OpEd

Një shoqëri pa pranga

Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës i jep fund një padrejtësie shumëvjeçare dhe e afron shoqërinë kosovare edhe më shumë me Europën. Ky është lajmi më i mirë për Kosovën që nga viti 2010

Më 1991 kriza jugosllave u shndërrua në luftë dhe kësisoj nisi procesi i shpërbërjes së shtetit shumëkombësh që s’kishte më perspektivë. Më 1 janar 1992 qeveria e Zvicrës mori vendim për vendosjen e vizave për tërë Jugosllavinë e atëhershme. Njëjtë vepruan edhe shtete të tjera të Europës. Kjo masë drastike i privoi edhe qytetarët e Kosovës nga liria e lëvizjes në Europë.

Më 1986, për shembull, një student kosovar mund të merrte trenin në Fushë-Kosovë dhe të nisej për Zürich, München apo Paris – pa vizë. Në 30 vjetët e fundit kjo nuk ishte e mundur, andaj në Kosovë u rrit një gjeneratë në geto. Regjimi i vizave ndaj Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë u hoq më 2009. Më 2011 edhe Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina hynë në grupin e shteteve të privilegjuara të Ballkanit.

Kosova mbeti e izoluar. Gabimet e politikës kosovare – polarizimi brutal, qeverisja e keqe, mes tjerash e manifestuar edhe me tenderin e manipuluar të pasaportave, ikja e rreth 100.000 qytetarëve të Kosovës në vitit 2014/15 – nuk duhet minimizuar, por, në thelb, bllokimi i heqjes së vizave ka të bëjë më shumë me tendencën e disa shteteve të BE-së për të ndëshkuar Kosovën dhe për ta ndërlidhur liberalizimin me të ashtuquajturin progres në dialogun tashmë të famshëm me Serbinë. Kosovës iu vendosën vazhdimisht kushte të reja dhe kjo qasje e padrejtë e Brukselit shkaktoi shumë zhgënjim në Kosovë – dhe inspiroi jo pak njerëz për humor të zi, siç mund të vërejmë në mediat sociale prej vitesh.

Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës i jep fund një padrejtësie shumëvjeçare dhe e afron shoqërinë kosovare edhe më shumë me Europën. Ky është lajmi më i mirë për Kosovën që nga viti 2010. Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë theksoi në një vendim historik se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Shumë kosovarë me të drejtë ndihen tani si të liruar nga burgu, duke pritur datën 1 janar 2024 kur do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave.

Për shumë kosovarë e kosovare procesi i marrjes së vizës ishte një përvojë traumatike: betejë dëshpëruese për një termin në sektorin konsullor të ambasadave perëndimore, plotësim i formularëve të panumërt, dëshmi për rezervim të hotelit apo prezantim i ndonjë ftese nga Europa Perëndimore. Kur njeriu i dorëzonte të gjitha këto dokumente, fillonte faza tjetër e ankthit: shpesh kërkesat refuzoheshin në mënyrë arbitrare.

Në vitin 2021 gazetarja italiane, Francesca Borri, tregoi një të vërtetë të hidhur gjatë një debati në Prishtinë: si studente ajo kishte punuar në sektorin konsullor në Zyrën Italiane në Prishtinë.

“Puna ime ishte t’i refuzoja vizat për të gjithë”, tha ajo prerazi. Procedura për marrjen e vizës ishte poshtëruese, sipas saj. “Ambasada ishte në ‘Dragodan’. Ne e kishim të ndaluar të zbritnim poshtë në qytet pasi ju ishit të rrezikshëm. (...) Për të aplikuar për viza ju duhej të caktonit një takim. Puna ime ishte të qëndroja në katin e parë. Përgjigjesha në telefon dhe palës i thosha: ‘Jeni gabim, duhet të thirrni në numrin tjetër. Në tjetrin thuhej ‘ju duhet të bëni një takim dhe ky nuk është numri i duhur’”. Për Francesca Borri kjo situatë ishte e patolerueshme, andaj braktisi punën në Prishtinë dhe u bë gazetare nga vatrat e krizave.

Përveç nervave regjimi vizave u ka kushtuar kosovarë edhe shumë para. Supozohet se në 20 vjetët e fundit ata kanë paguar rreth 180 milionë euro tarifa të vizave. Kosovarët u trajtuan si europianë të rendit të dytë, ndërkohë që edhe vendeve si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, të cilat sa i përket sundimit të ligjit assesi nuk janë para Kosovës, iu hoq barriera e vizave.

Në kuptimin jo vetëm simbolik shoqërisë së Kosovës nga janari 2024 do t’i hiqen prangat. Por autoritetet e Kosovës që tani duhet të informojnë qytetarët se liberalizimi i vizave nuk nënkupton të drejtën e punësimit në vende të Schengenit. Çdo person që posedon pasaportë biometrike mund të qëndrojë në zonën e Schengenit më së shumti 90 ditë brenda 6 muajve. Të lejuara janë vizitat turistike, familjare dhe biznesore. A do të ketë keqpërdorime? Nuk përjashtohet kjo mundësi. Ndokush do të punojë “në të zezë”, familje kosovare në diasporë do të marrin shërbëtore nga Kosova për t’u kujdesur për fëmijët apo pastruar banesat a shtëpitë (një gjë e tillë ndodh prej vitesh me gra e vajza nga Shqipëria).

Keqpërdorimi i liberalizimit mund të ketë konsekuenca. Nga viti 2013 BE ka mundësi të pezullojë lirinë e lëvizjes nëse një shtet nuk i plotëson më kushtet. Serbia e ka keqpërdorur lirinë e lëvizjes në mënyrë permanente viteve të fundit: për shembull duke hequr vizat për shtetas të Indisë, Iranit, Burundit apo Tunizisë. Qytetarë të këtyre vendeve kanë ardhur në Serbi dhe nga aty kanë vazhduar rrugën e emigrimit ilegal në Europën Perëndimore. Pas presionit nga Brukseli qeveria në Beograd ka vendosur të rikthejë regjimin e vizave ndaj atyre shteteve që Serbia i kishte shpërblyer për shkak se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.