OpEd

Pa ndryshuar mendësia, nuk ndryshon mjedisi!

Nuk është hera e parë që konstatohet se dhe Dita Ndërkombëtare e Mjedisit e këtij viti mjedisin e Kosovës e gjen në vendnumërim. Edhe Raporti i Progresit 2023 i Komisionit Evropian për Kosovën, si një indikator ky i reformave për vendet që aspirojnë integrimin në BE, përparimin në sektorin e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike e vlerësoi si “limited progres- progres i kufizuar”. Në zhargonin shkollor të vlerësimit, i bie nota 2 nga 5. Në të gjitha raportet  e progresit, qartë dhe në mënyrë eksplicite raportohet për “mungesën e vullnetit dhe të përkrahjes politike për sektorin e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike”. E zeza mbi të bardhën, në secilin raport kërkohet që “të rriten angazhimet politike për adresimin e degradimit mjedisor dhe përballjen e vendit me ndryshimet klimatike”. Më qartë se kaq nuk mund të vërtetohet ajo që ambientalistët dhe shoqëria civile e kanë thënë dhe po e kërkojnë në dy dekadat e fundit. Kjo mungesë e përkrahjes politike të sektorit të mjedisit rezulton domosdoshmërisht edhe me kapacitete të dobëta institucionale, profesionale dhe financiare për trajtimin e problemeve të grumbulluara mjedisore. Përderisa në vitin 2020 kërkohej “forcimi i kapaciteteve administrative për ndryshimet klimatike në të gjitha nivelet” në vitin 2021 Raporti si për inat konstaton “rënie të konsiderueshme të kapaciteteve administrative dhe aktiviteteve të vetëdijesimit në të gjitha nivelet”. Kërkesa për rritje figuron në secilin raport, por kjo thjesht nuk po ndodh. 

Në vend të ndërhyrjeve konkrete në parandalimin e degradimit mjedisor të ekosistemeve, Ministria e Mjedisit ka zgjedhur një rrugë krejt tjetër. Ajo po ndryshon ligjet shumë më shpesh sesa strategjitë për zbatimin e tyre praktik në terren. Madje disa ligje po ndryshohen akoma pa u miratuar të gjitha aktet nënligjore që i bëjnë të zbatueshme në terren. Çuditërisht në asnjë raport nuk kërkohet ndryshimi i ndonjë ligji, por zbatimi i ligjeve ekzistuese, dhe sigurisht nxjerrja e ligjeve që mungojnë. Ligji për ndryshimet klimatike i kërkuar për kohë të gjatë nga ambientalistët dhe mekanizmat ndërkombëtarë ishte i fundit që u aprovua. Në vend të aprovimit të tij kemi ndryshuar e plotësuar dy herë Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja (2010 dhe 2022), por situata me ndotjen e ajrit mbetet gjithnjë e rënduar duke e lënë Kosovën në krye të listave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) për pasojat shëndetësore nga cilësia e ajrit ambiental. U ndryshua e u plotësua tri herë Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (2009, 2010 dhe 2023) ndërsa që para syve të atyre që po ndryshonin ligjet në vend se t`i zbatonin ato, po ndodhte kaosi ekologjik me pëlqimet mjedisore e ujore në skandalin e njohur si “Brezovica”. E kjo po ndodh ende gjithkund tjetër në Kosovë. Ligji për ujërat është ndryshuar e plotësuar tri herë (2004, 2007 dhe 2023)- por degradimi i lumenjve, ndotja e urave dhe kërcënimi i biodiversitetit ujor po vazhdon. Pra, nuk ka amendamentim siç e kërkojnë procedurat në vendet e civilizuara, por ndryshim komplet të ligjeve edhe pse asnjëherë nuk u arsyetua pse një ligj i caktuar duhet ndryshuar në vend se amendamentuar. Dhe duhet t`ua kujtojmë institucioneve dhe Kuvendit se shumë nga ligjet që po ndryshohen, kur janë aprovuar janë hartuar me asistencë teknike të BE-së dhe donatorëve të tjerë, dhe se janë në masë të madhe në harmoni me kërkesat e direktivave mjedisore të BE-së dhe Acquis për mjedisin. A po shpërdorohen kështu asistenca teknike dhe ekspertiza e ofruar nga jashtë.

Mjedisi nuk figuron as në prioritetet e komunave

Mungesa e vullnetit politik për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve mjedisore nuk është vetëm për nivelin qendror të qeverisjes, por edhe për qeverisjet lokale. Këtë e vërteton edhe seria pompoze e memorandumeve të bashkëpunimit që u nënshkruan në muajin prill 2024 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe 12 komunave të Kosovës, qëllimi i të cilave ishte kryesisht formalizimi i përkrahjes buxhetore për projektet nga komunat. Projektet e financuara me pak përjashtime janë kryesisht shtrim dhe rehabilitim rrugësh e urash, pra kryesisht punë asfalti. Me një analizë të shpejtë të projekteve të financuara u pa se nga rreth 5.3 milionë euro të nënshkruara, për mjedisin nuk u ndanë as 50%, as 10% e madje as 5 % e shumës totale. Fiks 0.00 euro për projekte mjedisore. Kaq rëndësi ka për qeverisjet komunale e edhe atë shtetërore mbrojtja e mjedisit e më konkretisht mbrojtja e shëndetit publik të qytetarëve që ua kanë dhënë votën.

Nga ky injorim i mjedisit lindin shumë pikëpyetje dhe mundësi se pse nuk ka asnjë projekt mjedisor të jetë pjesë e financimeve nga këto marrëveshje. Mundësia e parë është se komunat i kanë zgjedhur tashmë problemet mjedisore dhe nuk kanë nevojë për projekte shtesë e financime të tilla. Po ta vëzhgosh mjedisin e secilës komunë “lulëzon” nga pastërtia, rregulli e peizazhi sidomos në pjesët periferike. Mundësia e dytë është se komunat kanë buxhet të mjaftueshëm dhe nuk iu duhet buxhet shtesë nga thesari qeveritar. Këto dy opsione nuk qëndrojnë, sepse gjendja e mjedisit në nivelin komunal është siç thotë populli “për të kapur kokën me duar”.

Mundësia e tretë është se jemi në hyrje të vitit zgjedhor për të dyja nivelet e qeverisjes, prandaj deri në zgjedhje duhen projekte, rezultatet e të cilave mund t`i duartrokasin votuesit potencialë. Projektet mjedisore zakonisht janë më komplekse dhe zgjasin në kohë. Rezultatet nga projektet mund të zgjidhin probleme jetësore të qytetarëve, por nuk mund të sjellin votë të menjëhershme, kështu që kur të kryhen ata që udhëheqin sot, mund të mos jenë aty ku janë sot dhe mund t`i duartrokitet krejt dikujt tjetër. Kjo është logjika e të mirës publike që mbizotëron në qeverisjet kosovare pa përjashtim: vota së pari pastaj shohim gjërat e tjera. Mundësia e katërt është se mjedisi dhe kështu shëndeti publik nuk është kurrfarë prioriteti e lëre më emergjence as i nivelit qendror e as i nivelit lokal. As i partive në pushtet e as i atyre opozitare në të dyja nivelet e qeverisjeve. 

Dhe derisa sektori i mjedisit mbetet me më së paku mbështetje politike, administrative e financiare nga të dyja nivelet qeveritare, do të kemi themelime sporadike e pompoze të task forcave. Para disa vjetësh përdorej një thënie se “po deshe të mos bësh asgjë dhe të mbulosh dështimet e punës tënde para publikut duke thënë se po bëj diçka, thjesht themelo një task forcë apo grup pune”. Task forcë për të kryer punën e inspektorit mjedisor për të cilën gjë paguhet nga buxheti i vendit më të varfër në Evropë, vetëm në Kosovë mund të gjesh. Nuk mund të fajësohen edhe inspektorët e mjedisit, sepse pa përkrahjen politike, përveçse të rrezikojnë vendin e punës kur ndeshen me ndonjë nga ndotësit e mëdhenj e të cilët shpesh janë mbi ligjin, nuk është se mund të bëjnë më tepër. Aktivisti irlandez George Bernard Shaw thotë se "përparimi është i pamundur pa ndryshim, dhe ata që nuk mund të ndryshojnë mendjen e tyre nuk mund të ndryshojnë asgjë".

(Autori është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës)