OpEd

(Një) Masë reformuese kundër diskriminimit

Hyrje

Në Kosovë, termi derogator për qytetarët e komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Romë, fatkeqësisht, duket të jetë i paalternativë në hapësirat informale, ku orët e pushimit rëndom kalojnë përmes anekdotave raciste. (*Ndërsa, në lidhje me një pasqyrë të përgjithshme në lidhje me situatën e qytetarëve nga këto komunitete në Kosovë, shih këtë publikim të OSBE-së në vitin 2020. 1
Siç duket, në pamundësi për t’i përjashtuar në tërësi, bashkëqytetarët tanë janë në mënyrë paradoksale, së bashku dhe ndaras me të tjerët – një tip i çuditshëm i asaj që njihet si “të ndarë, por të barabartë.2  Kështu, jemi së bashku në kafenetë e qytetit të Prishtinës, por ama -dhe kjo duket të jetë e panegociueshme- vetëm për disa sekonda, kur (kryesisht) fëmijët nga këto komunitete, u kërkojnë (kryesisht) disa centë, personave para tryezave (kryesisht) me bollëk ushqimi.  

Përmasat e racizmit janë aq të mëdha, sa mund të vërehet një lloj ‘pajtimi’ se përkatësia e tillë perceptohet edhe si vetë determinimi i një të ardhmeje të përshkuar nga varfëria e skajshme dhe në përmbushje të “dënimit” për “krimin” e tyre. Atë të përkatësisë. 

Prandaj, dhe aspak për t’u habitur, është urgjente që shteti të sigurojë nivelin e duhur të mbrojtjes për qytetarët të cilët vijnë nga këto komunitete. Në linjë me këtë, dhe për të mos mbetur thjesht brenda konturave të një qasjeje abstrakte; një kornizë/masë për të bërë progres drejt këtij qëllimi, ofrohet si në vijim.

Por, para se të vazhdojmë, së pari le të shënojmë disa komponentë të domosdoshëm si udhërrëfyes në rrugën për jetësimin e barazisë: krijimi i mirëqenies si kushte dhe si financa; pastaj, çrrënjosja e “paragjykimeve” (në lidhje këtë aspekt, shih këtu, Erica Rosenfield, fq.124, 123 & 125 )3 dhe integrimi i natyrshëm (joartificial) në shoqëri. Natyrisht se kjo nënkupton nevojën që ky proces të mundësohet në mënyrë të vetëqëndrueshme dhe në periudhë afatgjate. Prandaj, në këtë frymë është edhe korniza pasuese si një shembull për t’u ndjekur.

Një kornizë katërpikëshe

1.  Formulimi i një plani mësimor, ku përmbajtja konsiston në ofrimin e njohurive (përmes ligjërimit si lëndë shkollore) mbi traditat, kulturën dhe diversitetin e komuniteteve joshumicë në vendin tonë, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. 

2.  Ky plan mësimor do të ofrohej për të gjithë nxënësit, pa dallime të përkatësisë etnike dhe/ose racore, në formën e një lënde obligative.

3.  Megjithatë, dhe kjo është një masë e “diskriminimit pozitiv” (për çfarë, shih këtu, Ciaian & Kancs, fq. 125, 127 ) 4 (dhe bazuar në Nenin 24, para. 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ) 5; si mësimdhënës/e do të duhej të jenë vetëm qytetarët të cilët i përkasin këtyre komuniteteve, në lidhje me kulturën e të cilave ligjërohet.

4.  Si synim duhet gjithashtu të jetë zgjerimi i kësaj skeme edhe për fushat e tjera programore në edukimin fillor dhe të mesëm. Ta zëmë, nuk ka arsye se pse lëndët e tjera të përgjithshme të mos ligjërohen nga qytetarë të komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom – tashmë të përgatitur profesionalisht për këtë, ose të cilët aftësohen për këtë në të ardhmen e afërt.

Përfundim

Arsyeja se pse kërkojmë një formulë të tillë për t’u materializuar, qëndron në faktin se luftohen “paragjykimet” (sërish dhe si më parë në frymë të: Erica Rosenfield, fq. 124, 123 & 125 ) 6 përmes materialit mësimor emancipues dhe vetë profilit të mësimdhënësve, sepse thyhet miti racist se qytetarët nga këto komunitete nuk janë të denjë për pozita si mësimdhënës, dhe që në faza të hershme të shkollimit, ngre vetëdijen dhe njohuritë e nevojshme te nxënësit mbi diversitetin kulturor, etnik e racor. 

Pastaj, të paktën për mësimdhënësit që vijnë nga këto komunitete, kjo paraqet një të ardhur financiare me burim të qëndrueshëm, meqenëse ky program do të ishte i përhershëm. 
Kështu, një kornizë e tillë ofron mundësinë për një masë reformuese të qëndrueshme, efektet e së cilës do të ishin normalisht, jomaksimale në fillim, por që në mënyrë inkrementale do të mundësonte progres dhe emancipim edhe për gjeneratat e ardhshme.

Në fund, dhe ndonëse do të duhej të ishte e qartë për këdo që ka arritur deri në këto rreshta të fundit, kjo nuk mund të jetë një qasje ekskluzive, por si një ndër masat e nevojshme dhe me potencial për të filluar jetësimin e ndryshimeve rrënjësore – për të cilat flasim shumë, por mendojmë pak.

(Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF))
 


[1] Organization for Security and Co-operation in Europe, "Overview of Roma, Ashkali and Egyptian communities in Kosovo" 09/01/2020, link: https://www.osce.org/files/f/documents/6/7/443587_1.pdf.

[2] Në lidhje me këtë doktrinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shih këtë shpjegim (jo dhe aq të gjatë) dhe të thjeshtë: Legal Information Institute, (Cornell University Law School), “Separate but Equal,” link: https://www.law.cornell.edu/wex/separate_but_equal.

[3]  Erica Rosenfield, "Combating Discrimination Against the Roma in Europe: Why Current Strategies Ar ategies Aren’t Working and What Can Be Done." Human Rights & Human Welfare, Vol.11, Iss. 1, Article 24, 2011, link: https://digitalcommons.du.edu/hrhw/vol11/iss1/24/?utm_source=digitalcommons.du.edu%2Fhrhw%2Fvol11%2Fiss1%2F24&utm_medium=PDF&utm_campaign=PDFCoverPages fq. 124, 123 & 125.
 

[4] Shih: Pavel Ciaian & D'Artis Kancs, “Marginalisation of Roma: Root Causes and Possible Policy Actions.” European Review Vol. 27, no. 1, 115-30, 2019, link: https://doi.org/10.1017/S106279871800056X, fq. 125, 127.

[5] Kushtetuta e Republikës së Kosovës (me amendamentet I-XXVI), link: https://gjk-ks.org/wp-content/uploads/2021/11/gjkk_kushtetuta_e_republikes_se_kosoves_shq.pdf.

[6]  Sërish në këtë frymë, shih: Erica Rosenfield, "Combating Discrimination Against the Roma in Europe: Why Current Strategies Aren’t Working and What Can Be Done and What Can Be Done." Human Rights & Human Welfare, Vol.11, Iss. 1, Article 24, 2011, link: https://digitalcommons.du.edu/hrhw/vol11/iss1/24/?utm_source=digitalcommons.du.edu%2Fhrhw%2Fvol11%2Fiss1%2F24&utm_medium=PDF&utm_campaign=PDFCoverPages, fq. 124, 123 & 125.