OpEd

“Paketimi” diplomatik i marrëveshjes së Ohrit

Nga ana e formës, marrëveshjet diplomatike dallojnë rrënjësisht nga njëra-tjera për nga forma dhe përmbajtja. Titujt ose stili janë shumë të ndryshëm: “Traktat”, “protokoll”, “shkëmbim notash” ose thjesht “marrëveshje.” Ato dallojnë shumë prej njëra-tjetrës, nga struktura e tekstit, gjuha, si dhe nga fakti nëse janë të shoqëruara apo jo me “anekse.” Ato gjithashtu dallojnë prej njëra-tjetrës edhe nëse bëhen publike apo mbahen sekrete. Arsyet kryesore që shpjegojnë shumëllojshmërinë e formave të marrëveshjeve janë disa. Disa krijojnë detyrime ligjore ndërkombëtare, disa të tjera jo, disa janë të lehta për t’u hartuar dhe disa shmangin nevojën për ratifikim. Për më tepër, forma që merr një marrëveshje konkrete varet nga rëndësia që i kushtojnë palët e përfshira në bisedime, secilës nga konsideratat e mësipërme.

Mungesa e detyrimit ligjor

Katër vjet më parë, kur BE-ja kishte emëruar ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si të Dërguar të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ende në Bruksel flitej për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Edhe vetë Lajçak pati deklaruar me tone optimiste se “marrëveshja gjithëpërfshirëse është çështje muaji e jo vitesh”. Dhe, atëherë thuhej gjithashtu se “ka ardhur koha që tash dialogu të përmbyllet”.  Përveç kësaj, në vitin 2013, ishte Britania e Madhe dhe Gjermania dy vende të BE-së, të cilat përmes një dokumenti të përbashkët (Non Paper) prej 10 pikash kishin kërkuar që procesi i normalizimit të përmbyllej me  “full normalisation”. Në dokumentin e tyre Britania e Madhe dhe Gjermania e bënin të qartë se më këtë term nënkuptohej që normalizimi i plotë duhet të formësohet në një marrëveshje ligjore të detyrueshme për të dyja palët dhe e cila do t’u garantonte Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë rrugëtimet e tyre përkatëse drejt BE-së. E gjithë kjo do të duhej të jetësohet si kushtëzim final i Kapitullit 35.

Por, gradualisht me kalimin e viteve dhe sidomos me ashpërsimin e situatës në veri, me apo pa qëllim, sidomos nga shtatori i vitit 2021 i gjithë dialogu u fokusua, madje e bëri prioritet çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të Kosovës. Ndjeshmëria ndaj gjuhës, thotë, G. R. Berridge, i shërben “ruajtjes së fytyrës” në mënyrën më të përgjithshme të mundshme dhe negociatorët të përdorin mjete të tjera të efektshme për të larguar vëmendjen nga lëshime me rëndësi në tekstin e marrëveshjes. Shembull më i mirë i kësaj strategjie mund të gjendet te marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE-ja në shtator të vitit 2021, midis Bislimit dhe Petkoviqit, kur ndërmjetësuesit evropianë flisnin për tri pikat e para të marrëveshjes, të cilat kishin të bënin kryesisht me aspekte teknike të marrëveshjes, por lihej në heshtje paragrafi i fundit i marrëveshjes që i referohej Asociacionit.

Përkundër pritjeve të mëdha të shpërfaqura nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, katër vjet më pas rezultatet e dialogut kanë qenë më pak se modeste. Jo vetëm se nuk ka pasur përmbyllje të dialogut, siç ishte premtuar, por ka pasur diskutime për çështje nga më të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe çështjen e aplikimit të monedhës euro në katër komunat veriore gjatë transaksioneve financiare. Nuk pati asnjë përparim drejt marrëveshjes finale, përkundrazi, pati përkeqësim të raporteve pas bojkotimit të institucioneve të vendit nga serbë lokal, përkatësisht në katër komunat veriore, të cilat kontrollohen dhe financohen drejtpërdrejt nga qeveria serbe në Beograd.

Edhe pse marrëveshja e Ohrit nuk është as gjithëpërfshirëse, as ligjërisht obliguese, as nuk e zgjidh çështjen e njohjes reciproke, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell deklaroi se "BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar, prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm”. Por, më pas ai ka qenë i detyruar ta pranojë se “përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së, si Kosova edhe Serbia kanë bërë përparim shumë të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.”

Ky fakt tregon se nisma gjermano-franceze, e cila mbështetej mbi shembullin e Traktatit Bazë të suksesshëm nga viti 1972 midis RFGJ-së dhe RDGJ-së, edhe pse sipas “Paketimit” diplomatik thuhej se garantonte njohje de fakto, edhe pse në parim u pranua ajo, nuk solli ndonjë lëvizje. Serbia, nën ndikimin e vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave, që nënkuptonte edhe njohje të dokumenteve të udhëtimit, madje edhe nga Spanja, nxitoi të tregohej konstruktive, të mos mbetej e vetme, ajo njohu targat e makinave, të dokumenteve dhe simboleve të Kosovës. Ky hap taktik i Serbisë, i cili u interpretua si njohje de facto, çka në fakt nuk ishte, kishte për qëllim që ta zhvendoste vëmendjen dhe trysninë e BE-së dhe SHBA-së mbi Kosovën për miratimin e përshpejtuar të Asociacionit/Bashkësisë. Se nuk kemi të bëjmë me njohje de facto duket qartë nga fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Edhe pse në “paketimin” e marrëveshjes flitet për njohje de facto, një gjë e tillë nuk ka mbështetje në ligjin ndërkombëtar. Njohja de facto në rastin e Ohrit përmendet për dy qëllime: për ta përshpejtuar çështjen e formimit të Asociacionit dhe e dyta, kjo gjë përdoret për ta çuar përpara dialogun e Brukselit.

Palët në bisedime, siç e konfirmon edhe eksperti ndërkombëtar Marc Weller, ishin pajtuar në takimin e 27 shkurtit 2023 në Bruksel me formulimet e një marrëveshjeje të re bazë sipas modelit gjerman dhe në takimin vijues, në Ohër, me 18 mars, palët duheshin miratuar formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit, mbase i përcjellë nga një konferencë për nënshkrimin formal që do të mbahej në Paris. Por, ndërmjetësit e BE-së ishin ata që papritur e prishën këtë marrëveshje në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte. Kjo ndodhi për shkak se Serbia ishte deklaruar se nuk do të nënshkruante asnjë gjë me Kosovën. Ishte e qartë se Serbia nuk dëshironte që marrëveshja të bëhej subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Brukseli gjeti një formulim “kreativ” duke deklaruar se marrëveshje edhe e pa firmosur bëhej e vlefshme vetëm me publikimin në faqen zyrtare të BE-së. Pra, ishte BE-ja, që përmes eufemizmave provoi t’ia ruante fytyrën Serbisë dhe në këtë mënyrë Marrëveshjes dhe Aneksit të Ohrit i zhveshi nga përmbajtja e marrëdhënies së detyrueshme me ligj ndërkombëtar. Ishte e qartë se Serbia nuk dëshironte që marrëveshja të merrte formën e një traktati, pasi sipas përkufizimit të Konventës së Vjenës për Ligjin e Traktateve (1969), është “një marrëveshje ndërkombëtare midis shteteve, e lidhur me shkrim dhe që i nënshtrohet ligjit ndërkombëtar, e cila mishërohet në një instrument të vetëm ose në dy apo më shumë instrumente të ndërlidhura midis tyre, pavarësisht qëllimit të veçantë për të cilin është hartuar”. 

Pse për Kosovën ishte e rëndësishme një marrëveshje që parashikon detyrime ligjore ndërkombëtare? Duke u nisur nga përvojat e kaluara, sidomos faktin se Beogradi është shquar për mos respektim të marrëveshjeve, Kosova ishte e sigurt se këto lloj detyrimesh respektohen shumë më mirë se të tjerat, qoftë edhe nga një shtet me reputacion të keq, siç është Serbia. Gjithashtu, reputacioni i keq, që rezulton nga shkelja e të gjitha marrëveshjeve përgjatë viteve 1990, e bën të vështirë besueshmërinë e palës kosovare. Prandaj, krahas ndërmjetësimit ndërkombëtar, pala kosovare gjithmonë ka besuar se respektimi i marrëveshjeve ndodh kryesisht sepse detyrimet e pranuara janë produkt i marrëveshjes dhe konsensusit mes palëve, sepse në marrëdhëniet midis shteteve ka disa pengesa të natyrshme kundër shkeljes së detyrimeve, që nuk ekzistojnë në një marrëveshje që nuk ka detyrime ligjore ndërkombëtare. Për ilustrim, përmendim këtu Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës të vitit 1999 mes përfaqësuesve të NATO-s dhe ushtarakëve të Serbisë, e cila u fuqizua edhe përmes Rezolutës 1244 të OKB-së.

Theksi te rëndësia e marrëveshjes

Të krijosh një traktat është një gjë, ta quash “traktat” është gjë tjetër. Në fakt, siç thotë G. R. Berridge, traktatet zakonisht thirren me emra të ndryshëm që u përmendën më lart. Emra të tjerë që përdoren janë “kat”, “marrëveshje”, “Konkordat”, “konventë”, “deklaratë”, “shkëmbin notash”, “marrëveshje e përgjithshme”, “komunikatë e përbashkët” etj. Zakonisht marrëveshjet emërtohen “traktate” kur palët dëshirojnë ta theksojnë publikisht rëndësinë e tyre. Kjo ndodh sepse, historikisht, termi “traktat” është përdorur për marrëveshjet ndërkombëtare midis përfaqësuesve fuqiplotë të shteteve, por edhe sepse, për nga forma, ato prezantohen në trajtë tepër zyrtare, të mbushur me vula dhe nënshkrime të përfaqësuesve të palëve. Kjo është arsyeja përse Marrëveshja dhe Aneksi i Brukselit nuk i ka këto atribute dhe përse përfaqësuesit e BE-së kanë provuar të bindin publikun se marrëveshja bëhet vetvetiu ligjërisht obliguese posa ajo të publikohet në portalin e BE-së. Pra, në formën siç është bërë ajo nuk konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare dhe si e tillë ajo nuk krijon obligime ndërkombëtare për palët, edhe pse BE-ja i ka kërkuar KE-së të propozojë amendamente, në mënyrë që detyrimet që dalin nga marrëveshja e Ohrit të përfshihen në kapitullin 35-të. Nëse bëhet pjesë e kornizës së negociatave, në të ardhmen do të negociohej modaliteti i njohjes së Kosovës nga Serbia dhe kjo i bie që edhe pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, do të duhej t’i kërkonin Serbisë ta njohë atë.

Marrëveshjet me të cilat përfundohen luftërat quhen “traktate paqeje”, si për shembull Traktati i Paqes midis Republikës Arabe të Egjiptit dhe shtetit të Izraelit më 26 mars 1979. Shembull i mirë për ilustrim i këtyre rasteve është Traktati i Garancisë i Qipros më 16 gusht 1960. Në ditët tona vërehet se këto lloj marrëveshje nuk përdoren aq shpesh. Por është e zakonshme që traktatet të jenë të finalizuar me vula dhe firma të përfaqësuesve të palëve që e kanë nënshkruar.

Siç pohon G. R. Berridge, nëse hartuesit besojnë që marrëveshja ka rëndësi të madhe politike, por nuk ka natyrën dhe përmbajtjen që kërkon shoqërimin  e saj me detyrime ligjore ndërkombëtare, rëndësia e saj nuk mund të theksohet dhe as karakteri detyrues nuk forcohet duke i quajtur “traktate”: ajo nuk është traktat.

Një çështje tjetër është ratifikimi i marrëveshjes. Duhet të theksojmë që akti i ratifikimit ende çmohet shumë edhe parashikohet në shumicën e kushtetutave ekzistuese. Ratifikimi i marrëveshjeve parashikohet edhe nga kushtetuta e Republikës së Kosovës (Neni 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare, f. 4-5). Ratifikimi është i rëndësishëm pasi përmes këtij akti konfirmohet ajo që është nënshkruar nga negociatorët. Kjo praktikë ishte e nevojshme për të vërtetuar se negociatorët nuk kishin kaluar kufirin e fuqive të tyre (mandatin) ose që shefat e tyre nuk kishin ndërruar mendje në ndërkohë. Për demokracitë e konsoliduar, forma më e lartë e ratifikimit është referendumi, si për shembull ai që u mbajt në vitin 1974 nga qeveria laburistë e Britanisë së Madhe mbi çështjen nëse Mbretëria e Bashkuar duhej të mbetej nënshkruese e Traktateve të Romës apo jo. Është fakt i mirënjohur se, pikërisht për të shmangur rrezikun e poshtërimit nga mos ratifikimi i marrëveshjeve, në vend të traktateve të mirëfillta administratat amerikane të më pastajme, janë mbështetur gjerësisht te “marrëveshjet ekzekutive” (marrëveshje në nivel qeverie). Edhe në rastin e Marrëveshjes dhe Aneksit të Ohrit bëhet fjalë për një marrëveshje ekzekutive, e cila nënkupton një marrëveshje që kërkon zbatim në nivel të Qeverisë së Kosovës. Për shembull, Qeveria është e obliguar të dërgojë  draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese dhe në mënyrë krejt të pazakonshme kjo çështje po bëhet madje edhe kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Përparësitë e fundit të “paketimit” jozyrtar të marrëveshjes ishin shmangia e publicitetit të padëshiruar të marrëveshjes, gjë e cila gjatë kohës e bëri të paqartë nëse marrëveshja e parashihte formimin apo jo të asociacionit, pasi teksti shoqërohej me eufemizma të tipit “vetëmenaxhim apo vetëqeverisje”. Kjo qasje e qeverisë u bë me insistimin edhe ndërkombëtar për të shmangur një veprimtari opozitare brenda vendit, ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Për të shmangur një publicitet të padëshiruar , çështjet delikate të marrëveshjes u publikuan pjesërisht me një stil jo zyrtar, aq sa nuk dihej sa kishin të bënin me dokumentin autentik. Pohimet se marrëveshja nuk përbënte një detyrim ligjor dhe se nuk e kishte në qendër çështjen e njohjes, por asociacionin gjithsesi, asnjëherë nuk u pohuan apo demantuan nga qeveria. Ky “paketim” i shërbente më shumë përgatitjes së publikut me përmbajtjen e nismës gjermano-franceze. 

Theksi te “ruajtja e fytyrës”

Mënyra si ndërmjetësit e BE-së u sollën në Ohër është e paprecedente, pasi sipas Marc Wellerit, ishin ndërmjetësit e BE-së ata që papritur termat bazë të marrëveshje gjermano-franceze në çastin kur Kosova ishte e gatshme ta pranonte marrëveshjen. Ndryshimi i papritur i lojës ishte thikë me dy tehe: në rast se Kosova do të refuzonte pranimi e ndryshimit të rregullave në minutat e fundit, do të dukej se Kosova, e jo Serbia, po bllokonte procesin e normalizimit, për shkak të refuzimit të marrëveshjes. Në rast se ajo do e pranonte, çka edhe pranoi, Serbisë do t’i krijonte avantazh, që nënkupton “paketim“ i  marrëveshjes në atë formë, që nënkuptonte ruajtjen e “fytyrës” së “palës së fortë, në këtë rast të Serbisë. Në këtë mënyrë dhe me këtë qasje, BE-ja e liroi Serbinë nga trysnia me të cilën do të ballafaqohej, ngase Beogradit nuk i kërkohej një normalizim i plotë i raporteve me Kosovën, përfshirë edhe njohjen.

Kjo nënkuptonte nevojën për ta ruajtur Serbinë nga “turpërimi i skajshëm”, fillimisht duke shmangur nga marrëveshje çështjen e njohjes dhe më pas duke i dhënë prioritet selektiv zbatimit të pikës 7, përkatësisht formimit të Asociacionit. Megjithatë, përfaqësues të qeverisë kanë provuar që këtë pikë ta “paketojnë”  si alternativë që pamundëson Asociacionin mbi bazën e marrëveshjes së 2015-ës. Shmangia e emërtimit Asociacion pa dyshim është përpjekje e ndërmjetësve edhe për çështjen e “ruajtjes së fytyrës” për palën që prej më shumë se një dekadë e kishte bllokuar formimin e asociacionit. “Çështja e fytyrës” bëhet veçanërisht e rëndësishme kur përballemi me “kulturën e krekosjes”, siç është rasti me serbët e Ballkanit.

Kur “fytyra” është çështje jetësore, atëherë kompozimi, struktura dhe titulli i marrëveshjes mund të jenë jo vetëm të rëndësishme, por edhe elemente kundërshtie gjatë negociatave. “Paketimi” bëhet për të larguar vëmendjen nga lëshimet që duheshin bërë patjetër. Por ka shumë mundësi të jenë njëkohësisht edhe elemente kundërshtie, sepse ajo çka pala serbe dëshiron ta kalojë pa vëmendjen e publikut, njohja e dokumenteve dhe simboleve të shtetit të Kosovës, pala kosovare dëshiron ta vejë në dukje. Zakonisht pala serbe këto marrëveshje i “paketon” si përfitime të arritura me palën e tretë, me Brukselin dhe jo mes palës kosovare, së cilës në mënyrë të vazhdueshme i referohet si “autoritete të Prishtinës”.

Aneksi i marrëveshjes dhe eufemizmat

Negociatorët përdorin mjete të tjera të efektshme për të larguar vëmendjen nga lëshimet me rëndësi në tekstin e marrëveshjes. Ndoshta mënyra më e mirë për t’ia arritur këtij qëllimi është që ta përmendësh sa më pak atë lëshim, të flasësh pak për të, ta “mbështjellësh” që të mos duket . Shembulli më i mirë i kësaj strategjie mund të gjendet te marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE-ja  në shtator të vitit 2021 midis përfaqësuesit të Kosovës (Bislimi) dhe atij të Serbisë (Petkoviq),  kur njëra nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes, e cila kishte të bënte me Asociacionin ishte lënë në pasazhin e fundit. Sigurisht, zëvendëskryeministri Bislimi e ka kuptuar mirë për çfarë është pajtuar në Bruksel, por, si ai ashtu edhe zyrtarët e Brukselit, theksin e kishin vënë vetëm në tri pikat e pjesës teknike, të cilat ishin veçuar edhe në komunikatën zyrtare të BE-së si dhe në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë, pajtueshmëria se diskutimi për Asociacionit do të ishte prioritet në takimet vijuese, ishte eklipsuar nga mbivendosja e tri pikave të para të marrëveshjes: heqja e njësive të policisë speciale nga Jarinje dhe Bërnjak; vendosja e “stikersave” si masë e përkohshme deri sa të arrihet një zgjidhje e përhershme; formimi i një grupi punues të përbërë nga përfaqësuesit e partive të BE-së, Prishtinës dhe Beogradit e Prishtinës.

Krejt në fund të marrëveshjes ishte vënë shënimi i cili asnjëherë nuk ishte diskutuar edhe pse aty qartë thuhej se “lehtësuesi i BE-së vuri në dukje shqetësimet e ngritura nga pala e Beogradit në lidhje me moszbatimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe (...)  Për ta bërë këtë, BE-ja si lehtësues do të trajtojë çështjet e pazgjidhura që dalin nga Marrëveshja e Parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve, "Marrëveshja e Brukselit", me të dyja palët si çështje prioritare në një nga takimet e ardhshme të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petković para fundit të vitit.”( Belgrade-Pristina Dialogue: Chief Negotiators reach arrangement to resolve tension in north of Kosovo, 30.09.2021) Megjithëse theksi ishte vendosur në çështjen e targave dhe të sigurisë, kjo fjali për asociacionin përbënte elementin më të rëndësishëm, por për mënyrën si ishte “mbështjell”  nuk ishte një çështje që tërhoqi shumë vëmendjen e gazetarëve dhe të publikut kosovar.

Në fakt, kjo ishte kërkesa dhe kushtëzimi i Vuçiqit se heqja e barrikadave do të kushtëzohej me çështjen e Asociacionit. Pra, intervenimi me njësi speciale lidhur me zbatimin e marrëveshjes për targat rezultoi me pajtueshmërinë e dy negociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që çështja e Asociacionit të diskutohej me prioritet në takimet në vijim. Pavarësisht se ky fakt kaloi në heshtje në Kosovë nga pozita dhe opozita, në Bruksel dhe në qendrat e tjera ndërkombëtare u shtuan zërat për nevojën e formimit të Asociacionit. Largimi i trupave speciale të policisë dhe i barrikadave të serbëve lokalë ishin çështje që tërhiqnin shumë më tepër vëmendjen e publikut dhe të mediave.

Raste të tilla të “paketimit” të marrëveshjeve njohim shumë edhe gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kur palët duke përdorur eufemizma dhe mjete të tjera i “ruanin fytyrën” një pale të caktuar. Një rast i tillë është edhe marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 1988 midis qeverisë komuniste afgane të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik dhe qeverisë pakistaneze të mbështetur nga SHBA. Njëra nga pikat më të rëndësishme të së cilës ishte tërheqja e trupave sovjetike nga Afganistani. Sigurisht që për Bashkimin Sovjetik problemi ishte se lëshimi i bërë – largimi i trupave sovjetike- ishte çështje që tërhiqte shumë më tepër vëmendjen e gazetarëve dhe stacioneve televizive, sesa çfarë amerikanët dhanë në shkëmbim; ndërprerjen e mbështetjes materiale ndaj muxhahedinëve, që e bëri Moskën të shpresonte  se regjimi komunist afgan do të mbijetonte. Si rezultat Marrëveshja e Gjenevës mbi Afganistanin, çështja e tërheqjes së trupave sovjetike i kushtoi vetëm dy fjali të shkurtra. Për më tepër, ato ishin “mbështjell” në fund të një paragrafi (paragrafi pesë) që në fillim të tij nuk jepte asnjë shenjë çfarë do të dilte në fund.

Në tjetër teknikë që përdoret për ruajtjen e fytyrës, është përfshirja e lëshimeve poshtëruese në dokumentet shoqëruese (anekset), por jo në tekstin e marrëveshjes. Është i njohur fakti se pas Ohrit Kosovën e pret një punë e vështirë gjatë zbatimit të aneksit të marrëveshjes, ka mundësi që pala më e përgatitur të kërkojë koncesione  shtesë. Gjatë zbatimit të aneksit Kosova duhet të ketë parasysh tri rreziqe: rreziku i parë është një proces që nuk ka afate të qarta kohore dhe qëllime të matshme; së dyti, këtë përpjekjen e re të Bashkimit Evropian që të ketë një lloj riaranzhimi për të drejtat e komunitetit serb (vetëqeverisje/vetëmenaxhim). Është evidente një përpjekje e Serbisë për ta rinegociuar temën e asociacionit, dhe rinegociimi të temës së asociacionit që nënkupton më shumë kompetenca për Asociacionin dhe kjo do ta bënte Kosovën shtet jo funksional; dhe së treti, një temë e cila megjithatë është përmendur në media dhe nga opozita, ka po ashtu përpjekje që të rihapet ajo pjesa e pakos së Ahtisaarit, që ka të bëjë me Kishën Ortodokse Serbe dhe trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë. Ky rrezik është real aq më tepër për faktin se kemi të bëjmë me një marrëveshje kalimtare dhe jo finale.

“Fshehja” e çështjeve delikate në anekset e marrëveshjes është e njohur në shumë marrëveshje ndërkombëtare, p.sh. si në rastin e marrëveshjes së Camp Davidit dhe Traktatit të Paqes midis Egjiptit dhe Izraelit.

Përveç kësaj, përdorimi i eufemizmave në diplomaci është i zakonshëm. Edhe në Ohër përshkrimi i lëshimeve është bërë me një gjuhë të butë e të pranueshme për palën që i ka bërë ato, ndaj  përfaqëson një tjetër mjet për ruajtjen e fytyrës, që është përdorur në të gjitha marrëveshjet  ndërkombëtare mbi çështjet delikate. Shembull të mirë në përdorimin e eufemizmave përbëjnë paragrafët e marrëveshjes, ku përmendet se palët ”nuk paragjykojnë pozicionet e ndryshme në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit.” Në këtë rast, si në të gjitha rastet e mëparshme, në një tekst të tillë është dashur të shtohej edhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili e njeh legjitimitetin e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Duhet përmendur se më 2012 përfshirja e një formulimi të tillë madje i shoqëruar edhe me opinionin e GJND-së, konsiderohej nga opozita e atëhershme si shkelje e Kushtetutës dhe degradim i pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Shprehjet eufemiste zakonisht ndihmojnë shtetet të arrijnë marrëveshje si në rastin e Ohrit, kur njohja de facto ka si kundërvlerë formimin e asociacionit. Por, derisa njohja de facto nuk ka ndonjë detyrim ligjor, e dyta e fut Kosovën në detyrim për formimin e asociacionit. Kjo është parë edhe nga garancionet që i kanë dhënë tre liderët e vendit, Osmani, Kurti dhe Konjufca për formimin e Asociacionit si parakusht për marrjen  e mbështetjes ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Të tjerë shembuj tregojnë se sa të nevojshme janë eufemizmat kur pala “është shitur, çka do të thotë se ka pranuar të heqë dorë nga qëndrime parimore, siç është rasti me përfshirjen e asociacionin para termit “vetëmenaxhim”. Kjo çështje është errësuar shumë, duke pohuar se ky formulim nuk ka asnjë lidhje me marrëveshjen e vitit 2013. Ky eufemizëm ka fshehur lidhjen midis marrëveshjeve të “papranueshme” dhe njëkohësisht ka ndihmuar në “paketimin” e tyre diplomatik si një nismë e re franko-gjermane. Dhe siç thotë Paul Williams, kjo gjë “shpesh shitet si një përqasje e butë, se është një koordinim, se është një asociacion. Dhe realisht shndërrohet në një entitet politik, që mund të përdoret për të dëmtuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.”

Forma si është arritur marrëveshja, tregon se të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të pranuar atë vetëm sa për të mos bartur përgjegjësinë për refuzimin e saj. Megjithëse pala kosovare i ka kushtuar rëndësi krijimit të detyrimeve ligjore ndërkombëtare, refuzimi i Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes me palën kosovare shmang mundësinë që marrëveshja/aneksi i Ohrit të trajtohet si traktat. Duke qenë në interes të Brukselit mirëmbajtja e status quo-së në Kosovë, “shpëtimi i fytyrës” për palën serbe u bë përmes deklarimit të zyrtarëve të lartë të BE-së se marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese." Pavarësisht asaj çfarë ka arritur Kosova në Bruksel dhe Ohër, kjo mënyrë e veprimit nuk ka emër të keq, përkundrazi, është pjesë e rëndësishme e artit të negocimit.

Ekuivalenti gjerman

Element tjetër i rëndësishëm i Ohrit është edhe përdorimi i paraleles gjermane nga ana e Beogradit përmes letrës së kryeministres së atëhershme e Serbisë drejtuar BE-së, por që në Kosovë nuk u lexua saktë dhe me kohë. Nuk bëhej fjalë për shkelje të marrëveshjes, por pala serbe po bënte atë që kishte bërë kancelari gjerman, Willy Brandtë, i cili traktatit gjermano-gjerman ia kishte bashkëngjitur "Letrën e unitetit gjerman", përmes së cilës RFGJ-ja bënte me dije se nuk hiqte dorë nga ideja e bashkimit të dy shteteve gjermane. Traktati, i cili në fakt ishte produkt i Ostpolitikës së ekipit të Brandit, nuk do të thoshte se Republika Federale e Gjermanisë po largohej nga qëllimi i saj për të punuar drejt një gjendjeje paqeje në Evropë në të cilën populli gjerman rifiton unitetin e tij në vetëvendosje të lirë.

Derisa Traktati Themelor i vitit 1972 gjermano-gjerman i dha përgjigje pyetjes urgjente të ndarjes së Gjermanisë: Vendosja e “marrëdhënieve normale të fqinjësisë së mirë” ishte në plan të parë, i nxitur nga realizimi se bashkëpunimi urgjent i nevojshëm në interes të çështjeve të hapura. Në optikën serbe Aneksi i Ohrit shihet si një instrument për ta mbajtur të hapur raportin me Kosovën dhe jo si një marrëveshje që shpie drejt normalizimit të raporteve fqinjësore. Në këtë kontekst duhet parë edhe letrën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në të cilën ajo i konfirmoi BE-së se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën. Pra, shikuar në kontekstin e shembullit gjerman, letra e Bërnabiqit duhet të lexohet si angazhim për “unitetin serb” dhe “sovranitet paralel”. Kështu, edhe pse Prishtina këtë hap të Beogradit e interpreton si “zyrtarizim i dështimit të dialogut”, dërgimi i një letre të tillë në adresë të BE-së tregon se në Bruksel, të paktën në mënyrë të heshtur, ka pranuar me mirëkuptim përdorimin  “ekuivalentit gjerman” nga ana e Serbisë. Në këtë mënyrë, Beogradit i njihet pozicioni i kontestimit nga jashtë i shtetësisë së Kosovës, ndërsa nga brenda pritet të ndodhë menjëherë pas formimit të Asociacionit. Një ekuivalent i tillë i është njohur elitës politike neo-milosheviqiane me çmimin e garancisë për stabilitet politik dhe për ta “shpëtuar” Vuçiqin nga akuza e opozitës për shkelje të Kushtetutës.

Në anën tjetër, ne mund të bëjmë lojëra të brendshme dhe bëjmë edhe ndonjë veprim popullsitë, apo edhe krekosemi se i kemi thënë Macronit “harroni medaljet në xhudo”, e në shtëpi të bëjnë deklarata të “forta” kundër vendimit të BE-së për legalizimin e pasaportave ilegale të ashtuquajturës qendre koordinuese të Serbisë, por kjo nuk e ndryshon për asnjë milimetër situatën në terren dhe as pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.  Me këtë vendim skandaloz, BE-ja po sillet sikur Kosova të ishte në vitin 1999, kur statusi final ishte akoma i paadresuar. Për më tepër, administrata e OKB-(UNMIK) edhe në periudhën e para statusit final kishte dekompozuar gjithë sistemin legjislativ, gjyqësor, legjislativ dhe financiar serb. Njohja e pasaportave të Republikës së Serbisë nga BE-ja nuk ka të bëjë fare me liberalizimi të vizave për qytetarët serbë të Kosovës, pasi ky vendim vjen pikërisht në kohën kur tashmë pjesëtarët e komunitetit serb po pajiseshin me pasaporta të Kosovës, madje disa muaj para hyrjes në fuqi të vendimit të BE-së për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës ("Do ta marr pasaportën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur" REL, 31 tetor, 2023).

Me këtë vendim, BE-ja pos që ka vënë pikëpyetje sovranitetin e shtetit të Kosovës, ajo ka hapur shtegun për operimin e papenguar të strukturave paralele. Natyrisht kjo qasje do të ketë pasoja afatgjata për zhvillimet e brendshme në Kosovë, pasi frenon integrimin e serbëve lokal në sistemin shtetëror të Kosovës dhe në të njëjtën e bënë realitet përpjekjen e shtetit serb për etablimin e dualitet shtetëror në Kosovë. Me këtë po ashtu BE-ja po e forcon pozicionin e Serbisë në negociatat post-Ohër. Po të ndiqej shembulli i njohjes së pasaportave ilegale të Serbisë për territorin e Kosovës, BE-ja do të duhej të njihte pasaportat ilegale të Rusisë për qytetarët rusë që jetojnë në territoret e Abhazisë apo të Osetisë Jugore. Shkurt, ky diskurs i BE-së ma kujton papërgjegjësinë e tmerrshme të BE-së ndaj Kosovës në vitin 1996, kur pa asnjë kusht u nxitua për njohjen e Jugosllavisë së mbetur të Millosheviqit. Dhe pikërisht kjo moskonsistencë e BE-së ka kontribuuar që Kosova të trajtohet si problem trafiku, ku për urën e Mitrovicës, e cila ndan pjesën veriore dhe jugore të qytetit, sipas BE-së, Kryeministri i Kosovës duhet të diktojë në Bruksel me presidentin e Serbisë. Si duhet kuptuar një kërkesë e tillë e evropianëve nga të rinjtë kosovarë tridhjetë e pesë vjet pas rënies së Murit të Berlinit?! Për çështje të tilla të trafikut nuk pyetej Beogradi madje edhe ishte një copë krahine autonome! Këtu nuk kemi të bëjmë për çështje pragmatizmi, por për normalizim të kërkesave absurde ndaj Kosovës dhe për degradim permanent e hap pas hapi të shtetësisë së Kosovës!

Natyrisht, kërkesa të tilla të njëpasnjëshme pos që lënë një shije të hidhur, krijojnë po ashtu një dilemë të madhe, se në çfarë drejtimi  po ecën dialogu i Brukselit dhe cilat duhet të jenë pritjet tona për mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale. Apo edhe përkohshmëria do të bëhet permanente dhe e vazhdueshme.

Meqë shpesh, vend e pa vend, shumëkush Ohrit po i referohen si traktati mes dy shteteve gjermane, do të ishte përtej çdo fantazie që RFGJ të lëshonte pasaporta edhe për qytetarët gjerman të RDGJ-së apo anasjelltas. Pra, nuk ekziston një shembull i tillë kur për qytetarët e një vendi lëshohen pasaporta nga dy shtete, të cilat nuk e njohin njëra tjetrën.

Në këtë drejtim, një element shtesë është edhe epilogu i Gjykatës Speciale në Hagë, të cilin Beogradi do ta përdorë fort për ta portretizuar Kosovën si një entitet i paligjshëm të krijuar nga “terroristët” dhe “vrasësit”. Natyrisht, kjo do të dëmtojë shumë përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata evropiane dhe ndërkombëtare dhe përgjithësisht për konsolidimin e pozicionit të saj ndërkombëtar.

Ndjekja diplomatike e marrëveshjes

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është praktikimi i “ndjekjes diplomatike të marrëveshjeve”, që nënkupton mbikëqyrjen e kujdesshme të zbatimit të tyre nga palët. Kjo bëhet përmes një strategjie politike që përfshin përdorimin e “shkopit dhe karotës”, duke pasur mundësinë të ndikosh mbi palën që nuk ka përmbushur detyrimet e saj, nëse është e nevojshme. Por, kjo mbikëqyrje për BE-në po rezulton  aspak e lehtë, prandaj, ky diskurs i Serbisë kundrejt përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në KiE jo vetëm nuk ishte qortues për BE-në, por vendet kryesore anëtare, si Gjermania, Franca dhe Italia, qartë u pozicionuan kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. Natyrisht, kjo ishte një fitore e madhe e Serbisë për izolimin diplomatik të Kosovës në kohën kur Vuçiqi gjithnjë e më hapur bën aludime për përdorimin e forcës ushtarake për “të mbrojtur civilët serbë nga sulmet sistematike” të policisë së Kosovës. Kjo qasje hegjemoniste u manifestua edhe me përpjekjet për legalizimin e dinarit serb si monedhë legale brenda shtetit serb. Në kuadër të strategjisë së sfidimit të shtetit të Kosovës, Serbia, e trimëruar edhe nga vendimi i fundit i BE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe, do ta ripërtërijë në vazhdimësi kërkesën e vitit 2022  kthimin e një numri të caktuar trupash ushtarake në Kosovë, gjithnjë duke u thirrur në nenet 4 dhe 6 të Rezolutës 1244.

Duket absurde një gjë e tillë, por kush ka mundur ta imagjinonte vetëm dy muaj pas opinionit të GJND-së, në shtator të vitit 2010, atëherë kur me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-iu konfirmua BE-së roli i fasilituesit në dialogun Kosovë-Serbi, se në vend të përpjekjeve për normalizimin e plotë të raporteve fqinjësore, vendet e kryesore të BE-së do t’i vinin kushte Kosovës, për ironi të ngjashme me ato të Beogradit, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE. Nëse prapa këtij qëndrimi nuk qëndronte frika e evropianëve se një anëtarësim i Kosovës në KiE automatikisht do t’i jepte asaj akçes më të madh për apelimin në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut ndaj vendimeve të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, me këtë qasje BE-ja, jo vetëm që legjitimoi pozicionin bllokues të Serbisë, por ajo kontribuoi dështimit të një shans i madh për Kosovën, aq më tepër për aq kohë sa Rusia ndodhet jashtë KE.

Vakësia e BE-ja duket qartë kur ajo tashmë ka hequr dorë nga ideja e Marrëveshjes finale dhe ligjërisht të obligueshme, që nënkuptonte “full normalisation.” Po ashtu, BE-ja ka hequr dorë edhe nga kërkesa për njohjen e Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse në kontekstin e opinionit juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Hëpërhë, BE-ja tregoi konsistencë vetëm në kërkesën për themelimin e asociacionit, i cili, të paktën për aq kohë sa Serbia e vë në pikëpyetje ekzistencën e Kosovës si shtet, paraqet një ndarje të brendshme territoriale, që do ta dobësonte dhe pengonte funksionimin e shtetit të Kosovës. Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare e ka inkurajuar Serbinë, duke mos e ndëshkuar fare për agresionin ushtarak në Banjskë. Kjo qasje tregon se viteve të fundit dhe sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës, në nivelin global loja nga ndryshuar. Ndërsa Kosova, duke qenë vazhdimisht e mbërthyer keq në armiqësi, lojëra dhe kauza të kota politike, nuk ka qenë  e vëmendshme të shoh se që nga momenti i përfundimit të luftës, siç do të paralajmëronte edhe shkrimtari Ismail Kadare në gazetën “Le Monde” më 14 dhjetor 1999 se “propaganda serbe, bashkë me të miqtë  e tyre kanë nisur një fushatë për të kthyer përmbys të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë.” 

Nëse në shekullin shtatëmbëdhjetë, sundimtarët përpiqeshin t’i bënin marrëveshjet të qëndrueshme duke ftuar perënditë të ishin dëshmitare në ceremoninë e betimit, në ditët tona është e nevojshme të ndërmerren hapa  të duhur për ndjekjen, mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjeve. Në rastin e Ohrit, Beogradi ka bërë të qartë se marrëveshjen e panënshkruar nuk ka ndërmend ta zbatojë ose dëshiron ta zbatojë në masë të kufizuar dhe në formën që i vjen për mbarë. Natyrisht, në raste të tilla zbatimi i marrëveshjes kërkohet edhe nëpërmjet sanksioneve ekomomike dhe politike, si dhe kërcënimeve për izolim diplomatik.

Në këtë mes ndoshta këshilla më e mirë është ajo e shtetarit dhe historianit florentinas Francesco Guicciardini, i cili në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë shkruante:

“Duhet punuar me parimin se nuk mjafton ta fillojmë diçka dhe t’i japim vetëm drejtimin apo shtysën fillestare; duhet gjithashtu ta shoqërojmë dhe ta ndjekim dhe kurrë nuk mund t’i pakësojmë përpjekjet tona, derisa puna te jetë mbaruar. Ata që punojnë sipas kësaj metode, ndihmojnë shumë për arritjen e zgjidhjeve, ndërsa ata që ndjekin tjetër plan, shpesh do të mendojnë se punët janë mbaruar, kur në të vërtetë sapo kanë mund të kenë filluar.”

Dhe përvoja me dialogun deri tash na mëson se për zbatimin e këtyre obligimeve nuk mjafton të bazohemi vetëm në vullnetin e mirë politik dhe seriozitetin e lidershipit politik. Ndërsa, lobimi kundër njohjes së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, është në kundërshtim me frymën e normalizimit të raporteve fqinjësore. Në fund të fundit, pavarësisht “paketimit” që i është bërë Marrëveshjes dhe Aneksit të Ohrit, ajo nuk është as gjithëpërfshirëse, as ligjërisht obliguese, as nuk e zgjidh çështjen kryesore, mbylljen e armiqësive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyrisht për shkak të ambicieve hegjemoniste të Beogradit.  Prandaj, si e tillë ajo vetëm mirëmban status quonë në raportet fqinjësore Kosovë-Serbi, duke pritur se ndoshta se një ditë shteti serb do të shkëputet nga orbita e influenca ruse, që për Serbinë ka një dimension të rëndësishëm pasi vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit te Kombeve te Bashkuara i jep mundësi Serbisë të ushtroj ndikimin e saj në pengimin e konsolidimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Në këto rrethana, Kosova duhet t’i shmanget kurthit serb për të krijuar tensione, sidomos në veri të vendit, pasi deri në fillimvitin e ardhshëm BE-ja, sigurisht se nuk do i nisi gjërat nga e para, por do të jetë në pritje të ethshme të ndryshimeve të mundshme në udhëheqjen amerikane, të cilat jo domosdo e bëjnë Kosovën që të ndajë hezitimin dhe shqetësimin e evropianëve. Në fund të fundit, “Paralajmërimi i Krishtlindjeve (1992), “muri i jashtëm i sanksioneve ndaj Beogradit kur vendet e e BE-së vrapuan me zell për njohjen e Jugosllavisë së mbetur të Millosheviqit (1996), përcaktimi për opsionit të pavarësisë së Kosovës (2007) dhe mbështetja e formimit të Ushtrisë së Kosovës (2018), ishin katër momente të rëndësishme historike që ndodhën nën regjine e Amerikës republikane, përderisa evropianët ishin kundër ose në kërkim të zgjidhjeve “kreative.” Në ndërkohë, BE-ja gjatë periudhës së ardhshme gjashtë mujore, për aq kohë sa do të zgjasë edhe mandati Lajçakut, do të jetë e preokupuar kryesisht për mirëmbajtja e asaj që ishte “paketuar” me Marrëveshjen e Ohrit, të cilën ndërmjetësit evropiane e kishin “paketuar” me pompozitet dhe pritje të mëdha.