Karshi Vuçiqit, Kurti nuk bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme dhe gjeniale, por ai bëri një gjë saktë: Kurti ushtroi presion të fortë dhe të vazhdueshëm mbi Vuçiqin që të gabojë. Kësisoj, nga mohimi i zgjedhjeve dhe referendumit serb në Kosovë e deri tek letërnjoftimet, targat dhe kryetarët e rinj në veri, Kurti ushtroi presion konstant dhe të fortë mbi Vuçiqin. Kësaj strategjie të Kurtit Vuçiqi nuk iu përgjigj me maturi dhe urtësi, por me emocion dhe dhunë. Kjo e solli drejt në fiaskon e Banjskës. Nga aty rruga ishte njëdrejtimëshe dhe pa kthim
Asnjëherë nuk ka qenë lehtë t’i japësh një përkufizim të qartë fashizmit. “Të tentosh t’i japësh një përkufizim fashizmit është sikur të tentosh ta ngjitësh brumin për muri”, thoshte historiani Ian Kershaw. Sidoqoftë, ka një konsensus të gjerë se në epiqendër të fashizmit qëndron kulti i liderit. Pra, lideri si një forcë e omnifuqishme e cila është gjysmënjeri e gjysmëzot. Kësisoj, në vendlindjen e fashizmit në Itali nxënësit mësonin një tregim ku një fëmijë shurdhmemec u shërua pasi që dëgjoi një fjalim të Musolinit. Gazetat italiane rrëfenin tregime se si Musolini me një lëvizje të dorës ka ndaluar lavën në Malin Etna dhe ka sjellë shiun në shkretëtirat e Libisë. Dritat në zyrën e tij ishin çdoherë të ndezura për t’u treguar qytetarëve italianë se “Il Duce” nuk fle asnjëherë. “Il Duce ha sempre ragione” apo “Duce di çdo gjë” ishte slogan omniprezent në propagandën fashiste. Të gjitha këto ishin temat, të cilat i mësoi dhe i perfeksionoi Hitleri. Aq ishin të indoktrinuar nga propaganda naziste qytetarët gjermanë, saqë deri në ditën e fundit, kur Ushtria e Kuqe ishte duke hyrë lagje për lagje në Berlin, ata ende besonin se Führeri tani në minutat e fundit do t’i befasonte të gjithë me armën e tij sekrete dhe do ta fitonte luftën.
Serbia e sotme patjetër se nuk është fashiste, por Vuçiqi ka bërë çdo gjë që të lëvizë kufijtë e pranimit të kultit të liderit nga ana e publikut serb. Kryeministri aktual i Serbisë, z. Vuçeviq, tani së fundi ka thënë se “Vuçiqi është lideri më i mirë në historinë e popullit serb”. “Studenti më i mirë në historinë e Fakultetit Juridik”, është biografia e Vuçiqit, e cila trumbetohet nga propaganda zyrtare serbe. Dhe sikur “Il Duce” vetë Vuçiqi shpesh flet se si nuk fle kurrë ose shumë pak duke punuar ditë e natë për popullin serb. Nga çmimi i pashtetës dhe qumështit e deri tek nënshkrimi (fiktiv) i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Vuçiqi di çdo gjë – “Il Duce ha sempre ragione”.
Kësisoj të gjitha institucionet shtetërore kanë pushuar efektivisht së ekzistuari në Serbi. Vendimet e interesit publik nuk merren dhe nuk komunikohen përmes institucioneve të rëndësishme shtetërore, siç janë Kuvendi dhe Qeveria, por përmes konferencave ekskluzive për media të vetë Vuçiqit. Vuçiqi paralajmëron këto konferenca për media në mënyrë dramatike dhe më pastaj propaganda shtetërore mban qytetarët në vazhdimësi në suspancë me spekulimet mbi lajmin e rëndësishëm që do të komunikohet nga lideri. Kështu ishte edhe konferenca e fundit e Vuçiqit për media për dialogun Kosovë-Serbi. Vuçiqi paralajmëroi me dramaticitet se në “72 orët e ardhshme” do të komunikojë masa të rëndësishme karshi Kosovës. Propaganda shtetërore mbajti për 72 orë popullin serb nën suspancë se çfarë veprimi të befasishëm dhe gjenial tani lideri do të ndërmarrë për të mposhtur “Perëndimin kolektiv”. “Nuk do të lejohet pogromi”, “Dita D për Serbinë”, “Shpallja e Kosovës territor të okupuar”, ishin vetëm disa nga kryetitujt bombastikë të tabloideve të regjimit.
Por, përtej propagandës shtetërore realiteti më të cilin Vuçiqi ballafaqohej ishte shumë i zymtë. Në fakt shumë para fillimit të konferencës për media ishte e qartë se Vuçiqi është në pozitë të palakmueshme. Kishin kaluar plot pesëmbëdhjete ditë prej kur institucionet e Kosovës kishin mbyllur zyrat e institucioneve paralele në veri dhe për plot pesëmbëdhjetë ditë Vuçiqi nuk ishte i aftë të formulonte një përgjigje koherente të shtetit serb. Opsionet e Vuçiqit qartazi ishin shterur. Kur ato “72 orë” të famshme erdhën, ajo që dëgjuam ishte një klithmë dëshpërimi. Fjalimi i Vuçiqit ishte kapitullim i politikës së tij karshi Kosovës në këta katër vjet të fundit. Sikur ata fëmijët e llastuar që kur humbasin dëshirojnë të prishin lojën dhe të fillojnë nga fillimi, kështu edhe Vuçiqi dëshiron që dialogu të kthehet në zero. Thënë ndryshe, Vuçiqi pranoi se lojën e kishte luajtur keq. Në masë të madhe kjo është meritë e Kurtit. Jo sepse Kurti bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme dhe gjeniale, por Kurti bëri një gjë saktë: Kurti ushtroi presion të fortë dhe të vazhdueshëm mbi Vuçiqin që të gabojë. Thënë ndryshe, Kurti nuk bëri bast që është më i mirë se Vuçiqi, por bëri bast që Vuçiqi është më i dobët se ai. Kësisoj, nga mohimi i zgjedhjeve dhe referendumit serb në Kosovë e deri tek letërnjoftimet, targat dhe zgjedhjet, Kurti ushtroi presion konstant dhe të fortë mbi Vuçiqin. Kësaj strategjie të Kurtit Vuçiqi nuk iu përgjigj me maturi dhe urtësi, por me emocion dhe dhunë. Kjo e solli drejt në fiaskon e Banjskës. Nga aty rruga e Vuçiqit ishte njëdrejtimëshe dhe pa kthim.
Vuçiqi është i vetëdijshëm për këtë. Prandaj edhe në konferencë për media Vuçiqi, i cili kultivon imazhin e liderit të qetë dhe të përmbajtur, e humbiste kontrollin sa herë fillonte të fliste personalisht për Kurtin. Aq larg shkoi sa krahasoi Kurtin me Hitlerin.
Sot hapësira manovruese e Vuçiqit në dialog është jashtëzakonisht e kufizuar. Si njeriu i forcës, ai e kupton që ke fuqi negociatore në tavolinën e dialogut në Bruksel aq sa ke pushtet real në terren, në veriun e Kosovës. E sot fuqia e Vuçiqit në veri është në nadirin e saj. Rrjedhimisht edhe opsionet negociatore të tij janë të kufizuara. Më e mira që mund të bëjë është që të blejë kohë. I duhen vetëm edhe 46 ditë. 46 ditë deri tek zgjedhjet presidenciale në SHBA. Kjo është shpresa e tij e fundit. Numërimi mbrapsht ka filluar.