Ka përfunduar periudha kur fjala e presidentit serb ishte urdhër për ithtarët e tij, përfshirë edhe ata në opozitë. Dhe ka përfunduar periudha e një gjendjeje “normaliteti” në të cilën autoritetet e Kosovës zbatojnë politikën e presidentit serb, madje duke e arsyetuar para botës këtë bashkëpunim të ngushtë me “ui ar not probllematik gajz”
1.
Serbia organizoi referendum këtë të diel. Ka një muaj e ca që as në mediet e afërta me presidentin serb nuk u arrit të sqarohet saktësisht se për çka është referendumi dhe nëse, si në rastin e opozitarëve, duhet votuar kundër, pse duhet votuar kundër. Në tërë këtë lëmsh u arrit të shpjegohet disi se është për ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me drejtësinë, se këto po i kërkon BE-ja dhe se me to Serbia bëhet shtet më afër atij të së drejtës, gjegjësisht se po reformohet.
Presidenti Vuçiq nxori së paku dy mësime nga ky referendum. I pari është se fakti që ai i prin referendumit në një sistem të një autokracie funksionale jo domosdo prodhon rezultatin që e dëshiron. Për një njeri që ka në dispozicion më shumë statistika dhe sondazhe në baza ditore numri i votuesve “kundër” në referendum (40 për qind në Serbi, 55 për qind në Beograd) tregon jo aq disponimin e opozitës (e cila pothuajse nuk ekziston), por disponimin brenda partisë prijëse, asaj së cilës i prin vetë. Pra, tashmë ekziston opozita brenda partisë dhe kjo mund të duket normale në demokraci, por është shumë brengosëse në autokraci, sepse autokracitë rëndom nuk bien nga opozita e jashtme, por nga ajo brenda radhëve të saj.
Mësimi i dytë është se nuk ka më inercion në Kosovë. Ka ekzistuar bindja se votimi i qytetarëve serbë në Kosovë do të bëhet siç është bërë gjithherë, me përshtypjen se po votohet brenda territorit të Serbisë, por kjo formë e zbatuar më herët është ndalur nga Qeveria e Kosovës, një qëndrim rreth të cilit është përbashkuar i tërë spektri politik në Kosovë, me përjashtim të Listës serbe.
2.
Këto dy mësime janë të vlefshme për lexuesin e shenjave, presidentin Vuçiq. Të dyja shenjat bashkë bëjnë konstatimin, në fjalorin popullor, se nuk shkon kungulli gjithherë mbi ujë. Ka përfunduar periudha kur fjala e presidentit serb ishte urdhër për ithtarët e tij, përfshirë edhe ata në opozitë. Dhe ka përfunduar periudha e një gjendjeje “normaliteti” në të cilën autoritetet e Kosovës zbatojnë politikën e presidentit serb, madje duke e arsyetuar para botës këtë bashkëpunim të ngushtë me “ui ar not probllematik gajz”.
Por, këto dy mësime janë të vlefshme edhe për BE-në dhe shtetet mike perëndimore të përfshira në gjetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.
Mësimi i parë është ai se në Serbi autokracia mund të jetë funksionale, por jo domosdo gjithherë produktive. Fakti që presidenti Vuçiq kontrollon tri të katërtat e parlamentit, të gjitha komunat e Serbisë (pos tri të opozitës) dhe pothuajse çdo televizion me frekuencë shtetërore nuk u përkthye as me dalje të votuesve e as me fitore bindëse; për më tepër, në Beograd, ku vota çon shumë peshë, referendumi u dënua me votë kundër. Rrjedhimisht, nuk qëndron më përllogaritja bazike perëndimore se duke e përkrahur presidentin Vuçiq do të përkrahet edhe forca e tij për ta “evropianizuar” vendin dhe njëkohësisht për të arritur marrëveshjen me Kosovën.
Mësimi i dytë është se nuk mund të llogaritet më që Kosova të vazhdojë me idenë e njëjtë, se duke e përkrahur Vuçiqin do të arrihet njëkohësisht “evropianizimi” i Serbisë dhe marrëveshja me Kosovën.
3.
Në fakt, këto dy mësime kanë burim më të thellë në politikën e jashtme evropiane. Prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës politika e jashtme evropiane nuk ka arritur unitet rreth çështjes parësore, asaj të pavarësisë, por është përpjekur të gjejë emëruesin më të ulët të përbashkët. E ky ka qenë që është interes gjeostrategjik që Serbia t’i afrohet BE-së, në mënyrë që të “evropianizohet” dhe të aftësohet për një marrëveshje me Kosovën. Rrjedhimisht, për të “afruar” Serbinë i është kërkuar Kosovës që të bëjë përherë kompromis me identitetin e vet, prej asteriskut, Bashkësisë së komunave serbe e deri te ndarja territoriale e Kosovës.
Produkt i kësaj politike është që Serbia nuk është as më e evropianizuar e as më e gatshme për të arritur marrëveshje me Kosovën.
Dhe, nëse ky është rezultati, atëherë as ky kungull gjeopolitik nuk po rri më mbi ujë. E, kjo do të thotë që BE-ja dhe vendet perëndimore mike janë para një analize të re për të formuluar politikën që do të jetë më dobiprurëse sesa kjo e deritanishmja.
4.
Në të ulur për analizë, ndoshta ia vlen të merret si pikënisje një ndryshim cilësor. Përpjekja për të organizuar referendum të Serbisë në Kosovë dështoi, pa dramë, madje as pa ngritje të tepruar toni nga cilado palë (nëse përjashtohen disa analistë në Kosovë që tradicionalisht paralajmërojnë kataklizma çdoherë që tregohet më shumë dinjitet karshi sfidave). Referendumi nuk mund të mbahej me “standardet e deritanishme”, siç u kërkua edhe nga vende të rëndësishme e mike të bashkësisë ndërkombëtare, por u sugjerua që të zbatohen standarde të OSBE-së për votën e qytetarëve me dyshtetësi - në përfaqësi diplomatike a me votë poste. Dhe, kështu po krijohet një standard i ri e ky është i Kosovës si palë kontraktuale, që do të krijojë marrëveshje me të tjerët, ashtu siç bën çdo shtet evropian.