OpEd

Pajtimi përmes librit

Për një shoqëri si kjo e jona është me rëndësi që të shkojë më thellë sesa sipërfaqja e përbaltur, të cilën na e krijon rrethi mediokër politiko-medialo-social. Sidomos në raport me konfliktin e papërfunduar me Serbinë

Librat.

Romane, histori, poezi e poema, rrëfime e kujtime, polemika a pamflete. Që të gjitha libra, leximi i të cilave na sjell më afër një njeri, qytet, vend, shoqëri, peizazh, traditë, histori a jetëshkrim të huaj e të panjohur.

Një libër është shumë më shumë sesa një strukturë verbale, apo dhe grumbull strukturash verbale; është një dialog që vendoset me lexuesin – kishte thënë Jorge Luis Borges, duke e përshkruar librin si një qenie, që nuk është e izoluar.

Duke qenë se është i tillë – një qenie dhe jo e izoluar – marrëdhënia e lexuesit me librin, është sikur me një të huaj, të panjohur deri në momentin e leximit. Është një zbulim gradual i një jete, vendi e shoqërie tjetër, shpeshherë edhe një të tillë për të cilën lexuesi ka paragjykime.

Nuk është me rëndësi nëse kemi të bëjmë me libër që rrëfen një ngjarje të sajuar apo një që sjell rrëfim dokumentar; brenda faqeve gjithsesi se do të gjejmë së paku një copëz, sado të thyer, të pasqyrës, të një rrethi që ekziston dhe që është i njohur për autorin. Madje edhe kur kemi të bëjmë me një rrëfim metafizik, si në Metamorfozën e Kafkës, apo edhe me storie fantastike e mbinatyrore për fëmijë, siç janë Coralina e Neil Gaiman-it, apo edhe seria për Harry Potterin e J.K. Rowling.

Brenda secilit libër, sado fiksional, është një botë e vërtetë që pret të zbulohet dhe njihet nga lexuesi kureshtarë, madje më thellë sesa një vizitë turistike. Mississippi i Mark Twain-it dhe Macondo e Marquez-it, Londra e Arthur Conan Doyle-it dhe Newarku i Philip Roth-it dhe Stambolli i Orhan Pamukut, apo dhe Ishulli i Robinson Kruzos i sajuar nga Daniel Defoe – që të gjitha këto vende tashmë janë të njohura për lexuesit e këtyre autorëve sikur të kishin jetuar një copë jete vetë aty.

Që, gjithsesi, nënkupton se përveç kënaqësisë së leximit të një aventure apo historie të vjetër, të sajuar apo reale, librat na sjellin edhe njohjen nga afër me një ambient për ne të huaj, të cilin përndryshe gjasat janë se nuk do ta kishim njohur fare.

* * *

Po mirë – mund të thotë dikush – e njëjta arrihet edhe me shikimin e një filmi, apo edhe më shpejt përmes mija internet-faqeve e rrjeteve sociale që na japin informata e opinione për vende e njerëz të huaj, larg apo edhe afër nesh.

Edhe ashtu – insistojnë disa – teknologjia po e mbyt librin, meqë ofron përjetim të kondensuar, me emocione të përmbledhura brenda minutës. Sepse, vazhdojnë kritikët e librit, sot lexuesi lundron me smart-phone nëpër internet, dhe nuk ka kohë për të shpenzuar në qindra faqe të shkruara me stil e detaje; ai e dëshiron informatën shpejt e në lëvizje. Sepse, koha është ar.

E mos të flasim se për rastin tonë e gjithë kjo kritikë përcillet edhe me vërejtjen se kosovarët përgjithësisht nuk kanë pasur “kohë” (lexo dëshirë, durim apo edhe shprehi) për libra as kur nuk e kishim këtë teknologji të shpejtë virtuale.

Dhe tani, në kaosin modern të krijuar nga politikat ultra-populiste, mediat super-skandaloze si dhe rrjetet sociale të cilat, siç e kishte përshkruar Umberto Eco, u japin idiotëve të njëjtën të drejtë për të folur njëjtë sa edhe një nobelisti, vetë librat globalisht po e humbin rëndësinë; Roth thotë se në libraritë shumë shpejt romanet do të zënë vend në rafte sa edhe poezia e botuar në latinishte, sepse askush nuk do të ketë kohë të shpenzojë me javë të tëra në lexim.

Në një botë të tillë, kosovarët, sikur edhe pjesa dërrmuese e rajonit ballkanik, vetëm se e gjejnë veten edhe më në trend.

Në fund të fundit – do të thoshte avokati i djallit – pritja që kosovarët, apo kushdo tjetër, në rajon dhe më gjerë, të kenë durimin për t’u përpjekur të kuptojnë gjërat më thellë sesa sipërfaqja e përbaltur, duke u zhytur në leximin e librave, në ditët e sotme nuk është tjetër gjë veçse një utopi post-orveliane.

* * *

Pse, atëherë, është me rëndësi libri?

Nëse lexojmë për të kënaqur veten, dhe nëse e njëjta ndjenjë e përmbushjes na vjen edhe nga lundrimi nëpër rrjete sociale apo konsumi i kuazi-lajmeve nëpër portale – pse të humbim kohë në libra?!

Ndoshta sepse për një shoqëri është me rëndësi që të shkojë më thellë sesa kjo sipërfaqja e përbaltur, të cilën na e krijon rrethi mediokër politiko-medialo-social. Kjo, sidomos, është me rëndësi për një shoqëri në konflikt me tjetrin por edhe me veten, siç është rasti me Kosovën, e cila përveç konfliktit të papërfunduar me Serbinë, sikur gjendet në një lloj lufte të brendshme me vetveten.

Dhe për të shkuar më thellë se sipërfaqja, na duhen librat.

Kur njeriu nis të lexojë një libër, ai vendos t’i kushtojë kohë dhe vëmendje, në këmbim për zhytje në një botë të panjohur, të cilën do ta njohë deri në detaje në momentin kur lexon fjalinë përmbyllëse në faqen e fundit.

Kjo kohë e shpenzuar në lexim, mes tjerash, na mundëson që njohuritë t’i marrim gradualisht, pa kundërreagim të menjëhershëm emocional, dhe me durimin për të kuptuar fundin e rrëfimit, kur gjithçka do të duhej të na qartësohet. Ndryshe nga përfshirja në polemikat politike në rrjete sociale, ku nuk presim të marrim vesh logjikën e argumentit të tjetrit, por thjesht shfrytëzojmë mundësinë e sulmit të menjëhershëm, gjatë leximit të librit pranojmë pozitën e dëgjuesit të vëmendshëm por të heshtur, duke u shpërblyer në fund me satisfaksionin e njohjes së plotë të temës së librit.

Leximi, ta zëmë, i librit të Philip Rothit “Jam martuar me një komunist” nuk na jep mundësi të reagojmë aktivisht ndaj fatit të personazhit, Ira Ringold, duke na frustruar ndoshta gjatë leximit. Por në fund do ta kemi kuptuar shumë saktë se si ka funksionuar përndjekja e artistëve në kohën e represioneve politike në SHBA në vitet 1947-1956, të nxitura nga senatori Joseph McCarthy.

Në rastin e Kosovës, mbase një përfitim do të ishte nëse do të kishim më shumë libra që na sjellin më afër pikërisht ata me të cilët nuk jemi mirë, por me të cilët na duhet një lloj pajtimi, meqë jemi këtu ku jemi, të lidhur bashkë përjetësisht në të njëjtin rajon. Sikur edhe ata me ne.

* * *

Kjo, pra, e bën librin të jetë, jo me dëshirën e vet, pjesë edhe e procesit të pajtimit këto ditë të shumë-përmendur shqiptaro-serb.

Përmes leximit, pra, njihemi, dhe përmes njohjes, afrohemi. Dhe afrimi, patjetër se është një prej parakushteve për pajtim.

Ka dhe shumë parakushte të tjera – adresimi i së kaluarës, tejkalimi i konstatimit politik, etj. – por në kontekstin e librit, një tjetër parakusht i vlefshëm është edhe koha.

Koha është qenësore për të parë tjetrin, për të kuptuar kompleksitetet, për të qartësuar dilemat, për të njohur thellësinë. Dhe, ku më mirë të gjejmë të gjitha këto, sesa në libra? Në ato ku autorët me sinqeritet sjellin rrëfimet për veten, shoqërinë dhe njerëzit e tyre.

Ku më mirë të kuptojnë serbët në Beograd për realitetin e të qenit shqiptar në Kosovën e pushtuar nga Serbia sesa në librin “Miliarderi” të Veton Surroit (botuar në serbisht nga “Samizdat”, Beograd)? Dhe ku më mirë të kuptojmë ne dramën nëpër të cilën kalon një gjeneratë e humbur serbe në Beograd në fillim të viteve ‘90 sesa nga libri “Në hambar” i Vladimir Arsenijeviqit (botuar në shqip nga “Poeteka”, Tiranë)?

Sigurisht, jo shumë lexues janë sot të interesuar për këto dhe libra të ngjashëm. Sikur që shumë më shumë njerëz, në Kosovë e Serbi, janë komentues në Facebook sesa që janë lexues librash.

Por, dikush megjithatë lexon.

Për këtë arsye është mirë që ekzistojnë botues, si “Koha”, “Qendra Multimedia”, apo “Poeteka”, që vazhdojnë të botojnë libra të përkthyer nga gjuha serbe. Sikur që është me rëndësi të ekzistojë dikush në Beograd si “Samizdat” dhe “KPZ Beton” që në serbisht i boton librat e autorëve shqiptarë, nga Kosova e Shqipëria.

Agron Bajrami është kryeredaktor i “Kohës Ditore”. Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: ndërrimi i perceptimeve serbo-shqiptare”, i përkrahur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe nga projekti PERFORM që përkrah zhvillimin e shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor, realizohet nga qendra “Multimedia” nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi