OpEd

Obligimet nga dialogu i takojnë edhe BE-së

Pse letra që presidenti i atëhershëm Thaçi i kishte dërguar NATO-s për mosdërgimin e njësive të FSK-së në veri pa konsultime duhet të vlejë si obligim, e letra e Mogherinit drejtuar Mustafës që Asociacioni nuk duhet të ketë fuqi ekzekutive jo. Pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit duhet të respektohet e ai për Asociacionin jo. Pse duhet sa më parë që të kryhet obligimi për Asociacionin që ka marrë Kosova para 10 vjetësh e ai për hapjen e urës në Mitrovicë jo, sepse as pas tetë vjetësh “nuk është koha e duhur“

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të drejtë me vite kanë kërkuar nga Kosova që të zbatojë të gjitha obligimet që ka marrë në dialog, pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet kur pranoi ato obligime e kush kur ato duhet të zbatohen. Sepse secili shtet i përgjegjshëm, secila qeveri demokratike legale, e ka obligim të zbatojë dhe atë që në emër të shtetit e kanë marrë përsipër ata që ishin në pushtet para tyre. Sikurse në të ardhmen ata që do të jenë në pushtet duhet të përmbushin obligimet që sot në emër të shtetit mund t’i marrë Qeveria aktuale. Sepse shteti nuk nis e as nuk përfundon me një mandat qeveritar. Kjo vlen për shtetet që janë sovrane dhe të pavarura me qindra vjet, por edhe për Kosovën si shteti më i ri në Evropë.

Prandaj, i pëlqeu apo jo, Qeveria e tashme e ka për obligim të zbatojë edhe ato pjesë të marrëveshjeve nga dialogu që nuk i pëlqen, dhe për të cilat me vite ka folur se janë gabime. Dhe mund të pajtohem se në dialog janë bërë shumë gabime, disa prej tyre që nuk mund të zhbëhen. Ja, për shembull, ka shumë gabime në pranimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit. Gabim i madh po shihet se është edhe pranimi që në praktikë ekipi menaxhues për draftimin e statusit të jetë nën kontroll të plotë të Beogradit dhe që Qeveria e Kosovës ta bekojë atë. Nuk ka dyshim se ish-kryeministri Isa Mustafa dhe paraardhësi i tij Hashim Thaçi kanë mundur t’i sqarojnë më mirë gjërat kur janë arritur ato marrëveshje dhe do të ishte atëherë më e qartë se si, kur dhe kush duhet të propozojë, miratojë dhe zbatojë statutin e Asociacionit. Këtu nuk duhet amnistuar për përgjegjësi të madhe edhe Bashkimin Evropian që si fasilitues i është qasur procesit me “ambiguitetin konstruktiv” dhe kjo ka krijuar më shumë probleme sesa që ka zgjidhur: ja tash po shohim se çfarë kaosi është krijuar me ekipin menaxhues për draftimin e Asociacionit. BE-ja i doli krejtësisht në mbrojtje Serbisë, e cila thotë se ai ekip duhet të ketë mandat derisa statuti të mos miratohet. E ai ekip në fakt janë njerëz të presidentit të Serbisë, Vuçiq, që nuk i janë përgjigjur ministrit të Qeverisë së Kosovës. Sipas interpretimit të BE-së, anëtarët e atij ekipi i propozon Serbia dhe i emëron Qeveria e Kosovës. Kur është ashtu, atëherë nuk duhet habitur kur del një draft i tillë i statutit siç ishte ai i prezantuar në Bruksel më 2 maj në takimin e nivelit të lartë.

Por, me gjithë lëshimet që u bënë, kryeministri i Kosovës i asaj kohe, Isa Mustafa, kishte pasur një letër nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, ku ajo e siguron se, sipas kuptimit të BE-së, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk do të ketë fuqi ekzekutive e as të jetë nivel i tretë i pushtetit. E Serbia tash mundohet ta injorojë tërësisht këtë letër, ndërsa në BE nuk e përmendin shumë.

Por edhe për BE-në duhet të vlejë obligimi i atyre që sot janë në funksion për të mbajtur qëndrimet që dikush para tyre i shprehu në emër të BE-së. Sepse sikur Kosova nuk nis me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimi, ashtu as BE-ja nuk nis me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e tij Miroslav Lajçak.

BE-ja disa herë është shprehur, po ashtu, se Asociacioni duhet të bëhet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Por këtë nuk po e thotë aq shumë në mënyrë të prerë kohëve të fundit, duke nxitur frikën se edhe në këtë pikë duan të ndihmojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç e ndihmuan kur hoqën dorë nga kërkesa që marrëveshja të nënshkruhet, që të jetë ligjërisht obliguese, dhe kur hoqën njohjen e ndërsjellë si synim të marrëveshjes. Tash BE-ja dha shenjat e para se nuk do të insiston as në respektimin e plotë të marrëveshjes. Nuk e qortoi Serbinë kur votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, ani pse një pikë e marrëveshjes thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Ky inkurajim që në fillim do të bëjë që as kjo marrëveshje gjysmake, që nuk është nënshkruar, të mos merret seriozisht dhe si pasojë të mos zbatohet.

Serbia pohon se “nuk i intereson asnjë letër që është komunikim privat i Mogherinit me Isa Mustafën”. Por shumë gjëra në dialog, në të cilat Serbia insiston, janë bërë pikërisht përmes komunikimeve personale. Një prej atyre që më së shpeshti u përmend Serbia është ajo që e quan “obligim i Prishtinës që të mos dërgojë njësi speciale në veri”. Një obligim i tillë në atë formë nuk ekziston. Por Serbia thirret në një letër që kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi ia kishte dërguar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, në atë kohë Anders Fogh Rasmussen, ku thoshte se Kosova nuk do të dërgojë njësi të FSK-së në veri pa konsultime paraprake me komandantin e KFOR-it. Edhe ky hap ishte gabim i Kosovës, sepse pranoi që në territorin e saj të ketë pjesë që trajtohen ndryshe në aspektin e sigurisë. Por së paku ky obligim nuk përfshinte policinë. E Serbia vazhdon të thotë se “Policia e Kosovës nuk ka çfarë të kërkojë në veri“, e quan “okupim“ kur njësitë policore të Kosovës vendosen në ndonjë pikë në atë pjesë të BE-së nuk reagon, edhe pse NATO-ja disa herë ka sqaruar se kjo nuk përfshin obligime për të mos dërguar njësi speciale policore, por vetëm FSK-në. Kur zyrtarët e BE-së, pasi pohonin se “janë të sigurt se Kosova ka obligim që të mos dërgojë njësi speciale policore“, u ndeshën me fakte, pranuan se “nuk ka ndonjë obligim formal që del nga dialogu për njësitë speciale policore“, por nuk u ndalen pa shtuar se “obligimi që të mos dërgohen është bërë një praktikë e zakonshme”.

që përdoret nga Beogradi për veprimet e Policisë së Kosovës në veri është nxitje e dhunës dhe sulmeve ndaj tyre. Por Kosova ka pranuar se vlen obligimi që në emër të Kosovës e kishte marrë Hashim Thaçi. U bind Kosova që edhe obligimi për themelimin e Asociacionit vlen. Por duhet të vlejnë edhe obligimet që ka marrë Serbia e po ashtu edhe ato që ka marrë BE-ja, siç është ai për hapjen e urën mbi lumin Ibër, që është simboli më famëkeq i dështimit të BE-së që të mbrojë vlerat e saj në Kosovë dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes. Një grusht njerëzisht për vite e mban atë urë të bllokuar dhe KFOR-in e EULEX-in të frikësuar. Duhet të kuptohet logjika e BE-së kur thotë se „sundimi i ligjit nuk duhet të jetë pretekst për krijimin e tensioneve“, por njësoj duhet të vlejë edhe logjika se nuk mund të hiqet dorë menjëherë nga sundimi i ligjit vetëm për shkak se dikush kërcënon se kjo do të rrisë tensione. Sepse sundimi i ligjit është, po ashtu, një lloj sundimi që duhet të vendoset e ai nuk vjen vetvetiu. Këtu, sa i përket veriut të Kosovës, EULEX-i, e në një masë as KFOR-i, nuk janë dëshmuar sa duhet në kryerjen e mandateve të tyre, sidomos duke lejuar dhe toleruar bllokimin e lëvizjes së lirë.

Pse letra që presidenti i atëhershëm Thaçi i kishte dërguar NATO-s për mosdërgimin e njësive të FSK-së në veri pa konsultime duhet të vlejë si obligim, e letra e Mogherinit drejtuar Mustafës që Asociacioni nuk duhet të ketë fuqi ekzekutive jo. Pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit duhet të respektohet e ai për Asociacionin jo. Pse duhet sa më parë që të kryhet obligimi për Asociacionin që ka marrë Kosova para 10 vjetësh e ai për hapjen e urës në Mitrovicë jo, sepse as pas tetë vjetësh “nuk është koha e duhur“.

Kanë kaluar 12 vjet prej kur ka nisur dialogu dhe, ajo që është pa dyshim e saktë, është se pas 12 vjetësh nuk mund të thuhet se “nuk është koha“ për diçka që është dashur të kishte ndodhur para shumë vjetësh. Kohëzgjatja e dialogut, devijimi i tij, dhe rreziku që ai të degradojë dhe devijojë edhe më shumë në muajt në vijim janë elemente që duhet t’i ketë parasysh edhe BE-ja për të reflektuar rreth përgjegjësive të saj po ashtu.