Në München ka filluar festa më e madhe e birrës në mbarë botën. Dhe jo vetëm e birrës. Disa shënime kryesisht serioze (me disa cukla të historive shqiptare).
Kur shikohet shpërthimi i gëzimit me rastin e hapjes së “Oktoberfestit”, festës së birrës, në München, të kaplon një ndjenjë e çuditshme, madje pasigurie: është i lejueshëm ky gëzim? Që në ditën e parë (të shtunën) në këtë festë morën pjesë gjysmë milioni njerëz. Mes tyre u dalluan edhe Arnold Schwarzenegger dhe Johny Depp, ky i fundit i maskuar me një kapelë dhe syze të errëta.
Schwarzenegger, 77-vjeçar, nuk ka nevojë të fshihet. Me gjasë. Terminatori nuk i frikësohet askujt, as fansave.
Pas vitit 1945 bota nuk ka qenë asnjëherë më e ballafaquar me luftëra e kriza përmasash të tilla. Agresioni rus kundër Ukrainës, lufta në Lindjen e Afërt me Gazën si fushë me rrënoja e viktima dhe me Libanin si fushëbetejë mes militantëve të Hizbollahut dhe ushtrisë izraelite, të mbështetur nga shërbimi sekret Mossad, i cili me aksionin e fundit të shpërthimeve të pejxherëve në xhepat e pjesëtarëve të Hizbollahut demonstroi mitin se Mossadit nuk i shpëton asgjë - e si i shpëtuan dhe nuk i pa Mossadi sulmet e 7 tetorit të vitit të kaluar? (Kjo mbetet enigmë, por edhe sa?) Përkundër kësaj zymtësie, njeriu duhet të festojë. Agjencia gjermane e lajmeve e ka quajtur “Oktoberfestin” para disa vitesh “Weltflucht-Wiesn” - që i bie kështu: një livadh ku mund të arratisesh nga bota.
Oktober në gjermanisht quhet muaji tetor. “Oktoberfest” domethënë festa e tetorit, por është me rëndësi të bëhet një sqarim menjëherë: “Oktoberfesti” mbahet në fund të shtatorit. Sipas thashethemeve të dashakeqësve, në të kaluarën në livadhin e madh Theresienwiese janë parë turistë në fund të tetorit duke kërkuar tendat ku shërbehet birrë dhe ku mbretërton atmosferë e shfrenuar. Kanë gjetur vetëm skeletet e tendave që po demontoheshin.
Sipas traditës, fuçinë e parë me birrë e shpërthen kryetari i Münchenit, tek pastaj mund të shërbehet birra. Sivjet festa zgjat deri më 6 tetor - 16 ditë. Një pyetje jo aq e parëndësishme: sa kushton birra sivjet në Oktoberfest? Mes 13,60 euro dhe 15,30 euro (3,9 për qind më shtrenjtë se vitin e kaluar). Për këtë çmim i eturi merr diçka serioze: një litër birrë (“Eine Mass Bier”). Vitin që shkoi “Oktoberfestin e Münchenit e pushtuan 7,2 milionë vizitorë, edhe sivjet priten kaq ose më shumë vizitorë. 13 mijë punëtorë - kamerierë, kuzhiniere, pastrues, pjesëtarë të sigurimit - kujdesen që vizitorëve të mos u mungojë asgjë.
Për pronarët e hoteleve, “Oktoberfesti” është “Krishtlindje e Bajram” bashkë: çmimet për fjetje në netët e para rriten për mesatarisht 424 për qind (një dhomë lehtë mund të kushtojë 412 euro, kuptohet për një natë). Por kush kërkon, mund të gjejë vend më të lirë për fjetje - sidomos në periferi të Münchenit. “Oktoberfesti” është quajtur Ramazani i hedonistëve, atyre që e shijojnë jetën. 60 hektolitra birrë. Gjysmë milioni pula. 7,4 miliardë brecel (Bretzel). 26 mijë derra (aq sa ka banorë një qytet i vogël). Shifrat janë impozante - edhe për vegjetarianë.
600 policë, 50 kamera, 2000 pjesëtarë të sigurimit kujdesen që gjithçka të ecën qetësisht. Nuk ka garanci për këtë, disa burra sa më shumë që pinë, aq më të guximshëm dhe budallenj bëhen - grushtimet e përgjakshme nuk përjashtohen. E neveritshme është edhe sjellja e keqe e disa burrave ndaj grave (çdo vit policia regjistron ngacmime seksuale). Por falë sensibilizimit të përgjithshëm shoqëror, autoritetet intervenojnë shpejt dhe festa vazhdon. Disa vizitorë pinë birrë larg përtej etjes që kanë. Mediat raportojnë çdo vit për të dehurin apo të dehurën e parë, pra viktimën e parë që shtrihet përtokë, të cilën e quajnë “Bierleiche” (kufoma e birrës). Sivjet një turiste amerikane, e moshës 24-vjeçare, i “shiti drutë” vetëm dy orë e gjysmë pas hapjes së “Oktoberfestit” dhe u dërgua për trajtim në një ambulancë të afërt. Pjesa më e madhe e vizitorëve e mbajnë veten nën kontroll dhe kësisoj “Oktoberfesti” çdo vit është festa më e madhe në botë.
“Oktoberfesti” ekziston qe 214 vjet. Vetëm 26 herë është anuluar, sipas gazetës “Süddeutsche Zeitung”. Më 1813 gjatë luftës kundër Napoleonit, më 1854 për shkak të epidemisë së kolerës, prej 1914 deri më 1918 për shkak të Luftës së Parë Botërore dhe 1939-1945 për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Pas një sulmi me bombë më 1980, festa u ndërpre vetëm një ditë. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA, festa nuk u anulua.
“Oktoberfesti” nuk është vetëm një rast i mirë për të shijuar birrën bavareze, por edhe për të dëgjuar me koncentrim maksimal dialektin e Bavarisë përmes të cilit bavarezët kanë dëshirë të veçohen nga gjermanët e tjerë. Për këtë arsye disa e quajnë Münchenin “qyteti më verior i Italisë”. Që Austria është mes Bavarisë e Italisë, kjo as që merret me mend, sidomos gjatë “Oktoberfestit”. Nga viti 1810 mjeshtri italian i prodhimit të çokollatave Luigi Tambosi nisi të shesë limonadë dhe kafe në München. Në vitin 1890 në München u hap Osteria Bavaria, sot Osteria Italiana, një restorant me kuzhinë italiane. Aktualisht në München janë të hapura mbi 600 restorante me kuzhinë italiane. Një pjesë e tyre me siguri janë në pronësi të shqiptarëve. Sepse shqiptarët janë të zellshëm, të gjindshëm, janë edhe kreativë. A e keni parë se si kamerieri me emrin Fadil bëhet Fabio, kuzhinieri me emrin Sylejman bëhet Sergio dhe barmenin me emrin Latif gjysma e qytetit e njeh me emrin Luigi? Nuk e bëjnë këtë sepse duan të asimilohen, por vetëm për t’iu përshtatur ambientit të punës. Të gjithë këta në shtëpi kthehen ose nën tingujt e ndonjë kënge të sertë të Dervish Shaqës ose nën ritmet e Dhurata Dorës.
Nuk shkohet në München vetëm për birrë. Pa Münchenin nuk mund të merret me mend historia moderne e shqiptarëve. Müncheni është qyteti ku la gjurmë të rëndësishme shkencore dhe letrare Martin Camaj (1925-1992). Në München u lind e vdiq Marie Amelie von Godin (1882-1956), shkrimtare, përkthyese, studiuese e historisë së shqiptarëve dhe mike e ngushtë e Eqrem Bej Vlorës. Në Universitetin Ludwig Maximilian të këtij metropoli të Gjermanisë jugore funksionon Katedra e Albanologjisë, e vetmja në hapësirën gjermanishtfolëse. Në München ka ligjëruar profesori Georg Stadtmüller (1909-1985), njëri ndër albanologët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Në Universitetin e Münchenit ka dhënë kontribut të shquar profesori Peter Bartl (1938-2022), njëri nga njohësit më të mëdhenj të historisë së shqiptarëve dhe autor i shumë veprave dhe punimeve mbi historinë e shqiptarëve. Në München ka jetuar Hans-Joachim Lanksch (1943-2019), përkthyes dhe përkrahës i madh i autorëve të letërsisë shqipe. Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar qëndruan si bursistë në Villa Waldberta afër Münchenit poetët nga Kosova Ali Podrimja (1942-2012) dhe Azem Shkreli (1937-1998).
Historia shqiptare është një histori burrash e shkruar nga burrat. Si çdo histori e shkruar nga burrat, është histori e njëanshme. Është mirë ta korrigjojmë aty ku është e mundur. Për shembull: nëse shkoni në Kështjellën Nymphenburg të Münchenit, aty do të gjeni portretin e një gruaje me prejardhje shqiptare. Ajo quhet Katerina Boçari. Është portretuar nga Joseph Karl Stieler, i cili në shekullin e 19-të ka qenë piktor i oborrit të mbretërve të Bavarisë. Si hyri portreti i një gruaje me origjinë shqiptare në kështjellën madhështore të Nymphenburgut?
Në gusht të vitit 1823 arvanitasi Marko Boçari deshi të vrasë një komandant osman me prejardhje shqiptare, por e ngatërroi tendën dhe pastaj u vra nga mirditorët, të cilët ishin në shërbim të osmanëve. Boçari hyri në histori si hero i Greqisë, vëllai i tij Kostas jetoi si gjeneral dhe senator në Greqi, i biri i Marko Boçarit, Dimitrios, i edukuar në München, ishte tri herë ministër i luftës nën Mbretërit Otto I. dhe Georg I. Të dy monarkët ishin gjermanë. Katarina Boçari, e bija e Marko Boçarit, ishte damë e pallatit mbretëror në Athinë dhe në shërbim të Amalias, princeshës së Bavarisë dhe Mbretëreshës së Greqisë.
Të gjitha këto histori shqiptare nuk kanë të bëjnë direkt me “Oktoberfestin”, por kjo festë bëhet sebep edhe për të notuar në histori (jo në birrë).
Gëzuar!