“Dinamika e jetës” nuk duhet të triumfojë mbi marrëdhënien dhe dashurinë mes njerëzve. Ne duhet të ngadhënjejmë që të mos mbesim me mallin dhe pengun e mbetur për edhe një vizitë më shumë, edhe një takim, edhe një shëtitje, edhe një udhëtim bashkë
Periudha e përfundimit të vitit dhe ndjesia që po vjen viti i ri përfshijnë ndjenja të përziera. Fillon me shpresën e një viti për të cilin mbase në një çast e mendojmë se do t’u dedikohemi vetëm gjërave të bukura dhe që na bëjnë të lumtur, për të vazhduar me një goditje të shumë ngjarjeve që na kanë ndodhur në vitin që po e lëmë pas. Megjithatë, shpresa për ditë më të mira dhe vit më të mirë gjithmonë ngadhënjen. Në mendjen time secili vit mbetet me disa nga ngjarjet më kryesore, që në një formë apo tjetër kanë ndikuar që jeta ime të ndryshojë. Për mirë apo për keq.
Duke qenë se që prej dy vjetësh jetoj jashtë Kosovës, jeta ime tani është mes dy qyteteve, apo edhe shteteve. Zhvillimet në njërin apo në tjetrin ndikojnë që jeta ime të ndryshojë, e varësisht nga kjo edhe qëndrimi im respektivisht në qytetet përkatëse. Mes Prishtinës e Haifas.
Kur gjatë vitit fokusi ndahet në dy vendbanime, domosdo edhe fokusi i angazhimeve kthehet te vendi se ku gjendem fizikisht, megjithatë, në mendje vazhdojnë të mbesin kujtimet dhe malli për njerëzit e afërt, familjarë e miq, në qytetin ku nuk jam. Duke qenë në Haifa, malli për familjen dhe miqtë e çmuar në Kosovë theksohet edhe më shumë. Megjithatë, falë teknologjisë, komunikimi është shumë më i thjeshtë dhe mbajtja e kontakteve nuk mund të zbehet aq lehtë. Në Haifa krijova një orar të zakonshëm dhe të përhershëm kur telefonoja familjarët, në të shumtën e rasteve prindërit. Ishte komunikim, përmes të cilit përditësoheshin risitë në jetët tona. Unë për takimet dhe studimet në Universitetin e Haifas, e ata për risitë dhe zhvillimet në familjen tonë apo edhe më gjerë. Dhe sado e zakonshme dhe e përditshme që ishte, momenti i përshëndetjes për natë të mirë sillte ndjenjën e mallit, që megjithatë nuk jemi afër edhe fizikisht. Të fala nga Haifa. Ky përmallim pastaj kalon në momentet e reflektimit, të risjelljes së shumë kujtimeve të çmuara, me dëshirën e madhe për t’i përjetuar prapë.
Haifa është një qytet divers, ku bashkëjetojnë të gjitha fetë dhe nacionalitetet që jetojnë në Izrael. Dhe kushdo që më pyeste për qytetin se ku isha vendosur u përgjigjesha se më ngjasonte në Prizrenin tonë. Në periudhën e muajit të Ramazanit, atmosfera ndryshonte, sidomos në lagjet e banuara nga myslimanët, dhe në mbrëmjet e të premteve kur fillonte shabbati në zonat e hebrenjve. Gjatë këtyre ditëve ishte qetësi, rrugët e zbrazëta, dyqanet e mbyllura. Por, për ta plotësuar mozaikun e Haifas, kur në njërën zonë është qetësi, në pjesën tjetër jeta gjallëron, me restorante të hapura, shëtitoret e mbushura plot, në veçanti plazhi dhe promenada në gjirin e Haifas, në breg të Mesdheut. Ndërsa si margaritarë qëndrojnë tempulli dhe kopshtet e bukura Baha’i. Dhe, për t’u kthyer në frymën e këtij numri festiv, një nga ngjarjet që shënon vitin 2023 është edhe konflikti në Lindjen e Mesme. Duke mos dashur të hyj në asnjë moment në detajet e asaj lufte të tmerrshme që po ndodh e që duhet të përfundojë sa më parë, unë theksin e vë te shpirti i Haifas. Dhe me përmallim e kujtoj dhe mezi pres ta shoh prapë atë harmoni që e vëren në këtë qytet, me kaq shumë histori dhe kulturë.
Dhe duke u kthyer prapë te fillimi, krahasimi i Haifas me Prizrenin mund të jetë edhe si rezultat i mallit që kur jam atje ndiej për Kosovën, familjen dhe miqtë këtu. Dhe gjithçka falë teknologjisë bëhet më e lehtë, me një telefonatë, komunikim me zoom, apo forma të tjera të komunikimit.
Viti 2023, megjithëse filloi qetë, zhvillimet e shumta si në Kosovë, e po ashtu edhe në vende të ndryshme të botës ndikuan që të kuptojmë, kush më shumë e kush më pak, se sa e çmuar është koha që kalojmë me më të dashurit tanë. Dinamika e jetës e angazhime të ndryshme, sado që mund të zënë pjesën më të madhe të kohës gjatë ditës, ato po ashtu ngufasin anën tjetër të kësaj medaljeje, kohën për të kaluar me më të dashurit. Andej e këndej, dëgjoj miq që flasin, me mua apo me miqtë e tjerë e ku unë jam i pranishëm, se kaloi kohë e gjatë pa u takuar, por ja që nuk po mbërrijmë, se “dinamika e jetës”. Dhe pastaj, po bëhet vonë. Për faktin se jo të gjithë po mund ta përballojnë kohën dhe të presin derisa “dinamika e jetës” të qetësohet, aranzhohet, apo mbase të përfundojë. Dhe kur kjo ndodh, po bëhet vonë. Njerëzit e çmuar pas një periudhe mund edhe të mos jenë më, dhe “dinamika e jetës” prapë nuk ka ndryshuar aspak. Koha që e kemi humbur e të cilën nuk e kemi kaluar me ta krijon ndjenjën e një pengu e po ashtu edhe të përmallimit. Dhe, nuk do të ketë rast për edhe një telefonatë, për edhe një bisedë me zoom, e aq më pak për takim dhe përqafim. “Dinamika e jetës” nuk duhet të triumfojë mbi marrëdhënien dhe dashurinë mes njerëzve. Ne duhet të ngadhënjejmë dhe të mos e humbim ndjenjën njerëzore mes nesh.
Viti 2024 do të sjellë edhe periudhën kur do të mund të udhëtojmë pa viza. Dikush familjarë, e dikush shoqëri, të gjithë tashmë kemi filluar planet e para se te kush do të jetë vizita jonë e parë. Përmallimi për të njohurit tanë, që nuk kemi pasur rastin t’i vizitojmë ndër vite për arsyen absurde të pamundësisë për të udhëtuar pa vizë, ka bërë që këto planifikime t’i kemi në kokë sa e sa vite më parë. Ndjenjën e mallit për ta e shton edhe më shumë arsyeja e jetës së tyre larg vendlindjes. Në periudha të ndryshme, të persekutuar, robëruar, dëbuar, nga shtëpitë, shkollat e vendet e punës, ka detyruar shumë të afërm e miq të mërgojnë. Shumica që u nisën me planin vetëm për një periudhë të shkurtër në mënyrë që të kthehen në Kosovën e çliruar, tashmë ishin vendosur në shtete ku kishin arritur, dhe ishin inkuadruar në shoqërinë e atjeshme. Ajo ikje e përkohshme u bë e përhershme dhe malli në të dyja anët veçse u shtua. Pushimet vjetore i kalojnë në vendlindje, për t’i shfrytëzuar ato ditë për të larguar mallin e për të krijuar kujtime të reja e të çmuara. Sepse pamundësia jonë për të udhëtuar pa viza duhej gjetur alternativën, pra të vijnë ata këtu te ne. Me të cilat do të kthehen në vendet e mërgimit, për t’i kujtuar deri në vizitën e ardhshme, në rastet më të mira, pushimet e vitit të ardhshëm. Dhe ndjenja e mallit atyre nuk u zbehet.
Liberalizimi i vizave, aq i shumë pritur, saqë edhe kur po e përmendim tashmë ka kaluar në një term të degraduar dhe pakuptim, do të krijojë mundësinë që e tërë kjo ndjenjë të kthehet në anën tonë. Më në fund ne, si shtetas të Republikës së Kosovës, do të udhëtojmë drejt vendeve të zonës Schengen, për të krijuar kujtimet tona me të afërmit dhe miqtë tanë. Për të kaluar kohë më të gjatë me ta, të shkojmë e t’i vizitojmë atje dhe të mos presim vetëm kur ata kanë pushimet dhe mundësitë për të ardhur. Të shuajmë mallin për ta, derisa i kemi. Nuk duhet të lejojmë që “dinamika e jetës” të triumfojë e pastaj të mbesim me mallin dhe pengun e mbetur, për edhe një vizitë më shumë, edhe një takim, edhe një shëtitje, edhe një udhëtim bashkë.
Dhe ky është urimi im për vitin e ri. Të kalojmë sa më shumë kohë me më të dashurit tanë, familjarët e miqtë.
Të triumfojmë ne e jo “dinamika e jetës”.
Urime 2024!