Serbia ka ringjallur pretendimin e saj ndaj Kosovës, duke u fshehur prapa viktimizimit të serbëve në Kosovë si pasojë e pushtetit arbitrar të autoriteteve kosovare, një model rus i përdorur si justifikim për agresion në Ukrainën Lindore.
Sjellja e fundit e presidentit francez, Macron, në Beograd dhe mesazhet e tij për serbët e Kosovës, kritikat për Qeverinë e Kosovës, tregojnë se propaganda dhe ankesat serbe kanë gjetur se ata kanë ekipe dhe lobues në katër anët e botës. Me gjithë akuzat e pabazuara të Beogradit, tani askush nuk i del në mbrojtje Kosovës. Kjo situatë dhe kjo mungesë e përkrahjes, madje edhe nga partnerët tanë, do të duhej të ishte një vërejtje serioze për elitën politike të Kosovës. Ne ose kemi gabuar ose jemi vonuar së tepërmi. Për Kosovën, të cilën e presin sfida të shumta në vitet në vijim, si epilogu i Dhomave të Specializuara, çështja e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, çështja e aranzhimeve të reja për Kishën Ortodokse Serbe, është e nevojshme të ndërtohet besimi i drejtpërdrejtë në mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë. Natyrisht, një pjesë e përgjegjësisë i bie edhe faktorit ndërkombëtar, i cili me kërkesat e njëpasnjëshme ndaj Kosovës për koncesione në Procesin e Brukselit dhe sidomos insistimi i tij për realizimin e dy projekteve njëetnike, si Asociacioni dhe Dhomat e Specializuar, e kanë konsumuar në mënyrën më të keqe besimin e publikut shumicë kosovare. Sidoqoftë, tani në prag të zgjedhjeve nacionale, Kosova duhet të demonstrojë urtësi dhe të evitojë me pragmatizëm çdo skenar serb që përsërit skenarin e bojkotit institucional dhe të zgjedhjes së katër kryetarëve të komunave në veri, me ç ‘rast Beogradi ia doli ta paraqiste popullatën serbe në Kosovë si viktimë e veprimeve arbitrare të Qeverisë së Kosovës.
Kosova duhet të shmangë qasjen serbe për një dialog pa limit dhe intencën evropiane që dialogun e Brukselit e sheh si instrument për ruajtjen e status quosë. Shembulli më i mirë i kësaj është mungesa e rezultateve edhe pas arritjes së Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, për të cilat ka pasur interpretime dhe pritje të mëdha si në rajon ashtu edhe në BE, madje e krahasuan me Traktatin gjermano-gjerman të vitit 1972. Menjëherë pas Ohrit, kur Vuçiqi publikisht e përçmonte përmbajtjen e kësaj marrëveshje dhe refuzoi nënshkrimin e saj, ndërsa lehtësuesi i dialogut, në këtë rast BE-ja, kujdesej ta justifikonte sjelljen destruktive të Beogradit, ishte e qartë se nuk bëhej fjalë, por për marrëveshje për normalizimin, pasi ajo nuk krijonte detyrime ligjore ndërkombëtare, pavarësisht përdorimit kreativ të eufemizmave nga ndërmjetësit evropian.
Një tregues edhe më i keq ishte kur Serbia, në njërën anë, angazhohej në dialogun e Brukselit dhe për Ballkanin e Hapur, ndërsa në anën tjetër, vazhdoi agresionin diplomatik ndërkombëtar, që kulmoi sërish me fushatën agresive kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndërkohë që vetëm disa muaj më parë kishte realizuar agresionin ushtarak në Banjskë të Kosovës. Për të qenë absurdi edhe më i madh, sanksionimi erdhi në drejtim të Kosovës: e para, për shkak të dërgimit të pakoordinuar të katër kryetarëve në zyrat e tyre në veri të vendit. Përveç kësaj, tri vendet kryesore, Gjermania, Franca dhe Italia, iu bashkuan pozicionit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, me kushtin që në Gjykatën Kushtetuese të dërgohej Statuti i Asociacionit. Ndërsa serbët nuk kishin asnjë detyrim ndaj Kosovës. Serbia pos që kaloi “pa asnjë therë në këmbë” si për rastin e Bansjkës, ajo mori guximin që përmes një letre zyrtare në dhjetor 2024 të kontestonte çdo pjesë të marrëveshjes që nënkuptonte njohje de facto apo de jure. Ky diskurs i Beogradit nuk ishte cenim i Marrëveshjes së Ohrit, siç po thuhet poshtë e lart, por një miratim nga miqtë e Kosovës e “ekuivalentit” gjerman sipas të cilit pranohet “uniteti serb”, që nënkupton se Serbia mund të kontestojë shtetësinë e Kosovës dhe njëkohësisht të bëhet sikur e ka pranuar Ohrin. I inkurajuar nga ky pozicion i ndërkombëtarëve, Beogradi doli hapur për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE. Së këndejmi edhe gjuha e shtetit serb ndaj Kosovës dhe shqiptarëve edhe më tej mbeti tepër armiqësore.
Kjo sjellje asimetrike e BE-së e ka deformuar, po ashtu, qëllimin e dialogut të Brukselit, i cili nëse ecën me ritmet aktuale, i duhen edhe trembëdhjetë të tjera për ta adresuar ndoshta çështjen nëse duhet hapur apo mbajtur mbyllur ura mbi Ujëbardhë. Kjo i bie që marrëveshja finale as që duket në horizont. Dhe tamam kur duket se s’di çfarë të bëjë, BE-ja mori vendimin e njëanshëm dhe të paprecedent në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, njohjen e pasaportave ilegale të Serbisë, të lëshuara nga e ashtuquajtura “Drejtori Koordnuese për Kosovë dhe Metohi” për serbët e Kosovës. Nga ky moment, qytetarët e Kosovës kanë dy pasaporta: në njërën, në atë kosovare, do të shkruan se Prishtina është territori i shtetit të Kosovës, ndërsa në anën tjetër, Prishtina, Ferizaj, Gjilani e të tjera qytete, paraqiten si territor i Serbisë. Si është e mundur që brenda BE-së kalon një vendim i tillë nga 22 vendet që e kanë njohur Kosovës, dhe nuk kalon asnjë vendim tjetër që ndërlidhet me shtetësinë e Kosovës, ngase pesëshja “heroike” rebelohet, edhe pse ajo e ka njohur Opinionin e GJND-së me rastin e përfshirjes së këtij opinioni në Rezolutën e OKB-së të 9 shtatorit 2010.
Dialogu nuk dihet edhe sa kohë do të zgjasë dhe se si do të vazhdojë ai dhe çfarë marrëveshjeje finale mund të prodhojë. Por kjo do të varet më shumë nga shkalla e përfshirjes së SHBA-së në këtë përmbyllje të procesit elektoral për lidershipin e ri amerikan dhe nga rrjedha e luftës në Ukrainë sesa nga Gjermania e Franca, të cilat hoqën dorë ende pa filluar për implementimin e plotë dhe pakushte të Marrëveshjes/Aneksit të Ohrit. Është evidente se trembëdhjetë vjet pas fillimit të Procesit të Brukselit lidershipi në SHBA dhe në BE duhet të shpërfaqin më shumë vendosmëri për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Prandaj Kosova ka të drejtë dhe duhet të insistojë se anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE e ndihmojnë drejtpërdrejt edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi. Vetëm një perspektivë e qartë dhe e prekshme e Kosovës drejt anëtarësimit në BE-së dhe në NATO e ndihmon Procesin e Brukselit dhe e detyron Serbinë të heqë dorë nga një politikë e dyfishtë në raport me Kosovën: në njërën anë, të bëhet se po negocion për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, ndërsa në anën tjetër, të vazhdojë kontestimin e pavarësisë së Kosovës dhe ta luftojë atë kudo. Është e rëndësishme, po ashtu, për të siguruar se çështja e normalizimit të marrëdhënieve nuk do të mbetet vetëm frazeologji diplomatike e BE-së, që progresi i Serbisë në rrugën drejt BE-së të kushtëzohej me arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, pikërisht ashtu siç e kishin kërkuar njëmbëdhjetë vjet më parë në non paper-ët e tyre Britania e Madhe dhe Gjermania, por që në ndërkohë BE-ja hoqi dorë nga kjo, ndoshta edhe të mos sjellë edhe obligime formale për pesë vendet e BE-së, të cilat me qëndrimin e tyre kokërrfortë kundër pavarësisë së Kosovës, në fakt kanë minuar suksesin e vetë BE-së në Kosovë dhe në rajon. Pos kësaj, Kosova më shumë se për unitet ndëshkues evropian ka nevojë për trajtimin e saj si shtet që ka investuar me gjenerata të tëra. Është ironi tmerruese nëse Spanja, një vend evropian, qëndron krah për krah me Rusinë dhe Iranin në kontestimin e pavarësisë së Kosovës dhe nxiton ta njohë pavarësinë e Palestinës jashtë çdo procesi negociues, në mesin e luftës në Gaza dhe vetëm pak muaj pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael. Në fakt, pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësisht referencës në të drejtën ndërkombëtare, objektivisht janë shndërruar në përkrahëse të politikës serbe dhe ruse në rajonin e Ballkanit. Natyrisht, këtë pozicion jounik të BE-së e kanë kapitalizuar në maksimum si Moska ashtu edhe Beogradi, që cilat nuk e kanë marrë seriozisht BE-në. Dhe për aq kohë sa BE-ja nuk flet me një zë për Kosovë dhe në të gjithë rajonin, detyrimisht roli i BE-së dhe i Politikës së saj për Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë nuk do të merret seriozisht as në rajon e as në nivelin evropian dhe global. Mirë e ka thënë Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, në fillim të punës së saj në pranverën e vitit 2010: "Ballkani është vendi i lindjes së politikës së jashtme të BE-së dhe pikërisht këtu nuk mund të lejojmë dështim" .Dhe testi serioz për këtë, pa dyshim, është procesi i Brukselit, i cili duhet të ndryshojë në qasje dhe metodologji, nëse synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve të vogla si alternativë e vetme për të mbyllur kapitullin më të vështirë të konflikteve në Evropën Juglindore. Duhet bërë disa hapa konkret dhe serioz:
Hapi i parë dhe i domosdoshëm në këtë rast do të ishte, jo negociatat për çmontimin gradual të Planit të Ahtisarit (si vetmanaxhimi, hapja e kapitullit për trashëgiminë kulturore e fetare dhe më vonë çështja e zgjerimit territorial të komunave), por bisedime për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore. Kjo do të nënkuptonte braktisjen e ideve që synojnë të paralizojnë shtetin e Kosovës përmes krijimit të mekanizmave të brendshëm pengues. Ndërkaq tentimi që përmes koncesioneve të vazhdueshme vetëm nga pala kosovare na japin pamjen se në bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel sikur nuk po bisedojnë dy palët të barabarta, të cilat duhet të shpien deri te zgjidhja e problemeve fqinjësore. Bisedimet e Gjenevës me 1992 për çështjen e arsimit të ndërmjetësuara nga ambasadori gjerman Hert Ahrens, past Marrëveshje Rugova-Milosheviq për normalizimin e çështjes së arsimit (1996), bisedimet e Rambujesë (1999), bisedimet e Vjensë prë status final (2006-2007), bisedimet shtesë të treshes ndërkombëtare (Isginger, Wisner, Hartchenko) dhe 14 të dialogut të Brukselit kanë rezultuar me dështim. Beogradi as që ka qenë i interesuar ndonjëherë për çfarëdo zgjidhje me Kosovën dhe është evidente se gjithmonë është ndalur vetëm atëherë kur ka qenë e detyruar nën kërcënimin e përdorimit të forcës ushtarake.
E dyta, fillimisht do të duhej të ndodhte njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së mbi premisat e opinionit të GJND-së, e pastaj të kërkohej një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe jo anasjelltas: njëherë normalizimi pastaj njohja nga pesë vendet anëtare të BE-së. Kjo qasje, po ashtu, do ta bënte të parëndësishëm kërkesën/nevojën e njohjes së shtetit Kosovës nga Beogradit, ngase në këtë mënyrë autoriteteve të Beogradit do të hiqte dorë nga dëshira për ruajtjen e një status quo-je konfliktuoze dhe me këtë t’i merrej nga dora çdo mundësi për prolongimit të dialogut pa kufij. Për më tepër, njohja nga pesë vendet e BE-së, të cilat pas opinionit të GJND-së nuk kanë asnjë argument juridik dhe politik, retorikën e perspektivës evropiane për Kosovë do ta zëvendësonin hapat konkret drejt anëtarësimit në NATO, BE, OSBE dhe KiE. Dhe vetëm frika e parëndësisë së saj e integrimit evroatlantik të Kosovës dhe vendeve të rajonit do t’i bënin autoritetet serbe më racional dhe më bashkëpunuese në procesin e Brukselit.
E treta, në këtë situatë të vështirë gjeopolitike, ku vëmendja e Evropës dhe Amerikës është e përqendruar në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Kosova duhet të fokusohet në çështjet thelbësore për të ardhmen e saj, si anëtarësimi sa më të shpejtë në NATO. Ajo nuk mund të sigurojë vetë stabilitetin në një ambient rajonal të tensionuar apo të forcojë pozitat e saj ndërkombëtare pa mbështetje nga aleatët e rëndësishëm. Kjo nënkupton nevojën për një qasje të re në rindërtimin e besimit me miqtë dhe aleatët perëndimorë. Një qasje më pragmatike do të ishte e domosdoshme për të evituar erozionin e mëtejshëm të mbështetjes diplomatike ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Perëndimi duhet ta konsiderojë seriozisht qëllimin dhe orientimin historik të Kosovës për t'u bërë pjesë e NATO-s dhe organizatave të tjera të sigurisë. Një strategji e tillë është jetike për Kosovën dhe për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të rajonit.
(Pjesën e parë të këtij shkrimi mund ta lexoni duke klikuar këtu)