Në analogjinë e tenisit iniciativat e reja janë sikur një turne në të cilin nuk marrin pjesë gjysma e lojtarëve e paraprakisht është përjashtuar konkurrenca në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit, pra një turne qejfi krahinor. Ja pse duhet kthyer idesë parësore e turneut ku nuk thuhet Iberia iberasve apo Apeninet apeninasve
1.
Kur e dëgjova emrin e ri për “Minischengenin” asociacioni i parë ishte me lojën e tenisit. “Open Balkans” apo “Ballkani i hapur” është inversion i një turne tenisi të ardhshëm të quajtur “Balkan Open”. Në do të ndodhë a jo të ketë një turne të këtillë nuk e di, por me rëndësi për këtë tekst është parimi i fjalës “open” që përshkruan të drejtën e çdokujt që të kualifikohet për të, qoftë profesionist i rangut më të lartë apo amator me dëshirë për të qenë një ditë profesionist i rangut më të lartë.
Sikur në turneun e tenisit “Balkan Open”, ideja parësore e “Open Balkans” si projekt është që projekti të jetë i hapur për pjesëmarrjen e shteteve të regjionit (në këtë rast paragjykohet se do të jenë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor). Dhe sikur në turneun e tenisit mospërmbushja e idesë parësore (të të qenit të hapur) paraqet një problem parësor. Si mund të jesh turne i suksesshëm (apo projekt politik i këtillë) nëse gjysma e pjesëmarrësve që janë paraparë se do të marrin pjesë nuk e bëjnë këtë?
Problemi , natyrisht, është më i ndërlikuar me “Open Balkans” sesa do të mund të jetë me “Balkan Open”. Turnetë e tenisit mund të luhen me gjysmën e pjesëmarrësve të paraparë, por ideja e vendosjes së një zone të katër lirive evropiane në Ballkanin Perëndimor nuk është e realizueshme pa pjesëmarrjen e të gjitha shteteve. Shqipëria dhe Serbia mund të proklamojnë se më 2023 nuk do të ketë kufi mes tyre, por kjo, qoftë edhe në gjeografi bazike, nuk paraqet ndonjë risi, ngase një kufi mes Shqipërisë e Serbisë nuk ekziston as tash e pothuajse asnjëherë. Mes Shqipërisë e Serbisë ekziston gjeografikisht e politikisht një hapësirë e kontestuar në aspektin identitar e shtetëror nga ana e Serbisë e BH-së, Malit të Zi dhe Kosovës-mu ajo hapësirë që nuk po merr pjesë në turneun e katër lirive.
2.
Mendoj se përshkrimi më i lehtë dhe i qëndrueshëm për “Open Balkans” është ai që vlente edhe për “Minishchengenin”: është i pamjaftueshëm, pra nuk i përmbush nevojat e regjionit. Dhe kjo pamjaftueshmëri është thjesht e dëshmueshme me faktin se që në aktin e “rithemelimit” nuk marrin pjesë gjysma e pjesëmarrësve potencialë.
Por, për më tepër, pamjaftueshmëria konfirmohet nga misioni i proklamuar i “Ballkanit të hapur” për vendosjen e katër lirive evropiane. Një mision i këtillë u proklamua në Samitin e Sofjes , mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe iu dha një emër më kuptimplotë, “Tregu i përbashkët regjional”. Pra, “Ballkani i hapur” duhet të bëjë “Tregun e përbashkët regjional”, por fillimisht pa tri shtete nga gjashtë të Ballkanit Perëndimor dhe pa përkrahjen e BE-së që e merr për obligim si projekt të vetin.
Në analogjinë e tenisit, ky do të ishte një turne në të cilin që nga fillimi pranohet se nuk vijnë gjysma e pjesëmarrësve dhe që nga fillimi përjashtohet Federata Ndërkombëtare e Tenisit; turneu shndërrohet në qejf krahinor të themeluesve.
3.
Dhe problemi është edhe më i ndërlikuar se kaq. Vetë ideja e “Tregut të përbashkët regjional” është produkt i Procesit të Berlinit, një iniciativë së cilës ia dha bekimin Angela Merkel si mënyrë për të zhbllokuar regjionin e Ballkanit Perëndimor pas viteve të vendnumërimit të regjionit. Edhe vetë Procesi i Berlinit u tregua ende i pamjaftueshëm: në vend se të përmbyllej me marrëveshje kardinale gjatë fundit të mandatit të Angela Merkelit, po kalon në një të ardhme jo krejtësisht të qartë.
E në Proces të Berlinit, sikurse edhe në çdo nismë tjetër regjionale, problemi imediat që nga mënyra e paraqitjes e deri te formulimet që implikojnë shtetësinë (“kufijtë”, “shtetet”, “ambasadat”, etj.) është Kosova. Marrëveshjet brenda Procesit të Berlinit nuk kanë arritur të finalizohen duke shërbyer si shkas mospajtimet rreth identitetit të Kosovës. Në fakt, për shkaqe nënkuptueshmërie: iniciativat regjionale nënkuptojnë që shtetet japin pak nga sovraniteti i tyre në emër të së mirës së përbashkët; kështu është ndërtuar Bashkimi Evropian. Por, në këtë rast është provuar një eksperiment i paparë deri tani duke kërkuar që të jepet pak nga sovraniteti i çdo pale, ndërsa njëra palë nuk e pranon fare të drejtën e palës tjetër për sovranitet, siç është rasti i Serbisë me Kosovën.
Por supozohej se ndërkohë që zhvillohej ideja e Procesit të Berlinit, edhe ky problem mes Serbisë dhe Kosovës do të zgjidhej. Dhe kështu të dyja vendet, e me lehtësim të BE-së, zhvilluan një dhjetëvjetësh negociatash. Edhe këto e kanë një emër të lehtë: janë të pamjaftueshme. U zhvilluan duke zgjidhur një apo tjetrin problem, por me kësi ritmi e këso forme është lehtë të parashikohet se do të jenë të pamjaftueshme edhe për dhjetë vjetët e ardhshëm.
4.
Në skenë sot kemi tri projekte të pamjaftueshme: “Open Balkans”, Procesin e Berlinit dhe “dialogun e Brukselit”.
Mbase ky konstatim fton për tri sugjerime. I pari , si të bëhen këto procese konvergjente? I dyti, si të bëhen të frytshme, pra të tregojnë rezultatet që e shkëpusin nga mallkimi i pamjaftueshmërisë?
Dhe i treti e ndoshta më i rëndësishmi, si të kthehemi te synimi parësor?
Në një editorial në gazetën “Politika”, presidenti Vuçiq shkroi se “Ballkani i hapur” është një iniciativë që më në fund ua kthen Ballkanin ballkanasve. Besoj se një formulim i këtillë e kurorëzon pamjaftueshmërinë.
Në fakt, besoj se synimi i ballkanasve (pra i qytetarëve të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor) është tjetërfare, që t’ia kthej Ballkanin kontinentit të vet, Evropës. Ky ka qenë synim i Gadishullit Iberian e Apenin, i Alpeve dhe i vendeve të Danubit, i brigjeve evropiane të Atlantikut e Detit të Veriut, i brigjeve evropiane të Mesdheut- i tërë hapësirës- merr shiun e erërave të Atlantikut deri në Ukrainë. Asnjëri prej këtyre nuk ka kërkuar që Iberia t’u kthehet iberiasve apo Apeninet apeninasve; që të gjithë kërkuan shtëpinë e vet evropiane.
I vetmi proces që mund të jetë i mjaftueshëm për nevojat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor është ai që siguron një trekëmbësh qëndrueshmërie evropiane: barazi mes shteteve e popujve, ombrellë sigurie kolektive atlantike dhe krijim të mekanizmave të tregut të përbashkët regjional që e integron brenda BE-së.