Mungesa e molisur e një leve të Perëndimit ka nxitur diplomatët e SHBA-së dhe BE-së që ta mbështesin një plan të ndarjes – një “shkëmbim territori” në Kosovë – që ka minuar vetë parimin e bashkëjetesës demokratike në të cilin bazohet stabiliteti i të gjithë rajonit. Washingtoni dhe Brukseli kanë ecur tutje nga shkëmbimi i territoreve, por shkëmbimi i territoreve nuk ka ecur tutje prej tyre
Përse është Ballkani ende një batak, edhe 20 vjet pas luftimeve të fundit serioze? Përse është rajoni që e gëzon një privilegj unik – shtegun drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s – ende nën kthetrat e liderëve etno-nacionalistë që haptas bëjnë thirrje për një version të azhurnuar të “Serbisë së Madhe” dhe “Shqipërisë së Madhe”? Përse është Rusia kaq lehtësisht në gjendje t’i përjetësojë ndasitë e rajonit dhe si është Kina në gjendje ta gjejë një tokë të tillë të pëlleshme për projektet e saj gërryese.
Me një fjalë, problemi është te leva. Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian u mungon leva për ta mbyllur çështjen e Kosovës, e cila ka nxitur shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë. Paaftësia për ta mbyllur këtë çështje e ka lënë jo vetëm Kosovën që të lëngojë në harresë, por gjithashtu edhe Serbinë. Çështja e pazgjidhur e Kosovës i ndërlikon përplasjet tripalëshe në Bosnjë-Hercegovinë dhe aftësinë e Malit të Zi për ta gjetur një formulë të qëndrueshme për serbët dhe malazezët që jetojnë bashkërisht në një shtet të pavarur. Çështja e Kosovës depërton madje deri në marrëdhëniet e Serbisë dhe Kroacisë, një vend ky që e ka gjetur recetën për anëtarësim në NATO dhe BE.
Ekziston një mënyrë për ta rivendosur levën perëndimore po qe se politikëbërësit i kuptojnë kostot e plota dhe kotësinë e sjelljes aktuale e të qëllimshme, si dhe nevojën për gjetjen më në fund të një alternative. Alternativa nuk e kërkon ndryshimin e qëndrimeve bazike të ndonjë prej shteteve të BE-së kundruall Kosovës. E kërkon riadresimin e ndasive të brendshme të BE-së për Kosovën – thelbi i të gjithë ngecjes rreth Ballkanit.
Për shkak se pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, Perëndimit më shumë “i duhet” Serbia sesa që Serbisë i duhet Perëndimi. Ky çekuilibër është produkt i qëndrimeve të mbajtura nga Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja – e jo nga vetot e Rusisë dhe Kinës rreth anëtarësisë së Kosovës në OKB. Me njohjen unanime të Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së dhe NATO-s, Kosova do ta kishte një shteg të pavarur, së pari drejt Aleancës dhe më pas drejt anëtarësimit në BE. Anëtarësimet në NATO dhe në BE janë larg më të rëndësishme për Kosovën sesa anëtarësimi në OKB, që nuk është parakusht për anëtarësim në Aleancë apo Bllok. Kur Kosovës t’i ofrohet një shteg i pavarur drejt personalitetit ndërkombëtar, vetot ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit do të bëheshin faktikisht të pakuptimta. Në vend të papajtueshmërisë dhe kërkesave dorështrënguara, Serbia do ta gjente rrugën e saj drejt një marrëveshjeje dinjitoze, stabilizuese me Kosovën, të negociuar nën kujdestarinë e BE-së, me anë të angazhimit aktiv të SHBA-së.
Mjerisht, bllokada vënë Kosovës nga pesëshja e BE-së/katërshja e NATO-s (Qiproja nuk është anëtare e NATO-s) ia dorëzon levën Beogradit. Leva serbe mbi Kosovën ka gjymtuar strategjinë perëndimore dhe ka nxitur një dinamikë të rrezikshme. Qeveria më antidemokratike e rajonit dhe partnerja strategjike e Rusisë dhe Kinës – regjimi në Serbi i prirë prej presidentit Aleksandar Vuçiq – e merr trajtimin më të favorshëm. Në kundërshti të synimeve të administratës së Bidenit për promovimin e demokracisë dhe në kundërshti të mësimeve të betejës së vazhdueshme ndaj forcave antidemokratike në SHBA, zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë vazhdojnë ta lavdërojnë në mënyrë të vazhdueshme regjimin e Vuçiqit, në vend se ta mbajnë atë përgjegjës. Muajin e shkuar, një zyrtar i shquar perëndimor përsëri e lartësoi Beogradin si “liderin politik dhe ekonomik të rajonit”.
Në vend që të trimërojë reformën, lutja ndaj qeverisë serbe e dekurajon opozitën demokratike dhe e pajis regjimin me legjitimitet – një synim ky i nevojshëm për të gjitha regjimet joliberale. Akademikët dhe aktivistët serbë të demokracisë e kuptojnë këtë gjë.
Një shkrim i 2019-s nga profesori Dushan Pavloviq e ekspozon karakteristikën formuese të regjimit të Vuçiqit: revizionizmin e tij. Sipas Pavloviqit “...agjentët politikë të epokës së Milosheviqit, të cilët janë kthyer në detyrë (më 2012), e kanë nisur një përmbysje institucionale (dhe) synimi i tyre ishte që të ktheheshin në vitet ‘90, drejt një versioni më radikal të autoritarizmit elektoral”.
Pavloviq përshkruan se si regjimi e zbaton një strategji të “ekstraktimit institucional” për përmbysjen sistematike të institucioneve shtetërore, duke i kapur kësisoj pushtetin dhe resurset për të dominuar mbi median dhe për ta kontrolluar narrativën kombëtare. Partitë opozitare dhe aktivistët demokratikë janë të margjinalizuar dhe shpesh të frikësuar, duke i shndërruar kësisoj zgjedhjet kryesisht në farsë. Pavloviq shpjegon se mashtrimi – iluzioni i një gare të përnjëmendtë zgjedhore – është thelbësor për një regjim joliberal, në ruajtjen e fasadës së tij të demokracisë.
Roli i Perëndimit është që të shohë përtej këtij kamuflazhi të regjimit, duke e ekspozuar fasadën dhe duke e mbajtur qeverinë përgjegjëse për zotimin e deklaruar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në vend të kësaj, zyrtarët po e fuqizojnë kartën e farsës, përfshirë edhe “baraspeshën” e rrejshme të presidentit Vuçiq midis vendeve evropiane dhe kundërshtarëve të tyre rusë dhe kinezë. Një çekuilibër i rrezikshëm është krijuar aty ku vendet që e kanë pranuar rendin perëndimor janë vënë nën vëzhgim larg më të madh për korrupsionin dhe etno-nacionalizmin e tyre sesa akteri që haptas është duke e azhurnuar “Serbinë e Madhe” të Milosheviqit, duke e promovuar modelin autoritar të një linje me Moskën dhe Pekinin. Qeveria serbe nuk është “rob” i këtyre fuqive; përqafimi proaktiv i tyre prej anës së saj është i bazuar në vlerat dhe karakterin e përbashkët, sikurse edhe përfitimet e përbashkëta. Beogradi i ka ofruar mbështetje politike Rusisë (rreth Krimesë) dhe Kinës (lidhur me Hong-Kongun dhe Xinjiangun). Ndër përfitimet e tjera, Serbia ka siguruar material për fuqizimin e saj të stërmadh ushtarak. Nuk është e qartë se si vlerat e bashkëpunimit të kahershëm ushtarak me SHBA-në janë absorbuar. As nuk është e qartë se si kandidimi i Serbisë për BE, i iniciuar nga qeveria aktuale më 2013, ka ndryshuar vlerat e regjimit. Çrrënjosja e demokracisë serbe ka rastisur me kandidimin e saj në BE. Në ndërkohë, në regjimin fqinj të prirë prej kryeministrit hungarez, Viktor Orban, regjimi i Vuçiqit ka gjetur një model joliberal, një mentor dhe aleat përbrenda BE-së.
Mungesa e molisur e një leve të Perëndimit ka nxitur diplomatët e SHBA-së dhe të BE-së që ta mbështesin një plan të ndarjes – një “shkëmbim territori” në Kosovë – që ka minuar vetë parimin e bashkëjetesës demokratike, në të cilin bazohet stabiliteti i të gjithë rajonit. Washingtoni dhe Brukseli kanë ecur tutje nga shkëmbimi i territoreve, por shkëmbimi i territoreve nuk ka ecur tutje prej tyre.
Iluzioni i një strategjie të zbatueshme perëndimore ka shpërthyer muajin e shkuar, me publikimin e një tjetër skeme etno-territoriale, në këtë rast për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. I denoncuar kudo përgjatë Atlantikut, “non-paperi” ka përçuar dridhje të vazhdueshme përreth rajonit dhe përgjatë Evropës rreth potencialit të një konflikti të ri. Vetë kumbimi është një dëshmi e krizës në besim – ndjenjës së kudondodhur se strategjia perëndimore për Ballkanin është duke dështuar. Dështimi i BE-së në shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe diplomacia e suksesshme e Serbisë me vaksina përbën një tjetër goditje për modelin evropian dhe një shtysë drejt alternativës joliberale.
Mospranimi i “non-paperit” slloven prej anës së SHBA-së dhe BE-së, si dhe riafrimimet e fundit për integrimin evropian të Ballkanit, do të gjenerojnë të arritur të paktë për aq kohë sa nuk ndryshojnë bazat. Për aq kohë sa Perëndimit do t’i duhet ta lusë Beogradin për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, farsa joliberale e regjimit do të vazhdojë dhe dialogu i prirë prej BE-së midis Kosovës dhe Serbisë do të çapitet. Për aq kohë sa dobësia e Perëndimit – ndasitë përbrenda vetë BE-së rreth pavarësisë së Kosovës – nuk adresohet, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja do të kenë telashe që ta mbyllin çështjen e Kosovës dhe ta avancojnë strategjinë perëndimore në vendet fqinje, si dhe në vetë Serbinë. Kurrfarë përpjekjesh suplementare, përfshirë “normalizimin ekonomik” dhe qasjen e “Mini-Schengenit” të përkrahur nga presidenti Vuçiq, nuk do ta zëvendësonin mungesën rrënjësore të një leve të Perëndimit.
Dy parime unanime, një standard i sjelljes
Për t’u dhënë kuptim riafirmimeve të tyre për integrim evropian dhe euroatlantik, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të thirren në mjetet për angazhim me Serbinë në të njëjtin nivel siç Brukseli dhe Washingtoni angazhohen me fqinjët e Serbisë. Ky moment i ngatërresës së pazakontë evropiane është mundësi që administrata me përvojë e Bidenit t’i prijë të gjithë partnerët e tij evropianë – përfshirë edhe pesëshen e BE-së (dhe katërshen e NATO-s) që nuk e njohin Kosovën – me qëllim të krijimit të një standardi bazik të sjelljes për të gjitha gjashtë vendet e rajonit që e aspirojnë BE-në. Ky standard buron prej një kushti të drejtpërdrejtë: luftërat në rajon kanë marrë fund. Ndjekja e vazhdueshme e këtyre luftërave prej vendeve aspiruese, duke përdorur mjete politike, më nuk mund të tolerohet.
Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, ka bërë zotime zyrtare për të mos e penguar shtegun evropian të vendeve aspiruese. Ka ardhur koha që t’u kërkohet t’i përmbahen këtij zotimi. Me partnerët e tij evropianë, Washingtoni mund ta katalizojë një marrëveshje unanime të të dy parimeve koncize – njëra e formalizuar nga BE-ja dhe tjetra nga NATO. Këto dy parime plotësuese – të komunikuara fillimisht dhe specifikisht në Kosovë dhe Serbi – do ta përjashtonin agresionin politik të manifestuar si nga Serbia me “fushatën e mosnjohjes së Kosovës”, ashtu edhe nga promovimi në Kosovë i “bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”. Që të dyja janë forma të patolerueshme të luftës me mjete të tjera. “Fushata e mosnjohjes” është një akt i izolimit ndëshkues dhe i armiqësisë kundrejt Kosovës, ndërsa përbën shkelje të vetë zotimeve të deklaruara të Serbisë. Fushata përkon me kërcënimin për izolimin e Kosovës edhe në vazhdën e një zgjidhjeje politike, si dëshmi e mosbesimit të Serbisë në dialogun e udhëhequr nga BE-ja.
“Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë” është agresion kundër Serbisë dhe serbëve të Kosovës. “Bashkimi” përbën gjithashtu shkelje të zotimit të Shqipërisë bërë aleatëve të saj në NATO dhe t’i dëmtonte në mënyrë të pariparueshme aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Parimi i ri i BE-së do të hartohej përgjatë këtyre linjave, për t’i mbrojtur qëndrimet e pesëshes së BE-së: “Përveç zotimeve të deklaruara në Aneksin 3 të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë dhe në përputhje me normat e Bashkimit Evropian, asnjë vend aspirues i BE-së që e ka të formalizuar kandidimin apo ka marrëdhënie partneriteti me BE-në – pa marrë parasysh nëse e njeh apo jo një aspirues tjetër të BE-së me një marrëdhënie të tillë – nuk mund ta bllokojë përparimin e aspiruesve të tillë të BE-së në shtigjet e tyre respektive drejt BE-së. Dhe as ndonjë aspirues i BE-së nuk duhet të angazhohet në akte të agresionit kundër ndonjë aspiruesi tjetër të BE-së”.
Parimi i ri i NATO-s do të hartohej përgjatë këtyre linjave, për t’i mbrojtur qëndrimet e katërshes së NATO-s dhe të llogarisë në faktin se Kosova ka marrëdhënie të formalizuara me NATO-n, siç Prishtina ka me BE-në: “Aktet që e dëmtojnë zotimin e aleatëve të NATO-s, siç janë kërcënimet apo aktet që i ndryshojnë kufijtë e aleatëve të NATO-s, kërcënimet apo aktet që i ndryshojnë kufijtë e aspiruesve të NATO-s apo kërcënimet dhe aktet që i shkelin zotimet formale të NATO-s aty ku ajo e vazhdon një operacion të mbështetjes së paqes, nuk janë në pajtueshmëri me parimet e Traktatit Veriatlantik dhe vlerat e nevojshme për t’u bërë aleat në NATO”.
Parimet nuk ia kërkojnë Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë apo Qipros që ta njohin Kosovës dhe as nuk e ndryshojnë qëndrimin rreth njohjes së BE-së apo NATO-s. Këto parime nuk kërkojnë as që Serbia ta njohë Kosovën dhe as nuk e bëjnë Beogradin subjekt të ndonjë sanksioni të veçantë po qe se zgjedh që të mos e njohë Kosovën. Shtigjet e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s do të varen nga një zgjidhje e negociuar me Beogradin.
Këto dy parime u kërkojnë si Serbisë ashtu edhe Kosovës që t’i zbatojnë më në fund zotimet formale që veçse i kanë bërë njëra-tjetrës dhe të heqin dorë nga agresioni i tyre politik, me fokus specifik në “fushatën e mosnjohjes” të Serbisë dhe promovimit të “Bashkimit Kosovë-Shqipëri” nga Kosova. Bashkërisht, parimet janë një përgjigje e balancuar dhe e domosdoshme kundruall përkeqësimit dhe jostabilitetit rajonal të ekspozuar nga vrulli i fundit rreth ndryshimeve të propozuara të kufijve.
Akëcili parim është vetëzbatues, falë miratimit unanim prej BE-së dhe NATO-s. Ato e krijojnë një alternativë të rrugës së tretë për Kosovën – dhe Perëndimin – po qe se Prishtina i pranon parimet e reja dhe e përjashton “bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”. Nën qasjen e re, Kosova do të ishte e lirë t’u bashkohej organizatave të tjera ndërkombëtare – përveç NATO-s, BE-së dhe OKB-së – dhe t’i kultivojë marrëdhëniet e saj bilaterale përreth globit.
Kjo do ta transformonte dinamikën negociuese, teksa koha më nuk do të ishte në anën e regjimit të Vuçiqit.
Vazhdimi i papajtueshmërisë në Beograd do ta shohë zhvillimin progresiv të Kosovës, të mbështetur nga një përbashkim i BE-së dhe NATO-s. Dialogu i prirë nga BE-ja do të fuqizohej. Teksa bisedimet vazhdojnë, Kosova do të kishte shtysë larg më të madhe për t’i adresuar çështjet si “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, një pengesë kjo kryesore.
Në rastin e Serbisë, regjimi i Vuçiqit mund të zgjedhë t’i pranojë apo refuzojë parimet e reja, duke i dhënë fund në cilëndo mënyrë shtirjes së saj për anëtarësim në BE tek i praktikon dhe promovon vlerat e Rusisë, Kinës dhe Hungarisë. Nëse Beogradi i hedh poshtë parimet e reja, duke e sulmuar dialogun apo, në rastin ekstrem, duke e suspenduar apo madje anuluar kandidimin e tij në BE, pasojnë dy pasoja. E para, nëse Serbia e shkel standardin për aspirantët, të krijuar nga parimet e reja, vetë shkelja përbën ndëshkim fillestar. Regjimi do të zgjidhte ta sfidonte të gjithë BE-në, përfshirë pesëshen e shteteve të Bashkimit Evropian prej të cilave varet leva e Beogradit. Duke e bërë këtë, Beogradi më në fund do ta bënte zgjedhjen e saj midis vlerave perëndimore dhe atyre të Rusisë, Kinës dhe Hungarisë. Përzgjedhja e Serbisë do të bëhej e qartë dhe farsa e saj do të merrte fund.
E dyta, refuzimi i këtij standardi të BE-së do ta hapte rrugën për mbështetjen më të madhe nga BE-ja dhe SHBA-ja për zhvillimin e kapaciteteve të Kosovës. Asnjëra prej pesë vendeve të BE-së nuk do të duhej ta njihte Kosovën, as në këtë rast. Në vend të kësaj, BE-ja dhe SHBA-ja do të identifikonin një varg veprimesh të qëndrueshme me pozicionin e BE-së mbi mosnjohjen për rritjen e kapaciteteve të Kosovës dhe aftësisë së saj për të funksionuar ndërkombëtarisht.
Ky është një kontribut kritik i unanimitetit. Për të parën herë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të kishin një mundësi për tejkalimin e papajtueshmërisë serbe. Zyrtarët e SHBA-së dhe të BE-së nuk duhej më që të përkuleshin për shkak të frikës nga reagimi në Kosovë, duke i mbyllur sytë karshi sulmit ndaj demokracisë të regjimit serb.
As parimet e BE-së dhe as ato të NATO-s nuk e ndryshojnë qëndrimin e cilësdo palë, qoftë Serbisë apo 5-shes së BE-së\4-shes së NATO-s, për njohjen e Kosovës. Parimi i BE-së është i bazuar në faktin se si Serbia ashtu edhe Kosova i kanë formalizuar marrëdhëniet me BE-në – kandidimi në rastin e Serbisë dhe Marrëveshja e Asocim-Stabilizimit në atë të Kosovës. Përfshirja e klauzolës “se ka marrëdhënie të formalizuar me BE-në” i mbron shqetësimet e Spanjës dhe të shteteve të tjera nga pesëshja e BE-së. Katalonja, për shembull, nuk e ka të formalizuar kandidimin apo marrëdhënien e partneritetit me BE-në – dhe kurrë as që mund ta ketë pa pajtimin e Madridit. E njëjta vlen edhe për qëndrimin e Qipros Veriore për Nikozinë, si dhe për çfarëdo skenari spekulativ etno-hungarez në Sllovaki apo Rumani.
BE-ja kurrë i ka përjashtuar përpjekjet e Kosovës për të siguruar njohje bilaterale apo ndërkombëtare. Andaj, Serbia nuk ka të drejtë të imponojë një standard të BE-së në Marrëveshjen e Kosovës për Stabilizim-Asocim, që vetë BE-ja nuk e ka zbatuar. BE-ja nuk i kërkon Serbisë që ta njohë Kosovën, por kjo nuk ia jep Beogradit të drejtën që të vendosë standarde se çfarë Kosovës i lejohet apo nuk i lejohet që të bëjë nën Marrëveshjen e asaj të Asocimit me BE-në. Parimi i ri i BE-së i njeh obligimet dhe kufizimet që ekzistojnë nën marrëdhëniet e formalizuara të aspirantit me BE-në.
Sikurse parimi i BE-së, edhe versioni i NATO-s e krijon një standard të sjelljes që zbatohet gjithashtu në plotni te gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor. Në këtë rast, Kosova do të informohej shprehimisht se “bashkimi i Kosovës me Shqipërinë” përbën një shkelje të standardit. Është përfshirja e SHBA-së, bashkë me katërshen e NATO-s, ajo që i jep këtij parimi kredibilitet.
Në njërën anë, Serbia do të siguronte garanci të një parashkrimi zyrtar të NATO-s, mbështetur nga Amerika, për përpjekjen e “Shqipërisë së Madhe”, që përfshin Kosovën. Kjo gjë është në krye të parimit të BE-së, i cili gjithashtu e ndalon një akt të tillë si agresion politik.
Në të njëjtën kohë, përfshirja e katërshes së BE-së e hap mundësinë për një bashkëpunim potencialisht më të gjerë të NATO-s me Kosovën, po qe se Serbia e përjashton pragun e BE-së rreth “mosnjohjes”. Bashkëpunimi i formalizuar midis Aleancës dhe Kosovës do ta gjurmojë formën e Marrëveshjes së BE-së për Stabilizim-Asocimin, të nënshkruar nga vetë BE-ja dhe të pranuar nga pesëshja e BE-së. Shkaku se Kosova nuk ka marrëdhënie të formalizuar me NATO-n, siç ka me BE-në, parashkrimi është i përshtatur bazuar në obligimet që burojnë nga prania e KFOR-it. Ato janë të qenësishme për Kosovën. Dhe me Serbinë janë të formalizuara nëpërmjet Marrëveshjes së Kumanovës.
Sikurse parimi i BE-së, edhe parimi i NATO-s është konsistent me qëndrimin e NATO-s për njohjen e Kosovës nga të gjithë akterët, Serbia dhe 4-shja e NATO-s.
Vijon në numrin e nesërm
(Edward P. Joseph është anëtar i Grupit Punues të Qendrës Wilson për Ballkanin Perëndimor dhe ligjërues në shkollën e Universitetit “Johns Hopkins” për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS). Ai është anëtar i lartë i Institutit për Politika të Jashtme në SAIS. Gjatë viteve të tëra të angazhimit të tij në Ballkan, ai ka shërbyer gjatë luftërave në secilin vend të goditur nga konfliktet (Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni Veriore). Më 2012, si zëvendësshef i misionit të OSBE-së në Kosovë, Joseph ka negociuar marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare serbe në Kosovë. Ai ishte angazhuar në misione të shkurtra edhe në Haiti, Irak, Afganistan dhe Pakistan. Qëndrimet e shprehura të autorit i përfaqësojnë vetëm të tijat. Vështrimi është botuar me të drejtën ekskluzive të vetë autorit).