OpEd

Nostradamusi, analistët dhe viti 2022

Fundi i vitit të kaluar na gjeti me qeverinë më jolegjitime në histori të Kosovës. Ky fundvit na gjen me qeveri më legjitime në histori të Kosovës. Fundin e vitit të kaluar u alarmuam për ngritjen e autoritarizmit të mentalitetit bolshevik më të paparë në histori të Kosovës. Ky fundvit na gjen me demokracinë më vibrante në rajon. Qartazi, për disa parashikimi nuk është përpjekje e sinqertë në kërkimin e së vërtetës, por ndërmarrje e organizuar dezinformuese

Të bësh parashikime është një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës, edhe pse kënaqësia e të pasurit të drejtë në parashikime qëndron në frikë të përhershme nga zhgënjimi i të qenit gabim. Sidoqoftë, parashikimi, nga ana tjetër, është njëra nga gjërat e para që kemi mësuar të bëjmë në jetë. Nga parashikimi për arsimimin më të mirë që duhet të ndjekim, ekipe futbolli që do të fitojnë kampionatin botëror, ide e re multimilionëshe biznesi, e deri te fituesit e zgjedhjeve të ardhshme – diskutimi mbi të ardhmen dominon natyrshëm çdo shtëpi dhe çdo kafe, në çdo vend bote.

Storia kureshtare e analistëve

Michel de Nostredame apo më i njohur si Nostradamusi është themeluesi jozyrtar i “shkencës” së parashikimit. Në veprën e tij Profecitë ai ka tentuar të parashikojë ngjarjet që do të ndodhin deri në vitin 3797 – vit ky kur, sipas tij, edhe vetë bota do të përfundojë. Dishepuj të Nostradamusit besojnë se ai me saktësi parashikoi vdekjen e mbretit të Francës Henri II, Revolucionin francez, ngritjen e Hitlerit dhe sulmin e 11 shtatorit. Së fundmi, disa shkojnë aq larg dhe thonë se e ka parashikuar edhe koronavirusin dhe Elon Muskin. Por për mendjet më të arsyeshme libri Profecitë është lloji i literaturës historike të kategorisë së Biblës apo Kuranit ku thëniet janë aq të përgjithshme saqë mund t’i interpretosh në çfarëdo forme që dëshiron për të arsyetuar parashikimin e një zhvillimi të kohës.

Sidoqoftë, që nga koha e Nostradamusit përpjekjet për të parashikuar të ardhmen kanë lëvizur nga terreni i astrologjisë në terrenin e psikologjisë. Nga të qenit instrument zbavitjeje të oborreve mbretërore, në të qenit instrument serioz planifikues në politikë, siguri, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe biznes. Në këtë drejtim, sot profesori i psikologjisë Philip Tetlock është autoritet udhëheqës i kësaj fushe. Tetlock ka fituar famë me projektin e tij “Projekti i parashikimit të saktë” dhe dy libra pasues Parashikimi Politik i Ekspertëve dhe Superparashikimi. Pa hy në detaje, këtu do t’i veçoja dy gjetjet kryesore të punës së tij.

E para, Tetlock ka dashur të kuptojë nëse personat që merren me parashikime politike, pra ata që i quajmë “analistë”, janë të saktë në parashikimet e tyre. Kësisoj, ai përzgjodhi 284 ekspertë të cilët ofruan 82,361 parashikime për zhvillimet kryesore në SHBA dhe botë – nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, kapja e Osama bin Ladenit, përfundimi i aparteidit në Afriken Veriore e deri te përmbysja e regjimit të Kubës. Rezultati i hulumtimit ishte poshtërues për botën e analistëve. Aq te pasakta ishin parashikimet e tyre saqë përgjigjet e rëndomta të një fëmije me “po” ose “jo” do të ishin më të sakta. Po ashtu, gjetjet shpërfaqën edhe një trend kureshtar: sa më i njohur ishte analisti për publikun, aq më të gabueshme ishin parashikimet e tij. Pra, konkludimi ishte se ekziston një ndërlidhje negative në mes ekspozimit publik apo famës dhe saktësisë së parashikimit.

E dyta, pas përfundimet të hulumtimit me ekspertët, profesori Tetlock ka vendosur të kuptojë nëse parashikimi është një shkathtësi që mund të mësohet. Kësisoj, në projektin e radhës ai ka mbledhur njerëzit e rëndomtë - artistë, zejtarë, studentë – për të parë nëse ata mund të aftësohen për të qenë më të mirë në parashikimet gjeopolitike. Dhe këtu ai zgjodhi kundërshtarë të denjë për të testuar teorinë e tij. Ai organizoj garë në mes njerëzve të rëndomtë dhe komunitetit të inteligjencës së SHBA-së. Të dy grupet është dashur të parashikonin epilogun e ngjarjeve të ndryshme politike. Rezultati ishte befasi e paparë. Ekipi i z. Tetlock i njerëzve të rëndomtë ishte 30% më i saktë se komuniteti i inteligjencës së SHBA-së.

Rezultatet e punës së profesorit Tetlock kanë qenë aq revolucionare saqë kanë tërhequr vëmendjen e agjencive më sekrete të SHBA-së për hulumtimet të avancuara të inteligjencës dhe mbrojtjes (IARPA dhe DARPA). Dhe jo vetëm kaq. Për punën e tij ai është shpërblyer, ndër të tjerë, nga Akademia Amerikane e Shkencës dhe Asociacioni i Psikologëve të Amerikës.

Viti 2022

Aq shumë është zhvilluar parashikimi si degë e veçantë e shkencave sociale, saqë vlerësohet se në vit shpenzohen 50 miliardë dollarë për parashikime të ndryshme – nga parashikimi i motit e deri te nisja e luftës së tretë botërore. Një nga parashikimet më të rëndësishme në botë është “Doomsday Clock” – publikim ky i Buletinit të Shkencëtarëve Atomikë të SHBA-së, i cili ngre alarmin mbi rrezikun e shkatërrimit të njerëzimit.

Sidoqoftë, jashtë komunitetit shkencor, fundi i vitit është zakonisht periudhë ku të gjithë tentojmë të bëjmë parashikime për vitin tjetër. Kësisoj, gazeta Financial Times, por edhe pothuaj çdo medium tjetër me ndikim, çdo vit publikon parashikimet për vitin e ardhshëm respektiv.

Parashikimet e tilla janë të shëndosha për shoqërinë jo sepse ato do të jenë të sakta apo të pasakta, por sepse vendosin në sipërfaqe trendët kryesorë në shoqëri dhe na bëjnë më vigjilentë në dizajnimin e mekanizmave për t’iu përgjigjur atyre përgjatë vitit respektiv. Kësisoj për shkrimin e fundvitit kam vendosur që të sprovoj veten në parashikimin e zhvillimeve kryesore për vitin 2022. Besoj që rileximi i këtyre parashikimeve në fund të vitit 2022 do të jetë një ndërmarrje zbavitëse për të parë se çfarë ka qenë e saktë dhe çfarë e gabuar.

1. Pandemia

Pandemia do të na gjejë në fund të vitit 2022 në të njëjtën gjendje sikur sot. Gjatë vitit 2022 bota dhe rrjedhimisht edhe Kosova do të vazhdojnë të ballafaqohet me tri probleme kryesore pandemike: shkallë të ulët të vaksinimit në vendet e varfra, pakënaqësitë sociale ndaj masave kufizuese dhe mutacionet e vazhdueshme të virusit. Në Kosovë, sikur në vendet e tjera të botës, pandemia dhe politika do të vazhdojnë të përzihen në një koktej të rrezikshëm shoqëror ku spektri politik do të vazhdojë suksesshëm dështimin e tyre në vendosjen e interesit të qytetarëve, para interesave të tyre partiake.

2. Qeveria Kurti

Qeveria Kurti do të vazhdojë të këtë një sukses mesatar, ku në një anë do të vazhdojmë të shohim një standard të respektueshëm të mirëqeverisjes, por nga ana tjetër do të rritet hendeku në mes asaj që qytetarët presin nga qeveria dhe asaj që qeveria bën. Qeveria do të ristrukturohet. Po ashtu, gjatë vitit 2022 pritet zbatimi i reformave të thella, sikur që është ajo në sundim të ligjit, me ç’rast grupet e interesit do të luftojnë ashpër reformat e qeverisë, në veçanti përmes mjeteve të dezinformimit. Gjatë vitit mazhoranca do të gjejë veten shpesh në konflikt me opozitën e cila do të kontrollojë pushtetin lokal dhe cila do të përdorë këtë pushtet për betejat politike. Nga jashtë, qeveria, pas përfundimit të procesit zgjedhor në Serbi, do të ekspozohet ndaj presionit ndërkombëtar për dialogun. Në një skenar ekstrem nuk mund të përjashtohet edhe rrëzimi i qeverisë.

3. Opozita

Gjatë vitit 2022 kryefjala e opozitës do të jetë dialogu. Opozita do të vazhdojë të insistojë në rëndësinë e dialogut në kuadër të përpjekjeve tona shtetndërtuese, gjithnjë duke minimizuar rëndësinë e reformave të brendshme. Opozita do ta bëjë këtë për dy arsye. E para, sepse shtyrja përpara e dialogut do të nënkuptojë kompromiset e mazhorancës gjë që në vetvete do t’i lejojë opozitës të fitojë terren elektoral, dhe e dyta, sepse minimizimi i rëndësisë së reformave të brendshme shërben për synimin e tyre për ruajtjen të status-quosë dhe interesave të tyre. Një pjesë e opozitës do të jetë r ndikuar drejtpërdrejt nga sanksione të paralajmëruara amerikane gjë që do të shkaktojë ngritjen e paparashikueshme të aleancave politike në Kosovë. Puna e Gjykatës Speciale do të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm politik që do të afektojë partitë që kanë ngecur në tranzicionin drejt partive civile demokratike. Nga ana tjetër, kjo do të krijojë hapësirë për demokratizimin e opozitës, duke hapur kështu shtegun për një avancim cilësor të saj.

4. Dialogu

Nuk do të këtë marrëveshje përfundimtare me Serbinë në vitin 2022, por do të këtë progres të kufizuar. Serbia do të lëvizë drejt pranimit të elementeve të caktuara të realitetit në Kosovë. Presidenti i rizgjedhur Vuçiq do të zhvillojë zgjedhje të kontestueshme dhe do të këtë nevojë për legjitimitet ndërkombëtar perëndimor. Dialogu do të jetë një shteg për realizimin e këtij synimi. Po ashtu, Serbia nuk do të mund t’i rezistojë presionit perëndimor, i cili do të konsolidohet në tërësi gjatë vitit 2022 nga ana e diplomacisë së SHBA-së. Kosova nga ana tjetër do të bëjë një kompromis nga ana e saj për shkak të presionit ndërkombëtar. Dialogu do të vazhdojë të dominojë hapësirën publike dhe do të jetë armë kryesore politike me anë të cilës opozita do të luftojë betejën e saj me mazhorancen në Kosovë.

Dialogu kërkon një fusnotë të madhe të paparashikueshmerisë për shkak ndërlidhjes së tij me ballafaqimin e Perëndimit me Rusinë në Ukrainë. Në një formë ose tjetrën, zhvillimet në Ukrainë dhe negociatat në mes Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën do të jenë të ndërlidhura me zhvillimet në rajon, përfshirë dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

5. Liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat

Nuk do të këtë liberalizim të vizave për Kosovën. Gjatë gjashtë muajve të parë të Presidencës së Francës, Franca do të jetë e hendikepuar nga zgjedhjet presidenciale, fakt ky i cili nuk do t’i lejojë Francës të marrë çfarëdo vendimi të rëndësishëm. Gjatë gjashtë muajve të dytë të vitit 2022 të Presidencës Çeke, Çekia nuk do ta këtë vëmendjen dhe fuqinë e nevojshme për të shtyrë këtë çështje përpara. Rrethanat pandemike në BE, mungesa e progresit të ndjeshëm në dialog dhe sundim të ligjit nuk do të lejojnë një vendimmarrje pozitive për liberalizimin e vizave. Kërkesa për anëtarësim në BE apo statusin e vendit kandidat do të dorëzohet në Këshillin e BE-së nga ana e Kosovës, por ajo nuk do të shqyrtohet gjatë vitit 2022.

6. Rajoni

Viti 2022 do të jetë një nga vitet më të tensionuara në vitet e fundit. Rajoni do të jetë piun në lojën gjeopolitike të SHBA-së dhe Rusisë. Po ashtu, rajoni do të vazhdojë të shkundet nga synimet predatore të Serbisë. Në Bosnjë nuk do të këtë ndarje të Republikës Serbe, por Bosnja do të vazhdojë të jetojë nën ethe të Dodikut dhe Vuçiqit. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të vazhdojnë të ecin mbi një vijë të hollë që në çdo moment mund të kolapsojë qeveritë respektive. Një gjë pothuaj e pamundur të parashikohet, por unë them se përkundër krizave të vazhdueshme, në asnjë prej këtyre dy vendeve qeveritë nuk do të rrëzohen. Arsyeja kryesore për këtë do të jetë ndërhyrja nga aktorët perëndimorë, pasi që nuk do të lejojnë lindjen e krizave të panevojshme në momentet kur vëmendja e tyre kryesore do të jetë tek Serbia, Bosnja dhe Kosova. Në Serbi, Vuçiqi do të fitojë zgjedhjet bindshëm. Në Shqipëri, do të thellohet kriza politike dhe vendi do të shkojë drejt polarizimit të mëtutjeshëm politik. Vetingu do të vazhdojë të ndikojë në jetën politike të Shqipërisë. Tirana do të jetë nikoqire e protestave të mëdha, të cilat do të sfidojnë seriozisht legjitimitetin e mazhorancës.

* Falas