë dalë publikisht kundër Le Penit dhe kanë bërë thirrje që votuesit e tyre të votojnë Macronin. Një reprizë e zgjedhjeve të vitit 2017. Por ka së paku dy dallime thelbësore në mes 2017-s dhe 2022-tës.

E para, në 2017 Macroni ka përfaqësuar një frymë tërësisht të re dhe plot energji. Një aktor i ri në skenë që mund të reformojë politikën. Macroni ka përfaqësuar shpresën e një të ardhmeje të re për Francën. Sot, Macroni konsiderohet “establishment” dhe shpresa e 2017-s është venitur. E dyta, kriza në Ukrainë ka shkaktuar rritje të çmimeve të ushqimit dhe energjisë në Francë. Ka ndikuar në jetën e përditshme të francezëve. Kjo bashkuar me reformat e dhimbshme sociale të Macronit, sikur reforma jopopullore pensionale dhe perceptimi i Macronit si një kandidat elitist dhe në krah të të pasurve (mbani mend protestat masive të “jelekëverdhëve”), ka krijuar një terren më të përshtatshëm elektoral për Le Penin në 2022. Kjo është edhe arsyeja përse tani për raundin e dytë agjencitë kredibile të sondazheve parashikojnë një garë shumë më të afërt se në vitin 2017. Në vitin 2017, Macroni ka fituar në raundin e dytë me diferencë prej 32%, ndërsa sot parashikimet janë në mes 2-10%.

Kjo është edhe arsyeja pse zgjedhjet janë duke u vëzhguar me vëmendje nga e gjithë bota. Për shumëkënd zgjedhjet në Francë janë vazhdimësi e betejës ushtarake në Ukrainë, por me mjetet politike. Fitorja e mundshme e Le Penit do të ishte kërcënim real për aleancën transatlantike. Do të ishte zhvillimi më regresiv në kontinentin evropian që nga BREXIT-i dhe hapi i parë drejt thyerjes së unitetit transatlantik karshi pushtimit rus të Ukrainës. Po ashtu fitorja e saj do të ishte trimërim i forcave antiperëndimore dhe autoritare në BE, por edhe këtu te ne në rajon. Nëse BE-ja e ka pasur vështirë të projektojë fuqinë e saj demokratike dhe progresive në Ballkanin Perëndimor me Macronin, me Le Penin ajo do të jetë e pamundur. Me fitoren eventuale të Le Penit, Kosova do të ballafaqohet me një president të Francës, e cila nuk fsheh simpatinë për Serbinë dhe antipatinë për Kosovën.

Përderisa Macroni ka avantazhin e raundit të parë zgjedhor dhe mbështetjen e pothuaj gjithë spektrit politik të Francës, nuk duhet befasuar nga e papritura. Raundi i parë zgjedhor në Francë tanimë ka prodhuar befasinë e parë. Partitë tradicionale: Partia Socialiste e Miterandit dhe republikanët e Sarkozisë nuk kanë kaluar pragun. Tani, pas kësaj goditjeje zgjedhore ato ballafaqohen me mundësinë e debaklit fatal gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2022. Për të bërë të qartë shkallën e këtij zhvillimi imagjinoni sikur pas pesë vjetësh në Kosovë të mos kalojnë pragun PDK-ja dhe LDK-ja, ndërsa skena politike në Kosovë të dominohet nga VV-ja dhe Bashkimi Kombëtar. Nëse kjo është e mundur, çdo gjë është e mundur.