Ahmetit nuk ia mohon kush dijen e inteligjencën. Nuk ia mohon as kapacitetin retorik për të arsyetuar e argumentuar çfarëdo. Porse rasti i udhëheqjes së Prishtinës nga ai tregon se qyteti nuk ka nevojë për diploma, por ka nevojë për njerëz me vizion dhe me vullnet për të punuar. Ahmeti e dëshmoi se as nuk kishte vizion e as nuk u tregua ndryshe pos dembel
Tashmë kemi hyrë në javën e tretë të fushatës zgjedhore, e cila po vazhdon dita më ditë me aktivitete në terren dhe në studiot e zhurmshme televizive. Ka të tillë që nuk mërziten për masat anti-Covid dhe madje mbajnë tubime nëpër shkolla, duke mos u mërzitur fare që aty mund ta lënë virusin e t’i infektojnë fëmijët. Kjo shtyu ministren e Arsimit që t’i drejtohej KQZ-së që nëpërmjet një urdhërese ta ndalonte mbajtjen e tubimeve nëpër shkolla. Kjo tregon se çfarë logjike kanë njerëzit që vrapojnë pas pushtetit: i shkelin krejt çka kanë përpara.
Dje, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës e dha dorëheqjen nga posti i ministrit për t’u marrë tashmë me fushatën zgjedhore. E di që mendimi im nuk çon kandar në këtë kontekst, porse unë besoj se kandidimi i Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës nuk është dashur të ndodhte dhe se ky është dashur të vazhdonte me punën në Ministri. Ose nuk është dashur të emërohej ministër fare, dhe të përqendrohej në punët e Prishtinës, që ka shumë gjasa të jenë shumë më të komplikuara se vetë punët në Ministri.
E se janë më të komplikuara e tregon fakti se Prishtina, si kryeqytet, ende nuk ka status të veçantë në kuptimin e të trajtuarit si një “komunë” në vete, pa i përfshirë fshatrat që e bëjnë komunën aktuale. E vetë problemet e qytetit i lënë përherë nën hije problemet nëpër fshatra, që përherë shikohen si periferi dhe që përherë e më shumë janë duke mbetur me më pak popullatë.
Porse ky status “As me shehër, as me Barilevë” nuk i ndihmon as qytetit e as trevës rurale.
* * *
Pra, e dimë se Prishtina nuk u themelua dje, porse për qëllimin e kësaj kolumne, do të merremi me qytetin e Prishtinës të 21 vjetëve të fundit.
Krahasuar me qytetet e tjera të Kosovës, qyteti kishte pësuar pak dëme. Struktura etnike e popullsisë i ndryshoi menjëherë në muajt e parë pas çlirimit dhe popullsia e saj u ndërrua me ardhjen e njerëzve nga komunat e tjera në qendër - normale, krejt vendimmarrja po ndodhte në Prishtinë me prezencë shumë më të madhe të huajsh sesa në komunat e tjera.
Me mijëra banesa ndryshuan pronarë, me apo pa letra, me të drejtë ose jo. Kjo e solli një situatë të re të cilën nuk e kishim parë më herët: rinovimin e banesave që na njoftuan me hiltat e bormashinat dhe bartjen e pafund të çimentos, knaufit, kornizave të dritareve e dyerve pa asnjë orar normal pune. Shenja e parë e anarkisë urbanistike nisi aty, e më pas vazhdoi me mbindërtime dhe ndërtime të pafundme pa leje që thjesht e ngufatën qytetin.
Dorën në zemër, për ndërtimet ilegale të fillimit fajin e bart administrata ndërkombëtare, me në krye me administratorin gjermanolindor Brenke – i cili e gjeti mënyrën për ta arsyetuar mospunën, nëse jo korrupsionin, e tij: “le të ndërtohet ilegalisht se vjen koha dhe legalizohen objektet”. Prej asaj kohe kanë kaluar 20 vjet, dhe legalizimi i gati 50 mijë objekteve pa leje mezi që ka filluar dhe është larg së përfunduari.
* * *
LDK-ja mbajti pushtetin me vite në Prishtinë, dhe është përgjegjëse në masë të madhe për shkatërrimin e strukturës urbane të Prishtinës. Pas humbjes së zgjedhjeve me duar në xhepa, prapa e la rrugën kryesore të mbyllur, që ende nuk e kuptoj se përse quhet shesh, ndërkohë që brenda gjatësisë së rrugës i ka madje katër “sheshe” apo çka mund të quhen ato. Ka lënë edhe disa objekte shkollore, fusha sportive nëpër lagje, projektimin e Rrugës B dhe sado e pamjaftueshme dhe e pakënaqshme udhëheqja e saj me Prishtinën, tash pas tetë vjetësh udhëheqjeje, nga VV-ja për katër vjet dhe të Shpend Ahmetit për tetë vjet, ajo duket lule dritë.
* * *
Një nga dëshpërimet më të mëdha që kanë përjetuar qytetarët e Prishtinës është pikërisht Shpend Ahmeti. Me të kthyer filmin prapa, vetë zgjedhja e tij para tetë vjetësh ka qenë befasuese – sa për votuesit, aq edhe për të.
Kur nisi, filloi me një elan që e prisnin qytetarët: se qyteti do të hynte në rend dhe se ngadalë do të zhvillohej në një metropol, me gjithë mangësitë që mund t’i kishte. Një grup të rinjsh dolën me plot premtime dhe me realizimin e disa synimeve të vendosura qëmoti. U fol për modernizimin e trafikut urban; zhbllokimin e trafikut në qytet, uljen e niveleve të ndotjes, zgjerimin e hapësirave të gjelbra, etj, etj,. Ajo që u mbërrit qe uji 24 orë në ditë në Prishtinë, që megjithatë nuk ishte projekti i tij, si dhe ngrohja e qytetit me ujin nga termocentrali, që gjithashtu nuk ishte projekti i tij.
Projekti i Ahmetit qenë autobusët e verdhë të Trafikut Urban që u vonuan me muaj për t’u blerë dhe në fund u futën në funksion për ta kryer punën e tyre me korrektësi, por edhe me vonesë monumentale, për shkak të ngufatjes së qytetit me trafik të pakontroll. Nismë e tij ishin edhe çerdhet në bazë të komunitetit, që duket se po funksionojnë, porse nuk ka bërë më shumë për ta zgjeruar rrjetin e institucioneve parashkollore. Nismë e tij qe edhe ndërtimi i shtigjeve për biçikleta, porse çmimi që u pagua ishte ngushtimi i rrugëve ekzistuese.
* * *
Ahmeti e fitoi mandatin e dytë falë votave me postë dhe me shumë pak dallim nga kandidati i LDK-së, Abrashi. Qytetarët nuk e kanë ditur atëherë, porse ai duhet ta ketë ditur se tashmë kishte nisur plasaritja brenda VV-së. Ahmeti, i cili nuk u deklarua gjatë për çështjen, në fund vendosi të kalonte në radhët e PSD-së, e madje të zgjidhej edhe kryetar i saj. Dhe këtu, sipas meje, e bëri gabimin më të madh – që nuk dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës, ngase votat i kishte siguruar me një parti tjetër. Qëndrimi i tij në krye të qytetit ishte joparimor dhe porosi e keqe për ata që ia kishin dhënë votën.
Këtu nisi edhe rënia totale e popullaritetit të tij dhe u shpërfaq e gjithë dembelia e tij që e karakterizoi udhëheqjen e Prishtinës sidomos në mandatin e dytë. Tashmë i varur nga votat e opozitës, lidhi marrëveshje me ta, lëshoi drejtori në duar të AAK-së dhe AKR-së, dhe Prishtina iu kthye me më shumë fuqi avazit të vjetër: kaosit dhe lëmshit.
Projektet që i realizonte merrnin vite për t’u përfunduar, sikurse ishte rasti me Kurrizin në “Dardani” apo edhe të famshmen rrugë “Muharrem Fejza”, që një mike e imja e quan Kandahar. Vonesa e pafund e solli nisjen e ndërtimit të parkingut nëntokësor në vitin e fundit të mandatit të tij si kryetar me datë të paqartë përfundimi, për shkak se asnjë gjë e caktuar me afat nga ai nuk e ka mbërritur atë, porse është vonuar skajshmërisht shumë. Me shumë vonesë nisi edhe “Prishtina Parking” dhe natyrisht me telashe.
* * *
Ahmetit nuk ia mohon kush dijen e inteligjencën. Nuk ia mohon as kapacitetin retorik për të arsyetuar e argumentuar çfarëdo. Porse rasti i udhëheqjes së Prishtinës nga ai tregon se qyteti nuk ka nevojë për diploma, por ka nevojë për njerëz me vizion dhe me vullnet për të punuar. Ahmeti e dëshmoi se as nuk kishte vizion e as nuk u tregua ndryshe pos dembel. Secili vit i mandatit përfundoi me suficit. Nuk tregoi as vullnet për të marrë këshilla dhe për t’i zbatuar ato dhe nuk tregoi se ishte i gatshëm të kacafytej me problemet më të mëdha që i ka qyteti. Në vend të kësaj, nisi të merrej me “politikë të lartë”, madje mbërriti të bëhej bashkëkryesues i një trupi jokushtetues, që supozohej se duhej të merrej me negociata.
E ka pasur rastin ideal të punonte në ndarjen e mbeturinave dhe në menaxhimin më të mirë të tyre. E gjitha përfundoi me një hallakamë dhe me një qytet super të përlyer nga mbeturinat, e kjo jo për shkak se ndërmarrja për mbledhjen e tyre nuk e kryen punën, porse nuk ia doli ta disiplinonte popullatën me dënime mandatore që do ta kishin bërë dallimin.
Nuk u lodh kurrë të merrej me gastronomët e zhurmshëm, dhe topin përherë ia hidhte policisë, për të cilën thoshte se duhet të merret me lokalet që bëjnë zhurmë, edhe atëherë kur e kalonin orarin e përcaktuar të punës, që është prerogativë e Komunës.
Nuk gjeti asnjë zgjidhje të vetme për çështjen e trafikut të rënduar në Prishtinë. Ka mundur, e nuk ka dashur. Karantina gjatë pandemisë e dëshmoi se një pjesë jashtëzakonisht e madhe e ndotjes në Prishtinë shkaktohet nga trafiku, e jo siç insistonte me ngulm vetëm nga termocentrali dhe ngrohja me qymyr.
Hapësira të gjelbra nuk krijoi – edhe projekti i parkut “Adem Demaçi” – pra gjelbërimi te rrethi i Spitalit, duket i varfër dhe pa fije bukurie.
Kulminacionin e shëmtimit të qytetit e mbërriti me panagjyrin në qendër të qytetit, të cilin e stërmbushi me turli sende, dhe vend të veçantë u siguroi boksave para Ministrisë së Kulturës – për të treguar se sa çan kokën për kulturën në përgjithësi.
* * *
Tetë vjet të mandatit të Shpend Ahmetit në Prishtinë, janë tetë vjet të gjatë dhe të humbur për qytetarët e saj falë degradimit të cilin e ka përjetuar qyteti.
Kushdo që do t’i fitojë zgjedhjet, do të ketë shumë punë për të bërë për ta ndalur degradimin e mëtejmë të qytetit. Kjo, për shkak se përvoja me politikanët tanë ka treguar se kur mendon se nuk mundet më keq, këta të befasojnë dhe ta dëshmojnë të kundërtën.
I tillë ishte edhe Shpend Ahmeti: kryetar qyteti edhe më i dobët se Ismet Beqiri.