Pozicioni i lidershipit vendor për Asociacionin
Marrëveshja për Asociacionin nga viti 2013 ishte bërë çështja më kundërthënëse në skenën politike kosovare. Derisa Qeveria e Kosovës këtë trupë e shihte vetëm si një forum të komunave me shumicë serbe që kishte për qëllim thithjen e donacioneve ndërkombëtare dhe që duhet të jetë i ngjashëm me Asociacionin e komunave të Kosovës, opozita e vendit, fillimisht VV dhe më pas edhe AAK dhe NISMA, ishin kundërshtarë të vendosur të kësaj marrëveshjeje.
Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, pas një takimi në Bruksel me homologun e tij serb më 5 dhjetorit 2013, kishte deklaruar se nuk do të ketë as Republikë serbe, as autonomi e as pretendime për ndarje territoriale të Kosovës dhe se Asociacioni i komunave serbe në asnjë rrethanë nuk do të ketë karakterin ekzekutiv apo legjislativ.
“Ky organizëm, statutin, formën, organizimin dhe funksionimin duhet dhe do t’i ketë plotësisht në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel. Kështu që çdo pretendim tjetër apo çdo interpretim për një funksionim tjetër do të jetë i papranueshëm dhe i parealizueshëm. Ky është qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe i Bashkimit Evropian.” (REL, 4.12.2013).
VV: Dita më e zezë për Kosovën që nga viti 1999
Ndërkaq, derisa subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i kishte dhënë mbështetje Marrëveshjes së 19 prillit, Vetëvendosja, nga ana tjetër, përmes një kumtese dërguar mediave, theksonte se Marrëveshja e arritur në Bruksel ishte “marrëveshje personale e Thaçit dhe ajo nuk duhet të bëhet edhe marrëveshje e Kosovës me Serbinë. Me këto 15 pika Prishtina dhe Beogradi zyrtar i ndajnë pushtetin dhe sovranitetin mbi Kosovën. Marrëdhënia ndërmjet shtetit të Kosovës dhe këtij asociacioni serb që u formua nga Thaçi e Daçiqi është e ngjashme me marrëdhënien ndërmjet shtetit të Bosnjës dhe Republika Sërpskas atje. Praktikisht, veriu i Mitrovicës po bëhet si Banjalluka, ndërkaq Graçanica si Pale. Në këtë linjë VV-ja konsideronte se ky ishte dialogu më jotransparent në historinë e Kosovës. Vetëvendosje do të mbetej kritike edhe pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës më 27 qershor 2013, duke e vlerësuar këtë ngjarje si “ditën më të zezë për Kosovën që nga viti 1999”.
Qëndrimi ndërkombëtar
Nga perspektiva aktuale është mirë të shikohet edhe një herë pozicioni i qendrave ndërkombëtare të vendosjes lidhur me Marrëveshjen e vitit 2013 të ndërmjetësuar nga baronesha Ashton, e cila ia doli të përafronte qëndrimet e dy shteteve. Krahas mbështetjes nga 22 vende të Bashkimit Evropian, si dhe 5 vendet mosnjohëse, kjo marrëveshje mori mbështetje nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht mori mbështetjen publike të sekretarit amerikan, John Kerry, si dhe pati edhe një involvim të drejtpërdrejtë të zëvendëspresidentit të atëhershëm Biden.
Jacobson: Të vëmendshëm, që të mos krijohet një Republikë serbe
Ajo që komuniteti ndërkombëtar e kundërshtonte si zgjidhje të mundshme, ishte krijimi i një Republike serbe në veri të vendit. Ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson, më 4 dhjetor 2013 kishte bërë thirrje për të pasur shumë vëmendje që të mos krijohet një Republike serbe në Kosovë. “Unë mendoj se çdo rrezik mund të minimizohet përmes bisedimeve, por mendoj që duhet të jemi shumë më të vëmendshëm që të mos kemi një situatë me një Republikë serbe, “kishte deklaruar ambasadorja amerikane, Jacobson.
Cliff: Pohimet për “Republika Sërpska” në Kosovë janë gjepura
Ndërsa ambasadori britanik, Ian Cliff, në një intervistë për gazetën “Kosova Sot”, më 6 dhjetor 2013, e përjashtonte kantonizimin e Republikës së Kosovës, duke shtuar se komunat serbe nën ombrellën e Kosovës do të qeverisen vetëm sipas ligjeve të Kosovës. Duke u përgjigjur në pretendimet e Beogradit se Bashkësia Autonome e Komunave, Cliff kishte deklaruar: “çdo gjë që është folur për një Republikë Sërpska në Kosovë janë gjepura, të pamenduara, sepse Bosnjë-Hercegovina, e cila është e rrethuar me dy etnitete, të cilat janë bërë në bazë të një marrëveshjeje dhe në një nivel shtetëror, që është ndërtuar në majë të saj, paraqet problem”.
Blomeyer: Asociacioni s’duhet të krijojë Republikën serbe
Edhe për Gjermaninë, Asociacioni i Komunave Serbe duhej të përjashtonte çdo mundësi që të krijohej një etnitet serb i llojit të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. “ Asociacioni i Komunave Serbe duhet të jetë një asociacion me detyra komunale… Ai nuk duhet të jetë një nivel i tretë brenda shtetit dhe nuk duhet të krijojë një entitet serb të llojit të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo përjashtohet shprehimisht”, kishte thënë asokohe ambasadori gjerman, Peter Bloyer.
Në një intervistë për gazetën “Kosova Sot”, 12 dhjetor 2013, Blomayer, deklaron: “Unë nuk besoj që termi OJQ i përshtatet këtij asociacioni, por as nuk do të ketë nivel të tretë të pavarur shtetëror, e as një Republika Sërpska. Ai është instrument për bashkëpunim të komunave në fushat brenda kompetencave të tyre dhe statuti do të duhej të mbështetej në këtë.
Bosch: Nuk sheh shumë rrezik nga krijimi i një entiteti të ri
Edhe ambasadori i Holandës në Prishtinë, Robert Bosch, nuk shihte shumë rrezik nga krijimi i një entiteti të ri politik me formimin e Asociacionit serb. “Ky është një Asociacion i komunave, nuk është një organizatë joqeveritare, por nuk është as entitet i ri. Komunat mund të bashkëpunojnë dhe të delegojnë disa përgjegjësi aktuale, por jo më shumë”, mendonte Bosch.
Nga qëndrimet e mësipërmes, duket qartë se komuniteti ndërkombëtar nuk ishte dakord që një Asociacion i komunave serbe të Kosovës të kishte çfarëdo kompetencash ekzekutive apo legjislative, që do të nënkuptonte pushtetin e tretë apo krijimin e një entiteti politik. Ishte e qartë gjithashtu se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë nuk do të ishte i ngjashëm me një OJQ, por as edhe nuk do të mund të legjitimohet ndërhyrja e Serbisë përbrenda territorit të Kosovës. Si rrjedhojë e qëndrimit refuzues të opozitës dhe e mungesës së përkrahjes brenda partive të pozitës, Asociacioni mbeti në pat pozicion, sidomos edhe pas vlerësimeve korrektuese që do të vinin edhe nga Gjykata Kushtetuese.
(Nesër do të mund të lexoni se si Asociacioni mund të përfundojë në një autonomi të zgjeruar të serbëve, si mund të shpartallohet Pakoja e Ahtisaarit dhe çka rrezikon Kosova)