Cikli i shtrenjtimeve dhe mungesa e energjisë janë alarm për një botë që po aktivizohet pas mbylljes së COVID-19. Por ka më shumë se kaq
1.
Një mik nga Prishtina, ndërsa isha në New York para disa ditësh, porositi nga miku ynë i përbashkët një Iphone 13. Në dyqanin më të afërt na thanë se mund ta porosisnim dhe se do të ishte në shitore diku kah fundi i nëntorit. Në porosinë online të “Apple”, përgjigjja ishte fundi i tetorit, por për një model më të dobët se ai i kërkuar.
Një kushërirë e imja po në New York më tha se burri i saj donte ta blinte një veturë të re, por në shitore i thanë se modeli të cilin e kërkonte do të arrinte, në rastin më të mirë, në pranverë.
Dyqan pas dyqani, restorant pas restoranti (në veçanti ato fast-food) kishin që në hyrje shpallje të mëdha që kërkonin punëtorë.
Kjo është pasqyra e vendit që përbën gati çerekun e ekonomisë botërore. Elementi i parë, ai i mungesës së mallit, nuk është veçori dhe karakterizon pothuajse tërë ekonominë botërore. Një ndërmarrës në Shqipëri që gjatë verës më tregoi se gjysmën e vëmendjes ia merr porti i Durrësit, ku zhvillohet betejë e vërtetë e të gjithë afaristëve të Shqipërisë për të marrë mall. Afaristët e të gjithë lëmenjve-tekstil, mallra elektrike, mall ndërtimor-vëzhgojnë me vëmendje çdo anije që zbarkon dhe për çdo kontejner zhvillohet ngarendje, fatmirësisht në një lloj ankandi se kush do të paguajë më shumë apo kush me kë do të merret vesh për kompensim.
Ai i dyti, i kërkimit të vendeve të punës është më i spikatur në vendet si SHBA e Angli, ku shteti ka dhënë para të vazhdueshme për të papunët, për aq sa tash është më mirë të jesh i papunë edhe disa muaj sesa të punësohesh në një vend me rrogë më të ulët.
2.
Ky është njëri aspekt i krizës globale ekonomike e politike që lidhet me COVID-19, dhe është krizë globale e zinxhirit furnizues. Prodhuesi i Iphoneit për mikun tim dhe ai i automobilit për kushërirën time janë ballafaquar me problemin e njëjtë: prodhuesit e pjesëve për telefonin dhe për automobilin, të shpërndarë në tërë botën (e në masë të madhe në Kinë) nuk kanë prodhuar mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e rizgjuara të konsumatorëve që për muaj të tërë, madje edhe një vit, nuk kishin blerë gjë pos ushqimit për shkak se ishin të mbyllur nga COVID-19. Edhe në momentin kur filluan të prodhonin pjesët e nevojshme nuk kishte transport të nevojshëm për të përmbushur të gjitha kërkesat - siç e dëshmon miku im në Durrës. Prodhuesit amerikanë, sipas Institute of Supply Management, presin mesatarisht 92 ditë, një shifër rekord, për të fabrikuar produktin nga pjesët e zinxhirit furnizues.
Pra, shprehur shumë thjesht, ka më shumë kërkesë se ofertë dhe ky është njëri aspekt i krizës. Rrjedhimisht, malli po shtrenjtohet dhe do të shtrenjtohet. Kushërirës sime i thanë që është më mirë të mos e ndërrojë veturën e vjetër me një të re, sepse e reja do të jetë dukshëm më e shtrenjtë vitin e ardhshëm. Ndërtuesit e banesave në Prishtinë që tani kanë filluar të mendojnë për çmime më të shtrenjta të apartamenteve, ngase çdo gjë, nga çeliku e tutje, ka filluar të shtrenjtohet.
3.
Aspekti tjetër është ai i krizës energjetike.
Rritja e kërkesës për mallra ka shkaktuar rritje të kërkesës për energji, që do të prodhojë dhe do të transportojë ato mallra. Kërkesa është më e madhe se oferta dhe ky është faktori shtytës që po i shtrenjton sot naftën, gazin dhe energjinë elektrike. Natyrisht, menjëherë më pas vjen spekulimi i prodhuesve të energjisë: Rusia dhe shtetet e tjera prodhuese të gazit e naftës e mbajnë sasinë e prodhuar në këtë nivel duke fryrë çmimet në bursë e duke kompensuar kështu periudhën e vjetme kur kërkesa ishte shumë e vogël e me këtë edhe çmimet.
Ndërsa në hemisferën veriore hyjmë në muajt e ftohtë do të rriten kërkesa dhe presioni ndaj çmimeve e ndaj vendeve prodhuese të energjisë të prodhojnë më shumë.
Këtu hyn tash (gjeo)politika. Rusia, furnizuesi i 60 për qind të nevojave të gazit në Evropë, ka dy kushte për të furnizuar më shumë. Një, që të hapet gazsjellësi Nord Stream2, i cili me një vijë nën detin Baltik e sjell atë në Gjermani e pastaj në tërë rrjetin evropian. Me këtë do të tejkalohej nevoja e Ukrainës si vend transit, duke dëmtuar vlerën gjeostrategjike të këtij vendi. Kushti i dytë është që vendet e Evropës, të zgjuara nga kjo krizë , të nënshkruajnë kontrata afatgjata për furnizim me gaz nga Rusia, me çka shpresohet në Moskë se do të rritej varësia energjetike ndaj Rusisë , pra edhe nevoja që të zbutet qëndrimi i Perëndimit ndaj Rusisë, posaçërisht në sanksionet pas ndërhyrjes në Ukrainë.
Si çdo krizë tjetër, edhe kjo energjetike shpërfaq qasjet politike sot. Rusia tregon se nuk ka krizë që do të lërë pa përdorur dhe në real-politikën e saj është në gjendje t’ia përkujtojë BE-së se konceptet e saj për Agjendën e gjelbër, për taksat e karbonit dhe për zero-emisione më 2050, megjithatë, nuk do t’i ngrohin shtëpitë e banorëve të BE-së, nuk do të prodhojnë më shumë energji elektrike e as mundësojnë transportin e mallrave në zinxhirin prodhues.
4.
Ky kombinim i krizës nuk do ta anashkalojë Kosovën dhe që tani shihen efektet në rritjen e çmimeve, të çdo gjëje, prej ushqimit e tutje.
Por nga aspekti strategjik, kjo është krizë e cila duhet ta nxisë Kosovën që të mendojë në mënyrë më intensive për sigurinë e vet energjetike. Brenda disa javëve në BE kuptohet gjithandej se si një krizë e këtillë për sigurinë evropiane - prej protestave të qytetarëve spanjollë për shkak të rritjes së faturave të energjisë elektrike e deri te mbyllja e përkohshme e fabrikave në Gjermani për mungesë të pjesëve, të një ekonomie ku çdo i katërti punëtor punon për eksport të mallrave - ka nevojë për një përgjigje strategjike. Përballë pasigurisë evropiane janë Kina, nga e cila varet në masë të madhe zinxhiri prodhues, dhe Rusia, nga e cila varet mbi gjysma e nevojave evropiane për gaz.
Kosova duhet të vëzhgojë me vëmendje përgjigjet që do të përgatiten në debatin evropian, por, për më tepër, duhet të zhvillojë një vështrim të vetin strategjik, i cili i përmbush nevojat afatgjate të vendit e është në konvergjencë me strategjinë afatgjate evropiane.