Na pëlqeu apo jo, kjo do të jetë marrëveshja e përafërt finale me Serbinë. Gjërat kanë mundur që të rrjedhin ndryshe, mirëpo ai tren e ka lëshuar stacionin shumë kohë më parë. Apo anija ka ikur nga limani vite më parë, tashmë vetëm duhet gjetur vendin se ku të ankorohet dhe që ai ankorim të jetë sa më i qëndrueshëm në të ardhmen, t'u rezistojë dallgëve, baticave e zbaticave të reja historike, si dhe të gjitha të papriturave të cilat klimat e reja politike mund t’i sjellin
"Asnjëherë nuk do të fitosh nëse asnjëherë nuk ia fillon". Këtë thënie e kishte thënë Helen Rowland dhe mu duk një thënie adekuate për ta filluar Ditarin tim të radhës.
U tha shumë dhe u analizua shumë takimi i shumëpërfolur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.
Vështirësitë e këtij dialogu u bënë të ditura nga të dyja palët negociuese, si dhe nga vetë facilituesi i këtyre bisedimeve, Bashkimi Evropian. Mirëpo qasja e kryeministrit Kurti u kritikua ashpër nga opozita e tij në Kosovë, nga pjesa më e madhe e gaz-etarëve dhe gjithologëve analistë, si dhe nga pala serbe dhe nga vetë Vuçiqi.
Kur e vrojton dhe e analizon këtë dukuri me një paanshmëri politike, por thjesht vetëm nga prizmi i përfaqësimit kosovar në këto bisedime nuk ke se si të mos mendosh: "e ç’të duhet Serbia për armik kur i ke këso lloj opozite, gaz-etarësh dhe analistësh gjithologë në vend?”.
Dëgjova për brengosje të madhe se kryeministri Kurti qenka sjellë në mënyrë arrogante ndaj presidentit Vuçiq. E thellë është psikoza e të nënshtruarit dhe atij i cili e ndien veten inferior ndaj një pale të caktuar, prandaj edhe një kualifikim i tillë është i kuptueshëm. E kam përjetuar këtë dukuri edhe në lëkurën time gjatë përvojës jetësore, prandaj është e lehtë që ta tërheqësh këtë paralele, si dhe ta kuptosh këtë lloj mendësie.
A nuk e mendoni se Kosova veçse ka bërë koncesione të mëdha që së paku të trajtohet si një palë bashkëbiseduese e barabartë. Vetë Vuçiqi deklaroi se 10 herë ishte pyetur nga Kurti se kur do ta njihte pavarësinë e Kosovës, pyetje në të cilën ai ishte përgjigjur, "asnjëherë".
Përkundër fjalës së urtë të Napoleon Bonapartës, i cili thotë që "asnjëherë mos e ndërprit armikun tënd kur ai është duke gabuar", Kurti në fakt e paska shtyrë Vuçiqin që gabimin e tij ta përsërisë dhe ta bëjë 10 herë!
Po qe se këto bisedime nuk po rezultuakan me një njohje të dyanshme nga të dyja palët, e që gjithashtu është edhe pritshmëria eksplicite e diplomacisë amerikane nga këto bisedime, atëherë për çka në fakt bisedohet dhe negociohet aty?
Taktikisht dhe thjesht psikologjikisht mendoj se kryeministri Kurti në këto bisedime dëshiron që pozitën e palës negociuese kosovare ta heqë nga pozita e të nënshtruarit dhe nga ajo e inferioritetit, gjë e cila ka ndodhur vite me radhë për njërën apo tjetrën arsye. Në tavolinën e bisedimeve Vuçiqi mbetej konstantja, ndërsa palës kosovare po i ndërroheshin figurat e përfaqësimit të procesit të negocimit thuajse secilin vit. Edhe figurat kryesuese të facilituesve të këtyre bisedimeve, atyre të Bashkësisë Evropiane gjithashtu po ndërroheshin. Facilituesit apo përfaqësuesit e Bashkësisë Evropiane secili e kishte mënyrën dhe qasjen e vet sa i përket zgjidhjes së çështjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Parashtroheshin kushte dhe koncesione të shumta për palën kosovare dhe nënshkruheshin të ashtuquajturat "marrëveshje teknike", pjesën më të madhe të të cilave pala serbe nuk i përfillë as sot.
Gjatë negocimeve pala kosovare ka pranuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke "mos e kuptuar" seriozitetin, si dhe implikimin politik për formimin e një marrëveshjeje të tillë, e njëjta u procedua edhe në Kuvendin e Kosovës ku ajo u ratifikua. Me një fjalë, Kosova mori një obligim ndërkombëtar për plotësimin e kësaj marrëveshjeje.
Më pas, pasi që opozita e atëhershme e dërgoi Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, e cila gjeti se në kuadër të asaj marrëveshjeje ishin 30+ shkelje të cilat nuk shkonin sipas frymës kushtetuese.
Asokohe ky vendim ishte edhe blerje kohe edhe sado pak që Kosova të mundohej ta përmirësonte pozicionin në të cilin e kishte futur veten. Mirëpo në këndvështrimin e palës ndërkombëtare Kosova ka marrë mbi vete një obligim ndërkombëtar të cilin ajo duhet që ta përmbushë.
Edhe Albin Kurti me qasjen e tij dëshiron që të fitojë në kohë, mirëpo gjatë kohës së fituar ta paraqesë palën serbe si bllokuese të proceseve, si palë e cila nuk e merr seriozisht as paqen me fqinjin e saj, e aq më pak që ta njohë pavarësinë shtetërore të saj.
"Shpëto atë që mundesh"- do të thoshin diplomatët e rryer.
Dëmet e shkaktuara deri në këtë pikë të negociatave ku Kosova ka mbërritur janë vështirë të riparueshme dhe përfshirja e kryeministrit Kurti në to është paksa e vonshme dhe me këmbë të arushës në duart e tij, të cilat janë trashëguar nga 10 vjet negociata aspak transparente dhe llogaridhënëse.
Sikur të më pyeste dikush - po mirë ekselenca e juaj si e parashihni ju se do të përfundojë e gjithë kjo dhe a do të ketë marrëveshje finale, atëherë përgjigjja ime do të ishte kjo:
"Bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Amerika kanë investuar shumë mjete, mund dhe kohë në zgjidhjen dhe avancimin e paqes në Ballkanin Perëndimor. Këtu sidomos bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë. Ata këtë problem nuk mund ta zvarrisin në pafundësi, duke mos i dhënë epilog zgjidhjes. E ky epilog do të jetë më tepër i sforcuar sesa me dëshirën e të dyja palëve. Asociacioni do të formohet, që për komunat serbe në jug të vendit do të thotë rritje e nivelit të kompetencave e autonomi për komunat në veriun e Kosovës, e si kompensim Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pesë shtetet e Bashkësisë Evropiane të cilat deri më tash nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, do ta njohin atë".
Na pëlqeu apo jo, kjo do të jetë marrëveshja e përafërt finale me Serbinë. Gjërat kanë mundur që të rrjedhin ndryshe, mirëpo ai tren e ka lëshuar stacionin shumë kohë më parë. Apo anija ka ikur nga limani vite më parë - tashmë vetëm duhet gjetur vendin se ku të ankorohet dhe që ai ankorim të jetë sa më i qëndrueshëm në të ardhmen, t'u rezistojë dallgëve, baticave e zbaticave të reja historike, si dhe të gjitha të papriturave të cilat klimat e reja politike mund t’i sjellin.
Të gjithë jemi në dijeni të qëndrimit edhe të administratës amerikane në lidhje me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sponsori kryesor i Pavarësisë së Kosovës, qoftë në periudhën e çlirimit të saj, qoftë edhe me vetë aktin e shpalljes së asaj pavarësie, i ka bërë të qarta qëndrimet, si dhe vërejtjet e saj në lidhje me këto bisedime, si dhe pritshmërinë e tyre për kompromiset të cilat duhen bërë nga palët negociuese.
Sapo e lexova edhe deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili i është përgjigjur ambasadorit amerikan në Republikën e Kosovës, z Philip Kosnett, i cili të mërkurën kishte deklaruar se Kosova e ka detyrim ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti mbetet pranë qëndrimeve të tij se nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Republikën e Kosovës. Kurti ka shtuar se janë për të drejtat e të gjitha pakicave dhe kundër margjinalizimit apo diskriminimit.
Kjo qasje mua më bën ta kuptoj se kryeministri Kurti e bën të ditur se i ka duart e lidhura nga vetë Kushtetuta e Kosovës dhe se ai nuk është i gatshëm që ta shkelë atë.
Në anën tjetër, gjithashtu më kujtohet se në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e pandashme e saj. Herët apo vonë kjo "lojë" do të marrë trajtën e ndërrimit të kushtetutave me apo pa Vuçiqin, me apo pa Albin Kurtin. Ky proces i filluar një ditë do të duhet që të përfundojë dhe unë mbetem i mendimit se qejfet tona apo të Serbisë nuk do të pyeten shumë dhe marrëveshja do të vijë si pasojë e trysnive të shumta, karrotave dhe stupcave diplomatikë.