OpEd

Një tango për Presidentin

Vetëvendosja është para një zgjedhjeje të madhe. T’i bashkohet tangos apo jo. Nëse i bashkohet, ia plotëson dëshirën LDK-së për t’u ndier fitimtare dhe e çon deri në fund vullnetin e votuesve që kërkojnë ndryshimin. Ky mbase do të jetë edhe vendimi i parë i rëndësishëm i kësaj partie në rrugën e saj të pushtetit

Që të mos ia shohim sherrin më Presidentit duhet zgjedhur mes dy opsionesh.

E para është që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe ai të zgjidhet direkt nga vota e popullit. E dyta, që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe ai të ketë mandat aq sa jetëgjatësia e një legjislature, dhe të zgjidhet në pazarin e njëjtë të Qeverisë.

Cilado nga këto do t’i shmangte dy situata.

Njëra situatë është kjo aktualja, ku pas më shumë se dy muajsh nga zgjedhjet partitë që janë përcaktuar për të bërë koalicion qeverisës nuk po mund të arrijnë marrëveshje. Pra, situatën në të cilën zgjidhja e një çështjeje (Ekzekutivit) interferohet nga një çështje tjetër (Presidenca), të cilën pala që e synon nuk e sheh si të ndarë. Dhe kjo çon në situatën e dytë që do të shmangej. Ajo ku cenohet Kushtetuta duke u shfrytëzuar posti i presidentit jo për të përfaqësuar unitet, por për ta thelluar edhe më shumë distancën mes pushtetit dhe opozitës, meqë ai vjen veç si një produkt i një konstelacioni qeverisës. Pra, duke u anashkaluar Kushtetuta, një pozitë pa ndonjë fuqi domethënëse vendimmarrëse zhvishet edhe nga fryma unifikuese.

Meqë kjo ka ndodhur haptas dhe vazhdimisht nga njerëzit që kanë marrë votat e popullit, pse të mos përligjet. Le të shkruhet dhe nënshkruhet që posti i presidentit shërben për arritjen e marrëveshjeve politike me qëllim të rehatimit të atyre që nuk mund ta gjejnë vend tjetërkah nëpër pushtet. Ose, pra opsioni tjetër, le t’u lihet qytetarëve që ta votojnë atë e të mbetet ashtu siç e përshkruan Kushtetuta statusin e presidentit: “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

***

Në Kosovë presidenti ka qenë çdoherë një pazar politik pushteti. Asnjëri prej të pestëve që ka pasur vendi nga paslufta nuk është zgjedhur me konsensus të plotë. Kanë qenë madje shembuj jostabiliteti institucional, shkelësish Kushtetute e imponimi nga të huajt. Ka pasur presidentë për të cilët kompetencat kushtetuese kanë qenë shumë të papërthekueshme dhe ka pasur presidentë që ato nuk u kanë mjaftuar. Më shumë se Kushtetua, presidentin e kanë definuar fuqia e ndikimi i tij politik.

Gjeneza e problemit daton nga Kosova e pasluftës, tek hendeku i madh i spektrit politik mes pacifistëve e krahut të luftës. Ndërkombëtarët, që morën administrimin e Kosovës, u përpoqën të krijonin formulë të ndërtimit të institucioneve, që do të impononte dialog. Ashtu u dizajnua edhe sistemi i zgjedhjes së Presidentit nga Legjislativi. Kërkoheshin votat e dy të tretave të deputetëve në dy raundet e para të votimit dhe nëse shkohej në raundin e tretë zgjedhja bëhej vetëm me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Kjo, që të imponohej arritja e një konsensusi mes forcash politike rreth një personaliteti që i përbashkon. Ky sistem i përzgjedhjes u bart nga Korniza Kushtetuese në Kushtetutën që kemi sot.

Ajo që ndodhi është se krahu i paqes dhe ai i luftës u bënë bashkë. Por, veç sa për t’i ndarë përfitimet nga pushteti me qëllim të përforcimit politik dhe individual. Asnjëherë nuk u gjet motiv për t’u unifikuar rreth një ideje a qëllimi nga ku nuk do të fitohej diçka në shkëmbim; apo, siç është rasti i presidentit, rreth një personi përzgjedhja e së cilit nuk do të përkthehej në interes politik.

***

Historia e presidentëve të Kosovës është laramani pazaresh politike:

  1. Viti 2001 (LDK presidentin – PDK kryeministrin) Ibrahim Rugova;
  2. Viti 2004 (LDK presidentin – AAK kryeministrin) Ibrahim Rugova;
  3. Viti 2007 (LDK presidentin – PDK kryeministrin) Fatmir Sejdiu;
  4. Viti 2011 (AKR presidentin – PDK kryeministrin) Behgjet Pacolli;
  5. Vitit 2011 (Një zyrtare policore përzgjedhur nga ambasadori Dell – reformë zgjedhore që kurrë nuk ndodhi) Atifete Jahjaga;
  6. Viti 2016 (PDK presidentin – LDK kryeministrin) Hashim Thaçi.

Por, rëndësia e postit të presidentit asnjëherë nuk ka qenë më domethënëse për popullin e Kosovës se sot. Në zgjedhjet e 6 tetorit u votua për ndryshim. Partia që nuk ka qenë asnjëherë në pushtet doli e para - Vetëvendosja. E dyta, partia që në legjislacionin e fundit qe në opozitë - LDK. Dhe në fund mbetën ato që i kanë pasur institucionet në dorë së fundmi dhe më së gjati– PDK, AAK, Nisma.

Shpresat e ndryshimit u mbështetën te bashkëqeverisja VV-LDK. Por më shumë se dy muaj pasi që populli foli nuk ka marrëveshje koalicioni. E shquar historikisht për pazare me presidentin, LDK-ja nuk ka dalë nga ky inercion duke e bërë edhe tani pikërisht këtë post problemin kyç të realizimit të vullnetit të votuesve. Kjo ndonëse edhe për më shumë se një vit kjo pozitë është e zënë nga njeriu që pikërisht LDK-ja e ka ngritur aty. Dhe kjo krijon një situatë edhe më absurde. Tani LDK-ja kërkon garanci nga VV-ja se 29 deputetët e saj më 2021 do ta votojnë kandidatin e saj për President, ashtu si më 2016 PDK-së ia ka garantuar LDK-ja votën e deputetëve të vet. Por, asokohe deputetja e LDK-së që e ka nxjerrë partinë faqebardhë në këto zgjedhje, nuk iu pati bindur pazarit të kreut të LDK-së. Ka shfrytëzuar të drejtën që ia jep Kushtetuta për të pasur pavarësi në vendimmarrje ashtu siç mund ta shfrytëzojë çdo deputet tjetër, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Kreu i LDK-së, që më 2016, në shkëmbim të pozitës së kryeministrit bëri çmos t’i detyronte deputetët e partisë së vet për ta votuar Thaçin president, sot po bën çmos që në shkëmbim të marrëveshjes për koalicion ta sigurojë pozitën e presidentit. Por, ai e di më së miri sa është e vështirë të bindet një deputet të votojë kundër asaj që beson. Andaj edhe kushti i tij drejtuar sot VV-së më shumë duket lojë e tij për të dalë sa më fitimtar në pazarin për pushtet, sesa diçka që në vërtetë ai beson.

Ndonëse këtë kusht e sheh në kundërshtim me parimet e veta, Vetëvendosja është para një zgjedhjeje të madhe. T’i bashkohet tangos, apo jo. Nëse i bashkohet, ia plotëson dëshirën LDK-së për t’u ndier fitimtare dhe e çon deri në fund vullnetin e votuesve që kërkojnë ndryshimin. Ky mbase do të jetë edhe vendimi i parë i rëndësishëm i kësaj partie në rrugën e vet të pushtetit. Përgjatë saj gjërat mund të ndryshojnë, përfshirë aty edhe kushtet, edhe Kushtetutën!

[email protected]