Kanë të drejtë në BE kur thonë se për të mos e kushtëzuar procesin e integrimeve me dialogun, do të duhej të hiqej dorë nga parimet kryesore në procesin e zgjerimit. Ky nuk është problemi. Problemi është në mungesën e paanshmërisë nga ana e BE-së në vlerësimin e vendeve të rajonit. BE-ja është e padrejtë ndaj Kosovës dhe kjo është lehtë të dëshmohet
Në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian ndodhen 10 vende. Nëntë prej tyre edhe formalisht kanë statusin e vendit kandidat. Një nuk e ka. Kosova është i vetmi vend jo vetëm nga procesi i zgjerimit, por i vetmoi në tërë Evropën që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nuk e ka statusin e vendit kandidat.
Për më tepër, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është shqyrtuar fare, edhe pse nga dorëzimi i kësaj kërkese ka kaluar më shumë se një vit. Dhe kjo ka pasoja. Sepse tash Kosova nuk mund të përfshihet formalisht në disa hapa të disa institucioneve të BE-së për t’i afruar vendet e rajonit edhe para se të bëhen vende anëtare. Për shembull, së shpejti Komiteti Ekonomik (EESC) dhe Social i BE-së do të pranojë anëtarë nga vendet kandidate, duke u bërë institucioni i parë i BE-së që e bën një gjë të tillë. Pra, anëtarët nga vendet kandidate do të marrin pjesë në punët e këtij institucioni të BE-së në mënyrë të barabartë me ata nga vendet anëtare, vetëm se nuk do të ketë mundësi të votojnë. Por Kosova nuk do të jetë pjesë e kësaj. Sepse formalisht Kosova nuk është vend kandidat.
Ka shumë arsye që Kosova, jo vetëm qeveria, por i tërë spektri politik dhe ai shoqëror të ndihet i frustruar me diskriminimin që po ia bën Bashkimi Evropian. Arsyetimet që dëgjohen për këtë diskriminim nuk qëndrojnë dhe shpesh janë edhe ironike e qesharake. Status kandidati kanë vendet që janë në luftë, vendet që nuk e kontrollojnë territorin e tyre. Ato e meritojnë të kenë statusin e tillë dhe BE-ja ka bërë një gjë të duhur kur ua ka dhënë. Por kjo dëshmon se në rastin e Kosovës është thjesht mungesa e vullnetit politik dhe tentimi për ta shantazhuar Kosovën, për shkak të dialogut.
Mënyra se si ka nisur, si është zhvilluar dhe çfarë ka sjellë dialogu dëshmon se ai ka qenë i dëmshëm. Ka krijuar më shumë probleme sesa që i ka zgjidhur. Por mund të na befasojë dhe të sjellë ndoshta një zgjidhje që nuk duket në horizont. Mënyra se si është reflektuar procesi i dialogut në procesin e integrimit në BE për Kosovën dhe Serbinë, dhe fazat në të cilat ndodhen këto dy vende, tregojnë diskrepancën e qartë. Serbia prej kur ka nisur dialogu ka marrë statusin e vendit kandidat, ka nisur negociatat e anëtarësimit, dhe ka hapur një numër kapitujsh. Kosova nuk e ka bërë asnjë hap. E ka bërë vetë hapin e parë duke dorëzuar aplikacionin, por ai nuk është shqyrtuar, që do të thotë se BE me Kosovën nuk e ka bërë asnjë hap.
Rrugëtimi i Kosovës dhe Serbisë është kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre. Dhe normalizimi shkon përmes dialogut. Prandaj nuk kanë logjikë kërkesat që procesi i integrimeve të ndahet, edhe pse kuptohet se kjo kërkesë e Kosovës është nga frustrimi.
Prej kur ka nisur dialogu, ata që japin vlerësimin, pra Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) vazhdimisht kanë konfirmuar se niveli i përparimit të Serbisë në normalizimin e raporteve me Kosovën ka qenë i mjaftueshëm dhe në këtë mënyrë, kanë dhënë dritën jeshile që, sa i përket dialogut, Serbia mund të hapë dhe mbyllë pa pengesa kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit. Ky konstatim mund të dëshmohet përmes vetë dokumenteve të Komisionit Evropian dhe raporteve që shpesh për nevoja të Këshillit i ka bërë EEAS-i. Sa herë janë pyetur zyrtarët nga këto dy shërbime kanë thënë se “nuk kanë dashur t’u japin disa vendeve anëtare arsye që të bllokojnë procesin e negociatave të Serbisë me BE-në. Për herë të parë, vjeshtën e fundit, në Raportin e Progresit është konstatuar se Serbia nuk ka shënuar përparim në implementimin e disa marrëveshjeve të dialogut dhe në disa madje ka pasur edhe kthim prapa.
Në një debat në Parlamentin Evropian kushtuar shkeljeve zgjedhore në Serbi, përfaqësuesi i Komisionit Evropian jo vetëm se relativizojë parregullsitë në zgjedhje, por gati sa nuk ia plasi vajit për shkak se Serbia nga viti 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e negociatave të zgjerimit. Kjo dëshmon sa shumë ia mbajnë anën Serbisë Komisioni Evropian dhe EEAS-si, saqë në mbrojtje të Serbisë, injorojnë edhe kërkesat e shumicës në Parlamentin Evropian. Prandaj Vuçiqi me plot të drejtë dhe pa frikë mund të thotë se nuk e çan fare kokën për Parlamentin Evropian.
Kosova në anën tjetër, ia bën qejfin vetes se ka mbështetje nga Parlamenti Evropian, se ai institucion i BE-së vazhdimisht kërkon njohjen e Kosovës nga 5 vendet anëtare, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohjen e ndërsjellë si qëllim i dialogut. Por për të gjithë këta njerëz të afërt me procesin e dialogut, në emër të BE-së privatisht thonë se “kanë më pak vlerë sesa letra në të cilat janë shkruar”! Kosovës i mungon mbështetja nga Komisioni Evropian dhe EEAS dhe në këto rrethana disa shtete anëtare që duan t’i ndihmojnë Kosovës mbeten të pafuqishme. EEAS-i dhe Komisioni Evropian janë ideatorë të masave ndaj Kosovës. Më saktë, Lajçaku dhe Borrelli në njërën anë dhe komisionari Verhelyi në anën tjetër. Ata e kanë në dorë edhe heqjen e masave dhe është vetëm ‘spin’ kur thirren kishe në vendet anëtare si kundërshtare të heqjes së masave. Masat do të hiqen sikur Lajçaku dhe Borrelli të thonë se janë pjekur kushtet. Por ata nuk e thotë këtë dhe nuk do të thonë së shpejti. Prandaj për një kohë të gjatë Kosova do të mbetet me sanksione, do të mbetet pa status kandidati dhe do të jetë palë e qortuar për tensionim të situatës.
Por e gjithë kjo nuk e bën të logjikshme kërkesën që dialogu të ndahet nga procesi i integrimit në BE. Kjo ide që është dëgjuar në Kosovë nga kryeministri Albin Kurti dhe e përsëritur edhe nga zyrtarë të tjerë me të drejtë është konsideruar në parim si e palogjikshme dhe e pamundur nga shumë diplomatë në selinë e BE-së.
Sepse bashkëpunimi rajonal, pajtimi, fqinjësia e mirë dhe gatishmëria për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët përmes mjeteve politike dhe dialogut, për më shumë se 24 vjet është kusht kyç në procesin e zgjerimit. Për ta hequr këtë kushtëzim, do të duhej ndryshuar shumë qasjen e BE-së ndaj zgjerimit. Bile secilin vit, ky kusht vetëm sa vjen e forcohet.
Edhe në konkluzat e fundit të BE-së për zgjerimin ishte shkruar se normalizimi i raporteve dhe implementimi i obligimeve nga dialogu janë kushte esenciale në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe të dyja rrezikojnë të humbin rastet e rëndësishme në mungesë të progresit.
Disa diplomatë me ironi kanë thënë se “më në fund Kosova dhe Serbia kanë të njëjtën kërkesë - që dialogu të ndahet nga procesi i integrimit të tyre në BE”. Sepse edhe Serbia disa herë ka kërkuar këtë, duke thënë se “nuk mund të mbetet peng e dialogut, sepse Beogradi pretendon se i ka përmbushur të gjitha obligimet, ndërsa Kosova nuk i ka përmbushur”.
Kanë të drejtë në BE kur thonë se për të mos e kushtëzuar procesin e integrimeve me dialogun do të duhej të hiqej dorë nga parimet kryesore në procesin e zgjerimit. Ky nuk është problemi. Problemi është në mungesën e paanshmërisë nga ana e BE-së në vlerësimin e vendeve të rajonit. BE-ja është e padrejtë ndaj Kosovë dhe kjo është lehtë të dëshmohet. Serbia që nuk mbështet sanksionet ndaj Rusisë, Serbia e cila mohon gjenocidin në Srebrenicë, Serbia, e cila sipas vlerësimit të vëzhguesve nga Parlamenti Evropian, nuk zhvillon zgjedhje fer dhe demokratike, Serbia që forcon lidhjet me Rusinë e Kinën dhe ofendon BE-në, Serbia e cila mbron personat që bënë sulm terrorist në Kosovë (të tillë e quajti përfaqësuesi i Lartë, Borrell, sulmin në Banjskë), është në procesin e integrimit, jo vetëm para Kosovës, por edhe para Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Para të gjithëve, pos Malit të Zi. Dhe për asnjë veprim apo mosveprim Serbia nuk është sanksionuar. E Kosova po. Dhe në BE duhet të mendojnë seriozisht për joobjektivitetin e tyre.