Kur në pushtet të jenë të fortët, le ta çojnë stadiumin në Drenas, e kur atë e marrin institucionalistët, me një të shtyme mund ta çojnë e ta parkojnë në Bërnicë. Dhe premtimi i politikanëve do të ishte kështu, pak a shumë: “stadiumin do ta mbajmë të paktën për dy mandate në Drenas”, ose “stadiumin do ta kthejmë aty ku e ka vendin, në Bërnicë”
Kosova është e veçantë në shumëçka, pse të mos e ketë edhe një stadium të tillë? Me rrota, si shembull. Kur në pushtet të jenë të fortët, le ta çojnë stadiumin në Drenas, e kur atë e marrin institucionalistët, me një të shtyme mund ta çojnë e ta parkojnë në Bërnicë.
Dhe premtimi i politikanëve do të ishte kështu, pak a shumë: “stadiumin do ta mbajmë të paktën për dy mandate në Drenas”, ose “stadiumin do ta kthejmë aty ku e ka vendin, në Bërnicë”.
Ka edhe mundësi të tjera. Stadiumi mund të bëhet edhe si ato autoambulancat që shkojnë nga qyteti në qytet për të mbledhur gjak. Kjo mund të jetë ide për një parti të tretë, kur nesër të marrë frenat e vendit.
Tifozët, me të drejtë do të habiteshin.
Tifozi X: “A po shkojmë me shiku ndeshje në stadium”.
Tifozi Y: “Po more. Në cilin qytet është tash stadiumi”.
Tifozi X: “Në Bajë e kishin çu”.
Tifozi Y: “Koka pak larg, por shkojmë”.
Dikush mund të thotë se kjo është tallje. Po, dhe kjo klasë politike e ka hak atë.
* * *
Në tetor janë mbushur fiks pesë vjet nga premtimi i Qeverisë së kohës për ndërtim të stadiumit kombëtar, që do të plotësonte nevojat e përfaqësueseve të futbollit, por edhe të tifozëve të shumtë. Për këtë temë është shkruar dhjetëra herë dhe as që e kisha në mend të merresha me të, sidomos jo në këtë numër festiv. Por një propozim i fundit nga një parti që pritet të bashkëqeverisë me vendin në vitet e ardhshme, meriton pak më shumë vëmendje. Dhe, kritikë.
Stadiumi, sipas premtimit bazë, do të duhej të ishte kryer tash e sa kohë. Dhe, në rrethana normale, në çfarë nuk është Kosova, zyrtarët përgjegjës të stadiumit në planet për vitin e ardhshëm do të mendonin t’i bënin një freskim, të gëlqerosnin muret e brendshme pas një stinori plot ndeshje e aktivitete të tjera. Të ndërronin ndonjë ulëse të thyer.
Por kjo është larg të ndodhë. Ish-kryeministri Hashim Thaçi, në një nga mbledhjet e fundit në atë post, në fund të 2014-s, kishte premtuar stadium të ri. Ishte quajtur kombëtar. U tha se projekti do të realizohej brenda tre vjetësh, pra më 2018-n do të ishte i hapur për përfaqësuesen dhe tifozët “dardanë”.
Ajo qeveri ra shpejt. Erdh tjetra në dhjetor të 2014-s në krye me Isa Mustafën dhe projektin e përqafoi si prioritet. Ministri i Sportit i asaj kohe, Kujtim Shala, tha se janë ndarë paratë për hapat e parë për ndërtimin e stadiumit: si për shpronësim të tokës, studim fizibiliteti dhe hartim të projektit. Ajo lopata e parë me beton ishte premtuar se do të hidhej gjatë 2015-s. Si lokacion ishte caktuar Bërnica e Poshtme në afërsi të Prishtinës.
E kur muajt po kalonin e nuk po bëhej asgjë, nisën të shpikeshin debate të kota: si “Si duhet të quhet arena kombëtare”, apo “Cilit stadium në Evropë duhet t’i ngjajë”. Qeverisë, natyrshëm i pëlqente ky shpërqendrim i tifozëve, mbi të gjitha taksapaguesve. Më pas pati një “flirtim”, bazuar në raportet e zyrtarëve kosovarë me Qeverinë hungareze. Tregonin se si hungarezët janë të gatshëm të ndërtojnë stadiumin për 14 muaj, të japin kredi me afat kthimi për 10 vjet dhe pa interes. Ofertë, pos me qenë nga Qeveria e Shqipërisë. Por me gjasë për pak janë prishur në këtë pazar. Ndoshta edhe për ngjyrën.
U harrua edhe kjo. Ra edhe Qeveria e Mustafës. Erdhi Qeveria PAN.
Dikasterin që do të duhej të merrej me stadiumin, MKRS-në, e mori Kujtim Gashi.
Loja vazhdoi, por ndërroi ritëm. Shpejt u mor vendim që të ndërrohet lokacioni. Nga Bërnica të zhvendoset në Korroticë të Drenasit: Arsyetimi ishte perlë: “lokacioni është midis Kosove”. Plus kishte përkrahjen e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për këtë. Ai bile doli e bëri një lojë në lëndinat ku po mendohej të ngrihej stadiumi. U krye edhe kjo punë. U vendos për Korroticën.
Qeveria harroi Hungarinë, iu kthye Turqisë. Nga një studio dizajni në këtë vend erdhi projekti ideor. U prezantua me pompozitet në Muzeun Kombëtar. Dukej sikur po bëhej inaugurimi i stadiumit, e jo më një punë procedurale që do të duhej të ishte kryer shumë kohë më parë. Për projektin ideor u ndanë mbi një milion euro.
Dhe, tash kur me të drejtë po pritej të hidhej ajo lopatë me beton, si shenjë për nisjen e punëve, ra edhe një Qeveri.
Një prej dy partive fituese të zgjedhjeve të tetorit, e që mëton të udhëheqë me vendin, shpejt doli me idenë që stadiumi të mos bëhet në Korroticë të Drenasit, por në Bërnicë të Poshtme, aty ku ishte planifikuar më herët. Arsyetimi: “është më afër kryeqendrës”. E as “afërsia me kryeqendrën”, e as “midisi i vendit”, në këtë rast Kosovës, nuk janë kritere të UEFA-s e FIFA-s për stadiume.
Por, meqë jemi futur në këtë valle, po e hedhim atë.
* * *
Nuk dihet nëse Qeveria e ardhshme do “ta kthejë” stadiumin në Bërnicë. Por ajo çka dihet është se mjete nuk ka. Apo të paktën në asnjë planifikim buxhetor nuk ka ndarje të milionave për stadiumin. Në kuadër të lojës së fjalëve është thënë se do të kushtojë rreth 50 milionë euro. E duke parë që së fundi është shterur edhe Fondi Rezervë i vendit për qëllime krejt të tjera, është shumë optimiste të mendohet se do të ketë para për stadiumin.
Në fakt, para ka, por ato duhet çuar në luks të shfrenuar, si dreka, darka, mëditje, bileta avioni, hotele me pesë yje e ngjashëm.
Qeveria PAN, që ka rrëzuar veten muaj më parë, gjatë mandatit të saj është detyruar t’ia paguajë mbi 50 milionë euro konsorciumit “Bechtel-Enka” si gjobë për vonesa të pagesës së kësteve për autostradën Prishtinë - Shkup. 50 e kusur milionë euro! Rrafsh një stadium modern, i cili po premtohet tash e pesë vjet, ka shkuar në pakthim për pakujdesinë e dikujt apo të ndonjë grupi zyrtarësh, apo për ndonjë inat, apo edhe për ndonjë skenar që nuk e dimë.
Janë edhe shumë mënyra se si do të financohej ndërtimi i stadiumit. Një pa rrota, të merremi vesh, pasi nuk kemi nevojë për cirk lëvizës, edhe pse kjo punë po ngjan me të.