OpEd

Një kundërfakt i COVID-it për Evropën

Dërgesat e vaksinave të dhëna donacion nga BE-ja kanë luajtur një rol, por jo aq të madh sa demonstrimi që uniteti dhe sovraniteti në Evropë, më në fund, kanë mbizotëruar gjatë mbarë kontinentit. Sikur krejt këto të kishin ndodhur, por nuk ka ndodhur asnjëra. Të kuptuarit pse do të mund të jetë një burim errësire apo, po qe se zgjedhim, një trampolinë për ndryshim

Merreni me mend sikur pandemia e koronavirusit, në vend se ta minonte besimin në Bashkimin Evropian, ta kishte fuqizuar atë. Merreni me mend se COVID-19 ka bindur liderët e BE-së që t’i kapërcejnë vitet e tëra të ashpërsive dhe fragmentimit. Merreni me mend të ishte bërë katalizator i shfaqjes sivjet të një blloku më të fortë, më të integruar, tek i cili krejt bota do t’i kthente sytë për lidership global.

Merreni me mend. Nuk është fort vështirë të bëhet.

Në fund të shkurtit të 2020-s, dy javë para se Organizata Botërore e Shëndetësisë të shpallte pandeminë, Këshilli i BE-së veçse kishte udhëzuar Komisionin Evropian që ta koordinonte luftën e Evropës kundër koronavirusit. Brenda ditës, Komisioni përpiloi një listë të pajisjeve esenciale në mungesë përreth Evropës, nisur prej pajisjeve mbrojtëse për repartet e përkujdesjes intensive, dhe ka bërë porosi te prodhuesit. Ka mbledhur gjithashtu Cov-Commin, një Komitet i epidemiologëve kryesorë dhe përfaqësuesve të sistemeve publike shëndetësore të BE-së për të ofruar udhëzime të përditshme. Të çliruara nga nevoja për të siguruar furnizime esenciale dhe për t’i përpiluar strategjitë optimale të udhëtimit dhe distancimit social, qeveritë kombëtare u përqendruan në zbatimin e planit emergjent të BE-së.

Me kalimin e kohës, një muaj më vonë, pandemia i tregoi dhëmbët në veri të Italisë, kamionë të tërë të mbushur me pajisje mbrojtëse, kanistra oksigjeni, makineri të përkujdesjes intensive dhe madje mjekë e infermierë filluan të mbërrinin nga kudo prej Evropës, krejt në koordinim nga Brukseli. Derisa Parlamenti Evropian po i debatonte çështjet kyç për balancimin e lirive qytetare dhe shëndetit publik, Komisioni e vazhdoi hartimin, në bashkëpunim me qeveritë kombëtare, e nevojave të sistemeve të përkujdesjes shëndetësore përreth BE-së.

Në mars, Cov-Commi rekomandoi izolime, rregullat e të cilave dallonin prej rajoni në rajon. Këshilli Evropian e mbështeti planin e Komisionit për zbatimin e karantinës, e cila do të rishikohet ditë për ditë.

Teksa evropianët po hynin në karantinë, një rrjet i qendrave të testimit në masë u ngrit përreth BE-së. Testimet e rregullta në akëcilën lagje, afër çdo shkolle dhe në e afër secilit vend pune do ta mundësonin një dalje të koordinuar e të sigurt nga izolimi horizontal.

Prilli u dëshmua si muaji më mizor, numri i viktimave preku kulmin, por të paktën spitalet ia dolën mirë, falë një mali pajisjesh dhe resurseve humane përreth Evropës. I pyetur nga gazetarët se si mjekët dhe infermierët e huaj vizitues po komunikonin me kolegët e tyre italianë dhe spanjollë brenda korridoreve të përkujdesjes intensive, një anesteziolog gjerman u përgjigj: “Përballë vdekjes, profesionistët shëndetësorë komunikojnë me osmozë”.

Meqë izolimet kishin goditur si konsumin ashtu edhe prodhimin, ekonomitë e Evropës hynë në recesionin më të rëndë në kujtesë. Për dallim prej krizës së euros një dekadë më parë, pandemia ka tkurrur aktivitetin ekonomik kudo përgjatë Evropës. Armiku i përbashkët, bashkë me frymën e solidaritetit në përkujdesjen shëndetësore, krijuan një gjendje të re shpirtërore, e cila shumë shpejt depërtoi në qarqet zyrtare. Rezultati ishte një rezolutë e pashembullt, e miratuar në fillim të majit nga ministrat e Financave të Eurogrupit, dhe më pas nga Këshilli Evropian. Evropa e Gjeneratës së Ardhshme apo NGE ishte lansuar menjëherë.

Katër shtylla e bënë NGE-në një prelud për unifikimin e duhur të Evropës. Ekzistonte një mekanizëm i përbashkët për absorbimin e ngritjes së pashmangshme të borxhit publik, teksa shtetet po luftonin për t’i përkrahur bizneset dhe punësimet. Një fond qendror shëndetësor tani do të paguajë për të gjithë betejën kundër COVID-19, përfshirë prokurimin e vaksinimit. Pagesat në kesh për secilin evropian do t’i ngrinin të gjitha anijet përnjëherë. Dhe një program adekuat investimi do ta financonte Unionin Evropian të Energjisë së Gjelbër, që nevojitet aq shumë.

Për t’i ndërtuar katër shtyllat e NGE-së, liderët e Evropës duhej t’i hiqnin qafe vështirësitë që i kishin bllokuar gjatë të gjitha krizave të mëhershme, duke e menduar mënyrën se si të stimulohet një qeveri federale pa shkelur mbi letrën e ligjeve dhe traktateve të BE-së. Zgjidhja kah e cila projekti i NGE-së i ktheu sytë ishte e zgjuar.

Në takimin vendimtar të Këshillit në prillin e 2020-s, kancelarja e pafat e Gjermanisë, Angela Merkel, vazhdimisht ka thënë: “Si institucioni ynë i vetëm, i përbashkët me fuqi të përnjëmendtë, Banka Qendrore Evropiane gjithnjë do ta bartë barrën. Le ta përdorim të paktën për të mirë”.

Liderët evropianë e bënë mu këtë. Për ta absorbuar ngritjen e pashmangshme të borxhit publik, deficitet buxhetore të të gjitha vendeve anëtare që nga marsi i 2020-s do të financoheshin nga obligacionet 30-vjeçare, të lëshuara nga BQE-ja. Maturiteti i gjatë i obligacioneve nënkuptoi se liderët e Evropës po u ofronin vetes nga 30 vjet kohë për ta formuar një qeveri të duhur federale, të kompletuar me një Thesar të përbashkët, në mënyrë që BQE-ja të mos shtrëngohej të shtypte para për pagesën e mbajtësve të obligacioneve.

“Nëse Evropa nuk mund të bashkohet brenda tri dekadash”, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron, në takimin e majit të Këshillit Evropian, “atëherë ne mbase nuk e meritojmë Unionin tonë”.

Liderët e BE-së e kishin kaluar Rubikonin dhe tani ishin shfaqur zgjidhjet e NGE-së për problemet e tjera. Për shembull, për t’i financuar kërkimet dhe zhvillimin e vaksinave, dhe për të paguar për prodhimin lokal nën licenca kudo nëpër Evropë, BQE-ja ka premtuar që të blejë obligacione të përhershme me zero-kuponë, të lëshuar nga kompanitë farmaceutike. Asnjë pikë në aktin e BQE-së nuk e ndalon atë që të blejë obligacionet e korporatave, andaj BE-ja mund ta përdorë këtë mekanizëm për ta financuar një program të suksesshëm vaksinimi, sikundër edhe mallrat e tjera esenciale shëndetësore, për t’i ndarë ato mes të gjithë evropianëve. Ç’është edhe më mirë, BE-ja e përdori këtë mekanizëm për të prodhuar me qindra miliona doza vaksinash për shpërndarje në shtetet fqinje dhe ato në zhvillim, krejt pa pagesë.

Mandej ishte edhe programi i NGE-së për injektim të keshit, një ekuivalent ky i çeqeve të qeverisë federale që amvisëritë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i morën gjatë pandemisë. liderët e BE-së nuk e kanë zbuluar as edhe një gjë në aktin e BQE-së, apo në ndonjë traktat të BE-së, që ia ndalonte BQE-së kreditimin e llogarisë bankare të secilit evropian të rritur me 2.000 dollarë, me një kosto të përgjithshme prej jo më shumë se 750 miliardë dollarësh.

Meqë secili evropian, qoftë ai gjerman apo grek, holandez apo portugez, merr shumë të njëjtë, atëherë traktatet e BE-së që i ndalonin transferet fiskale dhe pakot e shpëtimit prej një shteti anëtar te tjetri, kurrë nuk ishte shkelur.

E fundit, NGE-ja e udhëzoi Bankën Evropiane të Investimeve që të lëshonte obligacione përafërsisht ekuivalente me 5 përqindëshin e të ardhurave të përgjithshme në Evropë, të cilat do të mbështeteshin në tregjet e obligacioneve nga BQE-ja. Kjo gjë e themeloi një Agjenci të re Evropiane të Punëve të Gjelbra për zhvillimin e Unionit të Energjisë së Gjelbër të BE-së dhe, më përgjithësisht, për financimin e Marrëveshjes së Re të Gjelbër të Evropës.

Derisa shkalla e infeksioneve është rritur dhe ka rënë, deri në dhjetorin e 2020-s, shpërndarja e koordinuar e programit të vaksinimit në Evropë ka ndalur shpërndarjen e virusit. Evropianët e festuan mbërritjen e 2021-s me pritshmëri të prekshme për prosperitetin e përbashkët, të gjelbër.

Në ndërkohë, pozita globale e Evropës u përmirësua, përfshirë në Britaninë e post-Brexitit.

Dërgesat e vaksinave të dhëna donacion nga BE-ja kanë luajtur një rol por jo aq të madh sa demonstrimi që uniteti dhe sovraniteti në Evropë, më në fund, ka mbizotëruar përgjatë mbarë kontinentit.

Sikur krejt këto të kishin ndodhur, por nuk ka ndodhur asnjëra. Të kuptuarit pse do të mund të jetë një burim errësire apo, po qe se zgjedhim, një trampolinë për ndryshim.

(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave në Greqi, është udhëheqës i partisë MeRA25 dhe profesor i Ekonomisë në Universitetin e Athinës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).