Qytetarët e Kosovës janë më optimistë për të ardhmen e tyre në rajon, dhe njëkohësisht 59% prej tyre dëshirojnë të largohen nga vendi. Këto nuk janë kontradiktat logjike. Janë realizim praktik i sfidave tona
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ka publikuar së fundmi dy dokumente, më të rëndësishme të tij, për diskursin publik rajonal: Sigurometrin Ballkanik dhe Barometrin Ballkanik. I pari synon të masë perceptimin e qytetarëve për sigurinë, ndërsa i dyti pothuaj çdo gjë tjetër. Të dy dokumentet kanë nxjerrë përfundime të rëndësishme për Kosovën.
***
Sipas Sigurometrit, në përgjithësi, në Kosovë mbretëron një optimizëm. Qytetarët e Kosovës ndihen më të sigurt në rajon. Vërehet një përmirësim i dukshëm në krahasim me vitin e kaluar. Në krahasim me vitin e kaluar, 45% më shumë të të anketuarve ndihen më të sigurt këtë vit. Njëkohësisht, ata janë, po ashtu, optimistë se situata e sigurisë në rajon do të përmirësohet në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm.
80% të të anketuarve në Kosovë besojnë se vendi është duke luftuar suksesshëm korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Kjo është shkalla më e lartë e optimizmit në rajon dhe larg para vendit të dytë (Shqipëria me 58%). Njëkohësisht, qytetarët e Kosovës kanë shprehur besim tejet të lartë në raportimin e korrupsionit: 70% të të anketuarve mendojnë se Kosova ka sisteme të sigurta të raportimit të korrupsionit. Serbia larg në vendin e dytë gëzon vetëm 28% të besimit të të anketuarve.
76% të të anketuarve në Kosovë besojnë se dezinformimi është rrezik për sigurinë e vendit. Të anketuarit besojnë se burimet më të mëdha të dezinformimit janë gazetarët (62%), rrjetet sociale (39%) dhe OJQ-të (39%).
Një dukuri negative ku qytetarët e Kosovës janë shprehur të brengosur është dhuna familjare. 86% e të anketuarve në Kosovë mendojnë se dhuna familjare është kërcënim i sigurisë. Po ashtu, 70% të të anketuarve kanë qenë dëshmitarë të dhunës në familje – shkallë kjo më e larta në rajon. Ndërsa gjysma e të anketuarve në Kosovë janë të brengosur se mund të sulmohen shpesh, ose shumë shpesh, seksualisht. Kjo shkallë pasigurie është larg më e larta në rajon.
***
Në frymën e njëjtë sikur Sigurometri, Barometri Ballkanik ka konkluduar se në përgjithësi në Kosovë mbretëron një optimizëm. Qytetarët e Kosovës janë më të kënaqurit në rajon me ekonominë e tyre. Kjo është në kontrast të thellë me disponimin e të anketuarve vitin e kaluar. Në krahasim me vitin e kaluar 36% më shumë të të anketuarve janë më të kënaqur me rrethanat ekonomike. Njëkohësisht, ata janë më optimistë në rajon se situata e tyre financiare do të përmirësohet në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm. Sa i përket pandemisë COVID-19, qytetarët e Kosovës vlerësojnë më së larti mbështetjen institucionale të ofruar qytetarëve dhe bizneseve.
Optimizëm i përgjithshëm i qytetarëve të Kosovës është reflektuar edhe në besimin e tyre në institucionet publike. Të anketuarit në Kosovë kanë besimin më të madh në rajon në institucionet publike. Qeveria dhe komunat gëzojnë besimin më të madh, ndërsa partitë politike më të vogël. Në nivel të rajonit, të anketuarit në Kosovë kanë besim më të lartë në pavarësinë e Kuvendit, gjyqësorit, mediat, shoqërisë civile, Avokatin e Popullit dhe në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Në këtë frymë të besimit të përgjithshëm, 57% të të anketuarve në Kosovë mendojnë se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kjo shkallë e besimit në barazinë para ligjit është larg para vendit të dytë në rajon, respektivisht Serbisë ku vetëm 34% e të anketuarave besonin një gjë të tillë.
Sidoqoftë, përkundër këtij optimizmi për gjendjen dhe të ardhmen e Kosovës, 59% të të anketuarve janë deklaruar se do ta lëshonin Kosovën për të jetuar jashtë vendit.
***
Janë tri mesazhe që dalin nga publikimet e fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal mbi perceptimin e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor.
E para, në kuptimin politik, të sigurisë dhe atij ekonomik sot qytetarët e Kosovës ndihen më të sigurt dhe më optimistë në rajonin tonë. Kjo patjetër buron nga besimi i përgjithshëm i qytetarëve në institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme dhe lokale.
E dyta, ky optimizëm i përgjithshëm qytetar duket në sipërfaqe se shkon në kundërshtim me faktin se 59% të qytetarëve dëshirojnë të largohen nga vendi. Pra, si është e mundur që edhe të jesh optimist për të ardhmen e vendit edhe të synosh të largohesh nga po ai vend. Unë besoj se në këtë sens qytetarët janë realistë. Pra, përderisa ata patjetër janë optimistë për drejtimin që ka marrë vendi kohëve të fundit, ata njëkohësisht kuptojnë kokëftohtë sfidat monumentale me të cilat ballafaqohet zhvillimi i vendit tonë. Rrjedhimisht, shumë prej qytetarëve kuptojnë se realizimi i lumturisë së tyre jetësore nuk mund të pretë realizimin e zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit. Prandaj ata vendosin të ndjekin rrugët më të shkurtra për realizimin e qëllimeve të tyre jetësore.
E treta, është shqetësues fakti që shtatë prej dhjetë të anketuarve në Kosovë kanë qenë dëshmitarë të dhunës në familje. Edhe më shqetësues është fakti se gjysma e të anketuarve frikësohen se mund të sulmohen seksualisht. Kjo është larg përtej mesatares së të anketuarve në nivel rajoni. Në këtë sfond, lajmet e shpeshta të dhunimit, lëndimit dhe vrasjeve të vajzave dhe grave në Kosovë vetëm e konfirmojnë këtë perceptim të të anketuarve. Dhuna ndaj vajzave dhe grave është problemi më i nënvlerësuar i shoqërisë sonë. Është turp i yni kolektiv.