OpEd

Një verë e çmendur që na ktheu në vatër pandemie

Një verë plot festë. Diskotekat u hapën, ndërsa dasma e ahengje u organizuan me bollëk. Sheshet ishin të mbushura me njerëz. Thuajse nuk kishte asnjë masë kufizuese, pasi pjesa dërrmuese ishte larguar nga Qeveria, para se të vinte mërgata.

U krijua një përshtypje se pandemia mbaroi. Së paku të tilla ishin pamjet. Ani pse nëpër shtetet e tjera të botës po bënte kërdi varianti i ri i koronavirusit, që ishte paraqitur në atë kohë, ai Delta, në Kosovë nuk u pa e arsyeshme të vendoseshin kufizime. Nuk u përfillën këshillat që i jepte Organizata Botërore e Shëndetësisë, se varianti i ri është dukshëm më ngjitës dhe përhapet shumë më lehtë. U bë një hapje e plotë për të pritur mërgimtarët. Hapja u bë ani pse numri i të vaksinuarve plotësisht ishte ende i vogël në Kosovë.

Vetëm në korrik ishin lajmëruar për mbi 440 mijë pasagjerë që kishin arritur në Prishtinë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2020 kishin qenë afro 90 mijë shkaku i kufizimeve.

Dasma kishte thuajse çdo javë. Jepte përshtypjen se po tentohej të kompensohej një verë që ishte humbur shkaku i kufizimeve nga pandemia.

Por nuk vonoi shumë dhe erdhi fatura për verën e tërbuar. Ajo ishte mjaft e lartë.

Kosova u godit nga vala e re e pandemisë, dhe atë fuqishëm. Nëpër spitale flisnin për një gjendje që ngjasonte me luftë. Kishte dhjetëra të vdekur në ditë si pasojë e COVID-19 e kishte ditë kur regjistroheshin mbi 2,000 raste të reja të infeksionit me koronavirus. Stafi shëndetësor, edhe ashtu i dërrmuar nga përballja e gjatë me pandeminë, u desh të përballonte edhe një valë të re me shifrat rekorde. U ndaluan shërbimet në ambulancat specialistike, duke u përqendruar të gjitha kapacitetet në luftën kundër pandemisë.

Kryeministri Albin Kurti në konferencë të përbashkët për media me ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Arben Vitia, jepte informata statistikore se si varianti i ri na zuri në befasi. Se si nuk kishte thuajse asnjë të vdekur dhe papritmas u rritën rastet. Por për përhapje të shpejtë të variantit Delta kishte pasur paralajmërime nga vendet e tjera të botës e edhe nga OBSH-ja.

Kur ishte ballafaquar me pyetjet se pse nuk ka pasur kufizime, kryeministri kishte treguar se si Kosova nuk është vend i fortë në aspektin ekonomik dhe se si është e vështirë të përballojë masat kufizuese. Deklarimet e tij ishin të kundërta me ato që kishte dhënë sa ishte në opozitë, kur akuzonte pushtetin se e ka vënë ekonominë para jetëve të qytetarëve.

Por nuk ishte vetëm Kosova që u godit fort nga Delta. Edhe në shtetet e tjera, si në Austri e Zvicër, u mbush reparti intensiv kryesisht me kosovarë që kishin ardhur për pushime në Kosovë e ishin kthyer të infektuar.

Mediumet zvicerane e ato austriake shkruanin për verën e “çmendur” në Kosovë, se si ishin liruar të gjitha masat. Paraqiteshin foto të festave nëpër diskoteka, pa asnjë masë kufizuese dhe të mbushura diskotekat plot.

“Si u kthye Kosova në vatër të pandemisë”, shkruante gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.

Gazeta “Le Monde” po shkruante se si Prishtina ishte kthyer në një “Ibiza për COVID-19”.

Shkruanin se si po festohej në Kosovë gjatë verës pa asnjë kufizim, tregohej si ishin falsifikuar testet PCR dhe me to ishin kthyer qytetarët në Zvicër të cilët ishin infektuar. E Zvicra, Austria e vendet e tjera nuk ishin përgatitur nga ky kthim i qytetarëve të infektuar me variantin e ri.

Helikopterë të ambulancës ajrore zvicerane kishin fluturuar 21 herë vetëm gjatë gushtit në Kosovë për të marrë pacientët e sëmurë rëndë me COVID-19 e për t’i dërguar në Zvicër për trajtim.

Kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Zvicër gjatë një interviste ishte pyetur nëse ndihet me faj që njerëzit janë kthyer nga pushimet në Kosovë dhe e sollën virusin në Zvicër, ajo tha se është përgjegjësi e autoriteteve zvicerane që të vaksinojë të gjithë shtetasit e saj. Ajo tha se po flitet për diasporën e Kosovës që janë qytetarë të Zvicrës dhe se ata duhej të ishin vaksinuar në Zvicër e se duhej të ishte përgjegjësi e autoriteteve zvicerane që të bindnin qytetarët të vaksinoheshin para se të vinin në Kosovë.

Ajo kishte treguar se si Kosova kishte numrin më të vogël të të infektuarve deri në gusht dhe vetëm në gusht nisi vala e madhe e infeksioneve. Ajo kishte thënë se Kosova bëri çdo gjë në kapacitete për të bindur njerëzit të vaksinohen, ndërsa përsëriti thirrjet për vaksinim.

Vala e pandemisë në Kosovë vazhdoi të rrënonte për disa javë, deri nga fundi i shtatorit. Madje shkaku i saj u vendos të shtyhej edhe fillimi i vitit shkollor për afro një muaj.

Bilanci përfundimtar i kësaj vale ishte se për dy muaj u regjistruan afro 700 të vdekur si pasojë e COVID-19. Në mesin e tyre kishte edhe disa shtatzëna.

Në botë tash po qarkullon varianti i ri Omicron, për të cilin ka shfaqur shqetësime Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe i cili ka filluar të përhapet nëpër botë. Po shihet edhe më ngjitës dhe me më tepër mutacione se Delta.

Shumë shtete kanë vendosur kufizime të udhëtimeve. Por në Kosovë shtrëngimi i masave sa i përket futjes në Kosovë është lënë për fillim të janarit, kur vetëm përfundojnë festat e fundit.

Deri atëherë fillimisht ishte thënë se lejohet futja në Kosovë me një dozë të vaksinës dhe testin PCR, por më pas u lëshua pe dhe u vendos që qytetarët që kanë dokumentacion të Kosovës të lejohen të hyjnë vetëm me testin PCR.

E nga 3 janari u vendos që të lejohet hyrja në Kosovë e vetëm atyre që paraqesin dëshminë se janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Duket se nuk u mor si duhet mësimi gjatë verës. E ekziston rreziku që Kosova të përfshihet nga një valë tjetër e pandemisë, ajo Omicron, siç edhe po paralajmërojnë vetë ekspertët e shëndetësisë në vend, e po bëjnë thirrje për respektim të masave.