Nëse nuk do të ishim të vjedhur e të keqqeverisur, edhe me këtë nivel të ulët zhvillimor që ka Kosova, mirëqenia do të duhej të ishte shumë më e lartë
Gjatë protestave të studentëve në Shqipëri në fund të vitit 2018, një parullë ra në sy: “Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”. Nuk e di nëse është përdorur në vendet e tjera dhe adaptuar nga protestuesit në Shqipëri, por kjo parullë përmbledh mjaft mirë gjendjen socio-ekonomike të vendeve të keqqeverisura: nuk është problem vetëm mungesa e resurseve, por qeverisja kleptokratike e cila pasurinë publike e orienton në xhepa privatë të politikanëve dhe bizneseve të ndërlidhura me ta.
Buxheti i Kosovës është një ndër më të vegjlit në krahasim me shtetet e tjera. Por njëkohësisht një pjesë e madhe e buxhetit keqpërdoret dhe nuk orientohet në projekte zhvillimore ose për ata që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Në numrin e së dielës të gazetës “Koha Ditore”, më 26 korrik 2020, shkruhej se Kosova ka humbur apo është në proces të humbjes së 300 milionë eurove në arbitrazh. Kjo shumë është e barasvlershme me buxhetin e ndarë për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale (179.6 milionë euro) dhe Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike (138 milionë euro).
Sipas raporteve buxhetore të Ministrisë së Financave, çdo vit mesatarisht shpenzohen rreth 20 milionë euro në procese gjyqësore brenda Kosovës, për rastet kur kompanitë dhe individët padisin institucionet për vendimet e tyre joligjore. Në tre vjetët e fundit janë shpenzuar 57.3 milionë euro për vendime gjyqësore. Sa për krahasim, buxheti vjetor i ndarë për ndihma sociale më 2021 është 31 milionë euro, apo sa gjysma e buxhetit që humb në vendime gjyqësore.
Mesatarisht 100 milionë euro në vit identifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit si mjete të shpenzuara, duke mos respektuar procedurat ligjore. Në vitin 2015, Instituti GAP ka nxjerrë të dhëna nga të gjitha raportet e auditimit për vitet 2013 dhe 2014, dhe del se shpenzimet që bëjnë organizatat buxhetore në procedura jo të rregullta kapin shifrën e 115.1 milionë eurove në vitin 2013, respektivisht 118.9 milionë euro më 2014. Ose 10% e buxhetit vjetor të audituar. Për një dekadë, rreth 1 miliard euro shpenzohen në procedura jo të rregullta.
Të dhënat e fundit tregojnë se 18% e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, apo me më pak se 1.82 euro në ditë. Për t’i nxjerrë të gjithë nga varfëria mjaftojnë 236.5 milionë euro apo dy euro në ditë për çdo të varfër. Në anën tjetër, në vitin 2021 Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe komunat ndajnë më shumë se 490 milionë euro në subvencione sociale. Por vetëm kategoria e ndihmave sociale ndërlidhet me varfërinë e përfituesve. Shumica e skemave sociale kriter bazë kanë të kaluarën e përfituesve, si ish-ushtarët e UÇK-së, ish-të burgosurit politikë, mësimdhënësit e viteve ’90, deputetët e viteve ’90, etj.
Raportet e organizatave të ndryshme tregojnë se Kosova ka paguar një kilometër autostradë mes 8 dhe 12 milionë eurove. Në anën tjetër, buxheti vjetor i Ministrisë së Shëndetësisë për shërim jashtë vendit sillet rreth 7 milionë euro në vit dhe shumë nevojtarë nuk arrijnë të marrin ndihmë financiare për shërim.
Janë të pallogaritshme shpenzimet që bëhen për pagat e zyrtarëve publikë, punësimi i të cilëve nuk e arsyeton pagën. Kosova ka shkallën më të lartë në Evropë të të punësuarve në sektorin publik në krahasim me numrin e përgjithshëm të të punësuarve, shifër që kalon 30%. Edhe pse gjatë fushatës zgjedhore jepen premtimet se nuk do të emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri, gjatë qeverisjes emërohen deri në pesë zëvendësministra. Poste të cilat nuk shërbejnë për asnjë funksion tjetër, përveç shpenzimit të kotë të parasë publike.
Pikërisht këta zyrtarë të emëruar kot, përveç pagës, shpenzojnë shuma enorme për dreka, darka, udhëtime e mëditje. Në shtator të vitit të kaluar, “Koha Ditore” raportoi se institucionet publike kishin paguar 11 mijë e 748 euro për një aviobiletë. Në total brenda vitit ishin shpenzuar mbi një milion euro. Në anën tjetër, të dhënat e “Riinvestit” tregojnë se 26% e bizneseve evidentojnë më pak se 10 mijë euro shitje në vit. Pra, një biletë e aeroplanit të një politikani kushton më shumë sesa shitjet vjetore të një biznesi privat.
Ekzistojnë shembuj të pafund ku institucionet e Kosovës keqmenaxhojnë buxhetin shtetëror, i cili edhe pse i vogël do të mund të bënte ndryshime të mëdha nëse do të orientohej si duhet.
Nëse nuk do të ishim të vjedhur e të keqqeverisur, edhe me këtë nivel të ulët zhvillimor që ka Kosova, mirëqenia do të duhej të ishte shumë më e lartë.