Me episodin e Banjskës, Vuçiqi ka shpenzuar çdo kredi politike që perëndimi i ka huazuar. Duke ndërmarr hapa të fshehtë në terren, ai ka shembur idenë se është akter i besueshëm dhe kredibil në tavolinë, ndërsa duke ndërmarrë operacion të dhunshëm në Kosovë, ai ka shembur idenë se është shtyllë stabilitetit dhe paqeje në rajon. Tani numërimi mbrapsht ka filluar
Diplomacia në natyrën e saj kërkon besim dhe konfidencialitet. Kjo është në veçanti e vërtetë në rastet e negociatave ndërkombëtare që synojnë të pajtojnë palët armiqësore. Kësisoj historia e diplomacisë është histori e negociatave sekrete, apo më mirë të themi jopublike. Nga koha e “ancien régime” dhe negociatat e Vestfalisë, e deri te kohët e sotme dhe negociatat sekrete në Lindjen e Mesme apo Ukrainën – të gjitha proceset e ndjeshme diplomatike kërkojnë një dozë të shëndetshme të fshehtësisë. Fshehtësia në diplomaci është e kuptueshme, sepse palët njohin ndjeshmërinë publike ndaj temave negociuese dhe kuptojnë se vetëm duke ruajtur fshehtësinë e procesit negociator, mund të sigurojnë avancimin e interesave respektive nacionale.
Por nga ana tjetër, fshehtësia e proceseve negociatore vjen me mungesë të transparencës për publikun. Publiku rrallëherë mund të dijë se çfarë është diskutuar në takime diplomatike dhe si kanë shkuar këto takime. Deklarimet e pjesëmarrësve dhe komunikatat për shtyp janë zakonisht tejet formale dhe të redaktuara, duke mos komunikuar kështu asgjë nga thelbi i takimit. Sidoqoftë, përkundër fshehtësisë së proceseve negociatore, ekzistojnë disa mënyra për të kuptuar ecurinë e negociatave diplomatike. Për shembull, në diplomaci një nga kriteret për të vlerësuar nëse takimi ka pasur sukses apo ka dështuar është të shikosh se si sillen palët menjëherë pas takimit. Nëse pas takimit palët flasin shumë, kjo i bie që brenda takimit palët kanë folur pak dhe takimi është dështim, nga ana tjetër nëse pas takimit palët flasin pak, kjo i bie që brenda takimit palët kanë folur shumë dhe takimi është sukses. Natyrisht brenda kësaj ndarjeje të vrazhdë ka nuanca të pafundme, por ky rregull i thjeshtë është mjaft ndihmues për të gjykuar ecurinë e negociatave diplomatike.
Nga ky këndvështrim takimi i fundit i pesëshes në Prishtinë dhe Beograd ishte i suksesshëm. Palët dolën nga takimi dhe pesëshja ishte e vetmja që u deklarua shkurtimisht. Kurti dhe Vuçiqi nuk folën fare. Kjo ishte në kontrast të thellë me deklarimet e tyre të fundit në Bruksel ku të dytë folën gjatë dhe hodhën akuza ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj fasilituesve ndërkombëtarë. Por kësaj radhë ata nuk folën, sepse besoj unë atyre u është prezantuar “oferta që nuk mund të refuzojnë”, për të huazuar nga citimi i famshëm i Marlon Brandosë. Ata nuk folën pasi që tani koha ka ardhur që të flasin me vepra, jo me fjalë. Siç konfirmoi kryeministri Kurti në platformën X, pesëshja ua dorëzoi palëve planin e ri për të ecur përpara dhe nënvizoi pasojat në rast të dështimit eventual.
Dinamika e re që shohim sot në dialog është pasojë e drejtpërdrejtë e Banjskës. Në gjuhë kineze fjalët “kriza” dhe “mundësia” janë e njëjta fjalë. Fiks kështu është Banjska për pesëshen. Është krizë dhe mundësi që nuk duhet humbur. Që nga Banjska pesëshja ka dyfishuar përpjekjet e saja për të avancuar dialogun. Më 25 shtator, pa kaluar as njëzet e katër orë nga Banjska, ata janë mbledhur për të dakorduar rrugën përpara. Atë ditë në postimin e Lajçakut në platformën X, ai thotë: “Kemi diskutuar hapat e radhës në zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve”. Pra pa u larguar tymi i bombave dhe pushkëve të Banjskës, pesëshja ka dakorduar planin për avancimin e dialogut.
Ky ridinamizmi i dialogut është edhe njohja e pesëshes se ajo tani ka pozitë më të fuqishme negociuese se kurdoherë më parë. Përmes shërbimeve të saj inteligjente ajo ka përmbysur planin e Vuçiqit për të sulmuar Kosovën dhe destabilizuar Ballkanin, ndërsa në anën tjetër, ajo ka shpëtuar Kurtin nga një tragjedi politike. Sot edhe Vuçiqi, edhe Kurti janë në borxh ndaj perëndimit.
Në veçanti Vuçiqi është sot në pozitë më të dobët negociuese se kurdo më parë në historinë e dialogut. Me episodin e Banjskës ai ka shpenzuar çdo kredi politike që perëndimi i ka huazuar. Duke ndërmarrë hapa të fshehtë në terren, ai ka shembur idenë se është akter i besueshëm dhe kredibil në tavolinë, ndërsa duke ndërmarrë operacion të dhunshëm në Kosovë, ai ka shembur idenë se është shtyllë stabiliteti dhe paqeje në rajon. Dhe kjo e fundit është më e rëndësishmja për të cilën ia vlen të thuhen disa fjalë.
Prej kohësh, Perëndimi ka investuar në “perëndimizimin” e Serbisë. Që nga viti 1999, Perëndimi synon që të transformojë Serbinë nga armik i dikurshëm i cili është bombarduar, në aleat modern i cili është shtyllë stabiliteti në rajonin tonë. Për ta realizuar këtë qëllim, Perëndimi ka investuar në Vuçiqin si lider serb i cili është i aftë të luajë këtë rol. Rrjedhimisht pushteti i tij është mbështetur politikisht dhe financiarisht, por edhe i është lejuar një dozë e hegjemonisë beninje në rajonin tonë. Me fjalë të tjera, plani i Perëndimit është të bëjë Serbinë në Ballkan, çfarë është Gjermania në Evropë apo Japonia në Azi.
Dhe përkundër çfarë ne mendojmë duke shikuar nga Prishtina, shikuar nga selitë e kancelarive perëndimore, kjo politikë ka qenë e suksesshme. Për njëzet vjet rajoni ynë ka njohur paqe, stabilitet dhe prosperitet. Disa nga vendet e rajonit u anëtarësuan në NATO, ndërsa të gjitha janë rrugës për t’u bërë vende anëtare të BE-së. Stabiliteti i Ballkanit i ka lejuar aleatëve kohë dhe energji për t’u marrë me prioritete të tjera gjeopolitike. Kësisoj, edhe dialogu në dhjetëvjeçarin e tij konsiderohet sukses. Ai ka parandaluar çfarëdo dhune në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka ruajtur stabilitetin e rajonit. Dhe pikërisht këtë vijë të kuqe ka shkelur Vuçiqi për herë të parë. Prandaj, sot ai ka humbur të gjithë kreditë perëndimore dhe gjend veten në pozitë më të dobët negociuese ndonjëherë. Këtë mundësi perëndimi nuk do të lejojë që të ikë nga dora.
Me fjalë të tjera koha ka provuar se armiku më i madh i shtetit serb është vet shteti serb. Sikur dikur Millosheviqi me Srebrenicën dhe Reçakun, sot Vuçiqi me aksionin e Banjskës ka mbivlerësuar veten. Kësisoj, ai ka djegur të gjitha kreditë politike ndërkombëtare dhe ka futur veten në një rrugë që ka vetëm një epilog: njohjen e Kosovës. Nga Banjska numërimi mbrapsht ka filluar.