“Qeveria që unë do ta udhëheq dhe kjo shumicë parlamentare që do të përfaqësohet brenda kësaj qeverie do të nxisë, mbështesë dhe prijë një procesi jo të lehtë, por të domosdoshëm, pajtimi e kthimi të besimit në mes të forcave politike. Me një qasje pajtuese, ne do të rindërtojmë konsensusin shoqëror e politik për sfidat që na presin, siç janë: mposhtja e pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i rendit dhe ligjit, dhe dialogu për marrëveshje me Serbinë” - Avdullah Hoti, 3 qershor 2020, Kuvendi i Kosovës.
* * *
Kështu foli Avdullah Hoti ditën që kërkoi votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të marrë qeverisjen e vendit pas rrëzimit të Qeverisë së zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, që LDK-ja kishte ndërtuar jo pa telashe e vonesa me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin kryeministër. Tani, pesë muaj e gjysmë më vonë - thënë më saktë 165 ditë më vonë - çka ka arritur Hoti nga zotimet e tij? Si është situata pandemike, që u tha se është prioritet, për shkak të së cilës u desh të votohej një qeveri e re e LDK-së me AAK-në dhe Nismën? Është më mirë apo më keq? Cila është situata me rimëkëmbjen ekonomike, që LDK-ja tha se e ka synim primar në javët e para të qeverisjes Hoti? Është shpëtuar ekonomia e Kosovës, apo ndjenja e shumicës së bizneseve është se janë buzë greminës dhe kanë frikë se me vendimet e saja Qeveria po i shtyn nga prapa? Cila është situata me konsensusin shoqëror e politik? Jemi unikë në synime dhe të bashkuar në veprime? Apo jemi më të përçarë se kurrë, pothuajse rreth secilës çështje që na del përpara? Marrëveshja me Serbinë – thanë – do të arrihet deri në fund të vitit, dhe do kemi njohje të ndërsjellë. Do të kryhet procesi historik dhe do të shpëtohen marrëdhëniet me Amerikën! Si është puna? Me atë Amerikën e Trumpit, siç e shohim, marrëdhënie nuk po ka as vetë ajo Amerika demokratike, që buron nga Kushtetuta e 1787-s. Po besimin mes forcave politike e ka kthyer Qeveria Hoti? Apo është thelluar mosbesimi edhe mes vetë partnerëve në qeverisje? Sa herë është dashur t’i kthejë mbrapsht vendimet e përgatitura kryeministri Hoti për shkak se nuk ka pasur pajtim me partnerët në Qeveri? Sa herë kemi dëgjuar publikisht mospajtime mes krerëve të partive në koalicion? Dhe, meqë zotimi ishte për një shumicë parlamentare të përfaqësuar brenda Qeverisë, ku mbeti ajo? Pse as vendimet e thjeshta nuk po mund t’i kalojnë në Kuvend? Pse as komisionet e as seancat parlamentare nuk po mund të mbahen në mungesë kuorumi? Ku është shumica për qeverisje dhe krijim të konsensusit shoqëror e politik? Apo, nëse i kthehemi sërish dialogut me Serbinë – cila është e arritura aty? Hapja e aviolinjës me Beogradin, hekurudhës? Autostradës Prishtinë-Merdar? Ndërrimi i emrit të Ujmanit? Çka saktë është përmirësuar në marrëdhëniet me Serbinë prejse e ka marrë Hoti qeverisjen? Ah, po – mallrat e Serbisë hyjnë në Kosovë pa problem. Ato të Kosovës ende nuk mund të hyjnë në Serbi se Beogradi nuk e njeh dokumentacionin e Republikës së Kosovës, madje as për prodhime të serbëve lokalë të Kosovës! Apo, ndoshta hyrja në mini-schengenin e Ramës e të Vuçiqit është ajo e arritura e shumëpritur? Ani pse deri në korrik vetë Hoti ishte kategorik – s’ka mini-schengen ballkanik, thoshte. Ka veç njohje të ndërsjellë. Ai, madje, bashkë me koordinatorin e tij për dialog insistonin se marrëveshja do të jetë pako e stilit: asgjë nuk është e dakorduar derisa gjithçka të mos jetë dakorduar, përfshirë njohjen e ndërsjellë, ulësen e Kosovës në OKB, hapje të rrugës për anëtarësim në BE. Dhe? Ku jemi sot? Te Liqeni Trump për të cilin Hoti u pajtua që të studiohet mundësia e ndarjes së resurseve me Beogradin? Bashkëqeverisje e liqenit me Vuçiqin? Kjo është arritja e madhe? Ishte fat që në SHBA u votua si u votua, por kjo nuk e shpëton as Hotin, e besa as Kosovën. Nënshkrimi është vënë për Ujmanin. Edhe nëse nuk i ndërrohet emri, Qeveria e Kosovës ka hapur derën e ndarjes së resursit të Kosovës me Serbinë. Ashtu siç është vënë nënshkrimi në Marrëveshjen e Asociacionit më 2013, ashtu siç është votuar krijimi i Gjykatës Speciale me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës – pasojat nuk fshihen vetëm se po ndryshon administrata në Washington, apo pse ndryshon Qeveria në Kosovë. Bideni, sikur edhe BE-ja, do të kërkojë zbatimin e atyre gjërave që janë pranuar. Asociacionit. MiniSchengenit. Ndarjes së resurseve të Ujmanit. Nuk do të mjaftojë Kosova të thotë se janë marrëveshje të dëmshme për ne. Do të duhej të dalë me opsione më bindëse, me propozime më konkrete, me qasje të re...
* * *
Por, ky është një rrëfim për vitet 2021 dhe 2022, dhe 2023. Sot me rëndësi është – pandemia dhe pasojat që vuajmë, shëndetësore dhe ekonomike. Mund të thotë Hoti “unë nuk kam faj për pandemi”. I gjithë rajoni, e gjithë Evropa ka ngritje të rasteve. Dhe mund të ketë të drejtë. Por, kjo s’ka pse iu intereson qytetarëve, të cilët presin nga Qeveria zbatimin e zotimeve, qeverisjen e premtuar, rezultatet e zotuara. Dhe zotimet ishin: do ta fusim nën kontroll pandeminë, e kemi prioritet. Do të ndërtojmë një pako të rimëkëmbjes emergjente për biznese, e kemi prioritet. E rezultatet janë: katastrofike. Jo vetëm për shkak se janë rritur numrat, por për shkak se vërehet një pasiguri në qeverisje, çfarë nuk e kemi parë tek asnjë qeveri deri më tash, as të LDK-së, as të kujtdo tjetër. Një mungesë të vendosmërisë dhe marrjes së përgjegjësisë për vendimet dhe vendin. Një tendencë që për çdo dështim të gjendet fajtori diku tjetër – qytetarët, opozita, shoqëria civile, mediat, madje edhe partnerët në koalicion. Gjithçka, vetëm të mos shihet e vërteta në sy: Qeveria Hoti ka dështuar. Dhe i vetmi shpëtim ka mbetur vaksina... jo veç për COVID!