OpEd

Një udhëtim me kaleidoskop

Ka një brez të dalluar intelektualësh që kanë mbëltuar e ujitur idealin për liri të një populli, me qëllim jetesën si të barabartë e me dinjitet. Pa këtë brez intelektualësh, jam thellësisht i bindur, nuk do ta kishim sot as lirinë, e as pavarësinë, si dhe do të ishim shumë më të varfër shpirtërisht e artistikisht.

RRËFIMET MË TË mira nga të gjithë librat janë ato që gjenden brenda faqeve të një pasaporte.

Më ka pëlqyer gjithmonë kjo thënie. Me një thjeshtësi ngërthen në vete idenë e nxënies së dijes jo vetëm nga leximi e studimi, por edhe nga ajo që është e domosdoshme për një formësim, e sidomos formësim intelektual – përvoja.

Sigurisht se gjithmonë është ndryshe të mësohet e ndryshe të sprovohet.

E GJEJ KËTË shprehje të qëlluar sidomos për një ditë si kjo, për një personalitet të rrallë si ky.

Me profesorin Shyqri Nimani u njohëm për së afërmi në një udhëtim. Për më tepër në një udhëtim – mision.

Vendi: Bukureshti i Rumanisë. Misioni: Lobimi për domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Dhe ja ku ishim ne, 7-8 përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe politikës kosovare, shumica në të tridhjetat ose dyzetat e hershme dhe mes nesh aty – profesori.

Mirëpo, kur takoheshim me përfaqësues të institucioneve dhe politikës rumune, profesori ishte mocanik me ne, por që thonë amerikanët – with a twist.

Përballë skepticizmit rumun për argumentet për njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjithmonë në fund vinte kapakun profesor Nimani.

Me të folurën e tij të ngadalshme e të artikuluar, me një anglishte për t’u lakmuar, me erudicizëm të njeriut, i cili ka ditur ta jetojë jetën, ai mbi të gjitha jepte një porosi – pavarësia e Kosovës nuk është një rastësi. Ka një brez të dalluar intelektualësh që kanë mbëltuar e ujitur idealin për liri të një populli, me qëllim jetesën si të barabartë e me dinjitet.

Pa këtë brez intelektualësh, jam thellësisht i bindur, nuk do ta kishim sot as lirinë, e as pavarësinë, si dhe do të ishim shumë më të varfër shpirtërisht e artistikisht.

Përfaqësues i denjë dhe i dalluar i këtij brezi është pa as më të voglin dyshim profesori Shyqri Nimani.

Por, pse më lidhet metafora e udhëtimit gjithmonë me profesorin?

Përgjigjja është: po, se sebepi i njohjes sime nga afër erdhi nga një udhëtim, por se sa herë kam kontakt me profesorin, qoftë duke shikuar punët e tij, qoftë duke lexuar shkrimet e tij, qoftë duke shfletuar librat e tij, ose duke pirë kafe me të – mbresa është ajo e një udhëtimi me plot aventura e mësime të reja. E mbi të gjitha - me plot ngjyra. Sikur ta shikosh jetën nëpërmjet të një kaleidoskopi.

JU FTOJ QË ta shfletoni edhe librin e tij autobiografik “Nëpër gjemba drejt yjeve”. Dhe ju ftoj t’ia bëni vetes pyetjen e sinqertë: A keni pasur ndonjëherë në këto anë në dorë ndonjë autobiografi të këtillë?

Udhëtimi në botën fizike dhe të dijes i profesor Nimanit ka bërë që edhe qasja e tij ndaj krijimtarisë të jetë e këtillë: me shumëdimensionalitet të një udhëtimi.

Nëpërmjet shkrimit të kujdesshëm, në mënyrë që të mos paraqitet jomodest, nisur nga mbishkrimi i risjellë si lajtmotiv nga qyteti i Raguzës (Dubrovnikut) – “Peshoret tona nuk lejojnë të mashtrohet, e as të jesh mashtruar – si e mas unë malin, ashtu le të më mas vetë Zoti” – profesori na fton njëkohësisht në së paku tri bashkudhëtime.

I pari, i natyrshmi për autobiografitë – udhëpërshkrimi jetësor, ecejaket e një të riu ambicioz drejt realizimit të ëndrrës dhe misionit të jetës.

I dyti, mbase krejt i jashtëzakonshëm për autobiografitë: bashkudhëtim nëpër historinë e përgjithshme, si dhe të artit e të kulturës.

I treti, gjithsesi plotësisht i rrallë për autobiografitë: bashkudhëtim me ilustrime e disejn me përkujdesje për saktësi matematikore për të bukurën, për artin.

SË KËNDEJMI, kjo autobiografi është shumë më tepër, absolutisht shumë më shumë se një udhëpërshkrim jetësor i një artisti.

Është një vepër e kompletuar, shumëdimensionale – lehtësisht e klasifikueshme si një enciklopedi e rrallë përvojash, dijesh e shijesh.

Çka nuk është e re në këtë mes, është se e tillë na vjen e gjithë krijimtaria dhe personaliteti i profesor Nimanit. Një kombinim i hollë i sofistikimit shumëdimensional.

I një personaliteti, i cili i takon brezit, pa të cilin nuk do të ishim sot ku jemi as ne e këtu.

Faleminderit që ma mundësuat edhe këtë udhëtim, profesor Nimani!

Faleminderit që ishit një nga pasaportat tona!

(Bazuar në fjalën e autorit mbajtur në shënimin e 75-vjetorit të lindjes dhe promovimin e autobiografisë “Nëpër gjemba drejt yjeve” të Shyqri Nimanit)

[email protected]

Twitter: @adriatikk