OpEd

Një komb - dy kombëtare

Motoja “një komb - një kombëtare” ka pasur kuptim kur skuadra kombëtare e Shqipërisë nisi të ftonte dhe lojtarë që nuk ishin nga Shqipëria. Kjo edhe solli revolucion dhe për herë të parë Shqipëria u gjet në një kampionat. Tash kur Kosova është shtet, dhe me mund të madh u bë anëtare e UEFA-s e FIFA-s, më mirë përshtatet thënia “një komb - dy kombëtare”. Në mesin e shqiptarëve kudo që jetojnë, ka aq shumë talente saqë mund të kontribuojnë për më shumë kombëtare. Dhe nuk duhet paragjykuar e as ofenduar se nuk janë sa duhet patriotë ata që luajnë për njërën apo për tjetrën kombëtare

Shpresat e shumë tifozëve shqiptarë të futbollit u realizuan deri në gjysmë. Në Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani nuk do ta shohim Kosovën, por do të mund të shohim Shqipërinë. Për herë të dytë, kombëtarja e Shqipërisë u kualifikua në një evropian. Kosova dështoi, përkundër faktit se e kishte një grup kualifikues jo edhe aq të vështirë, ani pse grupe të lehta sot nuk ka, sepse të gjithë disi dinë të luajnë futboll.

E kemi ditur se viti 2024 do t’i gjejë kosovarët me liberalizim të vizave. Dhe shpresonim që shumë prej tyre këtë vit do të mund të shkonin në Gjermani prej mesit të muajit qershor e deri në korrik për të parë në stadium kombëtaren e Kosovës. Por fati nuk e deshi. Megjithatë, kosovarët pa dyshim do të ndjekin kombëtaren e tyre, atë të Shqipërisë. Sepse edhe atë kombëtare e konsiderojnë të veten. Nuk ka asgjë të keqe këtu e as të pakuptueshme që dikush të ketë ndjenjën se i ka dy kombëtare të zemrës dhe që të dyja i konsideron të vetat.

Motoja “një komb - një kombëtare” ka pasur kuptim kur skuadra kombëtare e Shqipërisë nisi të ftojë dhe lojtarë që nuk ishin nga Shqipëria. Kjo edhe solli revolucion dhe për herë të parë Shqipëria u gjet në një kampionat. Tash kur Kosova është shtet, dhe me mund të madh u bë anëtare e UEFA-s e FIFA-s, më mirë përshtatet thënia “një komb - dy kombëtare”. Në mesin e shqiptarëve, kudo që jetojnë, ka aq shumë talente saqë mund të kontribuojnë për më shumë kombëtare. Dhe nuk duhet paragjykuar e as ofenduar se nuk janë sa duhet patriotë ata që luajnë për njërën apo për tjetrën kombëtare

Krejt ndryshe do të dukej sot kombëtarja e Shqipërisë sikur të mos i kishte në radhët e saj lojtarët edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës. Me gjasë do ta kishte vështirë edhe të kualifikohej. Por se cili lojtar do të luajë për cilën kombëtare, duhet lënë vetë atyre të vendosin. Dhe duhet respektuar jo vetëm ata që vendosin të luajnë për Kosovën apo për Shqipërinë, por edhe ata që luajnë sot për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Zvicrën, Belgjikën apo Gjermaninë. Kjo nuk i bën as më pak e as më shumë shqiptarë dhe patriotë. Sikurse për Kosovën luajnë e në të ardhmen munden edhe më shumë edhe ata që nuk janë shqiptarë etnikë, por janë qytetarë të Kosovës apo me prejardhje nga Kosova. Qofshin ata serbë, boshnjakë, goranë apo të tjerë.

Para se namin e futbollit shqiptar ta ngrinte kombëtarja e Shqipërisë duke u kualifikuar për Evropianin në Francë më 2016, e bën këtë shumë shqiptarë që luanin për kombëtare të tjera. Ishte Ardian Kozniku me Kroacinë i pari shqiptar që mori medalje në një Botëror, të bronztën në Francë më 1998. Kemi një shqiptar që u bë edhe kampion bote: Shkodran Mustafi me Gjermaninë. Vështirë që do ta arrijë dikush namin Xherdan Shaqirit, i cili ka mbetur në histori të botërorëve në futboll me dy kuriozitete. Shaqiri në fitoren e Zvicrës ndaj Hondurasit ka shënuar het-trikun e 50-të, jubilar të shënuar në një Botëror. Dhe ka shënuar het-trikun e parë në histori të Botërorit, ku të tre golat janë shënuar me këmbën e majtë. Kosovarët i kanë festuar fitoret e Zvicrës sikur të ishin të kombëtares së tyre. Por duhet pranuar se sa kontribuuan kosovarët për futbollin zviceran, aq na e ktheu Zvicra, duke krijuar në sistemin e saj futbollistë që për vite u bënë shtyllë e kombëtares së Kosovës.

Dhe kosovarët padyshim do ta bëjnë kontributin kryesor në mbështetje të madhe që Shqipëria do të ketë në Gjermani gjatë verës. Nuk është e tepruar të parashikohet se për diku rreth 10 mijë bileta që do t’u takojnë tifozëve shqiptarë do të ketë ndoshta edhe 100 mijë kërkesa. Kosovarëve nuk do t’u lërë përshtypje as ndonjë ngacmim nga vëllezërit prej Shqipërisë që thonë “E keni kombëtaren tuaj tash, pse përziheni këtu”. Le ta kuptojnë më në fund edhe injorantët e fundit në Shqipëri se nuk mund t’ua mohosh identitetin etnik kombëtar lojtarëve apo tifozëve që kanë emra Milot, Shkodran, Labinot apo Berat. Pa marrë parasysh se sa shtete i kanë. E ka shqiptarë që sot kanë edhe nga 3 apo 4 pasaporta. Sepse jetojnë në një botë të tillë që është ndryshe nga ajo që ishte dikur.

E kur e lëmë anash elementin emocional, duhet bërë edhe disa analiza të mirëfillta profesionale të lojës së Shqipërisë, edhe Kosovës. Kosova për nga fondi i lojtarëve nuk është më e dobët sesa Shqipëria. Ajo që i mungon është stabiliteti në lojë dhe jashtë saj, një dozë më e madhe e vetëbesimit dhe natyrisht fati që në sport është i domosdoshëm.

Kosova nuk duhet kurrë të mendojë se duhet t’i gëzohet një barazimi kundër kujtdo qoftë. Duhet të niset nga fakti se me barazim nuk e fiton një pikë, por i humb dy. Ja në këto kualifikime Kosova i humbi 8 pikë nga dy ekipet në grup që realisht janë shumë më të dobëta. Sikur t’i kishte nxjerrë pikët maksimale ndaj Andorrës dhe Bjellorusisë, edhe Kosova do të ishte në Evropian. Nëse Kosova synon kualifikimet në të ardhmen, dhe duhet t’i synojë, nuk duhet më të gëzohet pse ka nxjerrë një barazim me Zvicrën. Nëse nuk respekton veten, as të tjerët nuk do ta respektojnë. Pra Kosovës mbi të gjitha, i duhet një përzgjedhës ambicioz, i cili do t’i mbajë të motivuar lojtarët dhe do të synojë fitore në lojë pa marrë parasysh se si e ka emrin kundërshtari. Por Kosovës i duhet stabilitet dhe në infrastrukturë. Kosova sot ka kombëtare, është e njohur nga UEFA e FIFA, por nuk ka fushë ku mund të luajë “sipas standardeve evropiane”. Kjo është e patolerueshme. Sepse nuk është Kosova e vetmja ku bie shi dhe borë. Apo fajin e ka Ballkani i Suharekës, e deri diku edhe Drita e Gjilanit e Dukagjini i Klinës se kanë arritur një lloj suksesi në gara evropiane, që si pasojë, ka pasur më shumë lojë të zhvilluara në “Fadil Vokrri”.

Për Ballkanin ndoshta nuk do të jetë shumë problem që për disa muaj të luajë në Tiranë. Edhe ashtu nga Suhareka në Tiranë është vetëm një orë më larg sesa të shkosh në Prishtinë. Por në afat të gjatë Kosova duhet të ketë disa fusha të pranuara. Jo vetëm për të mos pasur turp ndaj të huajve, por për nevojat e veta. Sepse në Kosovë do të formohen lojtarët, liga do të zhvillohet dhe futbolli do të përmirësohet. Kjo nuk është e mundur pa infrastrukturë.

E kur jemi te kombëtaret, një gjë duhet thënë edhe kolegëve gazetarë dhe analistëve të tjerë të lojës së futbollit. Rregullat e kufizojnë që në fushë të jenë vetëm 11 lojtarë. E disa tjerë në bankinë. Prandaj sa herë që të japin ligjërata për përzgjedhësin, kushdo qoftë ai, se cilin lojtarë duhet ftuar, nga cila ligë, le të thonë edhe cilin nuk duhet ftuar. Sepse nuk ka vend për të gjithë. Bile duke krijuar një bazë prej 60 deri 100 lojtarëve potencialë të kombëtares bëhet më e vështirë të krijohet një stabilitet në lojë. Nuk është Kosova e vetmja ku përzgjedhësve u bëhet presion kryesisht nga agjentët e futbollistëve që t’i ftojnë. Ndodh kjo edhe në kombëtaret e tjera. Por ndaj kësaj dukurie duhet ndërtuar një rezistencë, sepse ajo nuk u ndihmon as futbollistëve. Është bërë tashmë shprehi e agjentëve të lojtarëve, që ndikojnë edhe përmes gazetarëve, që të përhapin lajme se kinse lojtari i tyre “do të zgjedhë këtë kombëtare nëse nuk e thërret kjo”. Dhe shqiptarët nëpër Evropë duken të privilegjuar krahasuar me lojtarët tjerë, sepse kanë një mundësi më të madhe të zgjedhjeve. Por kjo sjell edhe kundërefekt. Bën që disa lojtarë të ftohen nga një kombëtare vetëm për të mos u ftuar nga një tjetër, e pastaj nuk ftohen më kurrë. As kjo nuk është një situatë e shëndoshë por të gjithë e dinë se kjo po ndodhë. Nuk ka lojtarë të Kosovës që do të refuzonin të luajnë ndonjë ndeshje të kombëtares. Por këto dallavere atyre ua bëjnë agjentët. Prandaj nuk duhet gjykuar lojtarët sepse nuk është në dorën e tyre. Presioni ndaj përzgjedhësve është gjithmonë shumë, shumë i madh.

Ish-përzgjedhësi legjendar i Kroacisë Miroslav Qira Blazheviq, që e kishte epitetin “Trajneri i të gjithë trajnerëve” dinte të thoshte: “Kroacia i ka 4 milionë përzgjedhës., Unë jam vetëm njëri prej 4 milionëve. Por vetëm mua ma shajnë nënën!”. Të gjithë ne para ekranit jemi përzgjedhësit më të mirë, sikurse jemi dhe referët më të mirë. Por ai që vendos dhe mban përgjegjësinë është përzgjedhësi formal. Shpresojmë që edhe Kosova ta ketë një që do të ketë njohuri, fuqi, vetëbesim dhe karakter për ta ndërtuar një lojë stabile, e cila do ta çojë edhe Kosovën në një kampionat. Deri atëherë e kemi Kombëtaren e Shqipërisë që po ashtu është jona. Dhe me ethe dhe emocione presin shortin më 2 dhjetor, pastaj garën për të ardhur deri te biletat e në verë edhe festen e madhe në Gjermani. Me moton “një komb – dy kombëtare”.