Kroacia është ndër vendet më të bukura të Bashkimit Evropian, por ky vend përfundimisht e ka presidentin më të keq mes vendeve anëtare të BE-së. Socialdemokrati i dikurshëm Zoran Millanoviq në rolin e presidentit është shndërruar në provokator të nivelit të kafehaneve ballkanike
Skandali i fundit i Zoran Millanoviqit? Kjo pyetje duket e tepërt, sepse presidenti i Kroacisë është aq i mençur, saqë çdo ditë e prodhon nga një skandal, nganjëherë edhe nga dy brenda 24 orëve. Javën që shkoi në Slloveni u mbajt Samiti i nismës Bërdo-Brijuni. Në këto takime marrin pjesë krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, plus Sllovenia dhe Kroacia si shtete anëtare të BE-së. Kjo nismë renditet në mesin e shumë nismave ku flitet shumë për raportet e mira ndërshtetërore, për bashkëpunimin ekonomik dhe për procesin e integrimeve evropiane. Gjatë drekës së shtruar për kryetarët e shteteve që marrin pjesë në Procesin Bërdo-Brijuni, Zoran Millanoviqi e mohoi gjenocidin në Srebrenicë. Këtë ai e ka bërë edhe më herët, por mohimi i gjenocidit në një forum të tillë është një “cilësi” e re. Për skandalin e fundit të Millanoviqit raportoi gazeta e pavarur serbe “Danas”. Në përkrahje të presidentit kroat u angazhua menjëherë Millorad Dodiku, anëtar serb iPpresidencës së Bosnjë-Hercegovinës. Dy anëtarët e tjerë të Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq dhe Zhelko Komshiq, e kundërshtuan deklaratën e Millanoviqit lidhur me Srebrenicën.
Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë është hedhje e kripës në plagët e shumë njerëzve në Bosnjë. Dilemën nëse në Srebrenicë është kryer gjenocid apo jo e kanë zgjidhur qëmoti të gjitha instancat juridike të OKB-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka theksuar se forcat serbe në korrik të 1995-s kanë kryer gjenocid në Srebrenicë. Në disa vendime të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi oficerë të lartë të serbëve të Bosnjës janë dënuar për gjenocid, mes tyre edhe Ratko Mlladiqi, plus Radovan Karagjiqi si lider politik. Millanoviq duket se nuk i merr seriozisht vendimet e drejtësisë së OKB-së, për dallim nga institucionet e tjera kroate. Kësisoj, ai është bërë aleat me politikanët serbë, të cilët ditë e natë mohojnë krimet serbe në Bosnjë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Më parë Millanoviq i kishte fyer myslimanët e Bosnjës me një deklaratë raciste, duke thënë se para se të flasin për shtet qytetar duhet të pajisen me parfum e sapun.
Millanoviq nuk ka vetëm ambicie të bëjë zhurmë në rajon. Komentatorët e njohur kroatë Davor Gjenero dhe Ante Tomiq e kanë shënjuar Millanoviqin edhe si lojtar të Kremlinit. Në qershor Millanoviq tha se Rusia është e pamposhtur. Në mars tha se Rusia nuk është duke kryer krime të luftës në Ukrainë që mund të krahasohen me krimet që janë kryer në luftën në Kroaci. Kjo ishte një marrëzi tjetër e Millanoviqit, sepse krimet në Buça afër Kievit u ngjanin skenave të Vukovarit më 1991. Politikën e Bashkimit Evropian ndaj Ukrainës, Millanoviq e ka quajtur “të marrë”. Kjo politikë, sipas tij, nuk është në interesin e Kroacisë. Sukseset e fundit të ushtrisë ukrainase kundër forcave pushtuese ruse Millanoviq nuk i ka komentuar ende.
Tejet problematik është raporti i ngushtë i Millanoviqit me liderin e serbëve të Bosnjës, Milloard Dodik, një nacionalist primitiv, i cili gjendet në listën e zezë të SHBA-së dhe nga Qeveria në Washington dyshohet se financohet nga Kremlini. Për Millanoviqin ky nuk është kurrfarë problemi. Retorika e tij antiamerikane po bëhet, po ashtu, e zëshme, ndërsa Dodikun e quan partner. Partner kundër kujt? Kundër boshnjakëve, të cilët gjoja po i majorizojnë kroatët në Bosnjë. Në të vërtetë, nacionalistët kroatë nuk kanë arritur të imponojnë kandidatin e tyre në Presidencën e Bosnjës, sepse më shumë vota ka marrë Zhelko Komshiq, sidomos nga myslimanët, por edhe nga kroatët e moderuar. Millanoviq e ka pritur në zyrën e tij në Pantovçak të Zagrebit Millorad Dodikun, ndërsa së fundi e ka vizituar Dodikun në torishtën e tij në Laktashi, afër Banjallukës.
Nga biografia politike e Millanoviqit ka edhe një detaj interesant. Pasi e dorëzoi postin e kryeministrit dhe rrjedhimisht mbeti pa punë (si shumica e politikanëve në Ballkan), ai u bë këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë. Për çka do ta këshillonte Zoran Millanoviqi? Për integrimet evropiane? Në shtetet serioze të Bashkimit Evropian, Zoran Millanoviqin nuk e merr seriozisht askush. Ai thjesht e ka ulur nivelin e presidentit të Kroacisë në nivel të palaços. Dhe si i tillë nganjëherë është edhe argëtues. Javën që shkoi tha se do të marrë pjesë në varrimin e Mbretëreshës britanike, ndonëse u ankua se Londra nuk e paskësh respektuar Kroacinë, sepse asnjë politikan britanik i nivelit të lartë nuk ka marrë pjesë në varrimin e Franjo Tuxhmanit.