“Më 31 dhjetor, me familje shikonim golat e Maradonës për ta përmbyllur vitin”
Pandemia shpresojmë ta gjejë shpejt fundin, që s’do mend se do të jetë i përzier me dhimbjen për njerëzit që mori, dhe gëzimin se pjesa e mbetur e jetës për të mbijetuarit do të kalojë më lehtë se 2020-a. Drama që në aktin e parë na la kohë e hapësirë të flisnin për emra e që më vonë ato i shndërroi në statistika, shfaqi edhe momente që tejkaluan përkohësisht shqetësimin për përmasat e përhapjes së COVID-19 dhe dëmet që ajo po ia shkaktonte ekonomisë, dhe jo vetëm asaj.
Krahas pandemisë-vaksinës dhe zgjedhjeve në SHBA, vdekja e gjeniut të futbollit, Diego Armando Maradona, ishte lajmi më i pushtetshëm në botë në vitin 2020. Çdo vlerësim për Maradonën, që mbushte 23 vjet që kishte lënë futbollin e luajtur, do të ishte i pjesshëm, i thatë, i zbehtë e jo shumë përmbajtësor, po qe se nuk merren referencë emocioni, kujtimi dhe përshkrimi që ia bëjnë atij sot, si atëherë, ndershëm e me plot sinqeritet, qytetarët e Napolit, qytetit jugor të Italisë.
Të gjithë jashtë Napolit e edhe Argjentinës, Maradonën e kemi vlerësuar vetëm nga aspekti sportiv. Kemi shpërfillur deklaratat e tij politike ee episodet nga jeta e tij private, për të mos e deformuar figurën e idealizuar prej njeriut që bën mrekulli në fushë.
Jemi mahnitur me aftësitë e tij të kontrollit të topit, të driblimit e saktësisë së pasimit e të shënimit të golave. Të liderit me vetëmohim e me karakter fitues.
Ata që e kanë përcjellë karrierën e tij nuk është fare naivitet të thonë se Maradona në dy kampionate botërore ka luajtur “i vetëm” kundër botës (me fanellën e Argjentinës), “i vetëm” edhe kundër skuadrave të Serie A e edhe të Evropës (me fanellën e Napolit). Ndonëse më 1990 Gjermania e mposhti në finale Argjentinën nëpërmjet një penaltie kontroverse, ajo nuk mposhti Maradonën që gati preku trofeun e dytë më të vlefshëm në botë. Ai ishte mbi vetë ngjarjen, ishte vetë ngjarja.
Por, Maradona, sidomos për banorët e Napolit, është më shumë se një futbollist, adhurimi ndaj të cilit nuk zbehet as pas tri dekadash nga ata që e shijuan magjinë e tij, e edhe nga ata që u rritën me rrëfimet për të.
“Një gjeni i sportit që ndryshoi historinë”, thotë njëri nga personazhet e dokumentarit. “Maradonapoli”, i realizuar në qytetin e Napolit tre vjet më parë, për Maradonën e pa Maradonën. Në qytetin ku ai, edhe tash kur u nda nga jeta, cilësohet “Zot”.
“Ky qytet ka lindur disa mijëra vjet para Krishtit, ka shumë histori, shumë personalitete të mëdha, por u harruan pas ardhjes së Maradonës”, thotë një tjetër tifoz, që kujtimin për legjendën e shpërfaq sikur të ishte kthyer nga një ndeshje e porsaluajtur me protagonist argjentinasin. “Falë futbollit, më nuk ishim inferiorë as nga aspekti kulturor, as sportiv”.
E një i ri që adhurimin për të e trashëgoi nga familjarët tregon atë çfarë i kishte thënë i ati.
“Në jetë kam pasur dy gëzime - i pari kur erdhi Maradona, i dyti kur linde ti”. I binte, shton ai, që për babain isha i dyti për nga rëndësia.
Mjekë, inxhinierë, gazetarë, artistë, famullitarë… thonë se ai kishte forcën që t’i bindte banorët e varfër të Napolit se mund t’ia dalin mbanë. Se ai u dha shansin, guximin.
“Ishte pasuria e vetme për ne. Po luftonte në fushë për të varfrit, shprehte atë që ky qytet nuk arriti ta bënte vetë, ishte zëdhënësi, kapiteni, heroi e mbreti ynë”.
Napolitanët nga këndvështrimi im kanë disa tipare të ngjashme me ne. Temperamenti, stili i të jetuarit, tradita, marrëdhëniet në komunitet... janë aty-aty. Mbase afërsia e Shqipërisë me pjesën jugore të Italisë dhe e kaluara historike kanë bërë që të ndodhte “shkëmbimi i përvojave”.
Edhe “lehtësia” për t’u larguar nga vendlindja është një e përbashkët, e që mbase shkakun duhet kërkuar thellë në fatet tragjike të të dy popujve.
Por, Napolin e ringjalljes dhe çlirimit nga varfëria, krimi, korrupsioni dhe përbuzja nga Veriu - pjesa e pasur e Italisë, dhe Kosovën e çliruar nga robnia mund t’i krahasojmë nëpërmjet ndikimit në jetën sociale të vetëm një njeriu, në njërën anë, dhe ndikimit të “qindra” politikanëve (nëse mund t’i quajmë ashtu) që qeverisën Kosovën këta 20 vjet, në anën tjetër.
Për Maradonën, napolitanët thonë se ishte demoni i vetëm që i çoi në parajsë - për politikanët e Kosovës, qytetarët thonë se janë “engjëjt” që po e çojnë vendin në ferr.
Për Maradonën, napolitanët e rinj thonë se si nuk patëm fatin të kishim lindur pas vitit 1984 e të kishim emrin Diego - të rinjtë e Kosovës thonë çfarë fati i keq që lindëm në kohën e hienave, emrat e të cilëve u shkaktojnë neveri.
Kur iku Maradona, ata thanë që humbëm gjithçka – kur do të ikin “lojtarët” tanë, do të thonë fituam gjithçka.
Kur iku Maradona, Napoli ishte i trishtuar - kur do të ikin politikanët tanë, Kosova do të jetë e lumtur.
Atje u derdhën shumë lot dhimbjeje, në Kosovë shpresojmë të ketë lot gëzimi.
Atje ende rron historia e bukur e fitoreve, këtu rron e vazhdon historia e humbjeve e bëmave të këqija.
Maradona u dha gëzim napolitanëve e argjentinasve me gola e me trofe. Politikanët tanë dëshpëruan me autogola – të panumërt, brenda e jashtë.
“Më 31 dhjetor, me familje shikonim golat e Maradonës për ta përmbyllur vitin”, rrëfen njëri nga tifozët e Napolit.
S’do ishte keq, sikur edhe ne, në “natën e madhe” të gjejmë diçka frymëzuese, qoftë edhe huazim nga historitë e lumtura të të tjerëve, për të harruar e shpresuar njëkohësisht.