OpEd

Një kokërr aspirinë për botën tonë

Një kronikë e shkurtër e vitit të gjatë 2022.

Po të mos ishte lufta – lufta barbare e Rusisë kundër Ukrainës -, një kronikë për vitin 2022 do të mund të fillonte me disa shënime mbi 125-vjetorin e zbulimit të aspirinës. I famshmi Erich Fromm (1900-1980) ishte i bindur se aspirinë domethënë «më pak dhimbje në këtë botë». Kur u ngjit në hënë më 1969, Neil Armstrongu mori me vete edhe aspirinë. Thomas Mann, laureat i Nobelit për letërsi, mbante shënim në ditarin e tij për çdo aspirinë që e pinte.

Enrico Caruso, tenori legjendar nga Napoli, mjeshtër i përsosmërisë zanore, ishte konsumues i rregullt i aspirinës. Filozofi spanjoll, José Ortega y Gasset, e shihte shekullin e 20-të si «epokë të aspirinës», për Franz Kafkën, shkrimtarin e introvertuar nga Praga, aspirina ishte një send që e zbut «dhimbjen e padurueshme të ekzistencës», nga fshati alpin zviceran, Saas Fé shkrimtari amerikan Henry Miller i shkruante autores Anaïs Nin se për çdo ditë merrte gjashtë aspirina kundër acarit dhe ajrit malor. Vetëm Rasputini ia ndaloi të birit të carit konsumimin e aspirinës. Si dikur, si tani gjërat në Rusi shpeshherë kanë ecur në drejtim të kundërt me botën e civilizuar.

*

Po të mos ishte lufta – lufta barbare e Rusisë kundër Ukrainës -, një kronikë për vitin 2022 do të mund të fillonte me një përqeshje të Novak Gjokoviqit, i cili në janar të këtij viti nuk u lejua ta mbrojë titullin në Australian Open për shkak se refuzoi të vaksinohej kundër virusit për të cilin bota po flet që nga fillimi i vitit 2020. Gjokoviqi shkoi në Australi me disa letra të falsifikuara në xhep përmes të cilave synonte të bindte autoritetet e atij vendi (dhe kontinenti) se e ka kaluar përballimin me virusin. Erdhi, shkaktoi skandal, viza iu anulua dhe u përzu nga Australia.

*

Po të mos ishte lufta – lufta barbare e Rusisë kundër Ukrainës -, një kronikë për vitin 2022 do të mund të fillonte me përkujtimin e Hans Magnus Enzensbergerit, poet gjerman, princ i letrave, polemizues, eseist, intelektual publik, shtegtar, qytetar i botës, iluminist, botues, redaktor, provokator, përkthyes, pedagog, kritik letrar dhe kritik shoqëror i cili vdiq në fund të nëntorit. Enzensberger u lind në vitin 1929, kur filloi kriza e madhe botërore. Dhe vdiq më 2002 kur bota prapë po përballet me një krizë të madhe.

*

Po të mos ishte lufta – lufta barbare e Rusisë kundër Ukrainës -, një kronikë për vitin 2022 do të mund të fillonte me përkujtimin e Madeleine Albright e cila vdiq në moshën 84-vjeçare, më 23 mars, një ditë para përvjetorit të fillimit të sulmeve të NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe një ditë pa u bërë një muaj nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës. Albright ishte e para grua ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB dhe e para grua në postin e ministres së Jashtme amerikane. Çeke me rrënjë hebraike (të cilat i zbuloi më vonë), ajo fliste anglisht, frëngjisht, rusisht, polonisht dhe çekisht. Ajo ishte gruaja të cilën presidenti Bill Clinton e dërgonte për të zgjidhur krizat e ndryshme – nga Ruanda e Haiti deri në Kosovë, aty ku ajo përjetësisht do të kujtohet për rolin e saj të madh në vitet e çlirimit.

*

Po të mos ishte lufta – lufta barbare e Rusisë kundër Ukrainës -, një kronikë për vitin 2022 do të mund të fillonte me... Edhe në vitin 2023 lufta në Ukrainë, fatkeqësisht, do të dominojë përditshmërinë tonë. Viti 2023 mund të jetë fillimi i fundit të sundimit të Vlladimir Putinit. Ose historia mund të marrë drejtim krejt tjetër: një përpjeke e re ruse për pushtimin e Kievit, sulme edhe më brutale ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase, lodhje e Perëndimit në përballje me agresorin rus. Një shikim në të kaluarën mund të jetë dobiprurës, ndonëse Gjermania e vitit 1923 dhe Rusia e vitit 2023 nuk mund të krahasohen. Më 1923 Gjermania ishte shtet që kishte humbur Luftën e Parë Botërore dhe ishte ndëshkuar. «Asnjë popull i botës nuk e ka përjetuar atë që i ngjan përjetimit gjerman të vitit 1923», shkroi publicisti Sebastian Haffner në mërgimin britanik. Shkrimtari Stefan Zweig nënvizoi se historia «kurrë nuk e ka prodhuar një kohë të tillë çmendurie me proporcione kaq të mëdha».

Çfarë ndodhi atë vit në Gjermani (në Republikën e Weimarit)? Inflacioni arriti përmasa stratosferike, mjerimi e afroi popullin buzë humnerës, trupat franceze dhe belge pushtuan trevën gjermane të Ruhrit dhe në München një anarkist politik me emrin Adolf Hitler po përgatiste një grusht shteti i cili dështoi më 9 nëntor 1923. Dhjetë vjet më vonë, Adolf Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë. Si do të duket bota më 2033? Të shpresojmë pa Vlladimir Putinin dhe figura të ngjashme si ai. Për këtë botës do t’i duhen edhe në vitin 2023 shumë aspirinë për t’u qetësuar. Dhe botës perëndimore shumë vullnet dhe shumë armë për të mbrojtur modelin demokratik përballë atij autokratik. Ndryshimet e vitit 2022 janë epokale, andaj çdo parashikim për vitin 2023 nënkupton të menduarit edhe për vitin 2033.