OpEd

“Një popull që nuk lexon manipulohet shumë më lehtë”

Me rastin e vdekjes së nobelistit peruan, Mario Vargas Llosa. Ai ishte një mbështetës i madh i lirisë së Kosovës. Rastësisht data e vdekjes së tij - 13 prill 2025 - u bë urë lidhëse me një ese të tij të madh për Kosovën, botuar më 13 prill 1999 në një gazetë argjentinase.

Letërsia, shkruante Mario Vargas Llosa, krijohet si pasojë e pakënaqësisë me jetën vetjake. A është kjo e vërtetë? Llosa, peruani më i famshëm në botë, së paku në kuptimin letrar, s’kishte shumë arsye personale të jetë i pakënaqur. Për t’u përballur me gjërat e pakëndshme ai gjeti letërsinë si mekanizëm. E thoshte vetë këtë.

Ndjeshmëri dhe imagjinatë - këto janë parakushte për të qenë shkrimtar. Nganjëherë imagjinata të përplasë në rrugë të gabuara. Në rini Llosa ishte adhurues i së majtës që personifikohej nga Fidel Castro. Një udhëtim në Bashkimin Sovjetik e traumatizoi Llosan aq shumë, saqë nisi të heqë dorë nga iluzionet e tij majtiste. “A mund ta mbroja ende një model shoqëror, kur tashmë e dija se vetë nuk do të kisha mundur kurrë të jetoja ashtu?”

Gabriel Garcia Marquez, ylli tjetër i letërsisë latinoamerikane, i qëndroi besnik marksizmit. E pagoi shtrenjtë këtë, siç dëshmon një fotografi në të cilën shihen vija të mavijosura në fytyrën e tij - pasojë e një grushti të Marios Vargas Llosas. Ngucakeqët shtruan dilemën nëse kjo kacafytje ndodhi për politikë apo për një grua? “Për këtë nuk do të flas kurrë”, tha Llosa në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” në vitin 2016.

Ai ishte i vetëdijshëm se në jetëshkrimin e një njeriu s’ka vetëm anë të ndritura. “Nëse do të kujtohem ndonjëherë, do të ishte bukur që kjo të ishte për shkak të librave të mi”, tha ai. Për librat e tij mori Nobelin e Letërsisë, u bë anëtar i Akademisë Franceze, i pari autor jofrëngjishtshkrues, dhe u stolis me shumë çmime, mirënjohje e dekorata letrare anekënd botës, e sidomos në truallin kulturor spanjishtfolës. “Të shkruash romane, është një kryengritje kundër realitetit, kundër Zotit, kundër krijesës së Zotit, që është vetë realiteti”.

Mario Vargas Llosa ishte kundërshtar i autokratëve latinoamerikanë. Dhe nuk kursente fjalë të ashpra kundër tyre. “Fund e krye katastrofë” - kështu e quajti qeverinë e presidentes argjentinase, Cristina Fernández de Kirchner. A thua si do ta quante pasardhësin e saj ultraliberal Javier Milei? Për populizmin e majtë në Venezuelë nuk kishte dilemë: atje Llosa shihte vetëm “demagogji, korrupsion dhe dhunë”. Ndoshta do të thoshte diçka edhe për Milein sikur Llosa të mos kishte njoftuar më 2024 se nuk do të shkruante më kolumne në gazetën “El País”. Me atë rast bëri të ditur se as romane nuk do të shkruante më.

Rreth 20 romane janë trashëgimi e tij për lexuesit. Kjo është porosia e tij: “Një shoqëri e lexuesve është më e lirë dhe më kritike. Efekti i letërsisë është t’i bëjë njerëzit krijesa kritike. Një popull që nuk lexon manipulohet shumë më lehtë. Lexuesit e mirë janë rebelë, në kuptimin politik, fetar, seksual. Letërsia nuk është vetëm argëtim. E qartë, të lexosh Shakespeare është zbavitëse, Cervantes, Goethe, Thomas Mann, të mrekullueshëm. Por përtej kënaqësisë ne përfitojmë më shumë: idenë se krahas jetës sonë ka edhe jetë të tjera, të cilat janë më intensive, më të begatshme. Kjo krijon brenda nesh një lloj rebelizmi ndaj realitetit”.

Mario Vargas Llosa ishte autor politik. Ai shkruante: “Kur mashtron të gjithë në mënyrë sistematike, e tradhton edhe vetveten dhe i kontribuon edhe poshtërimit tënd moral. Në një ambient të qullur nga korrupsioni natyrisht se duhet të jesh hero që t’i kundërvihesh rrymës që mbretëron. Shumica e njerëzve nuk kanë lindur heronj, por nëse ka një të vetëm që e vesh këtë rol, të tjerët së paku e mësojnë që kjo mundësi ekziston”. Provoi të bëhet hero politik, kandidoi më 1990 për postin e presidentit dhe humbi ndaj Alberto Fuxhimorit, një pasardhës i mërgimtarëve japonezë, i cili qeverisi me grusht të fortë gjatë viteve 1990. Mes viteve 2009-2023 ai qëndroi në burg, i dënuar, mes tjerash, për korrupsion dhe krime kundër njerëzimit. Si do të dukej shteti peruan me një shkrimtar të madh në pallatin presidencial? Kjo mbetet çështje imagjinate. Ka pak shkrimtarë që ndihen komodë në politikë aktive.

Romanet kryesore të Mario Vargas Llosas janë përkthyer edhe në shqip. Ndoshta nuk është lexuar sa e meriton, por emri i tij është bërë i njohur sidomos në shoqërinë shqiptare të Kosovës falë eseve të tij në favor të lirisë së Kosovës, në përkrahje të intervenimit të NATO-s dhe në kundërshtim të diktaturës së Slobodan Milosheviqit.

Në esenë e tij “Koka e Milosheviqit”, botuar më 13 prill 1999, tamam 26 vjet më parë në gazetën argjentinase “La Nacion”, Llosa tregohej largpamës mbi rreziqet që mund t’i kanosen Kosovës (dhe Bosnjës) nga propaganda. Ai nënvizonte: “Jam i sigurt se po të ishte e krishterë bashkësia që provoi vuajtjet dhe grabitjet që provuan boshnjakët apo që provojnë tani kosovarët, reagimi i opinionit publik dhe i qeverive perëndimore do të kishte qenë shumë më i shpejtë dhe se në Perëndim nuk do të kishte pasur kurrë pjesë të opinionit të gjerë publik, të cilat do të ngulnin këmbë që qeveritë e tyre të rrinin duarkryq përballë këtyre krimeve.

Është diçka që nuk thuhet ose thuhet me zë të ulët dhe midis njerëzve të besuar: mos po krijojmë një Molok midis nesh, një regjim islamik fundamentalist aleat me Gadafin, Sadam Huseinin dhe ajatollahët në zemër të Evropës? Mos vallë, në njëfarë mënyre, Milosheviqi dhe serbët po luftojnë tani, siç luftoi edhe princi Llazar me serbët e tij më 28 qershor 1389, pikërisht në këtë Kosovë, kundër gjysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Evropës kristiane e të civilizuar?”

Këto pyetje, ndërkohë, marrin përgjigje pohuese nga partitë e ekstreit të djathtë në disa shtete perëndimore. Bota e vitit 2025 duket aq e largët me botën e vitit 1999. Perëndimi i atëhershëm është i ndryshëm nga Perëndimi i sotëm. Vetëm klasa politike e Kosovës po vazhdon me këmbëngulje të refuzojë të kuptojë ndryshimet e mëdha gjeopolitike. Vetëmjaftueshmëria e shoqërisë kosovare, sjellja sikur Perëndimi ende duhet të lajë borxhe ndaj Kosovës, vërehet edhe te neglizhenca ndaj personaliteteve që përkrahën çlirimin e Kosovës në çastet më të errëta të historisë së saj. Njëri ndër ta është Mario Vargas Llosa. Po, janë botuar në shqip esetë e tij mbi Kosovën, por kjo është bërë falë nismave private. Shteti, qeveritë, ministritë e kulturës e të punëve të jashtme, akademia, universitetet - të gjithë kanë qëndruar indiferente. “Një mbrëmje e paharrueshme me Mario Vargas Llosen në Prishtinë” - ky do të mund të ishte titulli i një shkrimi në gazetë apo platforma digjitale. “Ligjëratë e Mario Vargas Lloses në Prizren” - edhe ky do të ishte titull i bukur. Këta tituj janë tani vetëm pjellë e imagjinatës. Llosa nuk do të vijë kurrë në Prishtinë, sepse kosovarët janë të lirë, por jo të çliruar (nga prangat që ia vendosin vetes vazhdimisht).

Mbeten, megjithatë, porositë lapidare të peruanit të famshëm: “NATO nuk duhet qortuar fare për ndërhyrjen e saj në Jugosllavi; përkundrazi duhet qortuar që këtë e bëri me dhjetë vjet vonesë dhe që e kishte përjashtuar gjithë ndërhyrjen ushtarake tokësore atje, gjë që i dha dritë të gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin e saj për pastrimin etnik të Kosovës, një nga krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit të këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo për nga numri, me Holokaustin hebre kryer nga Hitleri apo me shpërnguljen e popujve që ndërmori Stalini gjatë rusifikimit të Bashkimit Sovjetik”.