OpEd

Një shembull 120 vjeç

Në kujtim të një artikulli gazete që ndryshoi botën

Mëngjesi i ditës së enjte, 13 janar 1898, agoi në Paris bashkë me ballinën ndër më të famshmet në historinë e gazetarisë. E përditshmja letrare liberale “L’Aurore” (“Agimi”) në gjithë faqen e saj të parë publikoi letrën e hapur të shkrimtarit Emile Zola, të titulluar “J’Accuse” (“Akuzoj”), me të cilën ai i akuzonte Qeverinë dhe Ushtrinë franceze për dënimin e padrejtë dhe me dëshmi të rrejshme e të fabrikuara ndaj oficerit të Armatës së Francës, Alfred Dreyfus.

Dreyfus, një çifut francez dhe kapiten që shërbeu pranë Shtabit të Armatës franceze, u dënua si spiun gjerman në dhjetor të vitit 1894, por rasti i tij u shndërrua në një skandal politik që zgjati deri më 1906, kur i dënuari i pafajshëm u rehabilitua.

Në 12 vjetët e zgjatjes së saj, “Afera Dreyfus” e ndau Francën në dysh dhe mori vëmendjen e shtypit në gjithë Evropën dhe përtej Atlantikut, në SHBA, derisa rasti nxori në sipërfaqe nivelin e lartë të antisemitizmit jo vetëm në Francë.

* * *

Përkundër shumë momenteve dramatike në aferën që e dërrmoi shoqërinë franceze për më shumë se një dekadë, prej dy gjykimeve të fshehta ushtarake dhe dy-tri të tjera publike, dëbimit të Dreyfusit në ekzil në të ashtuquajturin “Ishull i djallit” në Oqeanin Atlantik, përballë Guajanës franceze, deri te qindra mijëra artikuj gazetash për dhe kundër Dreyfusit, pika kulmore e “Aferës Dreyfus” është “J’Accuse” e Emil Zolas.

Artikulli, i botuar si letër e hapur drejtuar presidentit të atëhershëm të Francës, Felix Faure, tronditi opinionin publik, për arsyen se ngrinte akuza të rënda kundër Qeverisë së vendit. Por tronditja vinte edhe më shumë nga fakti se akuzat bëheshin nga Zola, një shkrimtar natyralist që asokohe ishte në majën e popullaritetit dhe në momentin e shkrimit e publikimit të letrës në “L’Aurore” konsiderohej gjerësisht të jetë ndër intelektualët më të çmuar të Francës.

“Kam vetëm një pasion, atë për dritën, në emër të njerëzisë që ka vuajtur kaq shumë dhe e ka të merituar lumturinë. Protesta ime e nxitur nuk është asgjë më shumë sesa një thirrje e zemrës sime. Kështu që, le të guxojë dikush të më nxjerrë para gjyqit penal, dhe le të ndodhë hetimi i çështjes në dritë të ditës. Unë po pres”, shkroi Zola, duke zbardhur qëllimin e tij të vërtetë: që letra të nxisë autoritetet ta hedhin shkrimtarin në gjyq, dhe që aty e vërteta të dalë në dritë, dhe të përhapet para publikut francez dhe gjithë botës.

Publikimi i letrës me të cilën Zola dilte hapur kundër Qeverisë dhe Armatës franceze dhe rreshtohej në mbrojtje të çifutit të dënuar për spiunim dhe tradhti ia rrezikoi atij karrierën prej shkrimtari, por edhe lirinë. Si pasojë e akuzave që ngriti, Zola u gjykua dhe u dënua me një vit burgim, të cilin nuk e mbajti, meqë e braktisi Francën dhe iku në Angli, ndërsa një pjesë e madhe e publikut francez ia ktheu shpinën për shkak të letrës së publikuar.

Megjithatë, shembulli i Zolas prej një artisti intelektual që nuk e braktis përgjegjësinë e të qenit në anën e së vërtetës, viktimës, së drejtës dhe fjalës së lirë, është një që edhe sot vlen për shoqëritë moderne, si demokracitë, ashtu edhe për ato që janë më pak të lira.

Me “J’Accuse”, Zola në mënyrë praktike demonstroi rolin e një artisti të angazhuar, një njeriu që nuk mjaftohet vetëm të krijojë vlera artistike e estetike, por që merr pjesë plotësisht në përpjekjen kolektive për të ndryshuar shoqërinë, për t’i avancuar vlerat e saj, për të mbrojtur liritë dhe parimet, të drejtën dhe drejtësinë, dhe, para së gjithash, njerëzit e saj. Sidomos ata që bëjnë pjesë në grupe të lëndueshme e minoritare, siç ishte rasti me Dreyfusin.

Një shembull jo veç për gazetari e letërsi.

* * *

Edhe 120 vjet pas publikimit, “J’Accuse” është shembulli sesi mediat dhe intelektualët, bashkërisht, mund ta ndryshojnë botën.

Sigurisht, është i domosdoshëm guximi profesional, përkushtimi ndaj së vërtetës dhe drejtësisë, sikur edhe vetëdija se shoqëria dhe shteti lehtë, shumë lehtë, shmangen nga rruga e demokracisë, lirisë e drejtësisë, dhe zhyten në pellgun e padrejtësisë, tiranisë së shumicës, autokracisë, diktaturës dhe represionit.

Si në Francë, ashtu edhe në Kosovë, si në mëngjesin e 13 janarit 1898, ashtu edhe sot – fjala e lirë është qenësore për lirinë e gjithë shoqërisë.

[email protected]