OpEd

Një krim pa pasoja?

Rrëmbimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë u krye me ndihmën aktive të autoriteteve të Prishtinës. Ky akt thellësisht mizor nuk duhet të kalojë pa pasoja për organizatorët. Hulumtimet e mediave ndërkombëtare e paraqesin Kosovën si shtet të kapur që funksionon për interesa të presidentit turk.

Tolga. Këtë emër ia kanë vënë reporterët e televizionit gjerman ZDF një turku, i cili në kushte anonimiteti tregon se si në një vend sekret në Turqi është keqtrajtuar, torturuar, kërcënuar me përdhunim, i është refuzuar ushqimi dhe është terrorizuar me muzikë të zhurmshme. Personat që e kanë keqtrajtuar Tolgan kanë qenë agjentë të shërbimit sekret turk MIT. Ndërkohë Tolga ka ikur jashtë vendit dhe ka folur për mediat ndërkombëtare për tmerrin nëpër të cilin ka kaluar. Tolga është njëri nga shumë përkrahësit e lëvizjes Gülen në Turqi që është gjendur në shënjestër të Qeverisë në Ankara. Rastin e Tolgas dhe disa raste të tjera i ka bërë publik televizioni gjerman ZDF javën që shkoi.

Në kronikën e këtij televizioni një rol prominent dhe të keq e luan Kosova. Përveçse në ZDF rezultatet e hulumtimit janë botuar edhe në gazeta të përditshme në Francë, Spanjë, Itali, Izrael dhe vendet skandinave. Gjithkund është tematizuar edhe kidnapimi i gjashtë turqve në Kosovë në fund të marsit. Mund të merret me mend se me këtë aksion Kosova nuk është kualifikuar si vend ku respektohen ligjet. Përkundrazi: rrëmbimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë u krye me ndihmën aktive të autoriteteve të Prishtinës. Ishte aksion ilegal. Ky akt thellësisht mizor nuk duhet të kalojë pa pasoja për organizatorët. Hulumtimet e mediave ndërkombëtare e paraqesin Kosovën si shtet të kapur që funksionon për interesa të presidentit turk.

Për herë të parë falë hulumtimeve të televizionit gjerman ZDF dhe të një rrjeti të mediave ndërkombëtare të platformës Correctiv, janë mësuar detaje mbi mënyrën se si u rrëmbyen gjashtë turqit në Prishtinë. ZDF-ja thekson se presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, po zhvillon një fushatë mbarëbotërore kundër atyre personave që i ka targetuar si përkrahës të lëvizjes Gülen. Këtë lëvizje, të emëruar sipas mikut të dikurshëm të Erdoganit, Fethullah Gülen, kryetari turk e sheh si fajtoren kryesore për përpjekjen për grusht shteti në korrik 2016. Që nga atëherë Turqia ka filluar së zbatuari një program kidnapimesh në mbarë botën. Programi, sipas hulumtimit të ZDF-së, drejtohet nga shërbimi sekret turk MIT. Kjo nuk është ndonjë befasi e madhe. Befasi e mërzitshme është që, me sa duket, në shtete si Kosova shërbimi turk hyn e del si në “bahçe të babës” – pa pasoja, madje me përkrahje të krerëve të shtetit, shërbimit sekret, policisë.

Përkrahësit e Gülenit, pa marrë parasysh pozitat e tyre në këtë organizatë dhe pa marrë parasysh a janë apo jo fajtorë, ndiqen, rrëmbehen dhe futen në burgjet turke, ku, sipas familjarëve, mbahen pa aktakuzë. Edhe gjashtë turqit e kidnapuar në Kosovë ende nuk e dinë se për çka akuzohen. Siç nuk e dinë as shumë aktivistë të shoqërisë civile turke, të cilët prej më shumë se një viti po mbahen në burg, mes tyre edhe filantropi Osman Kavala.

Në emisionin “Frontal21” të ZDF-së janë prezantuar fakte mbi rrëmbimin e shtetasve turq në Indonezi, Moldavi dhe – Kosovë. Sipas ZDF-së, më datën 29 mars 2018 një avion i tipit Challenger aterroi në mëngjes në Aeroportin e Prishtinës. Ky aeroport menaxhohet nga një firmë turke, e cila i takon rrjetit të gjerë të ndërmarrjeve të lidhura me partinë AKP të Erdoanit. Pak minuta para se avioni turk të zbriste në Prishtinë, një kamerë publike kishte regjistruar një aksion të Policisë së Kosovës. Policët ndalën veturën e familjes turke Karabina dhe kidnapuan kryefamiljarin Jusuf Karabina. Jasemin Karabina, gruaja e të kidnapuarit, ishte përpjekur të pengojë policët e Kosovës gjatë aksionit të tyre ilegal. Përpjekja e saj e dëshpëruar është parë gjerësisht në media. Jasemin Karabina dështoi të pengojë policët në aksionin e tyre. Burri i saj dhe pesë turq të tjerë ishin të angazhuar në shkollat e lëvizjes Gülen në Kosovë si Kolegji Mehmet Akif, ku ndjekin apo kanë ndjekur mësimet edhe fëmijët e politikanëve të lartë kosovarë. Ndërsa familjarët kërkonin të afërmit e tyre, ata u sollën në Aeroportin e Prishtinës të lidhur me pranga dhe u futën në avionin Challenger. Në orën 10:00 avioni u ngjit në qiell nga pista e Aeroportit të Prishtinës. Caku i fluturimit: aeroporti ushtarak në Ankara. Këtë, sipas ZDF-së, e dëshmojnë dokumentet. Turqit e kidnapuar në Kosovë u sollën në Turqi me avionin Challenger TC-KLE, i regjistruar në emër të një firme turistike në Ankara. Adresa e firmës: fare afër ndërtesës ku banojnë pjesëtarët e shërbimit sekret turk MIT në Ankara. Avioni Challenger TC-KLE e shoqëroi edhe aeroplanin e Rexhep Taip Erdoanit gjatë vizitës në Gjermani në fund të shtatorit të këtij viti. Sipas familjarëve të turqve të kidnapuar në Kosovë, pjesëtarët e shërbimit sekret turk qëndruan në avion dhe autoritetet kosovare ua dorëzuan atyre të rrëmbyerit.

Pas publikimit të hulumtimeve në mediat ndërkombëtare mbi programin e Erdoanit për kidnapimin e kritikëve të tij kudo në botë, menjëherë reaguan mediat proqeveritare turke. Gazeta “Yeni Şafak” shkroi se bëhej fjalë për “propagandë të zezë”, e cila drejtohej kundër Turqisë. Më 17 korrik 2018 gazeta “Hürriyet Daily News” njoftoi se shërbimi sekret turk MIT “në bashkëpunim me shërbimin sekret kosovar” arrestoi në Prishtinë gjashtë burra. Mediat turke nuk raportuan për hulumtimet e reja të televizionit gjerman ZDF dhe mediave të tjera ndërkombëtare – me gjasë nga frika se mund të kenë pasoja nga regjimi në Ankara. Në Turqi pothuajse nuk ekziston shtypi i lirë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të bëra publike në nëntor, që nga përpjekja për puç në Turqi janë arrestuar 218 mijë njerëz. Prej tyre 16.684 janë dënuar, shumica me burg të përjetshëm. 14.750 gjenden në paraburgim. Së paku 140 mijë shërbyes civilë janë përjashtuar nga puna.