OpEd

Paligjshmëria dhe frikësimi, standard i Qeverisë

Shqetësues, më shumë se vendimet e paligjshme të Qeverisë Haradinaj është efekti nënshtrues dhe zbatues i tyre, si dhe mungesa e një instrumenti që ndërhyn në parandalimin e abuzimit publik ndaj institucioneve të pavarura. Kuvendi është jofunksional, opozita hesht, shoqëria civile thuajse nuk ekziston

Ndërsa po provonim t’i numëronim vendimet e paligjshme të Qeverisë Haradinaj dhe me shpresën se do ta mbyllim analizën e fundjavës me shifrat e që kishin prekur fundin e vitit 2017, në mesjavë listës iu shtua edhe një ndërhyrje “bandash”. Kësaj radhe në Universitetin e Prishtinës. Por, jo e vetmja.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pak ditë pasi kërcënoi me mbylljen e të paktën pesë universiteteve publike, çoi në shtëpi katër anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, ndërsa nuk vonoi bëri një hap tjetër – kërkoi nga rektori i UP-së të mos aprovojë dokumentet që lidhen me avancimet akademike.

Ky ministër, në një situatë normale, nuk do të duhej të ndërhynte kështu, e ç’është e vërtetë nuk do të duhej të ishte fare aty ku është, nga dita kur shkarkoi Këshillin Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Akreditimit dhe jashtëligjshëm emëroi Bordin, caktoi kryetarin e tij...

Ministri apo urdhërdhënësit e tij, duhet ta dinë se UP-ja nuk është korporatë, e as parti-lider, por funksionon mbi bazën e infrastrukturës së saj ligjore, se njerëzit e zgjedhur në postet drejtuese, përfshirë Senatin, i janë nënshtruar një procesi zgjedhor dhe se ata kanë mandat për të marrë vendime, edhe nëse ato nuk i pëlqejnë grupeve të interesit.

Ndërhyrjet në UP nuk është se ndodhin për herë të parë. Ka pasur përpjekje e ndërhyrje edhe nga qeveritë e kaluara me arsyetimin se aty ka probleme, por për shkak të presionit publik, ose janë tërhequr ose janë korrigjuar në respekt të autonomisë së tij. Por ndryshe nga herët e tjera, pak e pritshme që kësaj strukture t’i punojë “rikverci” . Tash po shihet se kemi të bëjmë me logjikën e “së tekmes” dhe se respektimi i sistemit juridik i ndërtuar me shumë mund për gati 20 vjet, nuk ekziston as si nocion e as si funksion për ta.

Shqetësues, më shumë se vendimet e paligjshme të Qeverisë është efekti nënshtrues dhe zbatues i tyre, si dhe mungesa e një instrumenti që ndërhyn në parandalimin e abuzimit publik ndaj institucioneve të pavarura. Kuvendi është jofunksional, opozita hesht, ndërsa shoqëria civile thuajse nuk ekziston.

Senati i UP-së, i gjendur para një Qeverie që shfaq tendencë diktature e dhune, ka hequr dorë nga miratimi i Rregullores për avancime akademike, ani që e di se është e drejtë e tij për ta çuar deri në fund procesin. Anëtarët e Senatit dhe drejtuesit e Rektoratit treguan se janë të padenjë dhe të frikësuar për ta mbrojtur autonominë e institucionit, po aq sa njerëzit e pushtetit që treguan se janë të vendosur për t’i shtyrë para agjendat e tyre dhe nuk kanë frikë kur hapur shkelin ligjin.

Ngjashëm me UP-në, vendimeve të paligjshme i janë bindur edhe institucionet e tjera të pavarura.

Agjencia e Privatizimit e Kosovës ka ndërprerë shitjen e tokave të ndërmarrjeve shoqërore, meqë kështu ka vendosur Qeveria. Ky institucion nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj Qeverisë. Marrëdhënia e saj ligj-zbatuese është e lidhur vetëm me Kuvendin e Kosovës dhe dokumentet e miratuar nga ajo. Madje, edhe Kuvendi, për të adresuar politika të reja të privatizimit duhet të ndërmarrë nisma për ndryshime ligjore. Po të funksiononte me logjikën e “karatesë” së Qeverisë së tashme, AKP-ja që në qershor të vitit të kaluar do t’ia transferonte Qeverisë afro 100 milionë eurot e planifikuara në buxhet dhe me to Qeveria Mustafa nuk do të sfidohej me vonesën e pagesave për “Bechtel-Enkan”. Për rrjedhojë as konsorciumi që ndërton autostradën Prishtinë-Han i Elezit nuk do të dëmshpërblehet me dhjetëra miliona euro. Por ishte punë që s’bëhej – nuk e lejonte Ligji për AKP-në.

Jo vetëm që kundërligjshëm i kanë hipur në qafë AKP-së, por qeveritarët kanë shfaq nervozë prej diktatori se pse nuk është ndalur vala e fundit e privatizimit. Në një paraqitje publike, ministri i Tregtisë dhe Industrisë linte të kuptohet se sjellja e AKP-së, sikur ia ka prishur pak humorin shefit të Qeverisë dhe vetë atij. E drejtori i AKP-së, në deklaratat e tij, në vend se ta shpërfillë këtë vendim të Qeverisë Haradinaj, ngase kështu e obligon ligji, gati sa nuk u kërkoi falje. Sqaroi se vala e privatizimit kishte nisur para se Qeveria të kërkonte ndërprerjen e shitjes së tokave. Madje premtoi se herëve të tjera kjo nuk do të përsëritet dhe se do ta marrin parasysh vendimin.

Më keq se në AKP, e ka pësuar Bordi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë (KOSTT). Vendimi i kundërligjshëm i Qeverisë për shkarkimin e Bordit ka bërë që në zyrën e këtij institucioni të rëndësishëm të mos guxojë të qëndrojë më asnjë anëtar. Ata pak njerëz që kanë mbetur ende në punë i kanë thënë gazetës se prej kur është marrë vendimi i Qeverisë, anëtarët e Bordit nuk guxojnë të vijnë në zyrë.

Me shpresën se largimi i dhunshëm mund të sjellë më pas përfundim të lumtur, anëtarët e Bordit të KOSTT-it kanë paditur Qeverinë për këtë vendim. Por kanë harruar se për bandat, Gjykata dhe Prokuroria, ka vite që nuk ekzistojnë si institucione të drejtësisë, në formën normale të tyre.

Institucionet publike jo vetëm që po zbatojnë vendimet, çfarëdo qofshin ato, por kanë filluar t’i vënë në jetë edhe rekomandimet apo deklaratat e kryeministrit Haradinaj të dhëna në takime joformale.

Një “solidarizim” elektoral i Haradinajt me punëtorët e KEK-ut u shfrytëzua nga një organ “fantazmë” brenda kësaj korporate, që i njëjti të shndërrohet në vendim. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Energjisë ia dorëzoi Bordit të KEK-ut kërkesën për ndarjen e thëngjillit falas për punëtorët dhe mes tjerash në kërkesë ua kujtoi “rekomandimin e Haradinajt”. Hajt guxo e refuzoje.

Kryetari i Bordit pa mandat e firmosi atë pa kushte, sikundër që veproi me procedurat e tjera edhe drejtori i KEK-ut. Duke përdorur “miqësinë” me kryeministrin dhe njerëzit e afërt me të, kryetari i Sindikatës i nxori prej loje të gjitha strukturat e KEK-ut gjatë procesit të ndarjes dhe përzgjedhjes së kompanisë private që bënë ngarkimin dhe transportin e thëngjillit.

Në KEK, u munduan para publikut të justifikojnë këtë aktivitet, por jo zyrtarisht e pranuan se janë në presion të madh, por se kanë frikë të flasin hapur.

“Ai (Haradinaj) na ka kërcënuar publikisht se do t’i thyejë zyrat tona”, thoshte një punëtor administrate kur diskutonim për skandalin me ndarjen e thëngjillit.

Ne që monitorojmë nga jashtë atë që po ndodh këta katër-pesë muaj, s’kemi si të mos jemi të brengosur nga ato që janë bërë, e më shumë nga ato që mund të vijnë. Por nuk dimë si e shohin këtë kaos menaxhues njerëzit nga brenda. Cila është përgjegjësia e tyre karshi gabimeve zinxhirë të Qeverisë dhe vetë kryeministrit. A i tërheqin vërejtjen Haradinajt para se të ndërmarrë veprime të kundërligjshme, dhe a thua ai e fton dikë në përgjegjësi nga krejt ajo armatë të punësuarish rreth tij për mosparalajmërim. Apo, paga u jepet vetëm në favor të heshtjes.

Nëse ky komunikim nuk ekziston e që do të duhej të ishte për fajin e të gjithëve, atëherë vijmë në përfundim se nuk kemi të bëjmë më me institucion që i nënshtrohet ligjit, se është produkt i një procesi dhe sistemi demokratik, se është në shërbim të qytetarëve e mirëqenies së tij, dhe se në themel është profesional.

Eksperti amerikan Francis Fukuyama kur sqaron thelbin e shtetit funksional përmend përmbushjen e kapaciteteve institucionale. Më kryesoret, sipas tij, janë: aftësia për të hartuar dhe zbatuar politika; për të propozuar dhe miratuar ligje; aftësia për të menaxhuar me sukses dhe me administratë sa më të vogël; për të parandaluar shantazhin, korrupsionin dhe ryshfetin; për të mbajtur në nivel të lartë angazhimin dhe përgjegjësinë e institucioneve publike; dhe më e rëndësishmja përgjegjësinë për zbatimin e ligjeve.

Me ligjet, e tha apo se tha Fukuyama, dihet se nuk bëhet kompromis. As parulla se po punoj fort, as dalja para sabahut në punë, as vizitat në gjysmë të natës në KEK e QKUK, as vrapi për të mos u vonuar në mbledhje e as sjelljet e vendimet populiste, nuk mund të lartësohen nëse ato bien ndesh me shtetin e së drejtës. Qeveria duhet ta dijë që ligjet duhet të jenë publike, se askush nuk mund të vihet mbi to, se duhet të zbatohen me rigorozitet dhe se shkelja e tyre sanksionohet.

Nga perspektiva e asaj që kjo Qeveri ka prodhuar këta muaj, del se shkelja e ligjit vjen jo vetëm si rezultat i interesave financiare e klienteliste të pesë partive në koalicion, qasjes diktatoriale, zhvatjes së buxhetit, por edhe i mosdijes. Mbase, këtu ka vend për atë që miku ynë Fisnik Halimi e tha në një debat televiziv: “Politika nuk është hobi, është shkencë”.