Gianni Belluscio nuk u mësua dot me vdekjen. Se jeta është dashuri. Ne, të ngutur në vrapimin tonë prej lepuri, nuk e pamë dot vuajtjen e tij.
Mësohuni me vdekjen e më të dashurve, deklaroi Boris Johnson që në fillim të pandemisë. Mësohuni me vdekjen o vdekatarë! Këto ditë na la miku e kolegu Gianni Belluscio, arbëreshi i urtë, teksa e shoqja, Giusi, frymonte pavetëdijshëm dy ditët e saj të fundit, e unë nuk po mësohem dot me vdekjen e tij, me vdekjen e tyre. Një lëmsh i ashpër më shtrëngon fytin sa herë shoh fytyrën e qeshur të Giannit nëpër mediat italiane e shqiptare këto ditë, në faqet universitare, në postimet e miqve të shumtë.
Pas buzëqeshjes së tij aq natyrale asnjëherë nuk i kisha parë kaq shumë dhimbjen, zbrazëtinë e frikshme që lë pas humbja e njeriut më të dashur, heshtjen e rëndë që të mbulon shtëpinë, e cila tani e ka humbur kuptimin e strehës. Nuk të mbron më asgjë. Kjo nuk është një tragjedi greke, kjo është tragjedi e njeriut modern, kjo është tragjedi e akademikut që dashuron qetësisht deri në vdekje, pa bujë fjalësh e fotosh të shpërndara nëpër socials. Kjo është tragjedia e familjes së Belluscio-s, e fëmijëve, e miqve të tij, aq sa do të duhej të ishte e gjithë shoqërisë sonë insta, këtij lloj minotauri modern që ushqehet vetëm me imazhe vezulluese, që e injoron të zakonshmen dhe shkel pamëshirshëm të shëmtuarën.
Vdekja është e shëmtuar. Nuk ka asnjë vdekje të bukur. As kur ajo vjen nga dashuria. Vdekja është dhimbje. Jeta është e bukur, në gjithë format e saj më të çuditshme. Nuk ka jetë të shëmtuar. Nuk ka jetë të zakonshme. Jeta është unike. Jeta është e qeshur. Jeta është dashuri. Jeta është alfa dhe omega e njerëzimit e çdo gjë tjetër do të duhej të ishte në funksion të saj. Si ta bëjmë edhe më të bukur, edhe më të lehtë, edhe më brilante, si të mos e bëjmë thjesht fast food për Minotaurin insta.
Tani që shumica prej nesh ka luksin të mbyllet brenda, ndërkohë që miliona të tjerë janë të detyruar të punojnë apo, edhe më keq, kanë humbur punën duke u përballur me vështirësi johumane, çuditërisht një soj gjejmë forcën të ankohemi. Njeriu nga natyra është gjithmonë i pakënaqur. Ky është motori i energjisë që e shtyn të ecë përpara, të kërkojë më të mirën. Por çfarë është më e mirë se jeta në kohë lufte?
Kjo pandemi ndoshta i duhej njerëzimit të ndalte vrapin e tij marramendës, të kuptonte se lepuri vrapues i duhet natyrës, po aq sa edhe breshka. Të mësonte se lepuri në vrapimin e tij humbet shumë gjëra pa parë, ndërsa breshka i shijon të gjitha ngjyrat, llojet e barit, aromat, ka kohë të mendojë, të jetojë, ka zhvilluar sistem shumë inteligjent të mbrojtjes dhe fabula na tregon se di edhe të fitojë. Fabulat janë mesazhe të forta urtësie që na dërgojnë paraardhësit, pyetini fëmijët t’ju tregojnë më shumë, sigurisht i keni harruar në maratonën tuaj të përditshme ku askush asnjëherë nuk fiton.
Pyetini fëmijët çfarë shikojnë në televizion, çfarë lojnash luajnë, çfarë librash kanë qejf të lexojnë, çfarë vizatimesh a eksperimentesh bëjnë. Pyetini për të mësuar gjuhën e tyre, çfarë gjuhe flasin ata në kohë karantine. Mos u gënjeni pas entuziazmit të tyre, fëmijët fshehin shumë gjëra. Shpesh nuk i dinë fjalët tona për t’i shprehur frikët e tyre. Kanë fjalët e tyre të njoma, mësojini. Fëmijët janë mësues të shkëlqyer që gjërat e vështira i shpjegojnë shumë thjesht. Duke u munduar t’u shpjegoni atyre çfarë kuptimi ka karantina, do të shihni se ata më shumë do t’ju ndihmojnë ju.
Druhem se shumë prej jush tani do ta kenë ndërprerë leximin. Nuk po flas për politikë. As po shaj e as po përkrah askënd. Kjo nuk “dhez”, nuk është “in”, nuk i duhet asnjë partie politike që pastaj ta shpërndajnë militantët. Nuk shitet. E di. Pikërisht prandaj po e shkruaj. Nuk jam në kërkim të vëmendjes së dy-tri neuroneve që qarkullojnë brenda mendjes së një njeriu. Sot e refuzoj atë lloj politike që pëlqehet nga të tillët. Ajo nuk mund të qëndrojë në të njëjtën faqe me fëmijët që i injoron çdo ditë, ndërkohë që në memorien e tyre mbetet e freskët ftesa në Parlament e fëmijëve “elitarë” me rastin e ditës së Pavarësisë. Çfarë pamjeje groteske ishte! Ideale për një film me titull “Fëmijët në botën e poshtërsive”.
Një politikë me një diskurs vdekjedashës, përjashtues, linçues, një politikë që krijon frikë, armiq fiktivë veçmas në periudhë pasigurie si kjo e sotmja, një politikë që e shfrytëzon median për të krijuar e manipuluar mentalitete, një politikë që blen gaze tarë e opinionkrijues, një politikë që shfrytëzon mrekullisht fatkeqësinë e elektoratit të saj, nuk mund të qëndrojë në të njëjtin shkrim me Gianni Belluscio-n.
Gianni e donte punën pa kërkuar kurrë asgjë prej saj. Ishte studiues i apasionuar, i pandalshëm, i pathyeshëm. Lexonte me kërshëri çdo roman të ri që botohej në shqip, shpesh më shkruante për autorët e rinj në Kosovë me gëzimin e fëmijës që mezi pret t’i lexojë. Shëtiste me mikrofonin e tij gjithë zonat sado të thella ku flitej shqipja në Ballkan, në Itali apo kudo tjetër, regjistronte gjithë ngjyrat e saj më të larmishme, tingujt më të rrallë, format më të çuditshme për t’i ngritur pastaj në nivelin më të lartë akademik që të mos harroheshin më kurrë. Gianni ishte si fëmija që u jepte shpirt tingujve, rikthente në jetë fjalët e harruara nëpër arkiva të errët, i nxirrte me kujdes nga zonat më të thella, u jepte krahë, “Fluturoni!”, “Jetoni!”.
Gianni Belluscio nuk u mësua dot me vdekjen. Se jeta është dashuri. Ne, të ngutur në vrapimin tonë prej lepuri, nuk e pamë dot vuajtjen e tij.