OpEd

Një skicë: dhjetë sugjerime Qeverisë së re për dialogun

Sikur të mos kishin kaluar dhjetë vjet, Kosova me Qeveri të re sërish ballafaqohet me “dialogun”. Ja disa pika për debat.

Dhjetë vjet pas fillimit të “dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë, Qeveria e re e Kosovës sërish ballafaqohet me këtë çështje, madje si të mos kishin kaluar dhjetë vjet. Ja një skicë prej dhjetë sugjerimesh që mund të shërbejnë si përkujtues për punë të mëtejme në Qeveri, opozitë e ekspertë të shoqërisë civile.

1. Pamjaftueshmëria:

Procesi i dialogut, i filluar para dhjetë vjetësh, ka sjellë përparime në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por nuk e ka ndryshuar natyrën e marrëdhënieve mes dy shteteve. Serbia në mënyrë konsistente ka pohuar se nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës ndonjëherë, gjegjësisht se e mohon ekzistencën e Kosovës dhe të drejtën e saj për ekzistencë. Ky deklarim është i ndërlidhur me konceptin (deri tani të dështuar) të lehtësimit të BE-së që të zhvillojë negociata për tema të ndara me supozimin se palët do të pajtohen eventualisht dhe të vendosin marrëdhënie ndërshtetërore e të fqinjësisë së mirë. Rrjedhimisht, nuk ekziston ende asnjë ndryshim strukturor a në premisa që e bën procesin ta kalojë pragun e pamjaftueshmërisë.

Pra, duhet bërë rivlerësimin e procesit dhe marrëveshjeve në mënyrë që të jepen propozime për përparimin e procesit negociator, duke sugjeruar edhe nevojën për parimet transatlantike për vazhdimin e një procesi të përforcuar negociator, gjithnjë në bazë të mandatit UN GA 64/298 dhe duke marrë parasysh njëkohësisht përcaktimin e Serbisë për mosnjohje të Kosovës.

2. Konteksti i ndryshuar për Kosovën atlanticiste:

Gjatë dhjetë vjetëve të procesit negociator bota rreth Kosovës dhe Evropës ka ndryshuar. Rusia për NATO-n ka kaluar prej “partnerit strategjik”, kur filluan negociatat Kosovë-Serbi, në “rival sistemik” sot. Rusia është sot e angazhuar drejtpërsëdrejti kundër shtrirjes së Evropës atlanticiste, dhe Pavarësia e Kosovës e mundësia që Kosova të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së (ndërsa Serbia e BE-së) janë mu në qendër të shtrirjes së Evropës atlanticiste. Dialogu është sot çështje parësore e politikës së sigurisë e kombinuar me atë të jashtme dhe duhet të përqendrohet në nevojën e Kosovës për kontekstin e sigurisë kolektive evropiane, që për Kosovën nënkupton ombrellën e NATO-s.

3. Platforma euroatlantike kërkon SHBA-në:

Ndarja mes SHBA-së dhe BE-së gjatë dhjetë vjetëve të kaluar demonstroi jo vetëm mungesën e duhur të përparimit në negociata, por edhe mundësinë serioze të dëmtimit të procesit si të këtillë (këmbimi i territoreve me z.Mogherini, procesi paralel negociator amerikan i ambasadorit Grenell). Rikthimi i SHBA-së në “dialogun” e Brukselit, në një platformë të përbashkët e në kushte të reja, për Kosovën është e nevojshme në kuadër të nevojës së Kosovës për të adresuar të dyja proceset, pra anëtarësimin në NATO dhe atë në BE. Përcaktimi i Kosovës në dialog bëhet edhe kut matës për fqinjësi të mirë, në kuadër të aderimit në NATO.

4. Shpërputhja juridike:

Kosova ka nënshkruar marrëveshje në Bruksel, siç ishte ajo për Bashkësinë e komunave serbe, që krijoi një sërë shpërputhjesh juridike me sistemin kushtetues të Kosovës (rrafshi i tretë i pushtetit, asimetria e natyrës kontraktuale mes Kosovës dhe Serbisë). Implementimi i këtyre marrëveshjeve është i pamundur brenda sistemit të tanishëm juridik të Kosovës, rrjedhimisht mund të bëhej në eventualitetin e një sistemi tjetër kushtetues-juridik të Kosovës. Dialogu nuk mund të mbështetet, pra, në parakushtin se fillimisht duhet të “implementohen të gjitha marrëveshjet”.

5. Rishikimi dhe harmonizimi evropian:

Kosova ka ndërmarrë obligime njëpalëshe në emër të mbrojtjes së komuniteteve pakicë, që nga Korniza kushtetuese e deri te marrëveshjet e Brukselit që mund të jenë në kundërshtim me legjislacionin evropian, në këtë rast me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rivlerësimi i tyre në kontekstin e normave juridike evropiane është i nevojshëm për trajtimin e çështjeve të komuniteteve joshumicë në dialog.

6. Të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe funksionaliteti shtetëror:

Procesi i Brukselit ka nxjerrë në tryezë negociatore kërkesën e Serbisë për çështjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, duke u angazhuar për një model të veçantë prej atij apo atyre ekzistues. Kosova duhet të rivlerësojë sistemin e tanishëm të mbrojtjes, duke pasur parasysh të gjitha opsionet, përfshirë edhe ato të kërkuara në negociata nga perspektiva e funksionalitetit të shtetit dhe praktikave më të mira evropiane.

Njëkohësisht, Kosova duhet të vlerësojë të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi dhe të sugjerojë forma eventuale të avancimit të tyre.

7. Shteti laik dhe Kisha ortodokse serbe:

Kisha ortodokse serbe nuk duhet të jetë pikë negociatore në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Që të dyja shtetet e definojnë veten si laike në kushtetutat e veta, rrjedhimisht dialogu për Kishën ortodokse serbe duhet të zhvillohet drejtpërsëdrejti mes Republikës së Kosovës dhe Kishës ortodokse serbe. Republika e Kosovës ka obligim të trajtojë Kishën ortodokse serbe me të njëjtin respekt dhe ndihmë si tri bashkësitë e tjera tradicionale të fesë (Bashkësinë Islame, Kishën katolike dhe Bashkësinë e tarikateve).

8. Ballafaqimi me të kaluarën:

Gjuha e konfliktit vazhdon në Kosovë dhe Serbi, dhe dialogu duhet ta trajtojë si qendrore temën e madhe të ballafaqimit të së kaluarës në dimensionet e veta të ndryshme. Ballafaqimi me të kaluarën duhet të trajtojë fatin e të zhdukurve dhe përgjegjësinë juridike për këtë, si dhe drejtësinë transicionale dhe pasojat juridike që dalin nga ajo. Ekziston nevoja për kulturën e paqes, duke e trajtuar të kaluarën në formë të përbashkët, kritike dhe transformative.

9. Bashkëpunimi regjional WB6:

Ideja e një hapësire të katër lirive evropiane në atë që përbëjnë WB6, gjashtë shteteve të barabarta të Ballkanit Perëndimor mund t’u ndihmojë jo vetëm në lehtësimin për komunikimin mes vendeve, por edhe në përshpejtimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kosova mund ta fuqizojë procesin e bashkëpunimit regjional, si në suksesin e dialogut me Serbinë ashtu edhe me idetë e veta brenda WB6.

10. Legjitimiteti:

Kosova ka për herë të parë mundësinë që të ketë një Qeveri stabile, e dalë nga vota e qytetarëve e me mandat të qartë qeverisës. Kosova po ashtu ka për herë të parë mundësi të hyjë në proces “dialogu”, që është i ndarë nga ai i Gjykatës Speciale (dhe proceseve të ndërlidhura si marrëveshjet për këmbime territoriale e amnesti nga krimet e luftës, p.sh.). Qeveria duhet të shfrytëzojë këtë avantazh për ta zgjeruar edhe më legjitimitetin me përfshirjen e opozitës brenda procesit negociator.

(Këto dhjetë pika janë paraqitur në “Forumin 2015”, SI TUTJE ME DIALOGUN?)