OpEd

Omniprezenca e dialogut

Një mënyrë për të lexuar raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është të thuhet se raporti ka formuluar njëmbëdhjetë rekomandime për Kosovën. Një lexim tjetër do të ishte që janë tri rekomandime. Ndërsa një lexim krejt tjetër do të ishte që në fakt është vetëm një rekomandim. Ai që kokëfortësisht nuk ndryshon

Këtë javë u publikua raporti i shumëpritur i ekspertëve të pavarur të Këshillit të Evropës. Qëllimi i raportit është që të ndihmojë Këshillin e Evropës në kuadër të procesit të tij vendimmarrës sa i përket shqyrtimit të anëtarësimit të Kosovës në kuadër të këtij institucioni.

Raporti ofron mendimin e pavarur dhe profesional të përmbushjes së standardeve të Këshillit të Evropës nga ana e Kosovës në katër fusha të veçanta: korniza kushtetuese, demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Në vijim është përmbledhja e gjetjeve kyç të raportit, si dhe rekomandimet përkatëse.

Sa i përket kornizës kushtetutese, raporti vë re se korniza jonë ligjore është historikisht e ndikuar në masë të madhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe rrjedhimisht ajo është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe nganjëherë në fakt shkon edhe përtej standardeve ndërkombëtare. Në këtë kapitull raporti nuk ka rekomandime dhe konsideron se në përgjithësi Kosova i plotëson kërkesat e Këshillit të Evropës.

Sa i përket kapitullit të demokracisë, raporti vlerëson se Kosova duhet të konsiderohet demokraci funksionale parlamentare e cila siguron nivelin e përshtatshëm të qeverisjes lokale në harmoni me standardet e Këshillit të Evropës. Sidoqoftë në këtë kapitull raporti ofron një rekomandim:

1. Ngritja e Asociacionit. Raporti kërkon nga institucionet e Kosovës që të “braktisin kundërshtimet ndaj ngritjes së Asociacionit të Komunave Serbe dhe të vazhdojnë negociatat në mirëbesim përkitazi me ngritjen e Asociacionit”.

Sa i përket fushës së sundimit të ligjit, raporti vlerëson se korniza ligjore është në përgjithësi në harmoni me standardet e Këshillit të Evropës dhe ofron garanci të mirëfillta për pavarësinë e gjyqësorit. Raporti konsideron se ndonëse Gjykata Kushtetuese ushtron rol të rëndësishëm, sfidat ngelin në nivelin e gjykatave bazike. Po ashtu, raporti vë re se përderisa me një anë bartësit e institucioneve publike kanë shfaqur përkushtim për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në anën tjetër ata kanë shfaqur mungesë respekti për pavarësinë e gjyqësorit. Njëkohësisht, raporti vlerëson se përdorimi i policisë speciale në veri nuk është proporcional. Rrjedhimisht, në këtë kapitull raporti ofron gjashtë rekomandime:

1. Manastiri i Deçanit. Raporti kërkon që të zbatohet pa vonesa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

2. Të respektohet plotësisht pavarësia e gjyqësorit, duke përfshirë përmbajtjen nga kritikat e papërshtatshme, të cilat minojnë besimin në gjyqësor.

3. Të vazhdohet reforma e gjyqësorit, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.

4. Të ndërmerren hapat e nevojshëm për të siguruar se pretendimet pronësore të refugjatëve dhe personave të zhvendosur trajtohen brenda një kohe të arsyeshme.

5. Të vazhdohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të sigurohet zbatimi efektiv i legjislacionit të ri në këtë fushë.

6. Të mos përdoret policia speciale në veriun e Kosovës për detyrat e rëndomta policore dhe çfarëdo përdorimi i saj të koordinohet me KFOR-in dhe EULEX-in.

Sa i përket fushës së të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve, institucionet në veçanti duhet të bëjnë progres në zbatimin e katër rekomandimeve:

1. Të sigurohet qasja në material shkollor dhe arsim cilësor primar dhe sekondar për të gjitha fëmijë, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

2. Të zhvillohet me urgjencë një qasje e koordinuar dhe holistike për të drejtat e pakicave. Kjo qasje të zhvillohet në bashkëpunim me komunitetin respektiv.

3. Të zgjidhen problemet e vazhdueshme në zbatimin dhe monitorimin e legjislacionit për gjuhë, duke përfshirë fuqizimin e komisionerit për gjuhë.

4. Të zhvillohen strategjitë konkrete për dialog në mes komuniteteve të ndryshme, në veçanti në fushën e arsimit.

Janë katër mesazhe që mund të nxjerrim nga raporti i ekspertëve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

E para, Kosova në përgjithësi përmbush kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

E dyta, njëmbëdhjetë rekomandime të ofruara duhet ndarë në dy grupe: rekomandime specifike me të cilat mund të kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rekomandime të përgjithshme të cilat nuk mund të kushtëzojnë anëtarësimin e Kosovës.

E treta, njëmbëdhjetë rekomandime janë në fakt tri rekomandime. Ato me të cilat mund të kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Nga Kosova do të pritet që (1) të nisë ngritjen e Asociacionit, (2) të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit dhe (3) të zvogëlojë prezencën e policisë speciale në veri.

E katërta, do të mund të thuhej në fakt që nuk janë as tri rekomandime, por vetëm një: ngritja e Asociacionit. Jam i bindur se ky hap i vetëm do të ishte i mjaftueshëm për të shtyrë përpara anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sido që e lexojmë raportin, një e vërtetë po i mbijeton kohës: çdo hapërim drejt faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës kalon nga dialogu. Këtë e kanë kuptuar në lëkurën e tyre Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj. Sot e kupton edhe Kurti.